Të gjitha letrat

Shën Joan Gojarti

Mateu 6:16

Këtu do të ishte mirë të psherëtinim me zë të lartë e të vajtonim me hidhërim, sepse jo vetëm që i imitojmë hipokritët, por i kemi kaluar edhe ata. Sepse njoh, po, njoh shumë veta që jo thjesht agjërojnë e e nxjerrin në pah agjërimin, por që s'agjërojnë fare, e prapëseprapë vënë maskën e atyre që agjërojnë dhe mbulohen me një shfajësim më të keq se vetë mëkati i tyre.

Sepse «E bëj këtë», thonë, «që të mos skandalizoj të shumtët.» Ç'thua? Ka një ligj të Perëndisë që i urdhëron këto gjëra, dhe ti flet për skandal? Dhe mendon se, kur e mban atë ligj, po skandalizon, kurse, kur e shkel, po i shpëton njerëzit nga skandali? E ç'mund të jetë më e keqe se kjo marrëzi?

A nuk do të heqësh dorë, pra, që të bëhesh më i keq se vetë hipokritët e ta dyfishosh hipokrizinë tënde? Dhe, kur ta shohësh sa e madhe është kjo e keqe, a nuk do të skuqesh para fuqisë së fjalës që kemi përpara? Sepse Ai nuk tha thjesht «ata luajnë një rol», por, duke dashur t'i prekë edhe më thellë, thotë: «Sepse shformojnë fytyrat e tyre», domethënë i prishin, i shëmtojnë.

Por, nëse është shformim i fytyrës të dukesh i zbehtë për lavdi të kotë, ç'do të thoshim për gratë që i prishin fytyrat me ngjyra e me lyerje, për shkatërrimin e të rinjve të shthurur? Sepse, ndërsa ata dëmtojnë vetëm veten, këto gra dëmtojnë edhe veten edhe ata që i shohin. Prandaj duhet të ikim nga të dyja këto murtaja, duke u mbajtur sa më larg. Sepse kështu Ai nuk urdhëroi vetëm të mos bëjmë shfaqje, por edhe të kërkojmë të fshihemi. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe më parë.

Dhe, ndërsa për lëmoshën nuk foli thjesht, por, pasi tha «Ruhuni se mos e bëni përpara njerëzve», shtoi «që t'ju shohin», për agjërimin dhe lutjen nuk vuri një kufizim të tillë. Përse vallë? Sepse lëmosha është e pamundur të fshihet krejtësisht, kurse lutja dhe agjërimi mund të fshihen.

Ashtu, pra, si kur tha «Le të mos dijë e majta jote se ç'bën e djathta jote», nuk fliste për duart, por për detyrën që të fshihemi rreptësisht nga të gjithë; dhe si kur na urdhëroi të hyjmë në dhomëzën tonë, jo vetëm atje dhe jo para së gjithash atje na urdhëroi të lutemi, por përsëri po të njëjtën gjë la të kuptohej tërthorazi; kështu edhe këtu, kur na urdhëron «të lyhemi me vaj», nuk vuri ligj që patjetër duhet të lyhemi. Sepse atëherë të gjithë do të dilnim shkelës të këtij ligji, dhe mbi të gjithë, sigurisht, ata që janë munduar më shumë ta mbajnë, bashkësitë e murgjve, që e kanë ngritur banesën në male. Nuk qe kjo, pra, ajo që porositi; por, meqë të lashtët e kishin zakon të lyheshin vazhdimisht me vaj, kur dëfreheshin e gëzoheshin (dhe këtë mund ta shohësh qartë te Davidi dhe te Danieli), tha se duhej të lyheshim, jo se duhej ta bënim patjetër këtë, por që me çdo kusht të përpiqeshim, me rreptësi të madhe, ta fshihnim këtë fitim tonin. Dhe, që të bindesh se është kështu, Ai vetë, kur me vepra tregoi atë që porositi me fjalë, pasi agjëroi dyzet ditë, dhe agjëroi fshehtas, as u lye me vaj, as u la; e megjithatë, ndonëse nuk i bëri këto gjëra, e plotësoi pa dyshim tërë agjërimin pa lavdi të kotë. Këtë, pra, na porosit edhe neve, duke na sjellë përpara hipokritët, dhe, me një porosi të përsëritur dy herë, duke i larguar dëgjuesit prej saj.

