Të gjitha letrat

Shën Joan Gojarti

Mateu 11:25-26

A e sheh se me sa mënyra i çon drejt besimit? Së pari, duke lëvduar Joanin. Sepse, duke e paraqitur si njeri të madh e të mrekullueshëm, i vërtetoi njëkohësisht si të besueshme të gjitha thëniet e tij, me të cilat i tërhiqte drejt njohjes së tij. Së dyti, duke thënë: «Mbretëria e qiejve pushtohet me forcë, edhe të dhunshmit e rrëmbejnë atë»; sepse kjo është gjuha e atij që i shtyn e i nxit. Së treti, duke bërë të ditur se numri i profetëve kishte marrë fund; sepse edhe kjo e tregoi atë si personin që qe paralajmëruar prej tyre. Së katërti, duke treguar se gjithçka që duhej të bëhej prej tij ishte kryer e tëra; atëherë kur përmendi edhe shëmbëlltyrën e fëmijëve. Së pesti, duke qortuar ata që s'kishin besuar, tek i trembte e i kërcënonte fort. Së gjashti, duke falënderuar për ata që besuan. Sepse shprehja «po të rrëfehem ty» këtu do të thotë «të falënderoj». «Të falënderoj, thotë, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të mençurve.»

Ç'do të thotë kjo, pra? Vallë gëzohet ai me humbjen dhe që të tjerët s'e morën këtë njohje? Aspak. Përkundrazi, kjo është një nga mënyrat e tij më të shkëlqyera për t'i shpëtuar njerëzit: që nuk i detyron ata që i hedhin poshtë krejtësisht dhe s'duan t'i pranojnë fjalët e tij. Kështu, meqë thirrja e tij nuk i përmirësoi, po ata u tërhoqën e e përçmuan, ai, duke i larguar prej vetes, do t'i bënte të ndienin një mall për këto gjëra. Po kështu, edhe të vëmendshmit do të bëheshin më të zellshëm.

Dhe ndonëse zbulimi i tyre te këta njerëz ishte arsye e drejtë gëzimi, fshehja e tyre prej atyre të tjerëve s'ishte më gëzim, po lot. Kështu vepron ai gjithsesi atje ku qan për qytetin. Pra, ai nuk gëzohet për këtë, po sepse atë që s'e dinin njerëzit e ditur, e njohën këta. Ashtu si kur thotë Pavli: «Falënderoj Perëndinë që ishit shërbëtorë të mëkatit, po iu bindët nga zemra formës së mësimit që ju qe dhënë.» E shihni: as Pavli nuk gëzohet, pra, sepse ishin «shërbëtorë të mëkatit», po sepse, edhe pse qenë të tillë, u nderuan me një hir kaq të madh.

Tani, me fjalën «të urtë» këtu ai nënkupton skribët dhe farisenjtë. Dhe këto i thotë që t'i bëjë nxënësit më të zellshëm dhe të tregojë ç'iu fal peshkatarëve, kur gjithë ata të tjerët e humbën. Kur i quan «të urtë», nuk ka parasysh urtësinë e vërtetë e të denjë për lëvdatë, po atë që u dukej sikur e kishin nga zgjuarsia e tyre e natyrshme. Prandaj as nuk tha «ua zbulove të marrëve», po «foshnjave», domethënë njerëzve të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. Dhe lë të kuptohet se ata nuk mbetën pa këto dhunti ngaqë s'i meritonin, po se ndodhi pikërisht ajo që pritej. Ai na mëson kudo të jemi të lirë nga mendjemadhësia dhe të ndjekim thjeshtësinë. Për këtë arsye edhe Pavli e shprehu me zell edhe më të madh, duke shkruar kështu: «Në qoftë se ndonjë nga ju pandeh se është i urtë në këtë botë, le të bëhet i marrë, që të bëhet i urtë.» Sepse kështu shfaqet hiri i Perëndisë.

