Mateu 7:28
E megjithatë, do të ishte më e natyrshme që ata të hidhëroheshin nga ashpërsia e fjalëve të tij dhe të drithëroheshin nga lartësia e urdhërimeve të tij. Po ja, aq e madhe qe fuqia e Mësuesit, sa shumë prej tyre madje u rrëmbyen prej saj, ranë në habi shumë të madhe dhe, të bindur nga ëmbëlsia e fjalëve të tij, nuk deshën të largoheshin fare prej tij as atëherë kur pushoi së foluri. Sepse dëgjuesit nuk u larguan kur ai zbriti nga mali, po edhe atëherë gjithë turma e ndoqi, aq dashuri për fjalët e tij u kishte ngjallur.
Po ata u mahnitën më së shumti nga pushteti i tij. Sepse ai nuk i thoshte fjalët e veta duke iu referuar një tjetri, si profeti dhe Moisiu, po kudo duke treguar se ai vetë ishte ai që kishte pushtetin të vendoste. Kështu, kur parashtronte ligjet e veta, shtonte vazhdimisht: «Por unë po ju them». Dhe, kur ua kujtonte atë ditë, e shpalli veten gjykatës, si me dënimet, si me nderimet.
E megjithatë, ishte e mundshme që edhe kjo t'i shqetësonte. Sepse, në qoftë se skribët donin ta vrisnin me gurë e ta ndiqnin kur e shihnin të tregonte pushtetin e vet me vepra, si të mos ishte e mundshme që të skandalizoheshin, kur këtu kishte vetëm fjalë për ta vërtetuar këtë? E sidomos kur këto u thanë që në fillim, para se ai të kishte dhënë provë të fuqisë së vet. Po sidoqoftë, ata s'ndjenë asgjë nga kjo, sepse, kur zemra dhe mendja janë të çiltra, binden lehtë nga fjalët e së vërtetës. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse njëra palë skandalizohej edhe kur mrekullitë shpallnin fuqinë e tij, kurse tjetra bindej duke dëgjuar vetëm fjalë dhe e ndiqte. Këtë, do të shtoja, e lë të kuptohet edhe ungjillori, kur thotë: «e ndoqën turma të mëdha», jo ndonjë nga të parët, as nga skribët, po të gjithë ata që ishin të lirë nga veset e me gjykim të paprishur. Dhe në gjithë ungjillin e sheh se pikërisht të tillët i qëndruan besnikë. Sepse, si kur ai fliste, ata e dëgjonin në heshtje, pa u ndërfutur, pa ia prerë lidhjen e fjalëve, pa e ngarë e pa dashur të gjenin ndonjë shkak si farisenjtë, ashtu, pas këshillës së tij, e ndoqën përsëri, të mahnitur.
Po vëri re, të lutem, mençurinë e Zotit, si e ndryshon mënyrën si u bën dobi dëgjuesve: pas mrekullive hyn te fjalët, e prapë nga mësimi me fjalë kalon te mrekullitë. Kështu, edhe para se të ngjiteshin në mal, ai shëroi shumë veta, duke u hapur udhë fjalëve të veta, edhe pasi mbaroi atë fjalim të gjatë para popullit, vjen përsëri te mrekullitë, duke vërtetuar me vepra atë që kishte thënë. Dhe kështu, ngaqë mësonte si «një që ka pushtet», që ky mësim i tij të mos merrej për mburrje e mendjemadhësi, ai vepron po njësoj edhe në veprat e veta, si një që ka pushtet të shërojë. Kështu nuk do të hutoheshin më kur ta shihnin të mësonte në këtë mënyrë, kur po me atë mënyrë i bënte edhe mrekullitë.
2. «Sepse, kur zbriti nga mali, i doli përpara një i lebrosur dhe i tha: ‹Zot, po të duash, mund të më pastrosh›.» I madh ishte kuptimi dhe besimi i atij që iu afrua kështu. Sepse nuk e ndërpreu mësimin, as nuk çau nëpër turmën e dëgjuesve, po priti çastin e duhur dhe iu afrua «kur zbriti». Dhe jo kuturu, po me shumë zell, në gjunjë para tij, iu lut, siç thotë një tjetër ungjillor, me besim të vërtetë dhe me mendim të drejtë për të. Sepse nuk tha: «Po t'ia kërkosh Perëndisë», as: «Po të lutesh», po: «Po të duash, mund të më pastrosh». As nuk tha: «Zot, më pastro», po ia la gjithçka atij, e vuri shërimin e vet në dorë të tij dhe dëshmoi se gjithë pushteti është i tij.
