Joani 1:11
[1.] Të dashur, Perëndia, që e do njeriun dhe i bën mirë, bën e sajon çdo gjë që ne të shkëlqejmë në virtyt, sepse dëshiron që t'i pëlqejmë atij. Dhe për këtë qëllim nuk tërheq njeri me forcë a me shtrëngim, po me bindje e me të mira i tërheq të gjithë ata që duan dhe i fiton për vete. Prandaj, kur erdhi, disa e pritën, e të tjerë nuk e pritën. Sepse ai nuk do shërbëtorë të padashur, as të detyruar, po të gjithë me vullnetin e me zgjedhjen e tyre, mirënjohës ndaj tij për shërbimin që i bëjnë. Njerëzit, ngaqë kanë nevojë për shërbimin e shërbëtorëve, mbajnë shumë veta në atë gjendje edhe kundër dëshirës së tyre, me anë të së drejtës së pronësisë; por Perëndia, që s'ka nevojë për asgjë, që nuk i duhet asnjë gjë e jona, po bën gjithçka vetëm për shpëtimin tonë; prandaj na e lë krejt në dorë këtë çështje dhe nuk vë as forcë as shtrëngim mbi asnjë prej atyre që nuk duan. Sepse ai kujdeset vetëm për të mirën tonë; dhe të tërhiqesh pa dashur në një shërbim të tillë është njësoj si të mos shërbesh fare.
«Përse atëherë», thotë dikush, «i ndëshkon ata që nuk duan ta dëgjojnë, dhe përse u ka kërcënuar me ferr atyre që nuk i durojnë urdhërimet e tij?» Sepse, duke qenë tepër i mirë, ai kujdeset edhe për ata që nuk i binden, dhe nuk largohet prej atyre që tërhiqen mbrapa e ikin prej tij. Po kur ne e hodhëm poshtë udhën e parë të mirësisë së tij dhe nuk deshëm të vinim nëpër shtegun e bindjes e të butësisë, atëherë ai solli mbi ne udhën tjetër, atë të ndreqjes e të ndëshkimeve, tepër të hidhur vërtet, po prapëseprapë të nevojshme, kur nuk përfillet e para. Edhe ligjvënësit caktojnë ndëshkime të shumta e të rënda kundër shkelësve, e megjithatë ne nuk ndiejmë asnjë neveri për ta; përkundrazi, i nderojmë edhe më shumë pikërisht për ndëshkimet që kanë vënë. Sepse, ndonëse s'kishin nevojë për asnjë gjë të tonën dhe shpeshherë as nuk e dinin se cilët do të ishin ata që do të gëzonin ndihmën e ligjeve të tyre të shkruara, prapë u kujdesën për mbarështrimin e mirë të jetës sonë, duke shpërblyer ata që rrojnë me virtyt e duke frenuar me ndëshkime të shfrenuarit dhe ata që duan të prishin qetësinë e të tjerëve. E në qoftë se ne i admirojmë e i duam këta njerëz, a nuk duhet të mrekullohemi e ta duam shumë më tepër Perëndinë për një kujdes kaq të madh? Sepse ndryshimi midis kujdesit të tyre për ne dhe kujdesit të tij është i pafund. Vërtet të parrëfyeshme janë pasuritë e mirësisë së Perëndisë, që kalojnë çdo masë. Mendoni pak: «Erdhi te të vetët», jo se kishte nevojë vetë (sepse, siç thashë, hyjnia s'ka nevojë për asgjë), po që t'u bënte të mirë të vetëve. E prapë, as kështu të vetët nuk e pritën, kur ai erdhi te të vetët për të mirën e tyre, po e sprapsën; e jo vetëm kaq, po edhe e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. E megjithatë as për këtë nuk ua mbylli derën e pendimit, po u dha mundësi, po të kishin dashur, që edhe pas një ligësie të tillë t'i lanin të gjitha shkeljet e tyre me anë të besimit tek ai, dhe të bëheshin të barabartë me ata që s'kishin bërë asgjë të tillë, po janë miqtë e tij të veçantë. E se këtë nuk e them kot, as vetëm sa për të bindur, e shpall me zë të lartë gjithë historia e të lumit Pavël. Sepse ai pas Kryqit e përndoqi Krishtin dhe me ato duar të shumta e vrau me gurë martirin e tij, Stefanin; po kur u pendua, dënoi mëkatet e tij të mëparshme dhe vrapoi tek ai që kishte përndjekur, Krishti menjëherë e radhiti ndër miqtë e vet, madje ndër më të parët, e bëri lajmëtar dhe mësues të gjithë botës, atë që kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm». Madje ai vetë, duke u gëzuar për dashamirësinë e Perëndisë, e shpalli me zë të lartë dhe nuk pati turp, po, duke i shkruar në letrat e tij, si mbi një shtyllë, veprat që dikur kishte guxuar të bënte, ua tregoi të gjithëve; sepse e quajti më të mirë që jeta e tij e mëparshme të ngjitej para syve të të gjithëve, që të dukej madhështia e dhuratës falas të Perëndisë, sesa ta errësonte dashamirësinë e tij të parrëfyeshme e të papërshkrueshme, duke ngurruar ta nxirrte para të gjithëve gabimin e vet. Prandaj vazhdimisht flet për përndjekjen e tij, për dredhitë e tij, për luftërat e tij kundër Kishës; herë duke thënë: «Nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse përndoqa Kishën e Perëndisë»; herë tjetër: «Jisui erdhi në botë të shpëtojë mëkatarët, prej të cilëve i pari jam unë». Dhe përsëri: «Keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme në judaizëm, se si e përndoqa pa masë Kishën e Perëndisë dhe e shkatërrova».
