Në fillim Perëndia bëri qiellin dhe dheun
1. Është e drejtë që kushdo, kur nis të tregojë formimin e botës, të fillojë me rregullin e mirë që mbretëron në gjërat e dukshme. Do të flas për krijimin e qiellit dhe të dheut, i cili nuk qe i vetvetishëm, siç kanë menduar disa, por e nxori origjinën e vet nga Perëndia. Cili vesh është i denjë të dëgjojë një rrëfim të tillë? Sa me zell duhet të përgatitet shpirti për të pritur mësime kaq të larta! Sa i pastër duhet të jetë nga dëshirat e mishit, sa i pashqetësuar nga trazirat e kësaj bote, sa i gjallë e i zjarrtë në kërkimet e tij, sa i etur të gjejë në ato që e rrethojnë një ide për Perëndinë që të jetë e denjë për Të!
Por para se të peshojmë drejtësinë e këtyre vërejtjeve, para se të shqyrtojmë tërë kuptimin që përmbajnë këto pak fjalë, le të shohim se kush na i drejton. Sepse, edhe në qoftë se dobësia e mendjes sonë nuk na lejon të depërtojmë në thellësinë e mendimeve të shkruesit, prapëseprapë do të shtyhemi pa dashje t'u zëmë besë fjalëve të tij nga forca e autoritetit të tij. Tani, këtë histori e ka hartuar Moisiu; Moisiu, që, kur ishte ende foshnjë në gji, përshkruhet si tejet i bukur; Moisiu, që e mori për bir e bija e Faraonit dhe që mori prej saj një edukatë mbretërore e pati për mësues të diturit e Egjiptit; Moisiu, që përçmoi shkëlqimin e mbretërisë dhe, për të ndarë gjendjen e përunjur të bashkatdhetarëve të tij, deshi më mirë të përndiqej bashkë me popullin e Perëndisë sesa të shijonte kënaqësitë kalimtare të mëkatit; Moisiu, që mori prej natyrës një dashuri të tillë për drejtësinë, saqë, edhe para se t'i besohej udhëheqja e popullit të Perëndisë, u shty nga një neveri e natyrshme ndaj së keqes t'i ndiqte keqbërësit deri në atë pikë sa t'i ndëshkonte me vdekje; Moisiu, që, i dëbuar nga ata të cilëve u kishte bërë mirë, nxitoi t'u shpëtonte trazirave të Egjiptit dhe gjeti strehë në Etiopi, ku jetoi larg përpjekjeve të mëparshme dhe kaloi dyzet vjet duke soditur natyrën; Moisiu, së fundi, që, në moshën tetëdhjetë vjeç, e pa Perëndinë, aq sa është e mundur për njeriun ta shohë, ose më mirë ashtu si nuk i qe dhënë më parë njeriut ta shihte, sipas dëshmisë së vetë Perëndisë: «Në pastë ndonjë profet ndër ju, unë, Zoti, do t'i bëhem i njohur atij në vegim dhe do t'i flas në ëndërr. Nuk është kështu shërbëtori im Moisiu, që është besnik në gjithë shtëpinë time; me të do të flas gojë më gojë, haptas e jo me fjalë të errëta.» Është pikërisht ky njeri, që Perëndia e çmoi të denjë ta sodiste ballë për ballë, si engjëjt, ai që na përcjell atë që mësoi nga Perëndia. Le t'u vëmë veshin, pra, këtyre fjalëve të së vërtetës, të shkruara jo me ndihmën e «fjalëve joshëse të urtësisë njerëzore», por nën diktimin e Frymës së Shenjtë; fjalë të caktuara të prodhojnë jo duartrokitjet e atyre që i dëgjojnë, por shpëtimin e atyre që mësohen prej tyre.