Po përse e falënderon Atin, ndonëse, sigurisht, ishte ai vetë që e bëri këtë? Ashtu siç lutet e ndërmjetëson te Perëndia, tek tregon dashurinë e tij të madhe për ne, po kështu vepron edhe këtu; sepse edhe kjo buron nga dashuria e madhe. Dhe tregon se ata nuk ishin larguar vetëm prej tij, po edhe prej Atit. Kështu, atë që u tha nxënësve të tij, «Mos ua hidhni gjërat e shenjta qenve», e kishte zbatuar vetë i pari.

Për më tepër, me këtë ai tregon vullnetin kryesor si të vetin, ashtu edhe të Atit: të vetin, them, duke falënderuar e duke u gëzuar për atë që ndodhi; të Atit, tek lë të kuptohet se as këtë s'e bëri me lutje të dikujt, po vetë, me vullnetin e vet. «Sepse kështu, thotë, u pa e mirë para teje», domethënë «kështu të pëlqeu ty».

Dhe përse iu fsheh atyre? Dëgjo Pavlin që thotë: «Duke kërkuar të ngrenë drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë.»

Tani mendo se si duhet të ishin ndier nxënësit kur i dëgjonin këto: që atë që njerëzit e ditur s'e dinin, e dinin këta, e dinin ndonëse mbetnin foshnja dhe e dinin nga zbulesa e Perëndisë. Por Lluka thotë se «pikërisht në atë orë», kur të shtatëdhjetët erdhën e i treguan për demonët, atëherë ai «u gëzua» dhe i tha këto fjalë, të cilat, veç zellit që u shtonin, do t'i bënin edhe të përulur. Domethënë, meqë ishte e natyrshme që ata të krenoheshin se dëbonin demonët, edhe për këtë arsye, ndër të tjera, ai i frenon: se ishte zbulesë gjithçka që qe bërë, jo zell prej tyre. Prandaj edhe skribët e njerëzit e ditur, tek pandehnin se ishin të zgjuar në vetvete, ranë poshtë nga mendjemadhësia e tyre. Pra, në qoftë se për këtë arsye iu fsheh atyre, «edhe ju, thotë, kini frikë e mbetni foshnja». Sepse kjo bëri që ju të gëzoni dobinë e zbulesës, ashtu si, nga ana tjetër, e kundërta bëri që ata të mbeteshin pa të. Sepse aspak, kur thotë «Ti i fshehe», nuk do të thotë se gjithçka është vepër e Perëndisë; po ashtu si kur Pavli thotë «I la në një mendje të përdalë» dhe «Ua verboi mendjet», nuk kërkohet të paraqitet ai si bërës i saj, po ata që dhanë shkakun; kështu edhe këtu ai përdor shprehjen «Ti i fshehe».

Sepse, meqë kishte thënë «Të falënderoj, sepse ua fshehe këto dhe ua zbulove foshnjave», që të mos pandehësh se ai falënderon sikur të ishte vetë i zhveshur nga kjo fuqi dhe i paaftë ta bënte, thotë:

«Të gjitha m'i dorëzoi Ati im.» Dhe atyre që gëzoheshin se demonët u binden, u thotë: «Përse çuditeni që demonët ju nënshtrohen? Të gjitha janë të miat: ‹Të gjitha m'i dorëzoi Ati im›.»

Por, kur dëgjon «u dorëzuan», mos merr me mend asgjë njerëzore. Sepse ai e përdor këtë shprehje që të mos përfytyrosh dy Perëndi pa fillim. Sepse, që ai ishte njëkohësisht i lindur dhe Zot i të gjithave, e shpall me shumë mënyra edhe në vende të tjera.