Edhe diçka tjetër la të kuptohej me këtë emër, atë të hipokritëve. Domethënë, jo vetëm nga qesharakja e kësaj pune, as nga ndëshkimi i rëndë që sjell, por edhe duke treguar se një mashtrim i tillë zgjat vetëm një kohë, na tërheq larg asaj dëshire të keqe. Sepse aktori duket i lavdishëm vetëm sa kohë që publiku rri ulur; ose, më mirë, as atëherë para të gjithëve. Sepse pjesa më e madhe e shikuesve e dinë kush është dhe ç'rol po luan. Por, kur shpërndahet publiku, ai zbulohet më qartë para të gjithëve. Këtë, e shihni, duhet ta pësojnë medoemos ata që kërkojnë lavdinë e kotë. Sepse edhe këtu janë të njohur për shumicën, se nuk janë ajo që duken, por vetëm mbajnë një maskë; kurse shumë më tepër do të zbulohen në botën tjetër, kur çdo gjë të dalë «lakuriq dhe e zbuluar».

Dhe me një nxitje tjetër përsëri i largon nga hipokritët, duke treguar se porosia e Tij është e lehtë. Sepse Ai nuk e bën agjërimin më të rreptë, as nuk na urdhëron të agjërojmë më shumë, por vetëm të mos e humbim kurorën e tij. Kështu, ajo që duket e vështirë për t'u duruar është e përbashkët për ne dhe për hipokritët, sepse edhe ata agjërojnë; por atë që është më e lehta, domethënë të mos e humbim shpërblimin pas mundimeve tona, «këtë po ju urdhëroj», thotë Ai, pa i shtuar asgjë lodhjeve tona, por duke na mbledhur pagën me çdo siguri, dhe pa na lënë të ikim pa shpërblim, siç ndodh me ata. Madje, ata as nuk i imitojnë dot ata që përleshen në lojërat olimpike, të cilët, ndonëse aty rri ulur një turmë kaq e madhe dhe kaq shumë të parë, duan t'i pëlqejnë vetëm njërit, atij që jep fitoren mes tyre, dhe kjo, edhe pse ai është shumë më i ulët se ata. Kurse ti, ndonëse ke një nxitje të dyfishtë për t'ia treguar fitoren Atij, së pari, se Ai është personi që e jep atë, e pastaj, se Ai është pa krahasim më i lartë se të gjithë ata që rrinë ulur në teatër, ti po ua tregon të tjerëve, të cilët, në vend që të të bëjnë dobi, fshehurazi të bëjnë dëmin më të madh.

«Megjithatë, unë nuk e ndaloj as këtë», thotë Ai. «Vetëm, nëse dëshiron t'u bësh shfaqje edhe njerëzve, prit, dhe do të ta jap edhe këtë me bollëk më të plotë e me fitim të madh. Sepse, ashtu siç bën tani, kjo të shkëput fare nga lavdia që është pranë meje, ashtu si përbuzja e këtyre gjërave të bashkon ngushtë me të; por atëherë do t'i gëzosh të gjitha në siguri të plotë.» Dhe, madje edhe para asaj dite të fundit, ke jo pak fryt për të korrur qysh në këtë botë, domethënë që ke shkelur me këmbë çdo lavdi njerëzore, je çliruar nga skllavëria e rëndë e njerëzve, dhe je bërë punëtor i vërtetë i virtytit. Kurse tani, të paktën sa kohë je i prirur kështu, po të ndodheshe në një shkretëtirë, do të mbeteshe i braktisur nga tërë virtyti yt, pa pasur njeri që të të shihte. Kjo do të thotë të fyesh vetë virtytin: nëse e ndjek jo për hir të tij, por me sy nga litarpunuesi, e nga bakërpunuesi, e nga njerëzit e thjeshtë të shtresës më të ulët, që të të admirojnë të ligjtë dhe ata që janë larg virtytit. Dhe ti po i thërret armiqtë e virtytit që ta shohin e ta admirojnë atë, sikur dikush të zgjidhte të jetonte me përmbajtje jo për shkak të vlerës së përmbajtjes, por që të bënte shfaqje para laviresh. Edhe ti, me sa duket, s'do ta zgjidhje virtytin veçse për hir të armiqve të tij; kurse ti duhej ta admiroje pikërisht për këtë arsye, se ai ka edhe armiqtë e vet që e lëvdojnë, por ta admiroje (siç i ka hija) jo për të tjerët, po për hir të tij. Sepse edhe ne, kur na duan jo për vete, po për të tjerët, e quajmë këtë fyerje. Pikërisht kështu të kërkoj të mendosh edhe për virtytin: as ta ndjekësh atë për hir të të tjerëve, as për hir të njerëzve t'i bindesh Perëndisë; por njerëzit t'i duash për hir të Perëndisë. Sepse, po të bësh të kundërtën, ndonëse duket sikur e ndjek virtytin, e ke zemëruar Perëndinë njësoj si ai që nuk e ndjek fare. Sepse, ashtu si ai u tregua i pabindur duke mos e bërë, ashtu edhe ti, duke e bërë në mënyrë të paligjshme.

