Joani 1:9
[1.] Asgjë nuk na pengon që edhe sot të merremi me po ato fjalë, sepse herën e shkuar shtjellimi i mësimeve nuk na la t'i shqyrtonim të gjitha sa u lexuan. Ku janë tani ata që mohojnë se ai është Perëndi i vërtetë? Sepse këtu ai quhet «Drita e vërtetë» (Joani 14:6), dhe gjetkë vetë «e Vërteta» e vetë «Jeta». Atë fjalë do ta shtjellojmë më qartë kur të vijmë te vendi i saj; tani për tani duhet t'i flasim edhe pak dashurisë suaj për atë çështjen tjetër.
Në qoftë se ai «ndriçon çdo njeri që vjen në botë», si vjen që kaq veta mbeten të pandriçuar? Sepse jo të gjithë e njohën madhështinë e Krishtit. Si, pra, ai «ndriçon çdo njeri»? Ai i ndriçon të gjithë, për aq sa varet prej tij. Por, në qoftë se disa, duke i mbyllur me dashje sytë e mendjes, nuk deshën t'i pranojnë rrezet e asaj Drite, errësira e tyre nuk vjen nga natyra e Dritës, por nga ligësia e tyre, ngaqë vetë, me vullnetin e vet, e lënë veten pa këtë dhuratë. Sepse hiri derdhet mbi të gjithë, pa u kthyer prapa as nga hebreu, as nga greku, as nga barbari, as nga skiti, as nga i liri, as nga skllavi, as nga mashkulli, as nga femra, as nga plaku, as nga i riu, por i pranon të gjithë njësoj dhe i fton me të njëjtën përfillje. Dhe ata që nuk duan të gëzojnë këtë dhuratë, është e drejtë që verbërinë e tyre t'ia ngarkojnë vetvetes; sepse, kur porta u është hapur të gjithëve dhe s'ka kush ta ndalë, po të mbetet jashtë ndokush që me dashje bëhet i keq, ai nuk humbet nga askush tjetër, veçse nga ligësia e vet.
Vargu 10. «Ai ishte në botë.»
Por jo sikur ai të kishte të njëjtën kohëzgjatje me botën. Larg qoftë ky mendim! Prandaj shton: «Edhe bota u bë me anë të tij», duke të ngritur kështu sërish drejt qenies së përjetshme të Vetëmlindurit. Sepse ai që ka dëgjuar se kjo gjithësi është vepër e tij, sado i trashë të jetë, sado urryes, sado armik i lavdisë së Perëndisë, doemos, me dashje a pa dashje, do të detyrohet të pohojë se bërësi vjen para veprave të veta. Ndaj përherë më zë çudia për marrëzinë e Pavlit të Samosatës, që guxoi ta shihte sy më sy një të vërtetë kaq të qartë, e prapë me vullnetin e vet u hodh në greminë. Sepse ai nuk gaboi nga padija, por me dijeni të plotë, ngaqë ishte në po atë gjendje si hebrenjtë. Se, ashtu si ata, duke vënë sytë te njerëzit, hoqën dorë nga besimi i shëndoshë, ndonëse e dinin se ai ishte Biri i vetëmlindur i Perëndisë, po nuk e rrëfyen për shkak të të parëve të tyre, që të mos i përzinin nga sinagoga, kështu edhe për të thuhet se, për të kënaqur një farë gruaje, e shiti shpëtimin e vet. E fuqishme, vërtet e fuqishme, është tirania e mendjemadhësisë; ajo mund t'i verbojë sytë edhe të të urtëve, në mos qofshin të kthjellët; sepse, në qoftë se marrja e dhuratave e bën këtë, aq më shumë do ta bëjë ndjenja edhe më e egër e këtij pasioni. Prandaj Jisui u tha hebrenjve: «Si mund të besoni ju, që merrni lavdi njëri nga tjetri, e nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?» (Joani 5:44).
