Mbirja e tokës
1. «Dhe Perëndia tha: Le të nxjerrë toka bar, barishte që japin farë, dhe pemë frutore që jep fryt sipas llojit të vet, farën e së cilës e ka në vetvete.» Ishte një urtësi e thellë ajo që e urdhëroi tokën, kur ajo pushoi pasi hodhi tej peshën e ujërave, të nxirrte së pari barin, e pastaj drurët, ashtu siç e shohim që bën edhe sot e kësaj dite. Sepse zëri që u dëgjua atëherë dhe ai urdhër u bënë për të si një ligj i natyrshëm dhe i përhershëm; i dhanë pjellorinë dhe fuqinë për të prodhuar fryte për gjithë shekujt që do të vinin: «Le të nxjerrë toka.» Prodhimi i bimëve tregon më parë mbirjen. Kur filizat nisin të çelin, formojnë barin; ky rritet e bëhet bimë, e cila pa u ndier merr nyjëtimet e veta të ndryshme dhe arrin pjekurinë në farë. Kështu zhvillohet gjithçka që mbin dhe gjelbëron. «Le të nxjerrë toka bar të gjelbër.» Le të nxjerrë toka nga vetja, pa pasur nevojë për ndonjë ndihmë nga jashtë. Disa e quajnë diellin si burimin e çdo pjellorie mbi tokë. Është, thonë, veprimi i nxehtësisë së diellit ai që tërheq fuqinë jetësore nga qendra e tokës drejt sipërfaqes. Arsyeja pse stolisja e tokës qe para diellit është kjo: që ata që adhurojnë diellin, si burim jete, të heqin dorë nga gabimi i tyre. Në u bindshin mirë se toka u stolis para lindjes së diellit, do ta tërheqin mrekullimin e tyre të pakufishëm për të, sepse e shohin që bari dhe bimët gjelbërojnë para se ai të lindte. Në qoftë se, pra, u bë gati ushqimi për kopetë, a u duk gjinia jonë njerëzore më pak e denjë për një kujdes të tillë? Ai që u siguroi kullotë kuajve dhe bagëtisë, mendoi para çdo gjeje për pasuritë dhe kënaqësitë e tua. Nëse ushqeu bagëtinë tënde, e bëri për të plotësuar gjithë nevojat e jetës sate. E ç'qëllim kishte prodhimi i drithit, veç mbajtjes sate? Për më tepër, shumë barishte e bimë shërbejnë si ushqim për njeriun.
2. «Le të nxjerrë toka bar që jep farë sipas llojit të vet.» Kështu që, ndonëse ndonjë lloj bari u shërben kafshëve, edhe fitimi i tyre është fitim yni, dhe farat janë caktuar veçanërisht për përdorimin tonë. Ky është kuptimi i vërtetë i fjalëve që përmenda. «Le të nxjerrë toka bar, barishte që japin farë sipas llojit të vet.» Në këtë mënyrë mund ta rivendosim rendin e fjalëve, ndërtimi i të cilave duket i metë në tekstin e tanishëm, dhe ekonomia e natyrës do të ruhet me përpikëri. Në të vërtetë, së pari vjen mbirja, pastaj gjelbërimi, pastaj rritja e bimës, e cila, pasi arrin rritjen e plotë, mbërrin në përsosuri me farën.
Si, pra, thonë ata, mund t'i përshkruajë Shkrimi të gjitha bimët e tokës si farëmbajtëse, kur kallami, grami, mendra, shafrani, hudhra, xunkthi lulëzues dhe lloje të tjera të panumërta nuk japin farë? Ndaj kësaj përgjigjemi se shumë bimë e kanë fuqinë e tyre farore në pjesën e poshtme dhe në rrënjë. Kallami, për shembull, pas rritjes së vet vjetore nxjerr nga rrënjët një zgjatim që zë vendin e farës për pemët e ardhshme. Shumë bimë të tjera janë po ashtu dhe në gjithë tokën riprodhohen me anë të rrënjëve. Asgjë, pra, nuk është më e vërtetë se kjo: çdo bimë prodhon farën e vet ose përmban njëfarë fuqie farore; ky është kuptimi i fjalëve «sipas llojit të vet». Kështu, filizi i kallamit nuk prodhon dru ulliri, por nga një kallam rritet një kallam tjetër, dhe nga një lloj fare mbin gjithnjë një bimë e po atij lloji. Kështu, gjithçka që mbiu nga toka në nxjerrjen e saj të parë, ka mbetur e njëjtë deri në kohën tonë, falë riprodhimit të pandërprerë të llojit.
