Mateu 9:1-2
Me «qytetin e tij» këtu nënkupton Kapernaumin. Sepse ai që i dha lindjen ishte Betlehemi; ai që e rriti, Nazareti; ai që e pati banor të përhershëm, Kapernaumi.
Ky i paralizuar, gjithsesi, ishte i ndryshëm nga ai që përshkruhet te Joani. Sepse ai dergjej pranë pellgut, kurse ky në Kapernaum; ai e kishte sëmundjen prej tridhjetë e tetë vjetësh, kurse për këtë nuk përmendet asgjë e tillë; tjetri ishte krejt pa njeri që ta ndihmonte, kurse ky kishte njerëz që kujdeseshin për të, të cilët e ngritën dhe e mbartën. Këtij i thotë: «Bir, të falen mëkatet e tua», kurse atij: «A do të shërohesh?». Tjetrin e shëroi të shtunën, kurse këtë jo të shtunën, sepse përndryshe hebrenjtë do t'ia ngarkonin edhe këtë si faj; dhe në rastin e këtij heshtën, kurse në rastin e tjetrit ngulmonin ta përndiqnin.
Këtë e thashë jo më kot, që të mos mendojë ndokush se ka mospërputhje, duke dyshuar se bëhet fjalë për një e të njëjtin të paralizuar.
Po ju, ju lutem, vini re përulësinë dhe butësinë e Zotit tonë. Sepse edhe para kësaj i kishte larguar turmat prej vetes, madje, kur e nxorën gadarenët, nuk u kundërvu, po u tërhoq, megjithatë jo shumë larg.
Dhe përsëri hyri në barkë e kaloi përtej, ndonëse mund të kishte shkuar në këmbë. Sepse ishte vullneti i tij që të mos bënte gjithnjë mrekulli, që të mos dëmtonte mësimin për natyrën e tij njerëzore.
Mateu, në të vërtetë, thotë se «e sollën», kurse të tjerët se zbuluan edhe çatinë dhe e ulën poshtë. Dhe e vunë të sëmurin para Krishtit, pa thënë asgjë, po duke ia lënë të gjithën Atij. Sepse, ndonëse në fillim Ai vetë shkonte kudo dhe nuk u kërkonte aq besim atyre që i afroheshin, në këtë rast ata edhe iu afruan, edhe iu kërkua besim nga ana e tyre. Sepse, thuhet, «kur pa besimin e tyre», domethënë besimin e atyre që e kishin ulur njeriun. Sepse Ai nuk kërkon gjithmonë besim vetëm nga i sëmuri: për shembull, kur janë të çmendur, ose kur, për shkak të sëmundjes, nuk e kanë veten në dorë. Ose më mirë, në këtë rast edhe vetë i sëmuri kishte pjesë në besim; sepse nuk do të kishte pranuar të ulej, po të mos kishte besuar.
Meqë, pra, ata treguan besim kaq të madh, edhe Ai tregon fuqinë e vet: ia fal mëkatet me gjithë pushtetin dhe dëshmon në çdo mënyrë se është i barabartë në nder me Atë që e lindi. Dhe vini re: e nënkuptoi që në fillim, me mësimin e vet, kur i mësonte si një që ka pushtet; me lebrozin, kur tha: «Dua, pastrohu»; me kryeqindësin, kur, sapo ai tha: «Thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet», Ai u mrekullua me të dhe e lavdëroi mbi gjithë njerëzit; me detin, kur e qetësoi me një fjalë të vetme; me demonët, kur e njohën si gjykatësin e tyre dhe Ai i dëboi me pushtet të madh.
Këtu përsëri, në një mënyrë tjetër e më të madhe, i detyron vetë armiqtë e tij të pohojnë barazinë e tij në nder, dhe me gojën e tyre e bën të dukshme. Sepse Ai, për të treguar mospërfilljen e tij ndaj nderit (sepse rrinte një turmë e madhe shikuesish që zinte hyrjen, prandaj edhe e ulën atë nga lart), nuk u ngut menjëherë të shëronte trupin e dukshëm, po merr shkas prej tyre; dhe shëroi më parë atë që është e padukshme, shpirtin, duke ia falur mëkatet, gjë që vërtet e shpëtoi njeriun, po nuk i solli ndonjë lavdi të madhe Atij vetë. Përkundrazi, ata vetë, të trazuar nga ligësia e tyre e duke dashur ta sulmonin, bënë që vepra, edhe pa dashur, të binte në sy. Ai, në fakt, me bollëkun e urtësisë së tij, e shfrytëzoi zilinë e tyre për shfaqjen e mrekullisë.
