Të gjitha letrat

Shën Joan Gojarti

Mateu 3:7

Si thotë, pra, Krishti se ata nuk i besuan Joanit? Sepse kjo pikërisht ishte të mos besoje: të mos e pranoje Atë që Joani predikonte. Kujtonin se i nderonin profetët e tyre dhe ligjvënësin e tyre, e megjithatë Ai tha se nuk i kishin nderuar, sepse nuk e pranuan Atë që qe parathënë prej tyre. «Sepse po të kishit besuar Moisiun, thotë Ai, do të më kishit besuar edhe mua.» Dhe pastaj përsëri, kur Krishti i pyeti: «Pagëzimi i Joanit, nga vjen?», ata thanë: «Po të themi: ‹Prej dheut›, kemi frikë nga populli; e po të themi: ‹Prej qiellit›, do të na thotë: ‹Përse, pra, nuk i besuat?›»

Kështu, nga të gjitha këto duket qartë se ata vërtet erdhën dhe u pagëzuan, por nuk qëndruan në besimin e asaj që u predikua. Sepse edhe Joani e tregon ligësinë e tyre, kur ata dërguan njerëz te Pagëzori dhe i thanë: «A je ti Ilia? A je ti Krishti?»; prandaj ai shtoi edhe këtë: «ata që u dërguan ishin nga farisenjtë».

«Po ç'të themi? A nuk mendonte edhe turma po kështu?», mund të thotë ndonjë. Jo: turma, në thjeshtësinë e mendjes, kishte këtë dyshim, kurse farisenjtë donin ta zinin atë në grackë. Sepse, meqë pranohej se Krishti do të dilte nga fshati i Davidit, ndërsa ky njeri ishte nga fisi i Leviut, ata i ngritën një kurth me pyetjen e tyre, që, po të thoshte diçka të tillë, ta kapnin menjëherë. Këtë e tregoi qartë me ato që pasuan; sepse, kur ai nuk pranoi asnjë nga gjërat që prisnin, prapë e zunë për fjalësh, duke i thënë: «Përse pagëzon, pra, nëse nuk je Krishti?»

Dhe që të bindesh se farisenjtë erdhën me një qëllim, kurse populli me një tjetër, dëgjo si e ka treguar edhe këtë Ungjillori. Për popullin thotë «se vinin dhe pagëzoheshin prej tij, duke rrëfyer mëkatet e tyre»; kurse për farisenjtë jo më ashtu, por «kur pa shumë farisenj e saducenj që po vinin, tha: O pjellë nëpërkash, kush ju paralajmëroi të ikni nga zemërimi që vjen?». O madhështi shpirti! Si u flet njerëzve që gjithnjë kishin etje për gjakun e profetëve, njerëz që nga natyra s'ishin më të mirë se gjarpërinjtë! Si i qorton haptas edhe ata vetë, edhe të parët e tyre!

2. «Mirë, thotë ndonjë, flet mjaft haptas; por pyetja është a ka ndonjë arsye kjo haptësi. Sepse ai nuk i pa ata duke mëkatuar, por në çastin kur po ndryshonin; prandaj nuk e meritonin qortimin, po më fort lëvdatën e miratimin, që lanë qytetin e shtëpitë e nxituan të dëgjonin predikimin e tij.»

Ç'të themi, pra? Se ai nuk kishte para syve atë që bënin tani, në atë çast, por i njihte të fshehtat e mendjes së tyre, sepse Perëndia ia kishte zbuluar. Ata mburreshin me të parët e tyre, e kjo gjë do të bëhej shkak i shkatërrimit të tyre dhe i hidhte në një gjendje shkujdesjeje; prandaj ai ua pret rrënjët e krenarisë. Për këtë arsye edhe Isaia i quan «të parët e Sodomës» dhe «popullin e Gomorës»; e një profet tjetër thotë: «A nuk jeni si bijtë e etiopianëve?». Të gjithë i shkëputin nga kjo mënyrë të menduari dhe ua ulin krenarinë, që u kishte sjellë të këqija të panumërta.

«Por profetët, do të thuash, e bënin këtë me arsye, sepse i shihnin duke mëkatuar; ndërsa këtu, me ç'qëllim e për ç'shkak bën po njësoj, kur i sheh se i binden?» Që t'i bëjë edhe më zemërbutë.

Po t'i shqyrtosh me kujdes fjalët e tij, ai e ka zbutur qortimin me lavdërim. Sepse i tha këto si i habitur me ta, që patën mundur, sado me vonesë, të bëjnë atë që dukej thuajse e pamundur për ta. Qortimi i tij, e sheh, është më fort qortimi i njeriut që kërkon t'i tërheqë e të veprojë mbi ta, që të zgjohen. Sepse, duke u dukur i mahnitur, ai lë të kuptohet edhe se ligësia e tyre e dikurshme ka qenë e madhe, edhe se kthimi i tyre është i mrekullueshëm e përtej çdo pritjeje. Kështu, thotë ai: «Ç'ka ndodhur që këta, bij të atyre njerëzve dhe të rritur kaq keq, u penduan? Nga erdhi një ndryshim kaq i madh? Kush ua ka zbutur ashpërsinë e shpirtit? Kush e ndreqi atë që s'kishte shërim?»