«Le të nxjerrë toka.» Shih si, me këtë fjalë të shkurtër, me këtë urdhër të përmbledhur, toka e ftohtë dhe shterpë u mundua e nxitoi të nxirrte frytin e vet, teksa hodhi tej mbulesën e saj të trishtuar e të zymtë, për t'u veshur me një petk më të shndritshëm, krenare për stolinë e vet dhe duke shpalosur larminë e pafund të bimëve.
Dua që krijesa të të mbushë me aq mrekullim, saqë kudo, ngado të jesh, edhe bima më e vogël të të sjellë kujtimin e qartë të Krijuesit. Në pafsh barin e fushave, mendo për natyrën njerëzore dhe kujto krahasimin e Isaisë së urtë. «Çdo mish është bar, dhe gjithë hijeshia e tij është si lulja e fushës.» Vërtet, rrjedha e shpejtë e jetës, kënaqësia e shkurtër dhe gëzimi që një çast lumturie i jep njeriut, të gjitha i përshtaten mrekullisht krahasimit të profetit. Sot është plot forcë në trup, i majmur nga rehatia dhe në lulen e jetës, me çehre të bukur si lulet, i fortë e i fuqishëm dhe me një gjallëri të papërmbajtshme; nesër do të jetë për të ardhur keq, i vyshkur nga pleqëria ose i rraskapitur nga sëmundja. Një tjetër rrezaton në gjithë shkëlqimin e një pasurie të ndritur, dhe rreth tij ka një mori lajkatarësh, një përcjellje miqsh të rremë që ndjekin gjurmët e dashamirësisë së tij; një turmë farefisi, por pa asnjë të afërm të vërtetë; një grumbull shërbëtorësh që i turren pas për t'i siguruar ushqimin dhe gjithë nevojat; dhe, kudo që shkon e vjen, kjo shpurë e panumërt që e tërheq zvarrë pas vetes ngjall smirën e të gjithëve që i dalin përpara. Pasurisë mund t'i shtohet pushteti në shtet, nderimet e dhëna nga froni perandorak, qeverisja e një krahine ose komanda e ushtrive; një lajmëtar që i prin thërret me zë të lartë; edhe liktorët djathtas e majtas i mbushin me druajtje nënshtetasit e tij, me goditje, konfiskime, dëbime, burgosje dhe me gjithë mjetet me të cilat u shtie një tmerr të padurueshëm të gjithëve që i ka nën sundim. E ç'ndodh pastaj? Një natë, një ethe, një pleurit ose një pezmatim i mushkërive ia rrëmben këtë njeri mesit të njerëzve, të zhveshur në një çast nga gjithë stolitë e skenës, dhe gjithë kjo lavdi e tij del thjesht një ëndërr. Prandaj profeti e ka krahasuar lavdinë njerëzore me lulen më të brishtë.