2. «Mos mblidhni për veten thesare mbi dhe.»

Kështu, pasi e dëboi sëmundjen e lavdisë së kotë, dhe jo më parë, Ai me vend e fut fjalën për varfërinë e vullnetshme. Sepse asgjë nuk i mëson aq njerëzit të duan pasurinë sa dashuria për lavdinë. Për këtë arsye, për shembull, njerëzit shpikin ato tufa skllevërish, e atë mori eunukësh, e kuajt e tyre me takëme ari, e tryezat e tyre të argjendta, e gjithë të tjerat, edhe më qesharake; jo për të plotësuar ndonjë nevojë, as për të shijuar ndonjë kënaqësi, por që të bëjnë shfaqje para turmës.

Më lart Ai kishte thënë vetëm se duhet të tregojmë mëshirë; por këtu tregon edhe sa të madhe duhet të jetë mëshira jonë, kur thotë «Mos mblidhni thesar». Sepse, meqë në fillim s'ishte e mundur ta parashtronte menjëherë e të tërën fjalën për përbuzjen e pasurisë, për shkak të tiranisë së këtij pasioni, Ai e copëton në pjesë të vogla, dhe, pasi ia çliron mendjen dëgjuesit, ia rrënjos aty, që kështu të bëhet e pranueshme. Prandaj, e shihni, tha së pari: «Lum të mëshirshmit»; dhe pas kësaj: «Pajtohu me kundërshtarin tënd»; dhe pastaj përsëri: «Nëse dikush do të të padisë në gjyq e të të marrë këmishën, jepi edhe rrobën»; kurse këtu, atë që është shumë më e madhe se të gjitha këto. Sepse atje kuptimi i Tij ishte: «nëse e sheh një padi që të rri mbi krye, bëje këtë; sepse më mirë të mos kesh e të jesh i çliruar nga grindja, se të kesh e të grindesh»; kurse këtu, pa supozuar as kundërshtar, as ndonjë që të ka çuar në gjyq, dhe pa përmendur fare ndonjë palë të tillë, Ai e mëson përbuzjen e pasurisë më vete, duke lënë të kuptohet se këto ligje i vë jo aq për hir të atyre që marrin mëshirë, sa për hir të atij që jep; kështu që, edhe pa pasur njeri që të na dëmtojë a të na tërheqë zvarrë në gjyq, prapëseprapë të mund t'i përbuzim zotërimet tona, duke ua dhënë atyre që janë në nevojë.

Dhe as këtu nuk e tha të tërën, por edhe në këtë vend flet butë; ndonëse në shkretëtirë kishte treguar në shkallë të tejskajshme luftërat e Tij për këtë çështje. Megjithatë Ai nuk e shpreh këtë, as nuk e nxjerr në pah; sepse s'kishte ardhur ende koha ta zbulonte; por për një kohë kërkon arsye, duke mbajtur vendin e një këshilltari më shumë se të një ligjvënësi në fjalët e Tij për këtë temë.

Sepse, pasi tha «Mos mblidhni thesare mbi dhe», shtoi: «ku tenja dhe ndryshku i prishin, dhe ku vjedhësit shpojnë e vjedhin».

Për tani Ai tregon dëmshmërinë e thesarit këtu, dhe dobinë e atij që është atje, si nga vendi, ashtu edhe nga gjërat që e prishin. Dhe as këtu nuk ndalet, por shton edhe një arsye tjetër.

Dhe së pari, i nxit nga ato gjëra që u kanë më shumë frikën. Sepse «nga çfarë ke frikë?», thotë Ai: «se mos të harxhohen të mirat, po të japësh lëmoshë? Përkundrazi, jep lëmoshë, dhe kështu s'do të harxhohen; e, ç'është më tepër, jo vetëm që s'harxhohen, por madje do të marrin një shtim më të madh; po, sepse u shtohen edhe gjërat e qiellit.»