2. «Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe dheun.» Ndalem i mahnitur para këtij mendimi. Çfarë të them më parë? Ku ta nis rrëfimin tim? Të tregoj kotësinë e paganëve? Të lartësoj të vërtetën e besimit tonë? Filozofët e Greqisë u munduan shumë të shpjegojnë natyrën, por asnjë prej sistemeve të tyre nuk mbeti i qëndrueshëm e i patundur, sepse secili u përmbys nga pasardhësi i vet. Është e kotë t'i hedhësh poshtë; mjaftojnë vetë për të shkatërruar njëri-tjetrin. Ata që ishin tepër të paditur për t'u ngjitur në njohjen e një Perëndie, nuk pranonin dot se një shkak i mençur drejtonte lindjen e gjithësisë: një gabim i parë që i përfshiu në pasoja të hidhura. Disa iu drejtuan parimeve materiale dhe ia veshën origjinën e gjithësisë elementeve të botës. Të tjerë përfytyruan se atomet, trupat e pandashëm, grimcat dhe kanalet, formojnë me bashkimin e tyre natyrën e botës së dukshme. Atomet, duke u ribashkuar ose duke u ndarë, prodhojnë lindje e vdekje, madje edhe trupat më të qëndrueshëm ia detyrojnë qëndrueshmërinë e tyre vetëm forcës së ngjitjes së ndërsjellë: një pëlhurë e vërtetë merimange, e thurur nga këta shkrimtarë që i japin qiellit, dheut e detit një origjinë kaq të dobët dhe kaq pak qëndrueshmëri! Kjo ndodh sepse ata nuk dinin të thoshin: «Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe dheun.» Të mashtruar nga ateizmi i tyre i lindur, u dukej sikur asgjë nuk e sundonte a nuk e drejtonte gjithësinë dhe se gjithçka ishte lënë në dorë të rastit. Për të na ruajtur nga ky gabim, shkruesi për krijimin, që në fjalët e para, na e ndriçon mendjen me emrin e Perëndisë: «Në fillim Perëndia krijoi.» Ç'rregull i lavdishëm! Së pari vendos një fillim, që të mos mendohej se bota nuk pati kurrë fillim. Pastaj shton «krijoi», për të treguar se ajo që u bë ishte një pjesë fort e vogël e fuqisë së Krijuesit. Ashtu si poçari, pasi ka bërë me të njëjtin mund një numër të madh enësh, nuk e ka sfilitur as artin as talentin e tij, kështu edhe Bërësi i gjithësisë, fuqia krijuese e të cilit, larg së qeni e kufizuar në një botë të vetme, mund të shtrihej deri në pafundësi, kishte nevojë vetëm për shtysën e vullnetit të Tij që të sillte në jetë pafundësitë e botës së dukshme. Në qoftë se, pra, bota ka një fillim dhe në qoftë se është krijuar, pyet se kush ia dha këtë fillim dhe kush qe Krijuesi; ose më mirë, nga frika se mos arsyetimet njerëzore të bëjnë të largohesh nga e vërteta, Moisiu i ka dalë përpara pyetjes, duke gdhendur në zemrat tona, si vulë e si mburojë, emrin e tmerrshëm të Perëndisë: «Në fillim Perëndia krijoi.» Është Ai, Natyra bamirëse, Mirësia pa masë, objekt i denjë dashurie për të gjitha qeniet e pajisura me arsye, bukuria më e dëshiruar, origjina e gjithçkaje që ekziston, burimi i jetës, drita mendore, urtësia e padepërtueshme; është Ai që «në fillim krijoi qiellin dhe dheun.»