3. Deri këtu, rendi me të cilin çelin bimët dëshmon për renditjen e tyre të parë. Çdo barishte, çdo bimë vjen nga një filiz. Në qoftë se, si grami dhe shafrani, nxjerr një lastar nga rrënja e nga ky zgjatim i poshtëm, gjithsesi duhet të mbijë dhe të dalë jashtë. Në qoftë se vjen nga një farë, prapëseprapë, patjetër, vjen së pari një filiz, pastaj lastari, pastaj gjethnaja e gjelbër, dhe së fundi fryti që piqet mbi një kërcell të thatë e të trashë deri atëherë. «Le të nxjerrë toka bar.» Kur fara bie në tokë, e cila ka përzierjen e duhur të nxehtësisë dhe të lagështisë, ajo fryhet e bëhet e poroze dhe, duke kapur dheun përqark, tërheq drejt vetes gjithçka që i përshtatet dhe që ka afri me të. Këto grimca dheu, sado të vogla qofshin, teksa bien e futen në gjithë poret e farës, ia zgjerojnë vëllimin dhe e bëjnë të lëshojë rrënjë poshtë e të mugullojë lart, duke nxjerrë kërcej jo më pak të shumtë se rrënjët. Ndërsa filizi ngrohet vazhdimisht, lagështia, që thithet lart nëpër rrënjë dhe ndihmohet nga tërheqja e nxehtësisë, merr nga dheu një sasi të duhur ushqimi dhe ia shpërndan kërcellit, lëvores, cipës, vetë farës dhe halave me të cilat është armatosur. Falë këtyre shtesave të njëpasnjëshme, çdo bimë arrin zhvillimin e vet të natyrshëm, si drithi ashtu edhe bimët, barishtet a shkurret. Një bimë e vetme, një fije bari, mjafton për të zënë gjithë mendjen tënde në soditjen e mjeshtërisë që e prodhoi. Përse kërcelli i grurit është më i mirë me nyje? A nuk janë ato si lidhëse që e ndihmojnë ta mbajë lehtë peshën e kallirit, kur ky fryhet nga fryti dhe përkulet drejt tokës? Kështu, ndërsa tërshëra, që s'ka peshë për të mbajtur në majë, është pa këto mbështetje, natyra ia ka dhënë ato grurit. E ka fshehur kokrrën në një këllëf, që të mos jetë e ekspozuar ndaj plaçkitjes së zogjve, dhe e ka pajisur me një ledh halash që, si shigjeta, e mbrojnë nga sulmet e krijesave të vogla.
4. Ç'të them? Ç'të lë pa thënë? Në thesaret e pasura të krijesës është e vështirë të zgjedhësh atë që është më e çmuar; humbja e asaj që lihet mënjanë është tepër e rëndë. «Le të nxjerrë toka bar»; dhe menjëherë, bashkë me bimët e dobishme, shfaqen bimët e dëmshme; bashkë me drithin, kukuta; bashkë me bimët e tjera ushqyese, helebori, akoniti, mandragora dhe lëngu i lulëkuqes. E ç'pastaj? A nuk do të tregojmë asnjë mirënjohje për kaq dhurata të dobishme, e do ta qortojmë Krijuesin për ato që mund të jenë të dëmshme për jetën tonë? Dhe a nuk do të mendojmë se jo gjithçka është krijuar për nevojat e barkut tonë? Bimët ushqyese, që janë caktuar për përdorimin tonë, i kemi pranë dore dhe i njeh gjithë bota. Por në krijesë asgjë nuk ekziston pa një arsye. Gjaku i demit është helm: a duhej, pra, që kjo kafshë, forca e së cilës i shërben aq shumë njeriut, të mos ishte krijuar, ose, po të ishte krijuar, të ishte pa gjak? Por ti ke mjaft mend brenda vetes për t'u ruajtur nga gjërat vdekjeprurëse. Si kështu! Delet dhe dhitë dinë të largohen nga ajo që u kërcënon jetën, duke e dalluar rrezikun vetëm me instinkt; kurse ti, që ke arsyen dhe artin e mjekësisë për të plotësuar atë që të duhet, dhe përvojën e të parëve që të thotë të shmangësh gjithçka që është e rrezikshme, ti më thua se e ke të vështirë të ruhesh nga helmet! Por asnjë gjë e vetme nuk është krijuar pa arsye, asnjë gjë e vetme nuk është e padobishme. Njëra shërben si ushqim për ndonjë kafshë; te tjetra mjekësia ka gjetur një lehtësim për ndonjë nga sëmundjet tona. Kështu gargulli ha kukutën, sepse ndërtimi i tij trupor e bën të pandjeshëm ndaj veprimit të helmit. Falë poreve tejet të holla të zemrës së tij, lëngu i keq, sapo gëlltitet, tretet menjëherë, para se ftohtësia e tij të mund të godasë pjesët jetësore. Shkurta, falë natyrës së saj të veçantë, me anë të së cilës u shpëton pasojave të rrezikshme, ushqehet me helebor. Ka madje raste kur helmet u janë të dobishme njerëzve: me mandragorë mjekët na japin gjumë; me opium qetësojnë dhembjen e fortë. Kukuta është përdorur dikur për të zbutur tërbimin e sëmundjeve të pazbutshme; dhe shumë herë helebori ka larguar një sëmundje të hershme. Këto bimë, pra, në vend që të të bëjnë të fajësosh Krijuesin, të japin një arsye të re për mirënjohje.