Kur ata, pra, murmuritnin dhe thoshin: «Ky njeri blasfemon; kush mund të falë mëkate, veç Perëndisë vetëm?», le të shohim ç'thotë Ai. A e hoqi vallë dyshimin? E megjithatë, po të mos ishte i barabartë, do të duhej të thoshte: «Përse më ngjitni një mendim që s'më takon? Jam larg këtij pushteti.» Por Ai nuk tha asgjë nga këto, përkundrazi, e pohoi dhe e vërtetoi, si me zërin e vet, ashtu edhe me kryerjen e mrekullisë. Kështu, duke qenë se të folurit e tij për veten u ngjallte neveri dëgjuesve, atë që kishte për të thënë për veten e pohoi me anë të të tjerëve; dhe, ç'është vërtet për t'u mrekulluar, jo vetëm nëpërmjet miqve, po edhe nëpërmjet armiqve; sepse kjo është lartësia e urtësisë së tij. Me anë të miqve, kur tha: «Dua, pastrohu», dhe kur tha: «As në Izrael nuk kam gjetur besim kaq të madh»; kurse me anë të armiqve, tani. Dhe pikërisht ngaqë kishin thënë: «Askush nuk mund të falë mëkate, veç Perëndisë vetëm», Ai shtoi:
«Po që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe (atëherë i thotë të paralizuarit): Çohu, merr shtratin tënd dhe shko në shtëpinë tënde.»
Dhe jo vetëm këtu, po edhe në një rast tjetër, kur thoshin: «Nuk të vrasim me gurë për një vepër të mirë, po për blasfemi, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi», as atëherë nuk e hodhi poshtë këtë mendim, po përsëri e vërtetoi, duke thënë: «Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni; por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, besojuni veprave.»
2. Në këtë rast, në të vërtetë, Ai zbulon edhe një shenjë tjetër, aspak të vogël, të hyjnisë së vet dhe të barazisë së tij në nder me Atin. Sepse, ndërsa ata thoshin: «Të zgjidhësh mëkate i takon vetëm Perëndisë», Ai jo vetëm zgjidh mëkate, po edhe para kësaj shfaq një gjë tjetër që i takonte vetëm Perëndisë: zbulimin e të fshehtave të zemrës. Sepse ata as që i kishin thënë mendimet e tyre.
Sepse, thuhet, «dhe ja, disa nga skribët thanë me veten e tyre: ‹Ky njeri blasfemon›. Dhe Jisui, duke ditur mendimet e tyre, tha: ‹Përse mendoni të këqija në zemrat tuaja?›»
Por se vetëm Perëndisë i takon të njohë të fshehtat e njerëzve, dëgjoni ç'thotë profeti: «Ti i vetëm i njeh plotësisht zemrat»; dhe përsëri: «Perëndia heton zemrat dhe veshkat»; edhe Jeremia thotë: «Zemra është e thellë përmbi çdo gjë, edhe ajo është njeriu, e kush do ta njohë?»; dhe: «Njeriu shikon fytyrën, kurse Perëndia zemrën». Dhe nga shumë gjëra mund të shihet se të njohësh ç'ka në mendje i takon vetëm Perëndisë.
Duke treguar, pra, se Ai është Perëndi, i barabartë me Atë që e lindi, ua zbulon dhe e nxjerr në shesh atë që ata arsyetonin me veten (sepse, nga frika e turmës, nuk guxonin ta thoshin mendimin). Kështu shfaq edhe këtu butësinë e tij të madhe.
«Po përse», thotë, «mendoni të këqija në zemrat tuaja?»
E megjithatë, po të kishte arsye për pakënaqësi, do të ishte i sëmuri ai që duhej të pakënaqej, si njeri krejt i mashtruar, dhe do të duhej të thoshte: «Për një gjë erdha të shërohem, e Ti ndreq një tjetër? E nga duket se më janë falur mëkatet?»