3. Mos përfytyro, pra, o njeri, se bota e dukshme është pa fillim! Edhe pse trupat qiellorë lëvizin në një rrugë rrethore dhe shqisave tona u vjen vështirë të përcaktojnë pikën ku nis rrethi, mos beso se trupat që i shtyn një lëvizje rrethore janë, prej natyrës së tyre, pa fillim. Pa dyshim, rrethi (dua të them figura e rrafshët e vizatuar me një vijë të vetme) na del jashtë shqisave dhe s'është e mundur të gjejmë se ku nis a ku mbaron; por për këtë arsye nuk duhet ta besojmë pa fillim. Ndonëse nuk e ndiejmë, ai në të vërtetë nis në një pikë, atje ku vizatuesi ka filluar ta vizatojë me një rreze të caktuar nga qendra. Kështu, edhe pse sheh se figurat që lëvizin rrotull kthehen përherë mbi vetvete, pa e ndërprerë asnjë çast rregullsinë e rrjedhës së tyre, mos përfytyro më kot me veten se bota s'ka as fillim as fund. «Sepse pamja e kësaj bote po shkon» dhe «Qielli dhe dheu do të shkojnë». Dogmat mbi fundin e botës dhe mbi ripërtëritjen e saj shpallen që më parë në këto pak fjalë të vëna në krye të historisë së frymëzuar: «Në fillim Perëndia bëri.» Ajo që nisi në kohë është e dënuar të marrë fund në kohë. Në pastë pasur një fillim, mos ki dyshim për fundin. Ç'vlejnë, pra, gjeometria, llogaritjet e aritmetikës, studimi i trupave gjeometrikë dhe astronomia e stërlavdëruar, kjo kotësi e mundimshme, në qoftë se ata që merren me to përfytyrojnë se kjo botë e dukshme është bashkë e përjetshme me Krijuesin e të gjitha gjërave, me vetë Perëndinë; në qoftë se i veshin kësaj bote të kufizuar, që ka trup material, po atë lavdi si natyrës së pakuptueshme e të padukshme; në qoftë se s'kuptojnë dot se një e tërë, pjesët e së cilës i nënshtrohen prishjes e ndryshimit, patjetër duhet të marrë fund duke iu nënshtruar vetë fatit të pjesëve të veta? Por ata «u bënë të kotë në mendimet e tyre dhe zemra e tyre e pamend u errësua. Duke pohuar se ishin të urtë, u bënë të marrë.» Disa pohuan se qielli bashkëekziston me Perëndinë që nga përjetësia; të tjerë se ai është vetë Perëndia, pa fillim e pa fund, dhe shkaku i renditjes së veçantë të të gjitha gjërave.
4. Një ditë, pa dyshim, dënimi i tyre i tmerrshëm do të jetë edhe më i madh pikërisht për gjithë këtë urtësi të kësaj bote, sepse, ndonëse shohin kaq qartë në shkencat e kota, ata me dashje ua mbyllën sytë njohjes së së vërtetës. Këta njerëz që matin largësitë e yjeve dhe i përshkruajnë, si ato të veriut, që shndrisin gjithnjë me shkëlqim para syve tanë, ashtu edhe ato të polit të jugut, të dukshme për banorët e jugut, por të panjohura për ne; që e ndajnë brezin verior dhe rrethin e zodiakut në një pafundësi pjesësh; që vëzhgojnë me përpikëri rrjedhën e yjeve, vendet e tyre të palëvizshme, pjerrjet e tyre, kthimin e tyre dhe kohën që i duhet secilit për të bërë një rrotullim, këta njerëz, po them, i kanë zbuluar të gjitha veç një gjëje: faktin se Perëndia është Krijuesi i gjithësisë dhe Gjykatësi i drejtë, që shpërblen çdo vepër të jetës sipas meritës së saj. Ata nuk ditën të ngriheshin deri te ideja e përmbylljes së të gjitha gjërave, që rrjedh nga mësimi për gjykimin, dhe të shihnin se bota duhet të ndryshojë, në qoftë se shpirtrat kalojnë nga kjo jetë në një jetë të re. Në të vërtetë, ashtu si natyra e jetës së tanishme ka një afri me këtë botë, kështu edhe në jetën e ardhshme shpirtrat tanë do të gëzojnë një fat në përputhje me gjendjen e tyre të re. Por ata janë aq larg zbatimit të këtyre të vërtetave, saqë vetëm qeshin kur u shpallim fundin e të gjitha gjërave dhe rilindjen e epokës. Meqë fillimi i paraprin natyrshëm asaj që rrjedh prej tij, shkruesi, medoemos, kur na flet për gjëra që e patën origjinën në kohë, vë në krye të rrëfimit të tij këto fjalë: «Në fillim Perëndia krijoi.»