5. «Le të nxjerrë toka bar.» Ç'furnizim i vetvetishëm përmbahet në këto fjalë: ai që gjendet në rrënjë, në vetë bimën dhe në fryt, si dhe ai që i shtojnë mundi e bujqësia jonë! Perëndia nuk e urdhëroi tokën të jepte menjëherë farë dhe fryt, por të nxirrte filiza, të gjelbëronte dhe të arrinte pjekurinë në farë; kështu ky urdhër i parë i mëson natyrës çfarë duhet të bëjë gjatë shekujve. Por, pyesin ata, a është e vërtetë se toka prodhon farë sipas llojit të vet, kur shpesh, pasi kemi mbjellë grurë, korrim kokërr të zezë? Kjo nuk është ndryshim lloji, por një prishje, një sëmundje e kokrrës. Ajo nuk ka pushuar së qeni grurë; është e zezë ngaqë është djegur, siç mund ta mësojmë nga emri i saj. Po ta kishte djegur një ngricë e ashpër, do të kishte ngjyrë tjetër dhe shije të ndryshme. Ata madje pohojnë se, po të gjente tokë të përshtatshme dhe temperaturë të butë, mund të kthehej në formën e vet të parë. Kështu, nuk gjen asgjë në natyrë që të jetë në kundërshtim me urdhrin hyjnor. Sa për egjrën dhe gjithë ata drithëra të egër që përzihen me të korrat, egjra e Shkrimit, ajo aspak nuk është një lloj gruri, por ka prejardhjen e vet dhe llojin e vet. Ajo është shëmbëlltyrë e atyre që shtrembërojnë mësimin e Zotit dhe, duke mos qenë të mësuar drejt në fjalën, por të prishur nga mësimi i të ligut, përzihen me trupin e shëndoshë të Kishës, për të përhapur fshehtas gabimet e tyre të dëmshme ndër shpirtra më të pastër. Kështu Zoti e krahason përsosurinë e atyre që besojnë në Të me rritjen e farës: «Si të hedhë njeriu farën në tokë, dhe të flejë e të çohet natë e ditë, dhe fara mbin e rritet, pa ditur ai se si. Sepse toka jep fryt vetvetiu: më parë barin, pastaj kallirin, dhe pas kësaj grurin e plotë në kalli.» «Le të nxjerrë toka bar.» Në një çast toka nisi, me anë të mbirjes, t'u bindej ligjeve të Krijuesit, kaloi çdo shkallë të rritjes dhe i çoi filizat në përsosuri. Livadhet u mbuluan me bar të dendur, fushat pjellore u drodhën nga të korrat, dhe lëkundja e grurit ishte si valëzimi i detit. Çdo bimë, çdo barishte, shkurrja më e vogël, bima më e vogël, u ngritën nga toka në gjithë harlisjen e vet. Nuk pati asnjë dështim në këtë bimësi të parë: as papërvoja e bujkut, as ashpërsia e motit, asgjë nuk mund ta dëmtonte; atëherë vendimi i dënimit nuk e prangoste pjellorinë e tokës. Gjithë kjo qe para mëkatit që na dënoi të hamë bukën me djersën e ballit tonë.
6. «Le të nxjerrë toka», shton Krijuesi, «pemën frutore që jep fryt sipas llojit të vet, farën e së cilës e ka në vetvete.»