2. Pastaj thotë diçka edhe më të madhe se kjo, tek ta ngre mendjen lart: «Edhe askush nuk e njeh Birin, veç Atit; as Atin nuk e njeh askush, veç Birit.» Kjo, të paditurit i duket vërtet e palidhur me atë që u tha më parë, por është në pajtim të plotë me të. Ja se si: pasi tha «Të gjitha m'i dorëzoi Ati im», shton: «Dhe ç'çudi, thotë, në qoftë se jam Zot i të gjithave? Unë që kam edhe një dhunti tjetër më të madhe: e njoh Atin dhe jam i njëqenshëm me të.» Po, sepse edhe këtë e tregon tërthorazi me atë që ishte i vetmi që e njihte kështu. Sepse ky është kuptimi kur thotë «Askush nuk e njeh Atin veç Birit».

Dhe shih se në ç'kohë i thotë këto. Kur ata, nga veprat e tij, kishin marrë provën e sigurt të fuqisë së tij, jo vetëm tek e shihnin të bënte mrekulli, po edhe kur qenë pajisur në emrin e tij me fuqi kaq të mëdha. Atëherë, meqë kishte thënë «Ua zbulove foshnjave», tregon se edhe kjo i takon atij vetë; sepse «askush nuk e njeh Atin, thotë, veç Birit dhe atij që Biri do t'ia zbulojë»; jo «atij që i urdhërohet», «atij që i porositet». Por, në qoftë se ai e zbulon Atin, atëherë zbulon edhe veten. Megjithatë njërën e la si të mirëqenë, kurse tjetrën e theksoi. Dhe kudo e pohon këtë, si kur thotë: «Askush nuk vjen tek Ati, veçse nëpërmjet meje.»

Dhe me këtë vërteton edhe një gjë tjetër: se është në harmoni e me një mendje me të. «Ja, thotë, unë jam aq larg nga të luftuarit e nga të grindurit me të, sa askush s'mund të vijë as tek ai veçse nëpërmjet meje.» Sepse, meqë kjo i fyente më së shumti, që ai dukej si një Perëndi kundërshtar, ai e heq me çdo mënyrë këtë; dhe u mor me të jo më pak me zell, po edhe më shumë se me mrekullitë e tij.

Por, kur thotë «As Atin nuk e njeh askush, veç Birit», nuk do të thotë se gjithë njerëzit nuk e njihnin, po se me atë njohje me të cilën ai e njeh, askush s'e njeh; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Birin. Sepse ai nuk fliste për ndonjë Perëndi të panjohur e të pazbuluar për askënd, siç thotë Markioni, po lë të kuptohet përsosmëria e njohjes, sepse as ne nuk e njohim Birin ashtu si duhet të njihet; dhe pikërisht këtë, pa shtuar më tepër, e shpallte Pavli kur thoshte: «Njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.»

3. Më pas, pasi i solli me fjalët e tij në një dëshirë të zjarrtë dhe pasi u tregoi fuqinë e vet të patregueshme, i fton, duke thënë: «Ejani tek unë, të gjithë ju që lodheni e që jeni të ngarkuar, dhe unë do t'ju jap prehje.» Jo këtë a atë njeri, po të gjithë ata që janë në ankth, në dhembje, në mëkate. Ejani, jo që t'ju kërkoj llogari, po që t'jua heq mëkatet; ejani, jo se dua nderin tuaj, po se dua shpëtimin tuaj. «Sepse unë, thotë, do t'ju jap prehje.» Nuk tha vetëm «do t'ju shpëtoj», po diçka shumë më tepër: «do t'ju vë në çdo siguri.»

«Merrni zgjedhën time mbi vete dhe mësoni prej meje, se jam zemërbutë dhe i përulur në zemër; dhe do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.» Kështu, «mos kini frikë, thotë, kur dëgjoni për një zgjedhë, sepse është e ëmbël; mos u trembni se thashë ‹barrë›, sepse është e lehtë.»

Po si tha më parë «Porta është e ngushtë dhe udha e shtrënguar»? Sepse je i shkujdesur, sepse je i plogësht; kurse, po t'i zbatosh siç duhet fjalët e tij, barra do të jetë e lehtë; prandaj edhe tani e quajti ashtu.