5. Duket, në të vërtetë, se edhe para kësaj bote ekzistonte një rend gjërash për të cilin mendja jonë mund të krijojë një ide, por për të cilin s'mund të themi asgjë, sepse është një temë tepër e lartë për njerëz që janë veçse fillestarë e ende foshnja në dituri. Lindjes së botës i parapriu një gjendje gjërash e përshtatshme për ushtrimin e fuqive mbinatyrore, që i kalon kufijtë e kohës, e përjetshme dhe e pafund. Krijuesi dhe Demiurgu i gjithësisë i përsosi veprat e Tij në të: dritën frymërore për lumturinë e të gjithë atyre që e duan Zotin, natyrat mendore e të padukshme, tërë renditjen e mirërregulluar të inteligjencave të pastra, që janë përtej mundësisë së mendjes sonë dhe të cilave s'ua zbulojmë dot as emrat. Ato e mbushin thelbin e kësaj bote të padukshme, siç na mëson Pavli: «Sepse me anë të tij u krijuan të gjitha, ato që janë në qiell dhe ato që janë mbi dhe, të dukshmet dhe të padukshmet, qofshin frone, qofshin zotërime, qofshin principata a pushtete», a virtyte, a ushtri engjëjsh, a dinjitete kryeengjëjsh. Kësaj bote, më në fund, iu desh t'i shtohej një botë e re, njëherësh shkollë e vend stërvitjeje, ku të mësoheshin shpirtrat e njerëzve, dhe shtëpi për qenie të caktuara të lindin e të vdesin. Kështu u krijua, me një natyrë të ngjashme me atë të kësaj bote dhe të kafshëve e bimëve që jetojnë në të, radha e kohës, që gjithnjë shtyn përpara e ikën dhe kurrë s'ndalet në rrjedhën e vet. A nuk është kjo natyra e kohës, ku e shkuara nuk është më, e ardhmja s'ekziston dhe e tashmja na rrëshqet para se ta njohim? E e tillë është edhe natyra e krijesës që jeton në kohë: e dënuar të rritet a të treten pa prehje e pa qëndrueshmëri të sigurt. Prandaj është e udhës që trupat e kafshëve dhe të bimëve, të detyruar të ndjekin një lloj rryme dhe të rrëmbyer nga lëvizja që i çon drejt lindjes a vdekjes, të jetojnë mes një rrethine natyra e së cilës është në pajtim me qeniet që i nënshtrohen ndryshimit. Kështu, shkruesi që me urtësi na rrëfen lindjen e gjithësisë, nuk lë pa i vënë këto fjalë në krye të rrëfimit: «Në fillim Perëndia krijoi», domethënë në fillim të kohës. Prandaj, në qoftë se e bën botën të shfaqet në fillim, kjo nuk është provë se lindja e saj u ka paraprirë të gjitha gjërave të tjera që u bënë. Ai do vetëm të na thotë se, pas botës së padukshme e mendore, bota e dukshme, bota e shqisave, filloi të ekzistojë.
Lëvizja e parë quhet fillim. «Të bësh drejtësi është fillimi i udhës së mirë.» Veprat e drejta janë vërtet hapat e parë drejt një jete të lumtur. Përsëri, «fillim» e quajmë pjesën thelbësore e të parë prej së cilës del një gjë, si themeli i shtëpisë, si kariena e anijes; pikërisht në këtë kuptim thuhet: «Frika e Zotit është fillimi i urtësisë», domethënë se përshpirtëria është, si të thuash, baza dhe themeli i përsosmërisë. Arti është gjithashtu fillimi i veprave të artistëve: mjeshtëria e Betsaleelit nisi zbukurimin e tabernakullit. Shpesh edhe e mira, që është shkaku final, është fillimi i veprimeve. Kështu, miratimi i Perëndisë është fillimi i lëmoshës, dhe fundi që na ruhet në premtime, fillimi i çdo përpjekjeje të virtytshme.