Me këtë urdhër çdo korije u mbush me bimësi të dendur; të gjithë drurët, bredhi, kedri, selvia, pisha, u ngritën në lartësinë e tyre më të madhe, shkurret u veshën menjëherë me gjethnajë të dendur. Bimët e quajtura bimë kurore, trëndafilat, mërsinat, dafinat, nuk ekzistonin; në një çast erdhën në qenie, secila me veçoritë e veta dalluese. Dallime shumë të theksuara i ndanin nga bimët e tjera, dhe secila shquhej me një tipar të vetin. Por atëherë trëndafili ishte pa gjemba; që atëherë gjembi iu shtua bukurisë së tij, që të ndiejmë se hidhërimi është fort pranë kënaqësisë, dhe që të na kujtojë mëkatin tonë, i cili e dënoi tokën të nxjerrë gjemba dhe ferra. Por, thonë, toka ka marrë urdhrin të nxjerrë pemë «që japin fryt, farën e të cilave e kanë në vetvete», ndërsa ne shohim shumë drurë që s'kanë as fryt, as farë. Ç'të përgjigjemi? Së pari, se përmenden vetëm drurët më të rëndësishëm; e pastaj, se një shqyrtim i kujdesshëm do të na tregojë se çdo dru ka farë, ose ndonjë veti që ia zë vendin. Plepi i zi, shelgu, vidhi, plepi i bardhë, të gjithë drurët e kësaj familjeje, nuk prodhojnë ndonjë fryt të dukshëm; megjithatë, një vëzhgues i vëmendshëm gjen farë në secilin prej tyre. Kjo kokërr që ndodhet në rrëzë të gjethes, dhe që ata të cilët merren me shpikjen e fjalëve e quajnë mischos, ka vetinë e farës. Ka edhe drurë që riprodhohen me anë të degëve të tyre, duke lëshuar prej tyre rrënjë. Ndoshta duhet t'i quajmë fara edhe fidanët që dalin nga rrënjët e një druri: sepse mbjellësit i shkulin ato për të shumuar llojin. Por, siç e kemi thënë, bëhet fjalë kryesisht për drurët që i japin më shumë jetës sonë; ata që i ofrojnë njeriut frytet e tyre të ndryshme dhe i sigurojnë ushqim me bollëk. I tillë është hardhia, që prodhon verën për të gëzuar zemrën e njeriut; i tillë është ulliri, fryti i të cilit ia shndrit fytyrën me vaj. Sa gjëra në natyrë ndërthuren në të njëjtën bimë! Në një hardhi, rrënjë, degë të gjelbra e të lakueshme që përhapen larg mbi tokë, sythe, fije kacavarëse, veshula rrushi të thartë dhe rrushi të pjekur. Pamja e një hardhie, kur vëzhgohet me sy të mprehtë, të kujton natyrën tënde. Pa dyshim e kujton shëmbëlltyrën ku Zoti e quan veten hardhi, Atin e vet vreshtar, dhe secilin prej nesh, që jemi shartuar me anë të besimit në Kishë, degë. Na fton të prodhojmë fryte me bollëk, që të mos na dënojë shterpësia jonë në zjarr. Ai vazhdimisht i krahason shpirtrat tanë me hardhi. «I dashuri im», thotë Ai, «ka një vresht në një kodër shumë pjellore»; dhe gjetkë: «mbolla një vresht dhe e rrethova me gardh.» Është e qartë se Ai i quan shpirtrat njerëzorë hardhinë e Tij, ata shpirtra që i ka rrethuar me pushtetin e urdhërimeve të Tij dhe me një roje engjëjsh. «Engjëlli i Zotit vendos fushim rreth atyre që i frikësohen atij.» Dhe më tej: Ai ka mbjellë për ne, si të thuash, hunj mbështetës, duke vendosur në Kishën e Tij apostuj, profetë e mësues; dhe na i ngre lart mendimet me shembullin e të lumturve të kohëve të lashta, e nuk i lë ato të zvarriten përtokë e të shtypen nën këmbë. Ai do që shtrëngimet e dashurisë, si fijet kacavarëse të hardhisë, të na lidhin pas të afërmve tanë dhe të na bëjnë të mbështetemi tek ata, që kështu, në ngritjet tona të vazhdueshme drejt qiellit, të imitojmë këto hardhi, të cilat ngrihen deri në majat e drurëve më të lartë. Ai gjithashtu na kërkon të lejojmë që të na çelet dheu rrotull; dhe kjo është ajo që bën shpirti kur çlirohet nga kujdeset e botës, të cilat janë një peshë mbi zemrat tona. Ai, pra, që është çliruar nga dëshirat e mishit dhe nga dashuria për pasurinë, dhe, në vend që të verbohet prej tyre, e përçmon dhe e përbuz këtë lavdi të kotë e të mjerë, është, si të thuash, i prashitur dhe më në fund merr frymë, i lirë nga pesha e kotë e mendimeve tokësore. As nuk duhet, sipas frymës së shëmbëlltyrës, të nxjerrim tepër dru, domethënë të jetojmë me mburrje e të fitojmë duartrokitjet e botës; ne duhet të nxjerrim fryte, duke ia ruajtur dëshminë e veprave tona vreshtarit. Ji «si një ulli i gjelbër në shtëpinë e Perëndisë», kurrë pa shpresë, por i stolisur me anë të besimit me lulen e shpëtimit. Kështu do t'i ngjash gjelbërimit të përjetshëm të kësaj bime dhe do të garosh me të në pjellori, në qoftë se çdo ditë të gjen duke dhënë lëmoshë me bollëk.