[2.] Sepse, sikur t'i kthente Krishtit njëfarë shpërblimi për zemërgjerësinë që pati ndaj tij, duke treguar se cili ishte, ç'urrejtës e ç'armik ishte ai që Krishti shpëtoi, ai e shpalli krejt haptazi luftën që në fillim ia kishte bërë Krishtit me gjithë zjarr; dhe me këtë u jep shpresë të mirë atyre që ishin dëshpëruar për gjendjen e tyre. Sepse thotë se Krishti e pranoi, që tek ai i pari të tregonte «gjithë zemërgjerësinë» dhe pasuritë e pafundme të mirësisë së tij, «si shembull për ata që do të besojnë më pas tek ai për jetën e përjetshme». E ngaqë gjërat që kishin guxuar të bënin ishin tepër të mëdha për çfarëdo faljeje, Ungjillori, duke e shpallur këtë, tha:
«Erdhi te të vetët, edhe të vetët nuk e pritën». Prej nga erdhi ai që i mbush të gjitha e që është kudo i pranishëm? Cilin vend zbrazi prej pranisë së tij ai që i mban e i shtrëngon të gjitha në dorën e vet? Ai nuk ndërroi një vend me një tjetër; si do të mundej? Po e bëri këtë duke zbritur te ne. Sepse, ndonëse ishte në botë, nuk dukej se ishte aty, ngaqë s'ishte njohur ende; po pastaj e shfaqi veten, duke pranuar të merrte mbi vete mishin tonë, dhe Joani e quan «ardhje» këtë shfaqje e zbritje. Mund të çuditesh me nxënësin që nuk turpërohet për çnderimin e Mësuesit të tij, po madje shkruan edhe paturpësinë që u tregua ndaj tij; e prapë kjo është një provë jo e vogël e shpirtit të tij të dashuruar pas së vërtetës. Për më tepër, ai që ndien turp duhet ta ndiejë për ata që kanë fyer, jo për atë që u fye. Vërtet, pikërisht me këtë ai shkëlqeu edhe më ndritshëm, sepse edhe pas fyerjes u tregoi kaq shumë kujdes atyre që e kishin fyer; kurse ata dukeshin mosmirënjohës e të mallkuar në sytë e të gjithë njerëzve, ngaqë e kishin hedhur poshtë atë që erdhi t'u sillte të mira kaq të mëdha, si të ishte i urryer prej tyre dhe armik. E jo vetëm në këtë u dëmtuan, po edhe se nuk fituan atë që fituan ata që e pritën. Ç'fituan këta?