«Po ç'të themi», thotë ndonjë, «në qoftë se mendimi i të lebrosurit ishte i gabuar?» Do të duhej ta hidhte poshtë, ta qortonte dhe ta ndreqte. A veproi kështu? Aspak, përkundrazi, e forcoi dhe e vërtetoi atë që qe thënë. Prandaj, e sheh, nuk tha «Pastrohu», po «Dua, pastrohu», që mësimi të mos ishte më hamendje e atij tjetrit, po miratim i vetë tij.
Po apostujt jo kështu, po si? Ndërsa gjithë populli ishte i mahnitur, ata thanë: «Pse na vështroni ne, sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë ose me pushtetin tonë?» Po Zoti, ndonëse shpesh fliste me përulësi e nën lavdinë e vet, ç'thotë këtu, për të forcuar bindjen e atyre që u mahnitën me pushtetin e tij? «Dua, pastrohu.» Ndonëse në shenjat e shumta e të mëdha që bëri, askund nuk duket ta ketë thënë këtë fjalë. Por këtu, për të vërtetuar hamendjen e gjithë popullit e të lebrosurit për pushtetin e tij, e shtoi qëllimisht: «Dua».
Dhe nuk ndodhi që ta thoshte e të mos e bënte, po vepra erdhi menjëherë pas fjalës. Kurse, po të mos kishte folur drejt, po të ishte fjala blasfemi, vepra do të duhej të ndërpritej. Po ja, vetë natyra iu bind urdhrit të tij, e me shpejtësi, siç i takonte, madje më shpejt se ç'ka thënë ungjillori. Sepse fjala «menjëherë» mbetet shumë poshtë shpejtësisë që pati vepra.
Po nuk tha vetëm «Dua, pastrohu», po edhe «shtriu dorën dhe e preku», gjë që meriton veçanërisht të shqyrtohet. Sepse përse, kur po e pastronte me vullnet e me fjalë, i shtoi edhe prekjen e dorës? Më duket, për asnjë arsye tjetër, veçse që të tregonte edhe me këtë se ai nuk i nënshtrohet ligjit, po qëndron mbi të, dhe se për të pastrin, tani e tutje, asgjë s'është e papastër. Prandaj, e shohim, Eliseu as nuk e pa Naamanin, po, edhe pse e vuri re se ai u zemërua që nuk doli t'i vinte dorë, duke ruajtur rreptësinë e ligjit, qëndroi në shtëpi dhe e dërgoi te Jordani të lahej. Kurse Zoti, për të treguar se nuk shëron si shërbëtor, po si zot i plotë, edhe e prek. Sepse dora e tij nuk u bë e papastër nga lebra, po trupi i lebrosur u bë i pastër nga dora e tij e shenjtë.
Sepse, siç e dimë, ai nuk erdhi vetëm të shëronte trupat, po edhe të udhëhiqte shpirtin drejt vetësundimit. Prandaj, ashtu si, që nga ajo kohë e tutje, s'e ndaloi më të hahej me duar të palara, duke vënë atë ligj të shkëlqyer sipas të cilit asnjë ushqim s'është i papastër, po ashtu edhe këtu ai vetë e prek i pari të lebrosurin, dhe askush s'e qorton. Kështu na mëson për të ardhmen se kujdesi ynë duhet të jetë shpirti: se, duke i lënë pastrimet e jashtme, duhet ta pastrojmë atë dhe të kemi frikë vetëm nga lebra e tij, që është mëkati (sepse të jesh i lebrosur s'e pengon virtytin). Sepse gjykata nuk ishte e prishur, as shikuesit s'ishin pushtuar nga smira. Prandaj, larg së qortuari, përkundrazi u mahnitën nga mrekullia dhe iu dorëzuan, dhe si për atë që tha, si për atë që bëri, i dhanë lavdi pushtetit të tij të papërmbajtshëm.