7. Por le t'i kthehemi shqyrtimit të mjeteve të zgjuara të krijesës. Sa drurë u ngritën atëherë: disa për të na dhënë frytet e tyre, disa për të mbuluar shtëpitë tona, disa për të ndërtuar anijet tona, disa për të ushqyer zjarret tona! Ç'larmi në renditjen e pjesëve të tyre të ndryshme! E megjithatë, sa e vështirë është të gjesh vetinë dalluese të secilit, dhe të kapësh dallimin që i ndan nga llojet e tjera. Disa lëshojnë rrënjë të thella, të tjerët jo; disa dalin drejt lart e kanë vetëm një trung, të tjerët duket sikur e duan tokën dhe, që nga rrënja e lart, ndahen në disa lastarë. Drurët që i shtrijnë degët e gjata lart e larg në ajër, kanë edhe rrënjë të thella që përhapen në një rreth të gjerë, një themel të vërtetë të vënë nga natyra për të mbajtur peshën e drurit. Ç'larmi ka në lëvore! Disa bimë kanë lëvore të lëmuar, të tjerat të vrazhdë; disa kanë vetëm një shtresë, të tjerat disa. Ç'gjë e mrekullueshme! Në rininë dhe pleqërinë e bimëve mund të gjesh ngjashmëri me ato të njeriut. Kur janë të reja e plot forcë, lëvorja e tyre është e nderur; kur plaken, ajo është e vrazhdë dhe e rrudhur. Prite njërën, ajo nxjerr sythe të reja; tjetra mbetet që andej e tutje shterpë dhe si e goditur me një plagë vdekjeprurëse. Por më tej, është vënë re se pishat, kur priten, apo edhe kur i nënshtrohen veprimit të zjarrit, shndërrohen në një pyll lisash. Veç kësaj, e dimë se zelli i bujqve i ndreq të metat e natyrshme të disa drurëve. Kështu shega e thartë dhe bajamet e hidhura, po t'i shpohet trungu i drurit pranë rrënjës për të futur në mes të palcës një copë të rrëshirtë pishe, e humbin thartësinë e lëngut të tyre dhe bëhen fryte të shijshme. Le të mos dëshpërohet, pra, mëkatari për veten e tij, kur mendon se, në qoftë se bujqësia mund të ndryshojë lëngjet e bimëve, përpjekjet e shpirtit për të arritur virtytin sigurisht mund të triumfojnë mbi çdo dobësi.