Megjithatë, për një kohë nuk e thotë këtë, por e vë më pas. Kurse tani nxjerr në pah atë që kishte fuqinë më të madhe për t'i bindur, domethënë se thesari kështu do t'u mbetej i paharxhuar.

Dhe i tërheq nga të dyja anët. Sepse nuk tha vetëm «Nëse jep lëmoshë, ruhet», por kërcënoi edhe të kundërtën, se, po të mos japësh, humbet.

Dhe shih urtësinë e Tij të patregueshme. Sepse nuk tha «Ti thjesht ua lë të tjerëve», meqë edhe kjo u pëlqen njerëzve; por i tremb mbi një bazë të re, duke treguar se as këtë s'e arrijnë: sepse, edhe në mos i mashtroftë njeriu, ka të tjerë që me siguri do t'i mashtrojnë, «tenja» dhe «ndryshku». Sepse, ndonëse kjo e keqe duket fort e lehtë për t'u frenuar, prapë është e papërballueshme dhe e pandalshme, dhe, sido që ta mendosh, s'do të mund ta ndalësh këtë dëm.

«Ç'të themi, pra, a e zhduk tenja arin?» Në mos tenja, e bëjnë vjedhësit. «Ç'të themi, pra, a u plaçkitën të gjithë?» Në mos të gjithë, pjesa më e madhe.

3. Për këtë arsye, pra, shton edhe një provë tjetër, të cilën e përmenda tashmë, duke thënë:

«Ku është thesari i njeriut, atje është edhe zemra e tij.»

Sepse, edhe sikur asnjë nga këto gjëra të mos ndodhë, thotë Ai, do të pësosh dëm jo të vogël, duke qenë i mbërthyer pas gjërave të kësaj bote, duke u bërë skllav në vend të njeriut të lirë, duke e flakur veten jashtë gjërave qiellore, e pa qenë në gjendje të mendosh për asgjë të lartë, por vetëm për paranë, për fajde e hua, për fitime e për tregti të pandershme. Ç'mund të jetë më i mjerë se ky? Sepse, në të vërtetë, një njeri i tillë do të jetë më keq se çdo skllav, tek sjell mbi vete një tirani fort të rëndë, dhe tek heq dorë nga gjëja më e çmuar nga të gjitha, nga fisnikëria dhe liria e njeriut. Sepse, sado që të të flasë ndokush, s'do të mund të dëgjosh asgjë nga ato që të përkasin, sa kohë që mendja jote është e mbërthyer pas parasë; por, i lidhur si qen te një varr nga tirania e pasurisë, më rëndë se me çdo zinxhir, tek leh mbi këdo që të afrohet, ke këtë punë të vetme pareshtur: t'u ruash të tjerëve atë që ke grumbulluar. Ç'mund të jetë më i mjerë se ky?

Megjithatë, meqë kjo ishte tepër e lartë për mendjen e dëgjuesve të Tij, dhe as e keqja nuk dukej lehtë për shumicën, as fitimi nuk ishte i qartë, por duhej një frymë me më shumë vetëpërmbajtje për t'i kuptuar të dyja, Ai së pari e vuri pas atyre temave të tjera, që janë të dukshme, kur tha: «Ku është thesari i njeriut, atje është edhe zemra e tij»; e pastaj e bën përsëri të qartë, duke e sjellë fjalën nga rrafshi i mendjes në atë të shqisave, dhe duke thënë:

«Drita e trupit është syri.»

Ajo që thotë është kjo: Mos e varros arin në dhe, as mos bëj ndonjë gjë tjetër të tillë, sepse thjesht po e mbledh për tenjën, e për ndryshkun, e për vjedhësit. Dhe, edhe sikur t'u shpëtoje krejtësisht këtyre të këqijave, prapë skllavërimit të zemrës sate, mbërthimit të saj pas gjithçkaje që është poshtë, s'do t'i shpëtosh: «Sepse kudo që të jetë thesari yt, atje është edhe zemra jote.» Kështu, pra, kur mbledh rezerva në qiell, do të korrësh jo vetëm këtë fryt, arritjen e shpërblimeve për këto gjëra, por edhe qysh në këtë botë e merr pagesën tënde, tek hyn atje në liman, tek e vë dashurinë te gjërat që janë atje, dhe tek kujdesesh për atë që është atje (sepse është më se e qartë se, ku ke grumbulluar thesarin, atje e mbart edhe mendjen); kurse, po ta bësh këtë mbi dhe, do të provosh të kundërtën.