3. Pasi, pra, ia shëroi trupin, e urdhëron:
«Mos i thuaj askujt, po paraqitu te prifti dhe kushto dhuratën që urdhëroi Moisiu, për dëshmi tek ata.»
Disa thonë se për këtë arsye e urdhëroi të mos i thoshte askujt: që të mos bënin ndonjë dredhi rreth vërtetimit të shërimit të tij, hamendje fort e marrë nga ana e tyre. Sepse ai nuk e pastroi ashtu që pastrimi të mbetej i dyshimtë, po e urdhëron «të mos i thotë askujt», duke na mësuar t'i shmangemi mburrjes dhe mendjemadhësisë. E megjithatë e dinte mirë se ai tjetri nuk do të bindej, po do të shpallte mirëbërësin e vet, prapëseprapë ai e bën pjesën e vet.
«Po si, atëherë, diku tjetër i urdhëron ta tregojnë?», mund të pyesë ndokush. Jo se bie ndesh a kundërshton veten, po se u mëson njerëzve të jenë mirënjohës. Sepse as atje nuk urdhëroi të shpallnin atë vetë, po të «i jepnin lavdi Perëndisë»: me këtë të lebrosur duke na stërvitur të jemi të pastër nga kryelartësia e mendjemadhësia, e me atë tjetrin të jemi mirënjohës e falënderues, dhe duke na mësuar që, në çdo rast, t'ia japim Zotit lavdinë për gjithçka që na ndodh. Domethënë, ngaqë njerëzit, në pjesën më të madhe, e kujtojnë Perëndinë kur janë sëmurë, po e lënë pas dore pasi shërohen, ai i urdhëron që, vazhdimisht, si në sëmundje si në shëndet, t'i vënë veshin Zotit, me këto fjalë: «i jepni lavdi Perëndisë».
Po përse e urdhëroi edhe të paraqitej te prifti e të kushtonte një dhuratë? Që edhe këtu të përmbushte ligjin. Sepse as e la mënjanë në çdo rast, as e mbajti në çdo rast, po herë bënte njërën, herë tjetrën: me njërën duke i hapur udhë mënyrës së lartë të jetesës që do të vinte, me tjetrën duke ua frenuar për një kohë fjalën e paturpshme hebrenjve dhe duke iu përshtatur dobësisë së tyre. E ç'të çuditemi, në qoftë se ai vetë e bëri këtë pikërisht në fillim, kur edhe vetë apostujt, pasi u urdhëruan të shkonin te johebrenjtë, pasi u hapën dyert për mësimin e tyre në gjithë botën, pasi ligji u mbyll, urdhërimet u përtërinë dhe të gjitha gjërat e vjetra pushuan, herë i gjejmë duke e zbatuar ligjin, herë duke e lënë pas dore?
Po ç'ndihmesë, mund të thuhet, i jep mbajtjes së ligjit kjo fjalë, «paraqitu te prifti»? Jo të vogël. Sepse ishte ligj i lashtë që i lebrosuri, kur pastrohej, të mos ia linte vetes gjykimin e pastrimit të vet, po të paraqitej te prifti, t'ia vinte para syve provën e tij dhe, me atë vendim, të numërohej ndër të pastrit. Sepse, po të mos thoshte prifti «I lebrosuri është pastruar», ai mbetej ende bashkë me të papastrit, jashtë fushimit. Prandaj thotë: «Paraqitu te prifti dhe kushto dhuratën që urdhëroi Moisiu». Nuk tha «që urdhëroj unë», po për një kohë e drejton te ligji, duke ua mbyllur gojën me çdo mënyrë. Kështu, që të mos thoshin se ua kishte rrëmbyer priftërinjve nderin, ndonëse veprën e kreu vetë, miratimin e saj ua la atyre dhe i vuri të rrinin gjykatës të mrekullive të veta. «Aq larg jam», thotë, «nga grindja qoftë me Moisiun, qoftë me priftërinjtë, sa ata që i bëj mirë i drejtoj t'u nënshtrohen atyre.»