Dhe shih si që në fillim i tremb, duke vënë të parën, si themel, fjalën për ferrin. Sepse nuk foli për gjërat e zakonshme: «Kush ju paralajmëroi të ikni nga luftërat, nga sulmet e barbarëve, nga robëritë, nga zitë e bukës, nga murtajat?», por i ra së pari, si notë përgatitore, një lloji tjetër ndëshkimi, që kurrë s'u ishte shfaqur më parë, duke thënë kështu: «Kush ju paralajmëroi të ikni nga zemërimi që vjen?»

Dhe me plot të drejtë i quajti gjithashtu «pjellë nëpërkash». Sepse thonë se edhe ajo kafshë e shkatërron nënën ndërsa është duke e lindur, e, duke i brejtur barkun, del kështu në dritë; të njëjtën gjë bënin edhe këta njerëz, që ishin «vrasës etërish e vrasës nënash» dhe shfarosnin me duart e veta ata që i mësonin.

3. Megjithatë, ai nuk ndalet te qortimi, por sjell edhe këshillën. Sepse thotë: «Bëni fryte të denja për pendim.»

Sepse nuk mjafton të ikni nga ligësia, por duhet të tregoni edhe virtyt të madh. Le të mos ndodhë ajo gjë e kundërt, po e zakonshme, që, pasi të përmbaheni pak kohë, të ktheheni prapë te po ajo ligësi. Sepse ne nuk kemi ardhur për të njëjtat gjëra si profetët përpara. Përkundrazi, gjërat e tashme kanë ndryshuar dhe janë më të larta, sepse tashti po vjen Gjykatësi, Ai Vetë, Zoti i mbretërisë, që na çon drejt një vetëpërmbajtjeje më të madhe, që na thërret në qiell dhe na ngre lart drejt atyre banesave. Për këtë arsye e shpalos edhe mësimin për ferrin, sepse edhe të mirat, edhe të hidhurat janë përjetë. Mos rrini, pra, siç jeni, as mos nxirrni justifikimet e zakonshme: Abrahamin, Isakun, Jakobin, farën fisnike të të parëve tuaj.

Dhe këto i tha, jo sepse i ndalonte të thoshin që rridhnin nga ata njerëz të shenjtë, por sepse i ndalonte të mbështeteshin te kjo, ndërsa linin pas dore virtytin e shpirtit. Njëherësh nxori haptas atë që kishin në mendje dhe paratha gjërat që do të vinin. Sepse pas kësaj i gjejmë të thonë: «Kemi atë Abrahamin dhe kurrë nuk kemi qenë skllevër të askujt.» Meqë, pra, ishte pikërisht kjo që më së shumti i ngrinte me krenari dhe i shkatërronte, ai e rrëzon së pari atë.

Dhe shih se si, bashkë me nderimin që i bën patriarkut, ndërthur edhe ndreqjen e tyre për këto gjëra. Pasi tha: «Mos mendoni të thoni me veten: Kemi atë Abrahamin», nuk tha: «sepse patriarku nuk do të mund t'ju sjellë kurrfarë dobie», por, në një mënyrë disi më të butë e më të pëlqyeshme, la të kuptohet po atë gjë, duke thënë:

«Sepse Perëndia mund t'i ngjallë Abrahamit fëmijë prej këtyre gurëve.»

Disa thonë se ai i thotë këto për johebrenjtë, duke i quajtur gurë në kuptim të figurshëm; por unë them se shprehja ka edhe një kuptim tjetër. E ç'kuptim është ky? Mos mendoni, thotë ai, se, po të humbisni ju, do ta lini patriarkun pa fëmijë. Nuk është kështu, nuk është kështu. Sepse për Perëndinë është e mundur edhe prej gurësh t'i japë njerëz, edhe t'i sjellë ata në atë farefisni; sepse edhe në fillim kështu u bë. Sepse ishte njësoj sikur njerëzit të lindnin prej gurësh, kur një fëmijë doli nga ajo mitër e ngurtësuar.

Këtë e linte të kuptohej edhe profeti, kur tha: «Shikoni shkëmbin e fortë prej të cilit u latuat, dhe zgavrën e pusit prej së cilës u gërmuat: shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju lindi.» Ai, e sheh, ua kujton këtë profeci dhe u tregon se, në qoftë se në fillim e bëri atë baba aq mrekullisht sa të ishte sikur e bëri prej gurësh, ishte e mundur që kjo të ndodhte edhe tani. Dhe shih se si edhe i tremb, edhe ua pret shtegun: nuk tha «Ka ngjallur tashmë», që të mos e humbnin shpresën për veten, por «është i zoti të ngjallë»; dhe nuk tha «Është i zoti të bëjë njerëz prej gurësh», por diçka shumë më të madhe: «farefis dhe fëmijë të Abrahamit».

A e sheh si, për atë çast, i largoi nga përfytyrimi i kotë për gjërat e trupit dhe nga strehimi te të parët e tyre, që ta mbështesnin shpresën e shpëtimit të vet te pendimi dhe vetëpërmbajtja e tyre? A e sheh si, duke hedhur tej farefisninë e mishit, sjell atë të besimit?