«Edhe bota nuk e njohu.» Me fjalën «botë» ai këtu nënkupton turmën, atë që është e prishur dhe e ngjitur fort pas gjërave tokësore, njerëzit e rëndomtë, plot rrëmujë e pa mend. Sepse miqtë dhe të dashurit e Perëndisë e njohën të gjithë, qysh para se ai të vinte në mish. Për patriarkun flet vetë Krishti me emër: «Ati juaj, Abrahami, u gëzua të shihte ditën time; dhe e pa, dhe u gëzua» (Joani 8:56). Edhe për Davidin, duke ua mbyllur gojën hebrenjve, tha: «Si, pra, Davidi me anë të Frymës e quan Zot, kur thotë: ‹Zoti i tha Zotit tim: rri në të djathtën time›?» (Mateu 22:43; Marku 12:36; Lluka 20:42). Edhe në shumë vende, duke u grindur me ta, përmend Moisiun; kurse apostulli përmend profetët e tjerë; sepse Pjetri pohon se të gjithë profetët, qysh nga Samueli, e njohën dhe që herët, prej së largu, e paralajmëruan ardhjen e tij, kur thotë: «Të gjithë profetët, që nga Samueli e ata që erdhën më pas, sa folën, po ashtu i paralajmëruan këto ditë» (Veprat 3:24). Kurse Jakobit, si edhe të atit e të gjyshit të tij, ai u shfaq atyre, foli me ta dhe u premtoi se do t'u jepte bekime të shumta e të mëdha, të cilat edhe i përmbushi.
«Po si, pra, thotë dikush, tha vetë ai: ‹Shumë profetë deshën të shihnin ato që shihni ju, e nuk i panë; edhe të dëgjonin ato që dëgjoni ju, e nuk i dëgjuan› (Lluka 10:24)? A nuk patën, atëherë, pjesë në njohjen e tij?» Sigurisht që patën; dhe do të përpiqem ta bëj këtë të qartë pikërisht nga ajo thënie me të cilën disa pandehin se ata mbeten pa të. «Shumë veta, thotë ai, deshën të shohin ato që shihni ju.» Pra, ata e dinin se ai do të vinte te njerëzit prej qiellit, se do të jetonte e do të mësonte ashtu siç jetoi e mësoi; sepse, po të mos e kishin ditur, nuk do të kishin mundur ta dëshironin, ngaqë askush nuk mund të ndiejë dëshirë për gjëra që as nuk i shkojnë ndër mend. Prandaj ata e njihnin Birin e Njeriut dhe e dinin se ai do të vinte midis njerëzve. Cilat janë, pra, gjërat që nuk i dëgjuan? Cilat ato që nuk i njohën? Ato që ju tani i shihni dhe i dëgjoni. Sepse, edhe në qoftë se e dëgjuan zërin e tij dhe e panë, kjo nuk ndodhi në mish, as midis njerëzve, as kur ai jetonte aq nga afër me ta e bisedonte aq çiltër. Dhe ja, për ta treguar këtë, ai nuk tha thjesht «të më shohin mua», por çfarë? «ato që shihni ju»; as «të më dëgjojnë mua», por çfarë? «ato që dëgjoni ju». Kështu që, edhe pse nuk e panë ardhjen e tij në mish, prapëseprapë e dinin se do të ndodhte, dhe e dëshiruan, dhe besuan tek ai pa e parë në mish.
Kur, pra, grekët na ngrenë akuza të tilla dhe thonë: «Ç'bëri Krishti në kohët e shkuara, që nuk hodhi sy mbi gjininë njerëzore? Dhe për ç'arsye erdhi më në fund të ndihmojë në shpëtimin tonë, pasi na la pas dore kaq gjatë?», ne do të përgjigjemi se edhe përpara kësaj ai ishte në botë, kujdesej për veprat e veta dhe njihej nga të gjithë ata që ishin të denjë. Por, në qoftë se do të thoni se, ngaqë atëherë nuk e njohën të gjithë, ngaqë e njihnin vetëm ata njerëz fisnikë e të shquar, prandaj ai nuk u njoh, atëherë, me këtë arsyetim, nuk do të pranoni as që ai adhurohet edhe tani, sepse edhe tani jo të gjithë njerëzit e njohin. Por, ashtu si tani askush, për shkak të atyre që nuk e njohin, nuk do t'ua mohonte besimin atyre që e njohin, po kështu, edhe për kohët e shkuara, nuk duhet të dyshojmë se ai u njoh nga shumë veta, ose më mirë, nga të gjithë ata njerëz fisnikë e të admirueshëm.