6. Meqë kështu janë kuptimet e ndryshme të fjalës «fillim», shih nëse s'i kemi këtu të gjitha domethëniet. Mund ta njohësh epokën kur nisi formimi i kësaj bote, në qoftë se, duke u ngjitur në të shkuarën, përpiqesh të zbulosh ditën e parë. Kështu do të gjesh cila qe lëvizja e parë e kohës; pastaj se krijimi i qiejve dhe i dheut qe si themeli dhe baza; dhe më pas se një arsye e mençur, siç e tregon fjala «fillim», drejtonte rendin e gjërave të dukshme. Së fundi do të zbulosh se bota nuk u konceptua rastësisht e pa arsye, por për një qëllim të dobishëm dhe për të mirën e madhe të të gjitha qenieve, sepse ajo është vërtet shkolla ku ushtrohen shpirtrat e arsyeshëm, fusha e stërvitjes ku ata mësojnë të njohin Perëndinë; sepse me anë të pamjes së gjërave të dukshme e të prekshme, mendja udhëhiqet, si prej dore, drejt soditjes së gjërave të padukshme. «Sepse», siç thotë Apostulli, «gjërat e tij të padukshme, që nga krijimi i botës, shihen qartë, duke u kuptuar nëpërmjet gjërave të bëra.» Ndoshta këto fjalë, «Në fillim Perëndia krijoi», tregojnë çastin e shpejtë e të pakapshëm të krijimit. Fillimi, në të vërtetë, është i pandashëm dhe i menjëhershëm. Fillimi i udhës nuk është ende udha, dhe ai i shtëpisë nuk është ende shtëpia; kështu edhe fillimi i kohës nuk është ende kohë, as grimca më e vogël e saj. Në qoftë se ndonjë kundërshtar na thotë se fillimi është një kohë, atëherë, siç e di mirë vetë, duhet t'ia nënshtrojë ndarjes së kohës: një fillim, një mes dhe një fund. E është qesharake të përfytyrosh një fillim të fillimit. Për më tepër, në qoftë se e ndajmë fillimin më dysh, bëjmë dy në vend të një, ose më mirë bëjmë disa, madje bëjmë një pafundësi, sepse gjithçka që ndahet, ndahet deri në pafundësi. Kështu, pra, në qoftë se thuhet «Në fillim Perëndia krijoi», kjo është për të na mësuar se me vullnetin e Perëndisë bota lindi në më pak se një çast; dhe pikërisht për ta përcjellë më qartë këtë kuptim, disa përkthyes të tjerë kanë thënë: «Perëndia bëri përmbledhtas», domethënë të gjitha njëherësh e në një çast. Por mjaft për fillimin, qoftë edhe për të parashtruar pak pika nga të shumtat.
7. Ndër artet, disa synojnë prodhimin, disa ushtrimin praktik, të tjera teorinë. Qëllimi i të fundit është ushtrimi i mendimit; i të dytit, lëvizja e trupit. Po të pushojë kjo, ndalet gjithçka, s'mbetet më asgjë për t'u parë. Kështu, vallja dhe muzika s'lënë asgjë pas; s'kanë objekt tjetër veç vetvetes. Në artet krijuese, përkundrazi, vepra mbetet edhe pas punës. E tillë është arkitektura; të tilla janë artet që punojnë drurin e bronzin, edhe endja, të gjitha ato që, edhe kur mjeshtri është zhdukur, shërbejnë për të treguar një mendje të zellshme dhe për të bërë që arkitekti, bronzpunuesi ose endësi të admirohen për veprën e vet. Kështu, pra, për të treguar se bota është vepër arti e shpalosur për t'u parë prej gjithë njerëzve, dhe për t'i bërë ata të njohin Atë që e krijoi, Moisiu nuk përdor fjalë tjetër. «Në fillim», thotë ai, «Perëndia krijoi.» Ai nuk thotë «Perëndia punoi», «Perëndia formoi», por «Perëndia krijoi». Ndër ata që përfytyruan se bota bashkëekzistonte me Perëndinë që nga përjetësia, shumë e mohuan që ajo u krijua nga Perëndia, por thonë se ajo ekziston vetvetiu, si hija e kësaj fuqie. Perëndia, thonë ata, është shkaku i saj, por një shkak i pavullnetshëm, ashtu si trupi është shkaku i hijes dhe flaka është shkaku i shkëlqimit. Pikërisht për ta ndrequr këtë gabim, profeti pohon me kaq përpikëri: «Në fillim Perëndia krijoi.» Ai nuk e bëri vetë gjënë shkakun e ekzistencës së saj. Duke qenë i mirë, e bëri një vepër të dobishme. Duke qenë i urtë, e bëri gjithçka nga më e bukura. Duke qenë i fuqishëm, e bëri fort të madhe. Moisiu thuajse na e tregon gishtin e mjeshtrit suprem, që merr në zotërim substancën e gjithësisë, gaton pjesët e ndryshme në një pajtim të përsosur dhe bën që nga e tëra të dalë një simfoni harmonike.