Vargu 12. «Po sa e pritën, u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë», thotë Ungjillori. «Përse atëherë, o i lumur, nuk na tregon edhe ndëshkimin e atyre që nuk e pritën? Ke thënë se ishin ‹të vetët› dhe se, ‹kur erdhi te të vetët, ata nuk e pritën›; po ç'do të pësojnë për këtë, ç'ndëshkim do të marrin, nuk vazhdove ta shtoje. E megjithatë kështu do t'i kishe trembur më shumë dhe do ta kishe zbutur ashpërsinë e marrëzisë së tyre me kërcënim. Përse, pra, ke heshtur?» «E ç'ndëshkim tjetër», do të thoshte ai, «mund të jetë më i madh se ky: që, kur u ofrohet pushteti të bëhen bij të Perëndisë, ata nuk bëhen, po me dashje e heqin veten nga një fisnikëri e nga një nder i tillë?» Ndonëse ndëshkimi i tyre nuk do të ndalet as në këtë pikë, që s'fitojnë asnjë të mirë, po, për më tepër, do t'i presë zjarri i pashuar, siç e ka zbuluar më qartë duke ecur më tej. Po tani për tani flet për të mirat e patregueshme të atyre që e pritën, dhe na i vë para shkurt këto fjalë, duke thënë: «Po sa e pritën, u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë». Qoftë rob a i lirë, qoftë grekë a barbarë a skitas, të pamësuar a të mësuar, femra a meshkuj, fëmijë a pleq, në nder a në çnderim, të pasur a të varfër, sundimtarë a njerëz të thjeshtë, të gjithë, thotë ai, çmohen të denjë për të njëjtin privilegj; sepse besimi dhe hiri i Frymës, duke hequr pabarazinë që sjellin gjërat e kësaj bote, i kanë modeluar të gjithë në një trajtë të vetme dhe u kanë vënë të njëjtën vulë, vulën e Mbretit. Çfarë mund të barazohet me këtë dashamirësi? Një mbret, që është gatuar nga e njëjta baltë si ne, nuk denjon t'i radhisë në ushtrinë mbretërore bashkëshërbëtorët e vet, që kanë të njëjtën natyrë me të dhe që në karakter shpesh janë më të mirë se ai, po të jenë skllevër; po Biri i Vetëmlindur i Perëndisë nuk e pati për turp t'i numëronte ndër fëmijët e tij edhe tagrambledhës, edhe magjistarë, edhe skllevër, madje njerëz me më pak emër e me më shumë varfëri se këta, të gjymtuar në trup dhe që vuanin nga dhjetë mijë të këqija. E tillë është fuqia e besimit tek ai, i tillë teprimi i hirit të tij. Dhe ashtu si zjarri, kur ndeshet me xehen e nxjerrë nga miniera, menjëherë nga dheu e bën ar, po ashtu, dhe shumë më tepër, Pagëzimi i bën ata që lahen prej tij të jenë prej ari në vend të baltës; Fryma atëherë bie si zjarr në shpirtrat tanë, djeg «shëmbëllesën e tokësorit» dhe nxjerr «shëmbëllesën e qiellorit», të sapoprerë, të ndritshme e vezulluese, si nga kallëpi i furrës.
Përse, pra, nuk tha «i bëri bij të Perëndisë», po «u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë»? Që të tregonte se na duhet shumë zell për ta ruajtur pa njollë e pa fëlliqësi, gjer në fund, shëmbëllesën e birësimit që na u ngulit në Pagëzim; dhe njëkohësisht që të tregonte se askush nuk do të mundë të na e marrë këtë pushtet, veç po ta hoqëm vetë ne të parët nga vetja. Sepse në qoftë se ndër njerëzit ata që kanë marrë zotërimin e plotë mbi ndonjë çështje kanë thuajse po aq pushtet sa ata që ua besuan, shumë më tepër ne, që kemi marrë një nder të tillë prej Perëndisë, po të mos bëjmë asgjë të padenjë për këtë pushtet, do të jemi më të fortë se të gjithë; sepse ai që na e vuri këtë nder në dorë është më i madh e më i mirë se të gjithë. Njëkohësisht do të tregojë edhe se as hiri nuk zbret mbi njeriun pa dallim, po mbi ata që e dëshirojnë dhe mundohen për të. Sepse është në dorën e këtyre të bëhen bij të tij; ngaqë, po të mos e bëjnë vetë të parët zgjedhjen, dhurata nuk zbret mbi ta e as vepron fare.
[3.] Prandaj, pasi e ka përjashtuar kudo shtrëngimin dhe ka treguar zgjedhjen e lirë e pushtetin e lirë të njeriut, të njëjtën gjë ka thënë edhe tani. Sepse edhe në këto bekime mistike, nga njëra anë është puna e Perëndisë të japë hirin, e nga ana tjetër është puna e njeriut të sjellë besimin; dhe më pas duhet, për pjesën tjetër, shumë përpjekje. Që të ruajmë dëlirësinë tonë, nuk na mjafton vetëm të jemi pagëzuar dhe të kemi besuar, po, në qoftë se duam të gëzojmë vazhdimisht këtë shkëlqim, duhet të tregojmë një jetë të denjë për të. Kjo, pra, është vepra e Perëndisë tek ne. Të kesh lindur me Lindjen mistike dhe të jesh pastruar nga të gjitha mëkatet tona të mëparshme, vjen nga Pagëzimi; po të mbetesh i pastër për në të ardhmen, të mos lejosh më kurrë asnjë njollë pas kësaj, i takon fuqisë e zellit tonë. Dhe kjo është arsyeja pse ai na kujton mënyrën e lindjes dhe, duke e krahasuar me dhembjet e mishit, tregon epërsinë e saj, kur thotë:
Vargu 13. «Që u lindën jo prej gjaku, as prej vullnetit të mishit, po prej Perëndisë». Këtë e ka bërë që, duke parë ndyrësinë e ultësinë e lindjes së parë, e cila është «prej gjaku» dhe «prej vullnetit të mishit», dhe duke kuptuar lartësinë e fisnikërinë e së dytës, e cila është me anë të hirit, të formojmë prej saj një mendim të lartë për të, të denjë për dhuratën e atij që na ka lindur, dhe për në të ardhmen të tregojmë shumë zell.