Po si zbatohen siç duhet? Në qoftë se bëhesh i përulur, zemërbutë e i butë. Sepse ky virtyt është nëna e çdo rreptësie të jetës. Prandaj edhe, kur nisi ato ligje hyjnore, me këtë nisi. Edhe këtu bën po atë gjë, dhe shpërblimi që cakton është jashtëzakonisht i madh. «Sepse, thotë, jo vetëm i bëhesh i dobishëm tjetrit, po mbi të gjitha çlodh edhe veten. Sepse do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.»

Madje para të mirave që vijnë, ai të jep që këtu shpërblimin dhe ta dhuron çmimin që tani, tek e bën fjalën të pranueshme si me këtë, ashtu edhe duke e vënë veten si shembull. Sepse «nga se ke frikë, thotë, mos vallë të dalësh i humbur nga përulja jote? Shih mua dhe gjithçka që është imja; mëso prej meje, dhe atëherë do ta dish qartë sa i madh është bekimi yt.» A e sheh se si i çon me çdo mënyrë drejt përulësisë? Me veprat e tij: «Mësoni prej meje, se jam zemërbutë.» Me atë që do të fitojnë vetë ata: «Do të gjeni, thotë, prehje për shpirtrat tuaj.» Me atë që u dhuron: «Edhe unë do t'ju çlodh», thotë. Duke e bërë të lehtë: «Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.» Po kështu bën edhe Pavli, duke thënë: «Sepse mundimi ynë i tanishëm dhe i lehtë, që zgjat vetëm një çast, na sjell një peshë lavdie tejet të madhe e të përjetshme.»

Po si është e lehtë barra, mund të thotë dikush, kur ai thotë «Në qoftë se ndonjë s'e urren të atin e të ëmën», dhe «Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen pas meje, s'është i denjë për mua», dhe «Kush nuk heq dorë nga gjithçka që ka, s'mund të jetë nxënësi im», kur na urdhëron të japim madje edhe vetë jetën? Le të të mësojë Pavli, që thotë: «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Vështirësia, a shtrëngimi, a përndjekja, a uria, a lakuriqësia, a rreziku, a shpata?» Dhe se «Mundimet e kësaj kohe të tanishme s'janë të denja të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet tek ne.» Le të të mësojnë ata që kthehen nga këshilli i hebrenjve pas shumë kamxhikësh dhe «gëzohen se u çmuan të denjë të pësojnë turp për emrin e Krishtit». Dhe në qoftë se ende ke frikë e dridhesh kur dëgjon për zgjedhën e barrën, frika nuk vjen nga natyra e gjësë, po nga plogështia jote; sepse, po të jesh gati e me zell, gjithçka do të të jetë e lehtë e pa peshë. Prandaj edhe Krishti, që të tregojë se edhe ne duhet të mundohemi vetë, nuk përmendi vetëm gjërat e hirshme e pastaj heshti, as vetëm gjërat e dhembshme, po i vuri të dyja. Kështu foli si për një «zgjedhë» dhe e quajti «të ëmbël», ashtu edhe përmendi një barrë dhe shtoi se ishte «e lehtë»; që të mos ikësh prej tyre si të lodhshme, as të mos i përçmosh si tepër të lehta.

Por, në qoftë se edhe pas gjithë kësaj virtyti të duket ty gjë e mërzitshme, mendo se vesi është edhe më i mërzitshëm. Dhe pikërisht këtë linte të kuptohej, kur nuk tha më parë «Merrni zgjedhën time mbi vete», po përpara asaj «Ejani, ju që lodheni e që jeni të ngarkuar»; tek jepte të kuptohej se edhe mëkati ka lodhje dhe një barrë të rëndë e të vështirë për t'u mbajtur. Sepse nuk tha vetëm «ju që lodheni», po edhe «që jeni të ngarkuar». Për këtë fliste edhe profeti, kur, tek e përshkruante natyrën e tij, tha: «Si një barrë e rëndë më rënduan.» Edhe Zaharia, tek e përshkruan, thotë se është «një talent plumbi».