Por, nëse fjala të duket e errët, dëgjo ç'vjen më pas me radhë. «Drita e trupit është syri; nëse, pra, syri yt është i thjeshtë, gjithë trupi yt do të jetë plot dritë. Por, nëse syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë plot errësirë. Në qoftë se, pra, drita që është në ty është errësirë, sa e madhe është errësira!»

Ai e sjell fjalën te gjërat që janë më pranë shqisave tona. Dua të them: meqë kishte folur për mendjen si të skllavëruar e të robëruar, dhe s'ishin shumë ata që mund ta dallonin lehtë këtë, ua kalon mësimin gjërave të jashtme, që rrinë përpara syve të njerëzve, që me anë të këtyre edhe të tjerat të arrijnë t'i kuptojnë. Kështu, «nëse nuk e di», thotë Ai, «ç'gjë është të dëmtohesh në mendje, mësoje nga gjërat e trupit; sepse ajo që është syri për trupin, e njëjta gjë është mendja për shpirtin.» Ashtu, pra, si ti s'do të zgjidhje të veshësh ar e të mbulohesh me rroba të mëndafshta, kur sytë t'i kishin nxjerrë, por shëndetin e tyre të mirë e quan më të dëshirueshëm se gjithë atë tepri (sepse, po ta humbësh këtë shëndet a po ta çosh dëm, tërë jeta tjetër s'do të të bëjë asnjë dobi); sepse, ashtu si, kur verbohen sytë, shkon dëm pjesa më e madhe e energjisë së gjymtyrëve të tjera, sepse u shua drita e tyre; po ashtu, kur prishet mendja, jeta jote do të mbushet me të këqija të panumërta. Ashtu, pra, si te trupi ky është synimi ynë, domethënë ta ruajmë syrin të shëndoshë, po ashtu edhe mendjen te shpirti. Por, po ta gjymtojmë atë, që duhet t'u japë dritë të tjerave, me ç'mjet do të shohim më qartë prej andej e tutje? Sepse, ashtu si ai që shkatërron burimin, than edhe lumin, po ashtu ai që e ka shuar mendjen, i ka ngatërruar tërë veprimet e veta në këtë jetë. Prandaj thotë: «Në qoftë se drita që është në ty është errësirë, sa e madhe është errësira?»

Sepse, kur mbytet timonieri, dhe fiket qiriu, dhe zihet rob gjenerali, ç'shpresë do të mbetet pastaj për ata që janë nën urdhër?

Kështu, pra, tani, pa u ndalur të flasë për kurthet që i jep shkas pasuria, për grindjet, për paditë (këto vërtet i kishte lënë të kuptoheshin më lart, kur tha: «Kundërshtari do të të dorëzojë te gjykatësi, dhe gjykatësi te shërbëtori»), dhe tek vë përpara atë që është më e rëndë se të gjitha këto, si diçka që me siguri do të ndodhë, na tërheq kështu larg dëshirës së keqe. Sepse të banosh në burg s'është aspak aq e rëndë sa mendja të skllavërohet nga kjo sëmundje; dhe e para s'është e sigurt të ndodhë, kurse tjetra lidhet si pasojë e menjëhershme me dëshirën për pasuri. Dhe kjo është arsyeja pse e vë pas së parës, si diçka më të rëndë dhe të sigurt se do të ndodhë.

Sepse Perëndia, thotë Ai, na dha mendjen, që të dëbojmë çdo padituri, e të kemi gjykimin e drejtë të gjërave, dhe që, duke e përdorur këtë si një lloj arme e drite kundër gjithçkaje të rëndë a të dëmshme, të mbetemi në siguri. Por ne e tradhtojmë këtë dhuratë për hir të gjërave të tepërta e të kota.

Sepse ç'dobi kanë ushtarët e veshur me ar, kur gjenerali tërhiqet zvarrë si rob? Ç'fitim ka një anije e pajisur bukur, kur timonieri fundoset nën dallgë? Ç'përfitim ka një trup i përpjesshëm, kur drita e syve i është shuar? Ashtu, pra, si, po ta hidhte dikush në sëmundje mjekun (që duhet të jetë shëndoshë, për t'u dhënë fund sëmundjeve tona), e pastaj t'i thoshte të shtrihej mbi një shtrat argjendi, në një dhomë ari, kjo s'do t'u bënte asnjë dobi të sëmurëve; po ashtu, po ta prishe mendjen (që ka fuqinë t'i shtypë pasionet tona), edhe sikur ta vësh pranë një thesari, në vend që t'i bësh ndonjë të mirë, i ke shkaktuar humbjen më të madhe, dhe i ke dëmtuar tërë shpirtin tënd.