Por ai, nga ana e tij, nuk thotë asnjë fjalë të tillë, po ia lë veten fuqisë së shëruesit; kurse këta, kureshtarë e ziliqarë, kurdisin dredhi kundër veprave të mira të të tjerëve. Prandaj Ai i qorton, po me gjithë butësinë. «Nëse ju», thotë, «nuk besoni atë që u tha më parë dhe e quani mburrje fjalën time, ja, i shtoj asaj edhe një tjetër, zbulimin e të fshehtave tuaja; e pastaj përsëri një tjetër.» Cila është, pra, kjo? Forcimi i trupit të të paralizuarit.
Dhe ndërsa, kur i foli të paralizuarit, foli pa e shfaqur qartë pushtetin e vet, sepse nuk tha: «Unë t'i fal mëkatet e tua», po: «Të falen mëkatet e tua», kur ata e shtrënguan, e zbulon më qartë pushtetin e vet, duke thënë: «Po që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi dhe të falë mëkate.»
A e shihni sa larg ishte nga mosdëshira për t'u quajtur i barabartë me Atin? Sepse aspak nuk tha: «Biri i Njeriut ka nevojë për një tjetër», ose: «Ai ia ka dhënë pushtetin», po: «Ka pushtet». As e thotë për dashuri ndaj nderit, po «që t'ju bind», thotë, «se nuk blasfemoj kur e bëj veten të barabartë me Perëndinë.»
Kështu, kudo dëshira e tij është të japë prova të qarta e të pakundërshtueshme: si kur thotë: «Shko, dëftohu te prifti»; ose kur tregon vjehrrën e Pjetrit tek u shërben; ose kur lejon derrat të sulen tatëpjetë. Po kështu edhe këtu: së pari, si shenjë e sigurt e faljes së mëkateve të tij, siguron forcimin e trupit; e, si dëshmi e kësaj, mbartjen e shtratit prej tij, që ngjarja të mos merret për trillim. Dhe këtë nuk e bën, para se t'u kishte bërë një pyetje. «Sepse cila është më e lehtë», thotë, «të thuash: Të falen mëkatet e tua? apo të thuash: Merr shtratin tënd dhe shko në shtëpinë tënde?» Ja çfarë do të thotë me këtë: «Cila ju duket më e lehtë, të lidhësh një trup të çrregulluar, apo të zhbësh mëkatet e një shpirti? Është krejt e qartë: të lidhësh një trup. Sepse, sa më i lartë është shpirti se trupi, aq më e madhe vepër është shlyerja e mëkateve se kjo; por, meqë njëra është e padukshme, e tjetra e dukshme, po hedh atë që, ndonëse gjë më e vogël, është më e kapshme për shqisat, që edhe më e madhja e më e padukshmja të marrë kështu provën e vet;» kështu, me anë të veprave të tij, duke shfaqur që tani atë që kishte thënë Joan Pagëzori, se «Ai ngre mëkatin e botës».
Pra, pasi e ngriti, e dërgon në shtëpinë e tij, duke treguar edhe këtu mosmburrjen e tij dhe se ngjarja nuk ishte thjesht një përfytyrim; sepse i bën po ata njerëz dëshmitarë të sëmundjes së tij dhe të shërimit të tij. Sepse Unë, thotë, doja që, nëpërmjet fatkeqësisë sate, të shëroja edhe ata që duken të shëndetshëm, po që janë të sëmurë nga mendja; por, meqë nuk duan, shko ti në shtëpi, që t'i shërosh ata që janë atje.
A e shihni si tregon se Ai është Krijues edhe i shpirtrave, edhe i trupave? Prandaj e shëron paralizën në secilën nga të dyja natyrat dhe e bën të dukshme të padukshmen me anë të asaj që shihet. Po, megjithatë, ata ende zvarriten përtokë.
«Sepse, kur turmat e panë, u mrekulluan dhe lavdëruan Perëndinë», thuhet, «që u kishte dhënë njerëzve një pushtet të tillë»: sepse mishi ishte pengesë për ta. Por Ai nuk i qortoi, po vazhdon t'i zgjojë me anë të veprave dhe t'ua lartësojë mendimet. Sepse, për atë kohë, s'ishte gjë e vogël që Ai të mendohej më i madh se gjithë njerëzit, si një që kishte ardhur prej Perëndisë. Po t'i kishin ngulitur mirë këto në mendjet e tyre, hap pas hapi do të kishin njohur se Ai ishte madje Biri i Perëndisë. Por ata nuk i mbajtën qartë këto, prandaj as nuk mundën t'i afroheshin. Thoshin, pra, përsëri: «Ky njeri nuk është prej Perëndisë»; «si është ky njeri prej Perëndisë?» Dhe vazhdimisht ktheheshin te këto, duke i vënë përpara si mbulesa për pasionet e tyre.