Për më tepër, këtë e provon vetë përvoja. Sepse asgjë nuk e rëndon shpirtin e nuk e shtyp poshtë aq sa ndërgjegjja e mëkatit; asgjë s'i jep krahë e s'e ngre lart aq sa arritja e drejtësisë dhe e virtytit.

Dhe vëri re: çfarë është më e rëndë, të lutem, se të mos zotërosh asgjë? Se ta kthesh faqen dhe, kur të godasin, të mos godasësh prapa? Se të vdesësh me vdekje të dhunshme? E megjithatë, po të ushtrojmë vetëpërmbajtjen, të gjitha këto janë të lehta, të thjeshta e të këndshme.

Por mos u shqetësoni; më mirë le t'i marrim një nga një këto dhe le të pyesim me saktësi për secilën; e, po deshët, së pari atë që shumëkush e quan më të dhembshmen. Cila, pra, nga të dyja, më thoni, është e rëndë e barrë: të kujdesesh për një bark, apo të biesh në ankth për dhjetë mijë? Të vishesh me një rrobë të vetme e të mos kërkosh gjë më tepër, apo, tek ke shumë në shtëpi, të vajtosh çdo ditë e natë me frikë e me dridhje për ruajtjen e tyre, i brengosur e gati të mbytesh nga humbja e tyre, se mos i hanë tenjat, se mos ndonjë shërbëtor t'i vjedhë e të ikë me to?

4. Por, çfarëdo që të them, fjala ime nuk do të sjellë një provë të tillë sa vetë prova në jetë. Prandaj do të doja të ishte i pranishëm këtu me ne ndonjëri prej atyre që kanë arritur atë majë të vetëpërmbajtjes, e atëherë do ta dinit me siguri kënaqësinë e saj; dhe se asnjë nga ata që janë dashuruar pas varfërisë vullnetare nuk do ta pranonte pasurinë, edhe sikur dhjetë mijë veta t'ia ofronin.

Po a do të pranonin këta, thoni ju, të bëhen ndonjëherë të varfër e të flakin tej ankthet që kanë? E ç'me kaq? Kjo është vetëm provë e marrisë dhe e sëmundjes së tyre të rëndë, jo se ka gjë fort të këndshme në atë punë. Dhe këtë do të na e dëshmonin edhe vetë ata, që përditë vajtojnë për këto ankthet e tyre dhe e quajnë jetën e tyre të pavlerë për t'u jetuar. Po jo ashtu ata të tjerët; përkundrazi, qeshin, hidhen nga gëzimi, dhe ata që mbajnë diademën nuk lëvdohen aq sa lëvdohen këta me varfërinë e tyre.

Përsëri, ta kthesh faqen është, për atë që vë vesh, gjë më pak e rëndë se ta godasësh tjetrin; sepse me të goditurin fillon grindja, kurse me kthimin e faqes ajo merr fund: kur godet, ti ndez edhe zjarrin e tjetrit; kur e kthen faqen, shuan edhe flakët e tua vetë. Po se të mos digjesh është gjë më e këndshme se të digjesh, kjo, sigurisht, është e qartë për çdo njeri. E, në qoftë se kjo vlen për trupat, aq më tepër për shpirtin.

Dhe cila është më e lehtë: të luftosh, apo të kurorëzohesh? Të ndeshesh, apo të marrësh çmimin? Të durosh dallgët, apo të hysh në liman? Prandaj edhe të vdesësh është më mirë se të rrosh. Sepse vdekja na tërheq nga dallgët e nga rreziqet, kurse jeta na i shton dhe e bën njeriun pre të kurtheve e të mundimeve të panumërta, që e kanë bërë jetën të pavlerë për t'u jetuar, sipas teje.