[2.] Dhe, në qoftë se dikush thotë: «Përse jo të gjithë njerëzit ia vunë veshin? Përse jo të gjithë e adhuruan, veçse të drejtët?», edhe unë do të pyes: përse edhe tani jo të gjithë njerëzit e njohin? Po ç'e zë në gojë Krishtin, kur as atëherë nuk e njohën të gjithë Atin e tij, as tani nuk e njohin? Sepse disa thonë se çdo gjë ecën sipas rastësisë, kurse të tjerë ia besojnë providencën e gjithësisë demonëve. Të tjerë shpikin një Perëndi tjetër përveç tij, e disa, me blasfemi, pohojnë se fuqia e tij është një fuqi armiqësore, dhe kujtojnë se ligjet e tij janë ligjet e një demoni të lig. E çfarë, pra? A do të themi se ai nuk është Perëndi, ngaqë ka disa që e thonë këtë? A do ta rrëfejmë për të lig, sepse ka nga ata që edhe kështu e blasfemojnë? Larg qoftë kjo trallisje e mendjes, kjo çmenduri e plotë! Po të përcaktonim mësimet sipas gjykimit të të marrëve, asgjë nuk do të na pengonte të bëheshim edhe vetë të marrë, me marrëzinë më të rëndë. Askush nuk do të pohojë, ngaqë ka njerëz me shikim të dobët, se dielli u bën dëm syve, por do të thotë se ai është bërë për të dhënë dritë, duke i nxjerrë gjykimet nga njerëzit e shëndoshë. Dhe askush nuk do ta quajë mjaltin të hidhur, ngaqë kështu i duket shqisës së të sëmurit. E a do të vendosë ndokush, nga trillimet e njerëzve të sëmurë nga mendja, se Perëndia ose nuk ekziston, ose është i lig, ose se ndonjëherë e ushtron providencën e tij e ndonjëherë nuk e ushtron fare? Kush mund të thotë se njerëz të tillë janë me mendje të shëndoshë, ose të mohojë se janë jashtë vetes, në kllapi, krejt të marrë?
«Bota, thotë ai, nuk e njohu»; por ata, për të cilët bota nuk ishte e denjë, e njohën. Dhe, pasi foli për ata që nuk e njohën, pas pak tregon shkakun e padijes së tyre; sepse ai nuk thotë prerazi se askush nuk e njohu, por se «bota nuk e njohu», domethënë ata njerëz që janë, si të thuash, të gozhduar vetëm pas botës e që kanë mendjen veç te gjërat e botës. Sepse kështu i quante zakonisht Krishti, si atëherë kur thotë: «O Atë i Shenjtë, bota nuk të njohu» (Joani 17:25). Bota, pra, ishte në padije jo vetëm për të, por edhe për Atin e tij, siç e thamë; sepse asgjë nuk e errëson mendjen aq shumë sa ngjitja fort pas gjërave të tanishme.