Tani, në pemët frutore ka një larmi të tillë frytesh, sa nuk shprehet dot me fjalë: një larmi jo vetëm në frytet e drurëve të familjeve të ndryshme, por edhe në ato të të njëjtit lloj, në qoftë se është e vërtetë, siç thonë kopshtarët, se gjinia e një druri ndikon në natyrën e fryteve të tij. Ata dallojnë mashkullin nga femra te palmat; ndonjëherë shohim ato që i quajnë femra t'i ulin degët, si me dëshirë të zjarrtë, dhe të ftojnë përqafimet e mashkullit. Pastaj, ata që kujdesen për këto bimë shkundin mbi këto palma pluhurin pjellues nga palma mashkullore, psen-in siç e quajnë: druri duket sikur merr pjesë në kënaqësitë e gëzimit; pastaj i ngre degët, dhe gjethnaja e tij merr sërish formën e zakonshme. E njëjta gjë thuhet për fikun. Disa mbjellin fiq të egër pranë fikave të butë, ndërsa të tjerë, për të ndrequr dobësinë e fikut prodhues të kopshteve tona, u varin degëve fiq të papjekur dhe kështu e mbajnë frytin që kishte nisur tashmë të binte e të humbte. Ç'mësim na jep këtu natyra? Se shpesh duhet të marrim hua, madje edhe nga ata që janë të huaj për besimin, njëfarë force për të treguar vepra të mira. Në pafsh jashtë Kishës, në jetën pagane, ose në mes të një herezie të dëmshme, shembullin e virtytit dhe të besnikërisë ndaj ligjeve morale, dyfishoji përpjekjet e tua për t'i ngjarë fikut prodhues, i cili, pranë fikut të egër, merr forcë, e pengon frytin të bjerë dhe e ushqen me më shumë kujdes.
8. Bimët riprodhohen në aq shumë mënyra të ndryshme, sa mund të prekim vetëm më kryesoret prej tyre. Sa për vetë frytet, kush do të mund t'i rishikonte llojet e tyre, format, ngjyrat, shijen e veçantë dhe përdorimin e secilit prej tyre? Përse disa fryte piqen kur janë të zbuluara para rrezeve të diellit, ndërsa të tjera mbushen ndërsa janë mbyllur në lëvozhgë? Drurët me fryte të njoma kanë, si fiku, një hije të dendur gjethesh; ata me fryte më të forta, përkundrazi, si arra, mbulohen vetëm nga një hije e lehtë. Njomësia e të parëve kërkon më shumë kujdes; po të kishin të dytët një këllëf më të trashë, hija e gjetheve do të ishte e dëmshme. Përse gjethja e hardhisë është e dhëmbëzuar, veçse që veshulat e rrushit të mund njëkohësisht t'u bëjnë ballë dëmtimeve të ajrit dhe të marrin nëpër të çarat gjithë rrezet e diellit? Asgjë nuk është bërë pa shkak, asgjë rastësisht. Gjithçka tregon një urtësi të parrëfyeshme.
Cili fjalim mund t'i prekë të gjitha? A mund të bëjë mendja njerëzore një rishikim të përpiktë, të vërejë çdo veti dalluese, të shpalosë gjithë dallimet, të zbulojë me siguri kaq shkaqe të fshehta? I njëjti ujë, që thithet lart nëpër rrënjë, ushqen në mënyra të ndryshme vetë rrënjën, lëvoren e trungut, drurin dhe palcën. Bëhet gjethe, shpërndahet nëpër degë e degëza dhe i fryn frytet, i jep bimës zamkun dhe lëngun e saj. Kush do të na e shpjegojë dallimin mes gjithë këtyre? Ka një dallim mes zamkut të mastikës dhe lëngut të balsamit, një dallim mes asaj që kullon në Egjipt e në Libi nga kopra. Qelibari është, thonë, lëngu i kristalizuar i bimëve. Dhe si provë, shih copëzat e kashtës dhe insektet e vogla që janë kapur në lëng kur ai ishte ende i lëngshëm e kanë mbetur të burgosur aty. Me një fjalë, askush pa një përvojë të gjatë nuk do të mund të gjente fjalë për të shprehur vetinë e tij. Si, përsëri, bëhet ky ujë verë në hardhi dhe vaj në ulli? Por ajo që është e mrekullueshme nuk është ta shohësh të bëhet i ëmbël në një fryt, i yndyrshëm e vajor në një tjetër, por të shohësh në frytet e ëmbla një larmi shijesh të pashprehshme. Është një ëmbëlsi e rrushit, një tjetër e mollës, një tjetër e fikut, një tjetër e hurmës. Me dëshirë do të të jap kënaqësinë ta vazhdoj këtë kërkim. Si ndodh që ky ujë i njëjtë ka nganjëherë një shije të ëmbël, të zbutur ngaqë ka qëndruar në disa bimë, e herë të tjera ta djeg qiellzën ngaqë është bërë i thartë duke kaluar nëpër të tjera? Si ndodh, përsëri, që arrin një hidhësi të skajshme dhe ta ashpërson gojën kur gjendet në pelin e në shkamonjë? Që ka në lëndët e lisit e në thana një shije therëse e të ashpër? Që në drurin e tërbentinit e në arrë shndërrohet në një lëndë të butë e vajore?