«Në fillim Perëndia bëri qiellin dhe dheun.» Duke përmendur dy skajet, ai lë të kuptohet substanca e gjithë botës: qiellit i jep privilegjin e parësisë dhe dheun e vë në radhë të dytë. Të gjitha qeniet e ndërmjetme u krijuan në të njëjtën kohë me skajet. Kështu, ndonëse s'përmenden elementet, zjarri, uji dhe ajri, përfytyroji të gjitha të përziera bashkë, dhe do të gjesh ujë, ajër e zjarr në dhe. Sepse zjarri kërcen nga gurët; hekuri që nxirret nga dheu, kur fërkohet, prodhon zjarr me bollëk. Ç'gjë e mrekullueshme! Zjarri i mbyllur në trupa rri aty i fshehur pa u bërë dëm, por, posa lirohet, përpin atë që deri atëherë e kishte ruajtur. Dheu përmban ujë, siç na mësojnë ata që hapin puse. Përmban edhe ajër, siç e tregojnë avujt që nxjerr nën ngrohtësinë e diellit kur është i lagësht. Tani, meqë sipas natyrës së tyre qielli zë vendin e sipërm dhe dheu vendin e poshtëm në hapësirë (shihet, në fakt, se gjithçka që është e lehtë ngrihet drejt qiellit, kurse lëndët e rënda bien për tokë); meqë, pra, lartësia dhe thellësia janë pikat më të kundërta ndaj njëra-tjetrës, mjafton të përmenden pjesët më të largëta për të nënkuptuar përfshirjen e gjithçkaje që mbush hapësirën ndërmjet. Mos kërko, pra, një numërim të të gjitha elementeve; merre me mend, nga ajo që tregon Shkrimi i Shenjtë, gjithçka që kalohet në heshtje.
8. «Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe dheun.» Po të donim të zbulonim thelbin e secilës prej qenieve që na paraqiten për soditje ose që bien nën shqisat tona, do të tërhiqeshim në shmangie të gjata, dhe zgjidhja e problemit do të kërkonte më shumë fjalë sesa kam, për ta shqyrtuar plotësisht çështjen. Të harxhosh kohë me pika të tilla nuk do t'i sillte dobi ndërtimit të Kishës. Për thelbin e qiejve, mjaftohemi me atë që thotë Isaia, sepse, me gjuhë të thjeshtë, ai na jep një ide të mjaftueshme për natyrën e tyre: «Qielli u bë si tym», domethënë, Ai krijoi një substancë të hollë, pa ngurtësi e pa dendësi, prej së cilës të formonte qiejt. Sa për formën e tyre, mjaftohemi po ashtu me fjalët e po atij profeti, kur lavdëron Perëndinë, «që i shtrin qiejt si perde dhe i hap si tendë për të banuar». Po kështu, sa për dheun, le të vendosim të mos e mundojmë veten duke u përpjekur të gjejmë thelbin e tij, të mos e lodhim arsyen tonë duke kërkuar substancën që ai fsheh. Le të mos kërkojmë ndonjë natyrë të zhveshur nga cilësitë që rrjedhin prej kushteve të ekzistencës së saj, por le të dimë se të gjitha dukuritë me të cilat e shohim të veshur kanë të bëjnë me kushtet e ekzistencës së tij dhe e plotësojnë thelbin e tij. Provo t'i heqësh me arsye një nga një cilësitë që ka, dhe s'do të të mbetet asgjë. Hiq të zezën, të ftohtin, peshën, dendësinë, cilësitë që kanë të bëjnë me shijen, me një fjalë të gjitha ato që shohim në të, dhe substanca zhduket.
Në qoftë se të kërkoj t'i lësh këto pyetje të kota, s'do të pres të përpiqesh të gjesh pikën ku mbahet dheu. Mendja do të trullosej duke parë arsyetimet e veta të humbura pa fund. Thua se dheu prehet mbi një shtrat ajri? Si mundet, atëherë, kjo substancë e butë, pa qëndrueshmëri, t'i bëjë ballë peshës së stërmadhe që rëndon mbi të? Si nuk rrëshqet ajo në të gjitha anët, për t'i shpëtuar peshës fundosëse dhe për t'u përhapur mbi masën që e mbulon? Mendon se uji është themeli i dheut? Atëherë do të të duhet përherë të pyesësh veten si ndodh që një trup kaq i rëndë e i errët nuk kalon nëpër ujë; si mbahet një masë me peshë të tillë nga një natyrë më e dobët se ai vetë. Pastaj do të të duhet të kërkosh një bazë për ujërat, dhe do të jesh në vështirësi të madhe të thuash mbi çfarë prehet vetë uji.