4. A e sheh se si, pikërisht me ato gjëra me anë të të cilave njerëzit kudo e ndjekin më së shumti ligësinë, pikërisht me këto Ai i largon prej saj dhe i kthen te virtyti? «Sepse me ç'qëllim e dëshiron pasurinë?», thotë Ai; «a nuk është që të shijosh kënaqësi e luks? Ja, pra, pikërisht këtë, mbi çdo gjë tjetër, s'do ta arrish me anë të saj, madje do të ndodhë e kundërta.» Sepse, po të mos ndiejmë asnjë gjë të këndshme kur na nxjerrin sytë, për shkak të një fatkeqësie të tillë, aq më shumë do të na ndodhë kjo në prishjen e gjymtimin e mendjes.

Përsëri, me ç'qëllim e varros në dhe? Që të ruhet në siguri? Por edhe këtu përsëri ndodh e kundërta, thotë Ai.

Dhe kështu, ashtu si me atë që për lavdi të kotë agjëron e jep lëmoshë e lutet, pikërisht me ato gjëra që ai dëshiron më shumë e kishte joshur të mos kërkonte lavdinë e kotë: «sepse me ç'qëllim», thotë Ai, «lutesh e jep lëmoshë kështu? Nga dashuria për lavdinë që mund të vijë prej njerëzve? Atëherë mos u lut kështu», thotë Ai, «dhe kështu do ta marrësh atë në ditën që do të vijë»; po ashtu e ka zënë rob edhe lakmuesin, me anë të atyre gjërave për të cilat digjej më shumë. Kështu: «ç'do të doje?», thotë Ai, «të ruhet pasuria jote dhe të shijosh kënaqësi? Të dyja këto do të t'i jap me bollëk të madh, po ta mblodhe arin tënd në atë vend ku po të them unë.»

Vërtet, më vonë Ai e tregoi më qartë ndikimin e keq të kësaj mbi mendjen, dua të them kur përmendi ferrat; por për tani, edhe këtu e ka lënë të kuptohet fort të njëjtën gjë, kur e paraqet si të errësuar atë që çmendet kështu.

Dhe, ashtu si ata që janë në errësirë s'shohin asgjë qartë, por, po të shohin një litar, e pandehin gjarpër, po të shohin male e gremina, ngrijnë nga frika; po ashtu edhe këta: atë që s'u kall frikën atyre që shohin, këta e shohin me dyshim. Kështu, mes të tjerash, dridhen para varfërisë; ose, më mirë, jo vetëm para varfërisë, por edhe para çdo humbjeje sado të vogël. Po, edhe po të humbin ndonjë gjë të vockël, ata që s'kanë as bukën e nevojshme s'hidhërohen e s'vajtojnë aq sa këta. Së paku, shumë nga të pasurit kanë ardhur deri te litari, pa e duruar dot një fatkeqësi të tillë; dhe të fyhesh e të keqtrajtohesh u duket kaq e padurueshme, saqë, prapë për shkak të kësaj, shumë veta e kanë shkëputur vërtet veten nga kjo jetë. Sepse pasuria i kishte bërë të butë ndaj çdo gjëje, veç ndaj shërbimit që i bënin asaj. Kështu, kur ajo u urdhëron t'i shërbejnë vetes së saj, ata guxojnë të bëjnë vrasje, e rrahje, e sharje, e çdo turp. Një gjë që vjen nga mjerimi më i skajshëm: të jesh më i llastuari nga të gjithë njerëzit atje ku duhet të tregosh vetëpërmbajtje, kurse atje ku duhej më shumë kujdes, në ato raste përsëri të bëhesh më i pacipë e më kokëfortë. Sepse, në fakt, u ndodh e njëjta gjë që do të duhej të duronte ai që i ka harxhuar tërë të mirat për gjëra të padobishme. Sepse një njeriu të tillë, kur i vjen koha e shpenzimit të nevojshëm, pa pasur me se ta mbulojë, i vijnë të këqija të pashërueshme, sepse gjithçka që kishte është harxhuar keq që më parë.