9. Po ç'nevojë ka të vazhdojmë, kur në të njëjtin fik kemi shijet më të kundërta, aq të hidhur në lëng sa edhe të ëmbël në fryt? E në hardhi, a nuk është aq i ëmbël në rrush sa edhe shtrëngues në degë? E ç'larmi ngjyrash! Shih si në një livadh ky ujë i njëjtë bëhet i kuq në një lule, i purpurt në një tjetër, i kaltër në këtë, i bardhë në atë. E kjo shumëllojshmëri ngjyrash, a mund të krahasohet me atë të aromave? Por e vë re se një kureshtje e pangopur po e zgjat fjalimin tim përtej kufijve të vet. Në qoftë se nuk ndalem dhe nuk e kthej te ligji i krijimit, do të më mungojë dita teksa përpiqem të të bëj të shohësh urtësi të madhe në gjëra të vogla.
«Le të nxjerrë toka pemën frutore që jep fryt.» Menjëherë majat e maleve u mbuluan me gjethnajë: parajsa u shtruan me mjeshtëri, dhe një pafundësi bimësh zbukuruan brigjet e lumenjve. Disa ishin për stolisjen e tryezës së njeriut; disa për të ushqyer kafshët me frytet e me gjethet e tyre; disa për të dhënë ndihmë mjekësore, duke na dhënë limfën, lëngun, ashklat, lëvoren ose frytin e tyre. Me një fjalë, përvoja e shekujve, duke përfituar nga çdo rast, nuk ka mundur të zbulojë asgjë të dobishme që largpamësia depërtuese e Krijuesit të mos e kishte parashikuar më parë dhe të mos e kishte thirrur në qenie. Prandaj, kur t'i shohësh drurët e kopshteve tona, ose ata të pyllit, ata që e duan ujin a tokën, ata që mbajnë lule ose ata që nuk lulëzojnë, do të doja të të shihja të njihje madhështinë edhe në gjërat e vogla, të shtoje pa reshtur mrekullimin tënd dhe të dyfishoje dashurinë tënde për Krijuesin. Pyet veten përse Ai i ka bërë disa drurë përherë të gjelbër e të tjerë gjethrënës; përse, ndër të parët, disa i rrëzojnë gjethet e të tjerë i mbajnë përherë. Kështu ulliri dhe pisha i rrëzojnë gjethet, ndonëse i përtërijnë pa u ndier dhe kurrë nuk duken të zhveshur nga gjelbërimi i tyre. Palma, përkundrazi, nga lindja deri në vdekje, është përherë e stolisur me të njëjtën gjethnajë. Mendo edhe për jetën e dyfishtë të tamariskut: është bimë ujore, e megjithatë mbulon shkretëtirën. Kështu, Jeremia e krahason me karakterin më të keq: karakterin e dyfishtë.
10. «Le të nxjerrë toka.» Ky urdhër i shkurtër u bë në një çast një natyrë e gjerë, një sistem i përpunuar. Më i shpejtë se mendimi, ai prodhoi cilësitë e panumërta të bimëve. Është ky urdhër që, edhe sot e kësaj dite, i është vënë tokës, dhe në rrjedhën e çdo viti shpalos gjithë forcën e fuqisë së tij për të prodhuar barishte, fara e drurë. Ashtu si topaçët, të cilët pas shtytjes së parë vazhdojnë rrotullimet e tyre, duke u sjellë rreth vetvetes sapo ngulen në qendrën e vet, kështu natyra, pasi mori shtytjen e këtij urdhri të parë, ndjek pa ndërprerje rrjedhën e shekujve, deri në përmbushjen e të gjitha gjërave. Le të nxitojmë të gjithë të arrijmë tek ai, plot fryt e vepra të mira; dhe kështu, të mbjellë në shtëpinë e Zotit, do të lulëzojmë në oborret e Perëndisë sonë, në Zotin tonë Jisu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi e pushtet në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1895 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it