Dhe në qoftë se s'u beson fjalëve tona, dëgjo ata që i kanë parë fytyrat e martirëve në kohën e ndeshjeve të tyre: se si, kur i fshikullonin e u rripnin lëkurën, ishin tepër të gëzuar e të lumtur, dhe, kur i vinin mbi hekura të nxehta, ngazëllonin e gëzoheshin në zemër më shumë se ata që dergjen mbi një shtrat me trëndafila. Prandaj edhe Pavli tha, kur ishte gati të ikte prej kësaj bote e ta mbyllte jetën me vdekje të dhunshme: «Gëzohem dhe ngazëllohem bashkë me ju të gjithë; për të njëjtën gjë edhe ju gëzohuni e ngazëllohuni bashkë me mua.» A e sheh me ç'forcë të jashtëzakonshme fjale e fton gjithë botën të marrë pjesë në gëzimin e tij? Kaq të madhe e njihte të mirën e ikjes së tij prej kësaj bote, kaq të dëshirueshme, të dashur e të denjë për lutje e njihte atë gjë të tmerrshme, vdekjen.

5. Po se zgjedha e virtytit është e ëmbël dhe e lehtë, kjo duket edhe në shumë mënyra të tjera; e, për të përfunduar, po deshët, le t'u hedhim një sy edhe barrëve të mëkatit. Le të sjellim, pra, lakmitarët, ata që tregtojnë e rishesin me pazare të pandershme. Ç'barrë do të ishte më e rëndë se punë të tilla? Sa hidhërime, sa ankthe, sa zhgënjime, sa rreziqe, sa kurthe e lufta lindin përditë nga këto fitime? Sa telashe e trazira? Sepse, ashtu si nuk mund ta shohësh kurrë detin pa dallgë, po kështu s'e sheh një shpirt të tillë pa ankth, pa ligështi, pa frikë e pa trazirë; madje e dyta zë të parën, e sërish dalin të tjera, dhe, kur ende s'kanë pushuar këto, të tjera vijnë në kulm.

Apo do të doje t'i shihje shpirtrat e sharësve dhe të njerëzve gjaknxehtë? Po ç'është më keq se ky mundim? Ç'është më keq se plagët që kanë përbrenda? Se furra që digjet pareshtur dhe flaka që nuk shuhet kurrë?

Apo shpirtrat e epshorëve dhe të atyre që ngjiten pas kësaj jete të tanishme? Po ç'është më e rëndë se ky skllavërim? Ata bëjnë jetën e Kainit, tek rrojnë në një dridhje e frikë të pandërprerë sa herë që ndodh ndonjë vdekje; të afërmit e të vdekurit nuk vajtojnë aq sa vajtojnë këta për fundin e vet.

Cili, përsëri, është më plot trazirë e më i çmendur se ata që janë fryrë nga mendjemadhësia? «Sepse mësoni, thotë, prej meje, se jam zemërbutë dhe i përulur në zemër, dhe do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.» Sepse zemërgjerësia është nëna e çdo të mire.

Prandaj mos ki frikë dhe mos ik nga zgjedha që të lehtëson prej gjithë këtyre gjërave, po vëru poshtë saj me gjithë gatishmëri, e atëherë do ta njohësh mirë kënaqësinë e saj. Sepse ajo nuk ta plagos aspak qafën, po të vihet vetëm për hir të rregullit: që të bindë të ecësh me hijeshi e të të prijë në udhën mbretërore, të të ruajë nga greminat anash e të bëjë të ecësh lehtë në udhën e ngushtë.

Meqë, pra, kaq të mëdha janë të mirat e saj, kaq e madhe siguria e saj, kaq i madh gëzimi i saj, le ta tërheqim me gjithë shpirt, me gjithë zell këtë zgjedhë, që edhe këtu të «gjejmë prehje për shpirtrat tanë», edhe të arrijmë të mirat që do të vijnë, me anë të hirit dhe të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe pushteti, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it