Duke e ditur, pra, këtë, largohuni nga bota dhe shkëputuni sa të mundni nga gjërat e mishit, sepse humbja që ju vjen prej tyre nuk qëndron në gjëra të rëndomta, por në atë që është më e mira e të mirave. Sepse është e pamundur që njeriu i kapur fort pas gjërave të kësaj jete të rrokë vërtet ato të qiellit; ai që i përkushtohet njërës, doemos do të humbasë tjetrën. «Nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonait», thotë ai (Mateu 6:24), sepse duhet të mbaheni pas njërit e të urreni tjetrin. Edhe këtë e shpall me zë të lartë vetë përvoja e gjërave. Kështu, ata që e përqeshin lakminë për para janë pikërisht ata që e duan Perëndinë si duhet; e po ashtu, ata që e nderojnë atë sundim të mamonait janë ata që e duan më pak se kushdo tjetër. Sepse shpirti, kur robërohet një herë e mirë nga lakmia, nuk do të ngurrojë lehtë të bëjë a të thotë ndonjë nga ato gjëra që e zemërojnë Perëndinë, sepse është skllav i një zoti tjetër, që i jep të gjitha urdhrat pikërisht kundër Perëndisë. Kthehuni, pra, më në fund në vete, zgjohuni, dhe, duke sjellë ndër mend se të kujt shërbëtorë jemi, le ta duam vetëm mbretërinë e tij; le të qajmë, le të vajtojmë për kohët e shkuara në të cilat ishim shërbëtorë të mamonait; le ta heqim një herë e mirë zgjedhën e tij kaq të padurueshme, kaq të rëndë, dhe le të mbajmë tutje zgjedhën e lehtë e të butë të Krishtit. Sepse ai nuk na ngarkon urdhra të tillë si mamonai. Mamonai na urdhëron të jemi armiq me të gjithë njerëzit, kurse Krishti, përkundrazi, të përqafojmë e të duam të gjithë. I pari, pasi na ka gozhduar te balta e te bërja e tullave (sepse ari pikërisht kjo është), nuk na lë të marrim frymë as pak natën; kurse tjetri na çliron nga ky kujdes i tepruar e i marrë, dhe na urdhëron të mbledhim thesare në qiell, jo me padrejtësi ndaj të tjerëve, por me drejtësinë tonë. I pari, pas mundimeve e vuajtjeve tona të shumta, nuk mund të na ndihmojë kur ndëshkohemi atje dhe pësojmë për shkak të ligjeve të tij, madje na e shton flakën; kurse tjetri, ndonëse na urdhëron të japim qoftë edhe një kupë ujë të ftohtë, nuk na lë kurrë ta humbasim shpërblimin dhe pagën qoftë edhe për këtë, por na shpërblen me bollëk të madh. Si, pra, nuk është marrëzia më e skajshme të përbuzësh një sundim kaq të butë, kaq plot me çdo të mirë, dhe t'i shërbesh një tirani mosmirënjohës, që kurrë s'e njeh të mirën, e që as në këtë botë, as në botën që vjen, nuk mund t'i ndihmojë ata që i binden dhe ia vënë veshin? As kjo nuk është e vetmja gjë e tmerrshme, as ky nuk është i vetmi dënim, që ai nuk i mbron kur ndëshkohen; por, veç kësaj, ai, siç e thashë më parë, i rrethon me dhjetë mijë të këqija ata që i binden. Sepse, ndër ata që ndëshkohen atje, mund të shohësh se pjesa më e madhe ndëshkohen pikërisht për këtë arsye: se ishin skllevër të parasë, se e donin arin dhe nuk deshën t'i ndihmonin ata që kishin nevojë. Që të mos biem në këtë gjendje, le të shpërndajmë, le t'u japim të varfërve, le t'i çlirojmë shpirtrat tanë nga kujdeset e dëmshme në këtë botë dhe nga hakmarrja që, për shkak të tyre, na është caktuar atje. Le të grumbullojmë drejtësi në qiej. Në vend të pasurive mbi tokë, le të mbledhim thesare të pacenueshme, thesare që mund të na shoqërojnë në udhëtimin tonë drejt qiellit, që mund të na ndihmojnë në rrezik dhe që ta bëjnë Gjykatësin të mëshirshëm në atë orë. Të cilin qoftë ta kemi të gjithë të mëshirshëm, si tani ashtu edhe atë ditë, dhe le t'i gëzojmë me shumë guxim të mirat e përgatitura në qiej për ata që e duan ashtu si duhet, me anë të hirit dhe të njerëzdashjes së Zotit tonë Jisu Krisht, bashkë me të cilin, Atit dhe Frymës së Shenjtë, i qoftë lavdia, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1889 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it