Dhe, ashtu si ata që janë në skenë, mjeshtër në ato zeje të liga, kalojnë nëpër to shumë gjëra të çuditshme e të rrezikshme, por, në gjëra të tjera të nevojshme e të dobishme, s'ka më qesharakë se ata; po ashtu ndodh edhe me këta njerëz. Sepse ata që ecin mbi një litar të ngrehur, tek bëjnë shfaqje me kaq guxim, po të kërkonte ndonjë rrezik i madh trimëri a guxim, s'janë të zotët, as nuk durojnë as ta çojnë ndër mend një gjë të tillë. Pikërisht kështu edhe të pasurit: tek guxojnë gjithçka për paranë, për hir të vetëpërmbajtjes s'durojnë t'i nënshtrohen asgjëje, qoftë e vogël a e madhe. Dhe, ashtu si të parët merren me një punë njëherësh të rrezikshme e të pafrytshme, po ashtu edhe këta kalojnë nëpër shumë rreziqe e rrëzime, por s'arrijnë në asnjë fund të dobishëm. Po, ata pësojnë një errësirë të dyfishtë: si tek u nxirren sytë nga prishja e mendjes, ashtu edhe tek mbështillen në një mjegull të madhe nga mashtrimi i shqetësimeve të tyre. Prandaj as nuk mund të shohin lehtë përmes saj. Sepse ai që është në errësirë çlirohet prej saj sapo shfaqet dielli; kurse ai që i ka sytë të gjymtuar s'çlirohet as kur ndriçon dielli, dhe pikërisht ky është rasti i këtyre njerëzve: as tani, që ka lindur Dielli i Drejtësisë dhe po i qorton, s'i vënë veshin, sepse pasuria ua ka mbyllur sytë. Dhe kështu ata kanë të pësojnë një errësirë të dyfishtë, njërën nga vetja, tjetrën nga shpërfillja e mësuesit të tyre.

5. Le t'i vëmë veshin, pra, me kujdes, që, ndonëse vonë, të rifitojmë më në fund shikimin. E si mund të rifitojë njeriu shikimin? Po të mësosh se si u verbove. E si u verbove? Nga dëshira jote e keqe. Sepse dashuria për paranë, si një lëng i lig që është mbledhur mbi një kokërr syri të kthjellët, e ka bërë renë të trashet.

Por edhe kjo re mund të shpërndahet e të thyhet lehtë, po të pranojmë rrezen e mësimit të Krishtit; po t'i vëmë veshin Atij tek na qorton e thotë: «Mos mblidhni për veten thesare mbi dhe.»

«Po», thotë dikush, «ç'më vlen të dëgjuarit, sa kohë që më ka pushtuar dëshira?» Së pari, të dëgjuarit e vazhdueshëm do të ketë fuqinë të shkatërrojë edhe vetë dëshirën. Pastaj, po të vazhdojë të të pushtojë, mendo se kjo gjë as që është vërtet një dëshirë. Sepse ç'lloj dëshire është kjo: të jesh në një skllavëri të rëndë, e t'i nënshtrohesh një tiranie, e të jesh i lidhur nga të gjitha anët, e të banosh në errësirë, e të jesh plot trazirë, e të durosh mundime pa fitim, e t'ua ruash pasurinë të tjerëve, e shpesh vetë armiqve të tu? Me ç'lloj dëshire pajtohen këto gjëra? Ose, më mirë, për ç'ikje e neveri s'janë të denja? Ç'lloj dëshire është të mbledhësh thesar në mes të vjedhësve? Përkundrazi, po të dëshirosh vërtet pasurinë, çoje atje ku mund të mbetet e sigurt e e paprekur. Sepse ajo që po bën tani është puna e njeriut që dëshiron jo pasurinë, sigurisht, por skllavërinë, e fyerjen, e humbjen, e mërzitjen e pareshtur. E prapë ti, po të të tregonte ndokush mbi dhe një vend përtej çdo rreziku, edhe sikur të të nxirrte deri në vetë shkretëtirën, tek të premton siguri për ruajtjen e pasurisë sate, nuk vonon e nuk ngurron; ke besim tek ai dhe i vë të mirat e tua atje; por, kur në vend të njerëzve është Perëndia që të bën këtë premtim, dhe kur të vë përpara jo shkretëtirën, por Qiellin, ti pranon të kundërtën. E megjithatë, sado e shumëfishtë të jetë siguria e tyre këtu poshtë, kurrë s'mund të çlirohesh nga shqetësimi për to. Dua të them, edhe në mos i humbsh, kurrë s'do të shpëtosh nga ankthi se mos i humbësh. Kurse atje s'do të pësosh asnjë nga këto gjëra; dhe vër re, ç'është edhe më tepër, ti jo vetëm e varros arin tënd, por edhe e mbjell. Sepse e njëjta gjë është edhe thesar edhe farë; ose, më mirë, është më shumë se secila prej tyre. Sepse fara nuk mbetet përgjithmonë, kurse ky qëndron pareshtur. Përsëri, thesari nuk mbin, kurse ky të jep fryte që kurrë nuk vdesin.