4. Vër re, pra, si me ato që pasojnë ua shton frikën dhe ua thellon ankthin që i mundonte.

Pasi tha se «Perëndia mund t'i ngjallë Abrahamit fëmijë prej këtyre gurëve», shtoi: «Dhe tani sëpata është vënë te rrënja e pemëve», duke e bërë me çdo mënyrë fjalën e tij të tmerrshme. Sepse, ashtu si ai kishte shumë guxim në fjalë prej mënyrës së tij të jetesës, ashtu edhe atyre u duhej qortimi i tij i rreptë, sepse prej shumë kohësh kishin mbetur shterpë. «Përse them, thotë ai, se ju do të shkëputeni nga lidhja me patriarkun dhe do të shihni të tjerë, madje edhe ata prej gurësh, të futur në vendin tuaj të parë? Jo, ndëshkimi juaj nuk do të arrijë vetëm deri këtu, por dënimi juaj do të shkojë më tej. Sepse tani, thotë, sëpata është vënë te rrënja e pemëve.» S'ka gjë më të tmerrshme se ky kthim i fjalës së tij. Sepse nuk është më «një drapër fluturues», as «rrëzimi i një gardhi», as «shkelja me këmbë e vreshtit», por një sëpatë tepër e mprehtë dhe, ç'është më keq, është madje te dera. Sepse ata gjithnjë s'u besonin profetëve dhe thoshin: «Ku është dita e Zotit?» dhe «Le të vijë vendimi i të Shenjtit të Izraelit, që ta njohim»; dhe, meqë kalonin shumë vjet para se të ndodhte ajo që thoshin, ai, për t'i shkëputur edhe nga kjo mbështetje, ua vuri tmerret pranë. Dhe këtë e tregoi duke thënë «tani» dhe duke e vënë sëpatën «te rrënja». «Sepse tashmë s'ka asnjë hapësirë ndërmjet, thotë, por ajo është vënë te vetë rrënja.» Dhe nuk tha «te degët», as «te frytet», por «te rrënja». Duke treguar se, po të ishin të pakujdesshëm, do të duronin tmerre pa shërim e as që do të kishin shpresë ilaçi. Sepse tani nuk erdhi ndonjë shërbëtor, si ata përpara Tij, por vetë Zoti i të gjithëve, që sjell mbi ta ndëshkimin e Tij të egër e të vetëveprues.

Megjithatë, ndonëse i tremb përsëri, nuk i lë të bien në dëshpërim; por, ashtu si më parë nuk tha «Ka ngjallur», por «Është i zoti t'i ngjallë Abrahamit fëmijë» (duke i trembur e njëkohësisht duke i ngushëlluar), po ashtu edhe këtu nuk tha se «ka prekur rrënjën», por «është vënë te rrënja, e tani është fare pranë saj dhe s'tregon shenjë vonese». Por, edhe pse e afroi kaq shumë, prerjen e saj e lë të varet nga ju. Sepse, po të ndryshoni e të bëheni njerëz më të mirë, kjo sëpatë do të largohet pa bërë asgjë; por, po të vazhdoni në po ato udhë, Ai do ta shkulë pemën me rrënjë. Ndaj, vër re, sëpata as nuk hiqet nga rrënja, as, ashtu si është vënë, nuk pret fare: e para, që të mos plandoseni në shkujdesje; e dyta, që ta dini se është e mundur të ndryshoni e të shpëtoni qoftë edhe në pak kohë. Prandaj ai, nga çdo anë, ua shton frikën, duke i zgjuar plotësisht e duke i shtyrë drejt pendimit. Kështu, së pari shkëputja e tyre nga të parët; pastaj futja e të tjerëve në vend të tyre; së fundi, ata tmerre te dera, siguria se do të vuanin të këqija pa shërim (të cilat i tregoi me rrënjën dhe me sëpatën), mjaftonin për të zgjuar plotësisht edhe ata që ishin fare të plogësht dhe për t'i mbushur me ankth. Do të shtoja se edhe Pavli tregonte po këtë, kur tha: «Një fjalë të shkurtër do të bëjë Zoti mbi gjithë botën.»

Por mos ki frikë; ose më mirë, ki frikë, po mos u dëshpëro. Sepse ke ende një shpresë ndryshimi; vendimi nuk është krejt i prerë, as sëpata nuk erdhi për të prerë (përndryshe, ç'e pengonte të priste, kur ishte kaq pranë rrënjës?), por me qëllim që, me këtë frikë, të të bëjë njeri më të mirë e të të përgatitë që të japësh fryt. Për këtë arsye shtoi: «Prandaj çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.» Tani, me fjalën «çdo», ai hedh poshtë përsëri privilegjin që kishin nga prejardhja e tyre fisnike. «Ç'të duhet, thotë, edhe po të jesh vetë pasardhës i Abrahamit, edhe po të kesh me mijëra patriarkë për të numëruar, prapë do të pësosh një ndëshkim të dyfishtë, po të mbetesh pa fryt.»

Me këto fjalë ai trembi edhe tagrambledhësit, i tronditi edhe mendjen e ushtarëve, pa i hedhur në dëshpërim, po duke ua hequr çdo siguri. Sepse, bashkë me tmerrin, ka edhe shumë ngushëllim në fjalët e tij; sepse me shprehjen «që nuk jep fryt të mirë», tregoi se ajo pemë që jep fryt shpëton nga çdo ndëshkim.

5. «E si, thotë ndonjë, do të mundemi ne të japim fryt, kur tehu i sëpatës po vihet, e koha kaq e ngushtë, e stina e caktuar kaq e shkurtër?» «Do të mundesh, thotë ai, sepse ky fryt nuk është i po atij lloji si i pemëve të zakonshme, që presin gjatë, që janë të lidhura pas nevojës së stinëve dhe kërkojnë shumë kujdes tjetër; por mjafton të duash, dhe pema menjëherë e ka nxjerrë frytin e vet. Sepse jo vetëm natyra e rrënjës, por edhe zotësia e bujkut ndihmon më së shumti në atë lloj frytdhënieje.»