3. Këtë e bëjnë shumë veta edhe tani: duke menduar se marrin hak për Perëndinë, plotësojnë pasionet e veta, kur duhej t'i bënin të gjitha me masë. Sepse edhe vetë Perëndia i të gjithave, ndonëse ka fuqi të lëshojë rrufenë kundër atyre që e blasfemojnë, e bën diellin të lindë, dërgon shirat dhe u jep me bollëk gjithçka tjetër. Pikërisht atë duhet ta imitojmë; e kështu, me butësi, t'u përgjërohemi atyre që gabojnë, t'i këshillojmë e t'i qortojmë, jo të zemëruar, jo duke u bërë egërsira.
Sepse Perëndisë nuk i vjen asnjë dëm nga blasfemia e tyre, që ju të zemëroheni, por ai që blasfemoi e ka marrë vetë plagën. Prandaj rënkoni, vajtoni, sepse fatkeqësia me të vërtetë meriton lot. Dhe të plagosurin, përsëri, asgjë nuk mund ta shërojë aq sa butësia: butësia, them, që është më e fuqishme se çdo forcë.
Shihni, për shembull, si Ai vetë, i fyeri, bisedon me ne, si në Dhiatën e Vjetër, ashtu edhe në të Renë; në njërën duke thënë: «O populli im, ç'të kam bërë?», në tjetrën: «Saul, Saul, përse më përndjek?» Edhe Pavli porosit: «Me butësi mësoji ata që të kundërshtojnë.» Dhe Krishti, përsëri, kur nxënësit i erdhën e kërkonin të zbriste zjarr nga qielli, i qortoi ashpër, duke thënë: «Nuk e dini se prej ç'fryme jeni.»
Dhe këtu përsëri nuk tha: «O të mallkuar dhe magjistarë që jeni; o ziliqarë dhe armiq të shpëtimit të njerëzve», po: «Përse mendoni të këqija në zemrat tuaja?»
Duhet, siç e shihni, të përdorim butësi për të çrrënjosur sëmundjen. Sepse ai që bëhet më i mirë nga frika prej njeriut, do të kthehet shpejt përsëri në ligësi. Për këtë arsye urdhëroi që edhe egjra të lihej, duke dhënë një ditë të caktuar për pendim. Po, dhe shumë prej tyre vërtet u penduan e u bënë të mirë, ata që më parë ishin të këqij: si për shembull Pavli, tagrambledhësi, kusari; sepse këta, ndonëse ishin vërtet egjër, u kthyen në grurë të mbarë. Sepse, ndonëse te farat kjo s'mund të ndodhë, te vullneti i njeriut është edhe e arritshme, edhe e lehtë; sepse vullneti ynë nuk kufizohet nga asnjë kufi i natyrës, po e ka si privilegj lirinë e zgjedhjes.
Prandaj, kur të shihni një armik të së vërtetës, rrini pranë tij, kujdesuni për të, kthejeni në rrugën e virtytit: tregoni një jetë të shkëlqyer, përdorni «fjalë që s'mund të dënohet», jepini vëmendje e përkujdes të butë, provoni çdo mënyrë përmirësimi, si mjekët më të mirë. Sepse as ata nuk kurojnë vetëm në një mënyrë, po, kur e shohin se plaga nuk i bindet barit të parë, shtojnë një tjetër, e pas asaj përsëri një tjetër; herë përdorin thikën, herë e lidhin plagën. Kështu edhe ju: pasi të jeni bërë mjekë shpirtrash, zbatoni çdo mënyrë shërimi sipas ligjeve të Krishtit, që të merrni shpërblimin, edhe të shpëtimit të vetes, edhe të dobisë së të tjerëve, duke i bërë të gjitha për lavdinë e Perëndisë, e kështu të lavdëroheni edhe ju vetë. «Ata që më lavdërojnë», thotë, «do t'i lavdëroj; e ata që më përbuzin, do të përçmohen.»
Le t'i bëjmë, pra, të gjitha për lavdinë e tij, që të arrijmë atë pjesë të lumtur, të cilën Perëndia na dhëntë ta arrijmë të gjithë, me anë të hirit dhe të njeridashjes së Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it