6. Por, po të më flasësh për kohën dhe për vonesën e shpërblimit, edhe unë mund të të tregoj e të të them sa merr prapa qysh këtu; dhe, përveç gjithë kësaj, pikërisht nga gjërat e kësaj jete do të përpiqem të të provoj se e bën kot këtë shfajësim. Dua të them se, edhe në këtë jetë, ti siguron shumë gjëra që s'do t'i gëzosh vetë; dhe, po të të qortojë dikush, sjell si arsye fëmijët e tu dhe fëmijët e tyre, dhe kështu mendon se ke gjetur mbulesë të mjaftueshme për mundimet e tua të tepërta. Sepse, kur në pleqëri të thellë ngre shtëpi të mrekullueshme, para se t'i mbarosh (në shumë raste) do të kesh ikur; kur mbjell pemë, që do të japin frytin pas shumë vjetësh; kur blen prona e trashëgime, pronësinë e të cilave do ta fitosh pas një kohe të gjatë, dhe merresh me zell me shumë gjëra të tjera të tilla, gëzimin e të cilave s'do ta korrësh; a mos vallë për hir tënd, apo për ata që do të vijnë pas, je zënë kështu? Si, pra, s'është marrëzia më e madhe që këtu të mos ngurrosh aspak para vonesës së kohës, dhe kjo edhe pse me këtë vonesë do të humbësh tërë shpërblimin e mundimeve të tua, kurse atje, për shkak të një pritjeje të tillë, të mbetesh krejt i plogët, edhe pse ajo të sjell fitimin më të madh, dhe edhe pse s'ua kalon të mirat e tua të tjerëve, por t'i siguron dhuratat për vete?

Por, përveç kësaj, vetë vonesa s'është e gjatë; përkundrazi, ato gjëra janë te dera, dhe s'dihet a mos edhe në brezin tonë të marrin fund të gjitha ato që na përkasin, dhe të vijë ajo ditë e tmerrshme, tek na vë përpara gjyqin e frikshëm e të paprishur. Po, sepse pjesa më e madhe e shenjave është plotësuar, edhe Ungjilli veç është predikuar në të gjitha anët e botës, edhe parashikimet e luftërave, e të tërmeteve, e të urive kanë ndodhur, dhe koha që mbetet s'është e madhe.

Por mos vallë ti s'sheh asnjë shenjë? E, pikërisht kjo është një shenjë shumë e madhe. Sepse as ata në kohën e Noeut s'panë asnjë parashenjë të atij shkatërrimi të përgjithshëm, por, në mes të lojës, të ngrënies e të martesave të tyre, tek bënin gjithçka që e kishin zakon, pikërisht kështu i zuri ai gjyq i tmerrshëm. Edhe ata në Sodomë po njësoj, tek jetonin në dëfrim e pa dyshuar aspak për atë që u ra, u përpinë nga ato vetëtima që zbritën atëherë mbi ta.

Po t'i vëmë në mendje, pra, të gjitha këto, le t'i hyjmë përgatitjes për nisjen tonë prej këndej.

Sepse, edhe sikur dita e përbashkët e mbarimit të mos na zërë kurrë, fundi i secilit është te dera, qoftë plak a i ri; dhe njerëzit, pasi të kenë ikur prej këndej, s'mund as të blejnë më vaj, as të marrin falje me anë lutjesh, edhe sikur ai që lutet të jetë Abrahami, a Noeu, a Jobi, a Danieli.

Ndërkohë, pra, që kemi mundësi, le të mbledhim që tani për vete shumë guxim, le të grumbullojmë vaj me bollëk, le t'i shpiem të gjitha në Qiell, që në kohën e duhur, dhe kur të kemi më shumë nevojë për to, t'i gëzojmë të gjitha: me anë të hirit dhe të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe pushteti, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it