Sepse (le të shtoj), pikërisht për këtë, që të mos thoshin: «Ti po na tremb, po na shtrëngon e po na detyron, po na vë sëpatën e po na kërcënon me prerje, e prapë kërkon fryt në kohë ndëshkimi», ai shtoi, për të treguar se sa lehtë jepet ai fryt: «Unë ju pagëzoj me ujë, por Ai që vjen pas meje është më i fuqishëm se unë, të cilit nuk jam i denjë t'i zgjidh lidhësen e këpucës; Ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.» Me këtë lë të kuptohet se duhet vetëm gatishmëri dhe besim, jo mundime e lodhje; dhe, ashtu siç është lehtë të pagëzohesh, po aq lehtë është të kthehesh e të bëhesh njeri më i mirë. Kështu, pasi ua trazoi mendjen me frikën e gjyqit të Perëndisë, me pritjen e ndëshkimit të Tij, me përmendjen e sëpatës, me humbjen e të parëve të tyre, me futjen e atyre fëmijëve të tjerë dhe me ndëshkimin e dyfishtë të prerjes e të djegies, dhe pasi ua zbuti me çdo mënyrë ashpërsinë e i solli që të dëshironin çlirimin nga të këqija kaq të mëdha, atëherë sjell atë që ka për të thënë për Krishtin; dhe jo thjesht, por me një shpallje të epërsisë së Tij të madhe. Pastaj, kur tregon dallimin midis vetes dhe Atij, që të mos dukej sikur e thoshte këtë nga anësia, e vërteton faktin duke krahasuar dhuratat që jep secili prej tyre. Sepse ai nuk tha menjëherë: «Nuk jam i denjë t'i zgjidh lidhësen e këpucës»; por, pasi tregoi së pari sa pak vlerë kishte pagëzimi i tij dhe se ai s'kishte gjë tjetër veçse t'i çonte drejt pendimit (sepse nuk tha me ujë faljeje, por pendimi), tregon edhe pagëzimin e Krishtit, që është plot me dhuratën e patregueshme. Kështu ai sikur thotë: «Që të mos e përbuzësh Atë, kur të thonë se vjen pas meje, thua se erdhi më vonë, mëso ti vlerën e dhuratës së Tij, dhe do ta dish qartë se s'thashë asgjë të denjë a të madhe kur thashë: ‹Nuk jam i denjë t'i zgjidh lidhësen e këpucës.› Po ashtu, kur të thonë: ‹Është më i fuqishëm se unë›, mos mendo se e thashë këtë për të bërë krahasim. Sepse unë nuk jam i denjë të radhitem qoftë edhe ndër shërbëtorët e Tij, jo, as ndër më të ulëtit e shërbëtorëve të Tij, as të marr pjesën më pak të nderuar të shërbesës së Tij.» Prandaj ai nuk tha thjesht «këpucët e Tij», por as edhe «lidhësen», një shërbim që quhej i fundit nga të gjithë. Pastaj, që të mos ia veshësh ti përulësisë atë që tha, ai shton edhe provën nga faktet: «Sepse Ai do t'ju pagëzojë, thotë, me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.»

6. A e sheh sa e madhe është urtësia e Pagëzorit? Si, kur predikon ai vetë, thotë çdo gjë për t'i trembur e për t'i mbushur me ankth; kurse, kur i dërgon njerëzit te Krishti, thotë gjithçka që ishte e butë e që mund t'i shëronte: nuk sjell as sëpatën, as pemën që pritet e digjet e hidhet në zjarr, as zemërimin që vjen, por faljen e mëkateve, heqjen e ndëshkimit, drejtësinë, shenjtërimin, shpengimin, birërinë, vëllazërinë, pjesëmarrjen në trashëgim dhe një dhurim të bollshëm të Frymës së Shenjtë. Sepse të gjitha këto i tregoi tërthorazi, kur tha: «Ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë»; njëherësh, me vetë mënyrën e të folurit, shpalli begatinë e hirit (sepse nuk tha «Do t'ju japë Frymën e Shenjtë», por «Do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë»); dhe, nga ana tjetër, me përcaktimin e zjarrit tregoi cilësinë e vrullshme e të papërmbajtshme të hirit të Tij.

Merr me mend vetëm se ç'lloj njerëzish u takonte të bëheshin dëgjuesit, kur mendonin se do të bëheshin menjëherë si profetët e si ata të mëdhenjtë. Sepse, e sheh, pikërisht për këtë e përmendi fare zjarrin: që t'i çonte të kujtonin ata njerëz. Sepse, nga të gjitha vegimet që u shfaqën atyre, thuajse do të thosha se pjesa më e madhe u shfaqën në zjarr: kështu Perëndia foli me Moisiun në ferrishte, kështu me gjithë popullin në malin Sinai, kështu me Ezekielin mbi qeruvinët.