Po ç'do të thotë «për dëshmi tek ata»? Për qortim, për provë, për paditje, në qoftë se do të jenë mosmirënjohës. Sepse ata thoshin: «E ndjekim si mashtrues e sharlatan, si armik të Perëndisë e si shkelës të ligjit». «Ti do të më dëshmosh», thotë, «atë ditë, se nuk jam shkelës i ligjit. Përkundrazi, pasi të shërova, të dërgoj te ligji dhe te miratimi i priftërinjve»; gjë që ishte vepër e atij që e nderon ligjin, e çmon Moisiun dhe nuk i kundërvihet mësimeve të lashta.
Edhe po të mos bëheshin më të mirë, pikërisht këtu mund të shihet më së shumti nderimi i tij për ligjin: ndonëse e dinte që më parë se s'do të nxirrnin asnjë dobi, ai e përmbushi krejt pjesën e vet. Sepse pikërisht këtë ai e dinte që më parë dhe e paratha: nuk tha «për ndreqjen e tyre», as «për mësimin e tyre», po «për dëshmi tek ata», domethënë për paditje, për qortim dhe për dëshmi se gjithçka u bë nga ana ime; dhe ndonëse e dija që më parë se do të mbeteshin të pandreqshëm, prapë s'e lashë pa bërë atë që duhej bërë; vetëm se ata e mbajtën gjer në fund ligësinë e tyre.
Këtë, mund ta vëmë re, ai e thotë edhe diku tjetër: «Ky ungjill do të predikohet në gjithë botën, për dëshmi te të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi»; te kombet, te ata që nuk binden, te ata që nuk besojnë. Kështu, që të mos thoshte ndokush: «E përse t'u predikohet të gjithëve, në qoftë se s'do të besojnë të gjithë?», kjo ndodh që unë të gjendem se e kam bërë krejt pjesën time dhe që askush të mos mund të gjejë më të meta, sikur të mos kishte dëgjuar. Sepse vetë predikimi do të dëshmojë kundër tyre, dhe s'do të mund të thonë më: «Nuk dëgjuam»; sepse fjala e perëndishmërisë «doli deri në skajet e botës».
4. Prandaj, duke i mbajtur këto në mendje, le t'i përmbushim edhe ne të gjitha detyrat ndaj të afërmit, e Perëndinë le ta falënderojmë pareshtur. Sepse është tepër e tmerrshme që, ndërsa përditë e gëzojmë vërtet bujarinë e tij, të mos ia pranojmë as me fjalë mirësinë, e kjo, ndonëse mirënjohja përsëri kthehet krejt në dobinë tonë. Sepse ai, pa dyshim, s'ka nevojë për asgjë tonën, po ne kemi nevojë për gjithçka prej tij. Kështu, falënderimi vetë nuk i shton asgjë atij, po na afron më pranë tij. Sepse, në qoftë se të mirat e njerëzve, kur i sjellim ndër mend, na e ngrohin zemrën edhe më shumë me dashurinë që zgjojnë, aq më shumë do të jemi të kujdesshëm për urdhërimet e tij, kur sjellim vazhdimisht ndër mend veprat fisnike të Zotit tonë ndaj nesh.
Prandaj edhe Pavli tha: «Jini mirënjohës». Sepse ruajtja më e mirë e çdo të mire është kujtimi i së mirës dhe një falënderim i pareshtur.
Prandaj edhe misteret e frikshme, kaq plot me atë shpëtim të madh, që kremtohen në çdo kungim, quhen flijim falënderimi, sepse janë përkujtimi i shumë të mirave, tregojnë vetë përmbledhjen e kujdesit të Perëndisë për ne dhe me çdo mënyrë na shtyjnë të jemi mirënjohës. Sepse, në qoftë se lindja e tij prej një virgjëreshe qe mrekulli e madhe, aq sa ungjillori, i mahnitur, tha «e gjithë kjo ndodhi», atëherë vrasja e tij ç'vend do t'i gjejmë asaj? Ma thuaj. Dua të them: në qoftë se të lindësh quhet «e gjithë kjo», atëherë të kryqëzohesh, të derdhësh gjakun tënd dhe të japësh veten për ne si tryezë e gosti shpirtërore, si mund të quhet kjo? Le ta falënderojmë, pra, pareshtur, dhe kjo le të prijë para fjalëve e para veprave tona.