Sepse s'është frikë e vogël se mos, duke e fëlliqur ndonjëherë atë rrobë të bukur me plogështinë e me shkeljet tona të mëpasme, të na dëbojnë nga dhoma e brendshme dhe nga dhoma e dhëndrit, si të pesë virgjëreshat e marra, ose si ai që s'kishte veshur rrobën e dasmës. Edhe ai ishte një nga të ftuarit, sepse qe thirrur; po ngaqë, pas ftesës e pas një nderi kaq të madh, u soll me paturpësi ndaj atij që e kishte ftuar, dëgjoni se ç'ndëshkim pëson, sa i mjerueshëm, i denjë për shumë lot. Sepse, kur vjen të marrë pjesë në atë tryezë të shkëlqyer, jo vetëm që i ndalohet më e pakta, po, i lidhur këmbë e duar, çohet në errësirën e jashtme, që të pësojë vajin e kërcëllimën e dhëmbëve të përjetshme e të pafund. Prandaj, të dashur, as ne të mos presim se besimi na mjafton për shpëtim; sepse, po të mos tregojmë një jetë të pastër, po të vijmë të veshur me rroba të padenja për këtë thirrje të bekuar, asgjë s'na pengon të pësojmë të njëjtën gjë si ai i mjeri. Është e çuditshme që ai, i cili është Perëndi e Mbret, nuk turpërohet për njerëz të pavlerë, lypës e pa emër, po i sjell në atë tryezë edhe ata të udhëkryqeve; kurse ne tregojmë kaq shumë pandjeshmëri, sa as që bëhemi më të mirë nga një nder kaq i madh, po edhe pas thirrjes mbetemi në ligësinë tonë të vjetër, duke keqpërdorur me paturpësi dashamirësinë e patregueshme të atij që na ka thirrur. Sepse jo për këtë na thirri në kungimin shpirtëror e të tmerrshëm të mistereve të tij, që të hyjmë me ligësinë tonë të mëparshme, po që, duke hequr fëlliqësinë tonë, të ndërrojmë veshjen tonë me një të tillë që u ka hije atyre që priten në pallate. Po në qoftë se nuk duam të sillemi denjësisht për atë thirrje, kjo nuk varet më nga ai që na ka nderuar, po nga vetja jonë; nuk është ai që na dëbon nga ajo shoqëri e mrekullueshme e të ftuarve, po ne e dëbojmë veten.
Ai e ka bërë krejt pjesën e vet. Ka bërë dasmën, ka shtruar tryezën, ka dërguar njerëz të na thërrasin, na ka pritur kur erdhëm dhe na ka nderuar me çdo nder tjetër; po ne, kur u kemi bërë fyerje atij, shoqërisë dhe dasmës, me rrobat tona të fëlliqura, domethënë me veprat tona të papastra, atëherë me të drejtë dëbohemi. Është për të nderuar dasmën e të ftuarit që ai i dëbon ata njerëz të pacipë e të paturpshëm; sepse, po t'i lejonte ata të veshur me një rrobë të tillë, do të dukej sikur u bënte fyerje të tjerëve. Po mos qoftë kurrë që ndonjë, qoftë prej nesh, qoftë prej të tjerëve, ta gjejë këtë prej atij që na ka thirrur! Sepse për këtë qëllim janë shkruar të gjitha këto para se të ndodhin, që ne, duke u urtësuar nga kërcënimet e Shkrimeve, të mos e lëmë këtë turp e ndëshkim të kalojë deri në vepër, po ta ndalim vetëm te fjala, dhe secili të vijë te ajo thirrje me veshje të ndritshme; të cilën qoftë që ta gëzojmë të gjithë, me anë të hirit e të dashamirësisë së Zotit tonë Jisu Krisht, nëpërmjet të cilit dhe bashkë me të cilin, Atit dhe Frymës së Shenjtë, i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1889 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it