Dhe vër re përsëri se si e zgjon dëgjuesin, duke vënë të parën atë që do të ndodhte më së fundi. Sepse Qengji do të therej, mëkati do të shlyhej, armiqësia do të shkatërrohej, do të bëhej varrimi dhe Ngjallja, e pastaj do të vinte Fryma. Por asnjë nga këto nuk e përmend ende, veç asaj që ishte e fundit, për hir të së cilës u bënë të gjitha të tjerat dhe që ishte më e përshtatshmja për të shpallur nderin e Tij; kështu që, kur dëgjuesit t'i thoshin se do të merrte një Frymë kaq të madhe, ai të hetonte me vete se si dhe në ç'mënyrë do të bëhej kjo, ndërkohë që mëkati mbizotëronte kaq shumë; dhe, pasi ta gjente plot me mendime e të përgatitur për atë mësim, pastaj të fuste atë që kishte për të thënë për Pësimin, që të mos pengohej më askush, në pritjen e një dhurate të tillë.

Prandaj thirri përsëri, duke thënë: «Ja Qengji i Perëndisë, që e merr mbi vete mëkatin e botës.» Nuk tha «që e fal», por diçka që tregon një kujdes më ruajtës: «që e merr mbi vete». Sepse nuk është njësoj thjesht ta falësh dhe ta marrësh atë mbi vete. Sepse e para do të bëhej pa rrezik, kurse e dyta me vdekje.

Dhe përsëri tha: «Ai është Biri i Perëndisë.» Por as kjo nuk ua tregoi haptas dëgjuesve shkallën e Tij (sepse ata as që dinin ende ta merrnin me mend si Bir të vërtetë); por me një dhuratë kaq të madhe të Frymës u vërtetua edhe ajo. Prandaj edhe Ati, kur dërgoi Joanin, i dha, siç e dini, këtë si shenjën e parë të nderit të Atij që kishte ardhur, duke thënë: «Ai mbi të cilin do të shohësh Frymën duke zbritur e duke ndenjur, Ai është që pagëzon me Frymën e Shenjtë.» Prandaj edhe ai vetë thotë: «Pashë dhe dëshmova se ky është Biri i Perëndisë», sikur e para të ishte përgjithmonë prova e qartë e së dytës.

7. Pastaj, pasi tha pjesën më të butë të fjalës së tij dhe e qetësoi e ia lehtësoi barrën dëgjuesit, e shtrëngon atë përsëri, që të mos bëhet i shkujdesur. Sepse e tillë ishte natyra e popullit hebre: nga çdo gjë inkurajuese fryheshin lehtë dhe prisheshin. Prandaj sjell përsëri tmerret e tij, duke thënë: «Lopata e Tij është në dorën e Tij.»

Kështu, ashtu si më parë kishte folur për ndëshkimin, po ashtu këtu tregon edhe Gjykatësin dhe sjell ndëshkimin e përjetshëm. Sepse thotë: «Do ta djegë bykun me zjarr të pashuar.» E sheh se Ai është Zot i të gjitha gjërave dhe se Ai Vetë është bujku; ndonëse në një vend tjetër po kështu e quan Atin e Tij. Sepse thotë: «Ati im është bujku.» Kështu, meqë kishte folur për një sëpatë, që të mos mendoje se puna kërkonte mund e se ndarja ishte e vështirë të bëhej, me një krahasim tjetër tregon se sa e lehtë është, duke lënë të kuptohet se gjithë bota është e Tij; sepse Ai s'mund të ndëshkonte ata që s'ishin të Tijtë. Për tani, është e vërtetë, të gjitha janë përzier bashkë (sepse, ndonëse gruri duket sikur shkëlqen përmes, prapë ndodhet bashkë me bykun, si në lëmë, jo si në hambar), por atëherë e madhe do të jetë ndarja.

Ku janë tani ata që nuk besojnë në zjarrin e ferrit? Sepse këtu, me siguri, vihen dy pika: e para, se Ai do të pagëzojë me Frymën e Shenjtë; e dyta, se Ai do t'i djegë të pabindurit. Në qoftë se ajo është e besueshme, atëherë edhe kjo është, patjetër. Po, prandaj i vë ai të dyja parashikimet drejtpërdrejt njërën pas tjetrës: që me atë që ka ndodhur tashmë, të bëjë të besueshme tjetrën, që ende s'është përmbushur. Sepse edhe vetë Krishti në shumë vende bën kështu: shpesh për të njëjtat gjëra, e shpesh për të kundërtat, vë dy profeci; njërën prej të cilave e kryen këtu, kurse tjetrën e premton për të ardhmen; që ata që janë tepër kokëfortë, nga ajo që ka ndodhur tashmë, të besojnë edhe tjetrën, që ende s'është kryer. Për shembull, atyre që zhvishen nga gjithçka që kanë për hir të Tij, u premtoi t'u japë njëqindfish në këtë botë, dhe jetën e përjetshme në atë që vjen; me gjërat që tashmë i ka dhënë, e bën të besueshme edhe të ardhmen. Këtë, siç e shohim, e ka bërë edhe Joani këtu: vuri dy gjëra, se Ai do të pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe se do të djegë me zjarr të pashuar. Tani, pra, po të mos i kishte pagëzuar me Frymën apostujt dhe të gjithë ata që e duan këtë çdo ditë, mund të kishe dyshime edhe për ato gjërat e tjera; por, në qoftë se ajo që duket më e madhe e më e vështirë dhe që kapërcen çdo arsye është bërë e bëhet çdo ditë, si e mohon ti si të vërtetë atë që është e lehtë dhe ndodh sipas arsyes? Kështu, pasi tha «Ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr» dhe pasi premtoi që andej bekime të mëdha, që të mos plandosesh ti në plogështi, i çliruar krejt nga gjërat e mëparshme, ai shtoi lopatën dhe gjyqin që shpallet me anë të saj. Kështu, thotë ai: «Mos mendoni aspak se ju mjafton pagëzimi juaj, po të bëheni njerëz të zakonshëm më pas»; sepse na duhet edhe virtyti, edhe bollëku i asaj vetëpërmbajtjeje të njohur. Prandaj, ashtu si me sëpatën i shtyn drejt hirit e drejt pagëzimores, po ashtu, pas hirit, i tremb me lopatën dhe me zjarrin e pashuar. Dhe për njërin lloj, ata që ende s'janë pagëzuar, s'bën dallim, por thotë përgjithësisht: «Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet», duke ndëshkuar të gjithë të pabesët. Kurse pas pagëzimit Ai bën një farë ndarjeje, sepse shumë nga ata që besuan do të tregonin një jetë të padenjë për besimin e tyre.