9. Mendon se një trup më i rëndë e pengon dheun të bjerë në humnerë? Atëherë duhet të mendosh se ky mbështetës ka vetë nevojë për një mbështetës tjetër, që të mos bjerë. A mund të përfytyrojmë ndonjë? Arsyeja jonë kërkon sërish edhe një mbështetës tjetër, dhe kështu do të biem në pafundësi, duke përfytyruar përherë një bazë për bazën që kemi gjetur tashmë. Sa më shumë të përparojmë në këtë arsyetim, aq më shumë forcë jemi të detyruar t'i japim kësaj baze, që të mund të mbajë tërë masën që rëndon mbi të. Vëri, pra, një kufi mendimit tënd, që kureshtja jote në hetimin e së pakuptueshmes të mos bjerë nën qortimet e Jobit dhe të mos pyetesh prej tij: «Mbi çfarë janë ngulur themelet e tij?» Në dëgjofsh ndonjëherë në Psalme: «Unë i mbaj shtyllat e tij», shih në këto shtylla fuqinë që e mban. Sepse ç'do të thotë ky pasazh tjetër, «Ai e ka themeluar mbi det», në mos që uji është përhapur rreth e rrotull dheut? Si mundet, atëherë, uji, elementi i rrjedhshëm që zbret nga çdo pjerrësi, të qëndrojë pezull pa rrjedhur kurrë? Nuk mendon se ideja e dheut të varur në vetvete e hedh arsyen tënde në një vështirësi të ngjashme, madje edhe më të madhe, sepse prej natyrës së vet ai është më i rëndë. Por, qoftë të pranojmë se dheu prehet mbi vetvete, qoftë të themi se ai rri mbi ujërat, prapë duhet të mbetemi besnikë ndaj mendimit të fesë së vërtetë dhe të pranojmë se gjithçka mbahet nga fuqia e Krijuesit. Le t'i përgjigjemi, pra, vetes, dhe le t'u përgjigjemi atyre që na pyesin mbi ç'mbështetje prehet kjo masë e stërmadhe: «Në duart e Tij janë skajet e dheut.» Ky është një mësim po aq i pagabueshëm për njohjen tonë, sa i dobishëm për dëgjuesit tanë.
10. Ka hetues të natyrës që, me një shpalosje të madhe fjalësh, japin arsye për palëvizshmërinë e dheut. I vendosur, thonë ata, në mes të gjithësisë dhe i paaftë të anojë më shumë nga njëra anë sesa nga tjetra, sepse qendra e tij është kudo në të njëjtën largësi nga sipërfaqja, ai medoemos prehet mbi vetvete; sepse një peshë që është kudo e barabartë s'mund të anojë nga asnjëra anë. Nuk është, vazhdojnë ata, pa arsye ose rastësisht që dheu zë qendrën e gjithësisë. Ky është vendi i tij i natyrshëm dhe i domosdoshëm. Meqë trupi qiellor zë skajin e sipërm të hapësirës, të gjithë trupat e rëndë, arsyetojnë ata, që mund t'i marrim me mend se kanë rënë nga këto krahina të larta, do të barten nga të gjitha anët drejt qendrës, dhe pika drejt së cilës priren pjesët do të jetë padyshim ajo ku do të mblidhet e tërë masa. Në qofshin gurët, druri, të gjithë trupat tokësorë që bien nga lart poshtë, ky duhet të jetë vendi i vet dhe i natyrshëm i tërë dheut. Në qoftë se, përkundrazi, një trup i lehtë ndahet nga qendra, është e qartë se do të ngjitet drejt krahinave më të larta. Kështu, trupat e rëndë lëvizin nga lart poshtë, dhe, po të ndjekim këtë arsyetim, fundi s'është gjë tjetër veçse qendra e botës. Mos u çudit, pra, që bota nuk bie kurrë: ajo zë qendrën e gjithësisë, vendin e vet të natyrshëm. Prej domosdoje ajo është e detyruar të mbetet në vendin e vet, veç në e zhvendostë ndonjë lëvizje e kundërt me natyrën. Në pastë në këtë sistem ndonjë gjë që mund të të duket e besueshme, ruaje admirimin tënd për burimin e një rendi kaq të përsosur, për urtësinë e Perëndisë. Dukuritë madhështore nuk na mahnitin më pak kur kemi zbuluar diçka nga mekanizmi i tyre i mrekullueshëm. A është ndryshe këtu? Sido që të jetë, le ta parapëlqejmë thjeshtësinë e besimit ndaj provave të arsyes.