Po le të jemi mirënjohës jo vetëm për të mirat tona, po edhe për ato të të tjerëve, sepse kështu do të mundim edhe ta shuajmë smirën tonë, edhe ta forcojmë dashurinë, edhe ta bëjmë më të vërtetë. Sepse s'do të jetë as e mundur që ti të vazhdosh t'u kesh smirë atyre për të cilët e falënderon Zotin.
Prandaj, siç e dini, edhe prifti na porosit të falënderojmë për botën, për gjërat e shkuara, për ato të tanishmet, për atë që na është bërë më parë, për atë që do të na ndodhë më pas, kur paraqitet ai flijim.
Sepse kjo është ajo që na çliron nga dheu, na ngre në qiell dhe na bën engjëj në vend të njerëzve. Sepse edhe ata bëjnë një kor dhe e falënderojnë Perëndinë për të mirat e tij dhënë neve, duke thënë: «Lavdi Perëndisë në më të lartat, edhe mbi dhé paqe, mirëdashje ndër njerëz». «E ç'na duhet kjo neve, që nuk jemi mbi dhé, as nuk jemi njerëz?» «Përkundrazi, na duhet fort, sepse jemi mësuar t'i duam aq shumë bashkëshërbëtorët tanë, sa t'i quajmë të mirat e tyre si tonat.»
Prandaj edhe Pavli, kudo në letrat e tij, falënderon për veprat hirplote të Perëndisë ndaj botës.
Le të falënderojmë, pra, edhe ne pareshtur, për të mirat tona e për ato të të tjerëve, njësoj për të voglat e për të mëdhatë. Sepse, edhe po të jetë dhurata e vogël, bëhet e madhe ngaqë është dhuratë e Perëndisë; ose më mirë, s'ka gjë të vogël që vjen prej tij, jo vetëm sepse e jep ai, po edhe në vetë natyrën e saj.
E, po t'i lëmë të gjitha të tjerat, që në numër e kalojnë rërën, ç'mund të barazohet me ikonominë që u bë për ne? Sepse atë që i qe më i çmuar se gjithçka, vetë Birin e tij të Vetëmlindur, atë e dha për ne, armiqtë e tij; dhe jo vetëm e dha, po, pasi e dha, e vuri para nesh edhe si ushqim, duke bërë ai vetë gjithçka që ishte për të mirën tonë, si duke e dhënë atë, si duke na bërë mirënjohës për gjithë këtë. Sepse, ngaqë njeriu në pjesën më të madhe është mosmirënjohës, ai vetë kudo e merr përsipër dhe e sjell atë që është për të mirën tonë. Dhe atë që bëri me hebrenjtë, duke ua kujtuar të mirat e tij me vende, me kohë e me festa, atë e bëri edhe në këtë rast: me mënyrën e flijimit duke na sjellë në një kujtim të përhershëm të bujarisë së tij në këto gjëra.
Askush nuk është munduar aq shumë që ne të jemi të pëlqyer, të mëdhenj e në çdo gjë me mendje të drejtë, sa Perëndia që na krijoi. Prandaj shpesh na bën mirë edhe kundër dëshirës sonë, dhe, më shpesh se jo, pa e ditur ne. Dhe në qoftë se ti çuditesh me atë që thashë, po të tregoj se kjo i ndodhi jo ndonjë njeriu të zakonshëm, po të lumit Pavël. Sepse edhe ai njeri i lumtur, kur ishte në shumë rrezik e mundim, iu lut shpesh Perëndisë që t'i largoheshin ngasjet; megjithatë Perëndia s'i çmoi kërkesën e tij, po dobinë e tij, dhe, për ta treguar këtë, tha: «Të mjafton hiri im, sepse fuqia ime përsoset në dobësi». Kështu që, para se t'i tregonte arsyen, i bën mirë kundër dëshirës së tij dhe pa e ditur ai.