Askush, pra, të mos bëhet byk, askënd të mos e hedhë era andej-këtej, as të mos rrijë i pambrojtur ndaj dëshirave të liga, i shtyrë prej tyre lehtë nga çdo anë. Sepse, po të mbetesh grurë, edhe në të rëntë ndonjë ngasje, s'do të pësosh asgjë të tmerrshme; përkundrazi, në lëmë, rrotat e qerres, që janë si sharra, nuk e presin grurin copa-copa; por, po të biesh në dobësinë e bykut, edhe këtu do të pësosh të këqija pa shërim, i goditur nga të gjithë, edhe atje do të vuash ndëshkimin e përjetshëm. Sepse të gjithë njerëzit e tillë, edhe para asaj furre, bëhen ushqim për pasionet e paarsyeshme këtu, ashtu si byku për kafshën pa arsye; edhe atje përsëri janë lëndë e ushqim për flakën.

Të thoshte drejtpërdrejt se Ai do të gjykojë veprat e njerëzve, kjo nuk do ta bënte mësimin e Tij po aq të pranueshëm; por ta ndërthurte me shëmbëlltyrën, e kështu ta forconte gjithçka, ishte më e përshtatshme për të bindur dëgjuesin dhe për ta tërhequr me një nxitje më të plotë. Prandaj edhe vetë Krishti më së shumti u flet atyre kështu: lëmin, të korrat, vreshtin, shtrydhësen e rrushit, arën, rrjetën, peshkimin dhe të gjitha gjërat e njohura, ato me të cilat merreshin, i bën përbërës të fjalimeve të Tij. Këtë gjë, pra, e bëri edhe Pagëzori këtu, dhe dha një provë tepër të madhe të fjalëve të tij: dhënien e Frymës. Sepse thotë kështu: «Ai që ka fuqi kaq të madhe, sa edhe të falë mëkatet, edhe të japë Frymën, aq më tepër edhe këto gjëra do të jenë në fuqinë e Tij.»

A e sheh se si tani, me radhë, misteri u vu si themel, para Ngjalljes dhe gjyqit?

«E përse, mund të thotë ndonjë, nuk i përmendi shenjat dhe mrekullitë që do të bëheshin menjëherë prej Tij?» Sepse kjo ishte më e madhe se të gjitha dhe për hir të saj u bënë gjithë ato. Kështu, me përmendjen e gjësë kryesore, i përfshiu të gjitha: vdekja u prish, mëkatet u zhdukën, mallkimi u shlye, ato luftëra të gjata morën fund; hyrja jonë në parajsë, ngjitja jonë në qiell, qytetaria jonë me engjëjt, pjesa jonë në të mirat që vijnë; sepse në të vërtetë kjo është kapari i të gjithave. Kështu që, duke përmendur këtë, ka përmendur edhe ngjalljen e trupave tanë, edhe shfaqjen e mrekullive të Tij këtu, edhe pjesën tonë në mbretërinë e Tij, edhe të mirat «që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe në zemër të njeriut nuk kanë hyrë». Sepse të gjitha këto na i dha me anë të asaj dhurate. Ishte, pra, e tepërt të fliste për shenjat që do të vinin menjëherë e që syri mund t'i gjykojë; por ato ishin të denja për t'u trajtuar, për të cilat ata dyshonin: për shembull, se Ai është Biri i Perëndisë; se e kalon Joanin pa krahasim; se «e merr mbi vete mëkatin e botës»; se do të kërkojë llogari për gjithçka që bëjmë; se interesat tona nuk kufizohen te e tashmja, por diku tjetër secili do të pësojë ndëshkimin që i takon. Sepse këto gjëra ende s'ishin të provueshme me shikim.

8. Prandaj, meqë i dimë këto gjëra, le të tregojmë kujdes të madh sa jemi në lëmë; sepse është e mundur, sa jemi këtu, të ndryshojmë qoftë edhe nga byk në grurë, ashtu si, nga ana tjetër, shumë veta nga grurë janë bërë byk. Le të mos jemi, pra, të plogësht, as të na hedhë andej-këtej çdo erë; as të mos ndahemi nga vëllezërit tanë, ndonëse duken të vegjël e të pavlerë; sepse edhe gruri, në krahasim me bykun, është më i pakët në sasi, po më i mirë nga natyra. Mos shiko, pra, format e shkëlqimit të jashtëm, sepse ato janë përgatitur për zjarrin, por shiko këtë përulësi të përshpirtshme, kaq të fortë e të pathyeshme, që as nuk pritet, as nuk digjet nga zjarri. Sepse është për hir të tyre që Ai e duron gjatë vetë bykun, që, duke u shoqëruar me ta, të bëhen më të mirë. Prandaj gjyqi ende s'ka ardhur, që të kurorëzohemi të gjithë bashkë, që nga ligësia shumë veta të kthehen te virtyti.