11. Të njëjtën gjë mund të thoshim edhe për qiejt. Me ç'zhurmë fjalësh e kanë rrahur natyrën e tyre të diturit e kësaj bote! Disa kanë thënë se qielli përbëhet nga katër elemente, si i prekshëm e i dukshëm që është, dhe se është bërë prej dheu për shkak të fuqisë së tij të qëndresës, me zjarr sepse i bie syrit, me ajër e ujë për shkak të përzierjes. Të tjerë e kanë hedhur poshtë këtë sistem si të pabesueshëm dhe kanë futur në botë, për të formuar qiejt, një element të pestë, të sajuar sipas mënyrës së tyre. Ekziston, thonë ata, një trup eterik që s'është as zjarr, as ajër, as dhe, as ujë, as, me një fjalë, ndonjë trup i thjeshtë. Këta trupa të thjeshtë e kanë lëvizjen e tyre të natyrshme në vijë të drejtë, trupat e lehtë lart e trupat e rëndë poshtë; e kjo lëvizje lart e poshtë s'është e njëjtë me lëvizjen rrethore; ka dallimin më të madh të mundshëm midis lëvizjes së drejtë dhe asaj rrethore. Prej kësaj del, pra, se trupat lëvizja e të cilëve është kaq e ndryshme, duhet të ndryshojnë edhe në thelbin e tyre. Por s'është as e mundur të merret me mend se qiejt do të formoheshin prej trupave fillestarë që i quajmë elemente, sepse bashkimi i forcave të kundërta s'mund të prodhonte një lëvizje të njëtrajtshme e të vetvetishme, kur secili nga trupat e thjeshtë merr një shtysë të ndryshme prej natyrës. Kështu, është mundim i madh të mbahen trupat e përbërë në lëvizje të pandërprerë, sepse s'ka mundësi të vihet qoftë edhe njëra e vetme nga lëvizjet e tyre në pajtim e harmoni me të gjitha ato që janë në përçarje; sepse ajo që i takon grimcës së lehtë është në luftë me atë të një grimce më të rëndë. Në u përpjekshim të ngrihemi, na ndal pesha e elementit tokësor; në u hedhshim poshtë, i bëjmë dhunë pjesës së zjarrtë të qenies sonë, duke e tërhequr poshtë kundër natyrës së saj. E kjo përleshje e elementeve sjell shpërbërjen e tyre. Një trup ndaj të cilit ushtrohet dhunë dhe që vihet në kundërshtim me natyrën, pas një qëndrese të shkurtër por të fuqishme, shpërbëhet shpejt në aq pjesë sa elemente kishte, dhe secila nga pjesët përbërëse kthehet në vendin e vet të natyrshëm. Është forca e këtyre arsyeve, thonë shpikësit e llojit të pestë të trupit për gjenezën e qiellit e të yjeve, ajo që i shtrëngoi të hidhnin poshtë sistemin e paraardhësve të tyre dhe të mbështeteshin te hipoteza e vet. Por ja që ngrihet edhe një orator tjetër i hijshëm, i cili e shpërndan dhe e shkatërron këtë teori, për t'i dhënë përparësi një ideje të shpikur prej tij vetë.
Le të mos marrim përsipër t'i ndjekim, nga frika se mos biem në marrëzira të ngjashme; le ta hedhin poshtë njëri-tjetrin dhe, pa e shqetësuar veten për thelbin, le të themi bashkë me Moisiun: «Perëndia krijoi qiejt dhe dheun.» Le ta lavdërojmë Mjeshtrin suprem për gjithçka që u bë me urtësi e me mjeshtëri; me anë të bukurisë së gjërave të dukshme, le të ngjitemi tek Ai që është përmbi çdo bukuri; me anë të madhështisë së trupave, të prekshëm e të kufizuar në natyrën e tyre, le të përfytyrojmë Qenien e pafund, pafundësia dhe plotfuqishmëria e së cilës i kalon të gjitha përpjekjet e imagjinatës. Sepse, ndonëse s'e njohim natyrën e gjërave të krijuara, sendet që nga çdo anë na tërheqin vëmendjen janë kaq të mrekullueshme, saqë mendja më depërtuese s'mund të arrijë njohjen qoftë edhe të dukurisë më të vogël të botës, as për të dhënë një shpjegim të përshtatshëm për të, as për t'i dhënë Krijuesit lavdërimin e merituar, të Cilit i takon çdo lavdi, çdo nder e çdo fuqi në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1895 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it