5. E ç'gjë të madhe kërkon, kur na kërkon të jemi mirënjohës për një kujdes kaq të butë? Le t'i bindemi, pra, dhe le ta mbajmë kudo këtë. Sepse hebrenjtë nga asgjë s'u shkatërruan aq shumë sa nga mosmirënjohja; ato goditje të shumta, njëra pas tjetrës, s'ua solli gjë tjetër veç kësaj, ose më mirë, edhe para atyre goditjeve, kjo ua kishte shkatërruar e prishur shpirtin. «Sepse shpresa e mosmirënjohësit», thotë dikush, «është si bryma e dimrit»: e mpin dhe e shuan shpirtin, ashtu siç ua bën bryma trupave tanë.
Dhe kjo lind nga kryelartësia dhe nga të quajturit veten të denjë për diçka. Kurse njeriu zemërthyer do t'i njohë Perëndisë arsye falënderimi, jo vetëm për të mirat, po edhe për ato që duken të kundërta, dhe sado të vuajë, asnjë nga vuajtjet e veta s'do ta quajë të pamerituar. Le të bëhemi, pra, edhe ne aq më zemërthyer, sa më shumë të përparojmë në virtyt, sepse kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, është virtyt. Sepse, ashtu si, sa më i mprehtë të jetë shikimi ynë, aq më mirë e kuptojmë sa larg jemi nga qielli, kështu, sa më shumë të përparojmë në virtyt, aq më shumë mësojmë ndryshimin mes Perëndisë e nesh. Dhe kjo s'është pjesë e vogël e urtësisë së vërtetë: të mund të shohim se ç'meritojmë. Sepse më së miri e njeh veten ai që e quan veten hiç. Kështu shohim se edhe Davidi, edhe Abrahami, kur qenë ngjitur në majën më të lartë të virtytit, atëherë e përmbushën më së miri këtë dhe e quanin veten, njëri «dhé e hi», tjetri «krimb»; dhe të gjithë shenjtorët, si këta, e pranojnë mjerimin e vet. Kështu që ai që lartësohet në mburrje është pikërisht ai që e njeh më së paku veten. Prandaj edhe në të folurit e përditshëm e kemi zakon të themi për mendjemadhin: «s'e njeh veten», «s'di ç'është vetë». Dhe ai që s'e njeh veten, kë do të njohë? Sepse, ashtu si ai që e njeh veten do t'i njohë të gjitha, kështu ai që s'e njeh këtë, s'do të njohë as të tjerat.
I tillë ishte ai që thotë: «Do të ngre fronin tim përmbi qiejt». Kurse tjetri, pas kaq shumë e kaq të mëdha vepra mirësie, s'e quajti veten të denjë as për titullin e apostujve.
Prandaj atë le ta marrim shembull e ta ndjekim. Dhe do ta ndjekim, në qoftë se çlirohemi nga dheu dhe nga gjërat e dheut. Sepse asgjë s'e bën njeriun të mos e njohë veten aq shumë, sa të qenët i mbërthyer pas punëve të kësaj bote, e as gjë tjetër s'i mbërthen njerëzit aq shumë pas punëve të kësaj bote, sa mosnjohja e vetes: sepse këto gjëra varen nga njëra-tjetra. Dua të them: ashtu si ai që do lavdinë e jashtme e çmon fort gjërat e tanishme, sado të përpiqet, s'lejohet ta kuptojë veten, kështu ai që i shpërfill këto do ta njohë lehtë veten, dhe, pasi të ketë arritur në njohjen e vetes, do të ecë me radhë drejt të gjitha pjesëve të tjera të virtytit.
Prandaj, që ta mësojmë këtë njohuri të mirë, le të tregojmë çdo përulësi të mendjes e vetëpërmbajtje, të shkëputur nga të gjitha gjërat që prishen e që ndezin në ne një flakë kaq të madhe, e të ndërgjegjshëm për sa të pavlera janë ato, që të arrijmë të mirat, si të tanishmet, si të ardhshmet, me anë të hirit e të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, bashkë me të cilin i qoftë Atit lavdia, pushteti dhe nderi, tok me Frymën e Shenjtë e të Mirë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it