Le të dridhemi, pra, kur dëgjojmë këtë shëmbëlltyrë. Sepse me të vërtetë ai zjarr është i pashuar. «E si, mund të thotë ndonjë, është i pashuar?» A nuk e sheh këtë diell që digjet përherë e kurrë nuk shuhet? A nuk e pe ferrishten që digjej e nuk digjej krejt? Në qoftë se, pra, dëshiron edhe ti t'i shpëtosh flakës, vër mënjanë lëmoshë që tani, e kështu as që do ta shijosh atë zjarr. Sepse, po të besosh sa je këtu atë që të thuhet, as që do ta shohësh këtë furrë, pasi të nisesh për atë vend; por, po të mos e besosh tani, do ta njohësh atje fare mirë me përvojë, kur s'do të jetë e mundur asnjë lloj arratie. Sepse me të vërtetë asnjë lutje s'do ta largojë ndëshkimin prej atyre që s'kanë treguar një jetë të drejtë. Sepse të besuarit vetëm nuk mjafton, sepse edhe demonët dridhen para Perëndisë, po me gjithë atë do të ndëshkohen.

9. Prandaj kujdesi ynë për sjelljen tonë duhet të jetë i madh. Ja, pikërisht kjo është arsyeja pse ju mbledhim vazhdimisht këtu: jo thjesht që të hyni brenda, por që të korrni edhe ndonjë fryt nga qëndrimi juaj këtu. Por, po të vini me të vërtetë vazhdimisht, e prapë të ktheheni pa korrur asnjë fryt prej andej, s'do të keni asnjë dobi nga hyrja dhe ardhja juaj në këtë vend.

Sepse, kur i dërgojmë fëmijët te mësuesit, po t'i shohim se s'nxjerrin asnjë dobi prej andej, fillojmë t'i qortojmë ashpër mësuesit dhe shpesh i çojmë te të tjerë; ç'shfajësim, pra, do të kemi, po të mos i kushtojmë virtytit qoftë edhe aq kujdes sa u kushtojmë këtyre gjërave të kësaj bote, po t'i sjellim përherë në shtëpi rrasat tona bosh? E prapë mësuesit tanë këtu janë më të shumtë e më të mëdhenj. Sepse jo më pak se profetët, apostujt, patriarkët dhe të gjithë njerëzit e drejtë ju vihen prej nesh si mësues në çdo Kishë. E as kështu s'ka ndonjë dobi, por, po të keni kënduar bashkë dy a tre psalme e t'i keni bërë lutjet e zakonshme sa për sa, e kështu të largoheni, mendoni se kjo ju mjafton për shpëtimin. A nuk e keni dëgjuar profetin që thotë (ose më mirë Perëndinë me anë të profetit): «Ky popull më nderon me buzët, por zemra e tyre është larg meje»?

Prandaj, që të mos jetë edhe rasti ynë i tillë, fshije ti atë shkrim, ose më mirë ato gjurmë që djalli i ka gdhendur në shpirtin tënd; dhe sillmë një zemër të çliruar nga trazirat e botës, që pa frikë të shkruaj mbi të çka të dua. Sepse tani, të paktën, s'ka gjë tjetër për të dalluar veç shkronjave të tij: grabitje, lakmi, zili, smirë. Prandaj, sigurisht, kur i marr rrasat tuaja, s'jam në gjendje as t'i lexoj. Sepse nuk gjej shkronjat që çdo të diel ju ngulisim e pastaj ju lëmë të shkoni, por, në vend të tyre, të tjera, të pakuptueshme e të shformuara. Pastaj, pasi i kemi fshirë ato dhe kemi shkruar ato që janë të Frymës, ju, duke u larguar e duke ua dhënë zemrat veprave të djallit, i jepni atij përsëri pushtet të vërë shenjat e veta te ju. E ç'do të jetë fundi i gjithë kësaj, edhe pa asnjë fjalë timen, e di ndërgjegjja e secilit. Sepse unë s'do të reshtë së bëri pjesën time e së shkruari te ju shkronjat e duhura. Por, po ta prishni ju kujdesin tonë, sa për ne, shpërblimi ynë mbetet i pandryshuar, kurse rreziku juaj s'është i vogël.

Tani, ndonëse do të doja të mos thosha asgjë që t'ju mërzitte, prapë ju lutem përsëri e ju përgjërohem: imitoni të paktën zellin e fëmijëve të vegjël në këto gjëra. Sepse ata mësojnë së pari formën e shkronjave, pastaj stërviten t'i dallojnë ato kur janë të shformuara, e në fund, në leximin e tyre, ecin me radhë me anë të tyre. Po kështu le të bëjmë edhe ne: le ta ndajmë virtytin, e të mësojmë së pari të mos betohemi, as të mos betohemi rrejshëm, as të mos flasim keq; pastaj, duke kaluar te një radhë tjetër, të mos kemi zili, të mos lakmojmë, të mos jemi grykës, të mos jemi të dehur, të mos jemi të egër, të mos jemi përtacë; që prej këtyre të kalojmë përsëri te gjërat e Frymës, e të stërvitim vetëpërmbajtjen, mospërfilljen e barkut, përkoren, drejtësinë, të jemi mbi lavdinë, e të butë e me shpirt të penduar; dhe le t'i bashkojmë këto njërën me tjetrën e t'i shkruajmë mbi shpirtin tonë.

10. Dhe të gjitha këto le t'i ushtrojmë në shtëpi, me miqtë tanë, me gruan, me fëmijët. E, tani për tani, le të fillojmë me gjërat që vijnë të parat e janë më të lehta; për shembull, me mosbetimin; dhe le ta stërvitim vazhdimisht këtë shkronjë të vetme në shtëpi. Sepse, në të vërtetë, ka shumë gjëra në shtëpi që e pengojnë këtë stërvitjen tonë: ndonjëherë shërbëtori e ngacmon njeriun, ndonjëherë gruaja e mërzit e ia ndez zemërimin, ndonjëherë një fëmijë i pabindur e i çrregullt e shtyn drejt kërcënimit e betimit. Po të arrish tani në shtëpi, kur të ngacmojnë kështu vazhdimisht, të mos biesh në ngasjen e betimit, do të kesh fuqi që edhe në treg të mbetesh i pamposhtur me lehtësi.

Po, e po ashtu, do të arrish të ruhesh nga fyerja e kujtdo, duke mos fyer gruan tënde, as shërbëtorët, as askënd tjetër ndër ata të shtëpisë sate. Sepse edhe gruaja e njeriut jo rrallë, duke lëvduar këtë a atë njeri, ose duke u ankuar për veten, e nxit atë të flasë keq për tjetrin. Por ti mos e lër veten të detyrohesh të flasësh keq për atë që lëvdohet, po duroje gjithçka me fisnikëri. E, po të vësh re se shërbëtorët e tu po lëvdojnë zotërinj të tjerë, mos u shqetëso, po qëndro me fisnikëri. Le të jetë shtëpia jote një lloj fushe stërvitjeje, një vend ushtrimi për virtytin, që, pasi të jesh stërvitur mirë atje, të mund të përballosh me zotësi të plotë gjithçka jashtë.

Bëje këtë edhe për sa i përket mendjemadhësisë. Sepse, po të stërvitesh të mos jesh mendjemadh para gruas e para shërbëtorëve të tu, s'do të kapesh më pas lehtë nga ky pasion ndaj askujt tjetër. Sepse, ndonëse kjo sëmundje është në çdo rast e rëndë e tiranike, është e tillë sidomos kur është e pranishme një grua. Po ta ulim, pra, fuqinë e saj në atë rast, do ta mposhtim lehtë edhe në rastet e tjera.

Dhe për sa u përket pasioneve të tjera, le të bëjmë po këtë gjë, duke u ushtruar kundër tyre në shtëpi e duke u lyer me vaj çdo ditë.

Dhe, që stërvitja jonë të jetë më e lehtë, le të caktojmë veç kësaj një dënim për veten, sa herë që shkelim ndonjë nga qëllimet tona. E le të jetë vetë ky dënim i tillë që s'sjell humbje, po shpërblim, i tillë që siguron ndonjë fitim shumë të madh. E kjo bëhet, po t'i dënojmë vetet me agjërime më të forta, me fjetje shpesh përtokë e me ashpërsi të tjera të ngjashme. Sepse në këtë mënyrë do të na vijë shumë dobi nga çdo anë: edhe do të jetojmë këtu jetën e ëmbël të virtytit, edhe do të arrijmë te të mirat që vijnë e do të jemi përjetë miq të Perëndisë.

Por, që të mos ndodhë përsëri e njëjta gjë, që të mos shkoni në rrugën tuaj, pasi të keni admiruar këtu atë që u tha, e ta hidhni tej sa për sa, kudo që t'ju vijë, rrasën e mendjes suaj, e kështu t'i lini djallit ta fshijë atë që u shkrua, le ta thërrasë secili, sapo të kthehet në shtëpi, gruan e vet, e t'ia tregojë këto gjëra, e ta marrë atë në ndihmë; dhe që nga kjo ditë le të hyjë në atë shkollë fisnike stërvitjeje, duke përdorur si vaj begatinë e Frymës. Dhe, edhe në rëntë një herë, dy herë, shumë herë gjatë stërvitjes sate, mos u dëshpëro, po ngrihu përsëri e përlesh; dhe mos hiq dorë derisa të kesh vënë mbi vete kurorën e lavdishme të fitores mbi djallin dhe të kesh grumbulluar për kohën që vjen pasuritë e virtytit në një thesar të paprekshëm.

Sepse, po të vendosesh mirë në zakonet e kësaj vetëpërmbajtjeje fisnike, atëherë s'do të jesh në gjendje të shkelësh asnjë nga urdhërimet as kur je i plogësht, sepse zakoni imiton qëndrueshmërinë e natyrës. Po, ashtu si është lehtë të flesh, të hash, të pish e të marrësh frymë, po aq të lehta do të na jenë edhe veprat e virtytit, e do të korrim për vete atë kënaqësi të pastër, duke pushuar në një liman pa dallgë e duke gëzuar një qetësi të pandërprerë; dhe, me një ngarkesë të madhe, do ta fusim anijen tonë në skelë, në atë Qytet, në atë ditë; dhe do të arrijmë te kurorat që s'vyshken, te të cilat u arrifshim të gjithë, me anë të hirit dhe të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë çdo lavdi dhe pushtet, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it