Të gjitha letrat

Shën Joan Gojarti

Mateu 1:22, 23

1. Dëgjoj shumë veta që thonë: «Sa jemi këtu e gëzojmë hirin e të dëgjuarit, na pushton droja e shenjtë, por, sapo dalim, bëhemi përsëri njerëz të ndryshuar dhe flaka e zellit na shuhet.» Ç'mund të bëhet, pra, që kjo të mos ndodhë? Le të shohim nga buron. Nga vjen, pra, një ndryshim kaq i madh te ne? Nga mënyra e pahijshme si e kalojmë kohën dhe nga shoqëria e njerëzve të këqij. Sepse, sapo largohemi nga shërbesa, nuk duhet të zhytemi menjëherë në punë që nuk i shkojnë asaj, por, posa të kthehemi në shtëpi, të marrim në duar Shkrimin e Shenjtë e të thërrasim gruan dhe fëmijët që të rendisim bashkë ato që dëgjuam, dhe vetëm atëherë, jo më parë, të futemi në punët e jetës.

Sepse, ashtu siç nuk do të donit të nxitonit në treg pas banjës, që rrëmuja e tregut të mos ju prishte freskinë e fituar prej saj, po ashtu, madje shumë më tepër, duhet të veprojmë pas shërbesës. Por ja, ne bëjmë të kundërtën dhe, pikërisht kështu, e hedhim tej gjithçka. Sepse, ndërsa dobia e asaj që na u tha nuk është ngulitur ende mirë, forca e madhe e gjërave që na shtyjnë nga jashtë i fshin krejt të gjitha.

Që të mos ndodhë kjo, kur largoheni nga shërbesa, asgjë s'duhet ta çmoni më të nevojshme sesa të rendisni bashkë ato që ju janë thënë. Vërtet, do të ishte marrëzia më e madhe që, ndërsa i japim pesë e madje gjashtë ditë punëve të kësaj jete, të mos u kushtojmë gjërave shpirtërore as edhe një ditë të vetme, ose më mirë, as edhe një pjesë të vogël të një dite. A nuk i shihni fëmijët tanë, se çfarëdo mësimi t'u jepet, atë e mësojnë tërë ditën? Le të bëjmë, pra, edhe ne kështu, sepse përndryshe s'do të nxjerrim asnjë dobi nga ardhja këtu, duke mbushur çdo ditë ujë në një enë të shpuar dhe duke mos treguar, për të ruajtur atë që dëgjuam, as edhe aq zell sa tregojmë haptazi për arin e argjendin. Sepse kushdo që merr disa monedha, i fut në një qese dhe u vë vulë; kurse ne, ndonëse na janë dhënë fjalë hyjnore më të çmuara se ari a se gurët e shtrenjtë, dhe ndonëse marrim thesaret e Frymës, nuk i vëmë në hambaret e shpirtit tonë, por, pa kujdes e rastësisht, i lëmë të na ikin nga mendja. Kush do të na mëshirojë, pra, pas gjithë kësaj, ne që bëhemi armiq të së mirës sonë e që e hedhim veten në një varfëri kaq të thellë? Prandaj, që të mos jetë kështu, le ta shkruajmë si ligj të pandryshueshëm për veten, për gratë e për fëmijët tanë, që t'ia kushtojmë tërë këtë ditë të javës të dëgjuarit dhe rikujtimit të gjërave që dëgjuam. Sepse kështu do t'i afrohemi më të përgatitur asaj që do të thuhet më pas; dhe për ne mundi do të jetë më i vogël, kurse për ju dobia më e madhe, kur, duke mbajtur në mend atë që u tha së fundi, të dëgjoni si duhet atë që vjen më pas. Sepse edhe kjo ndihmon jo pak për të kuptuar atë që thuhet, kur ta njihni me saktësi lidhjen e mendimeve, që ne përpiqemi t'i thurim bashkë për ju. Sepse, meqë s'është e mundur të parashtrohet gjithçka në një ditë të vetme, ju duhet që, me kujtim të vazhdueshëm, t'i lidhni si një zinxhir gjërat që ju vihen përpara ndër shumë ditë, e ta mbështillni atë rreth shpirtit tuaj, që trupi i Shkrimeve të duket i tërë.

Prandaj, as sot le të mos kalojmë te temat që kemi përpara, pa rikujtuar më parë atë që u tha së fundi.

2. Po cilat janë gjërat që kemi përpara sot? «Gjithë kjo ndodhi, që të përmbushej ajo që u tha prej Zotit me anë të profetit, i cili thotë:» Me një ton të denjë për mrekullinë, e ngriti zërin me gjithë fuqinë e tij, duke thënë: «Gjithë kjo ndodhi». Sepse, kur pa detin dhe humnerën e dashurisë së Perëndisë për njeriun, kur pa se ndodhi vërtet ajo që s'ishte pritur kurrë, se u thyen ligjet e natyrës, se u bënë pajtime, se Ai që është mbi të gjithë zbriti tek ai që është më poshtë se të gjithë, se «u rrëzuan muret ndarëse në mes», se u hoqën pengesat, dhe se u bënë shumë gjëra të tjera veç këtyre, me një fjalë të vetme na e vuri përpara mrekullinë, duke thënë: «Gjithë kjo ndodhi, që të përmbushej ajo që u tha prej Zotit». Sepse, «mos mendoni», thotë ai, «se këto gjëra u vendosën vetëm tani; ato ishin parafiguruar që në kohët e lashta». Të njëjtën gjë përpiqet ta provojë Pavli kudo.

Dhe engjëlli vazhdon ta drejtojë Josifin te Isaia, që të mund të mbante thelbin e asaj që i ishte thënë, edhe sikur, kur të zgjohej, t'i harronte fjalët e engjëllit si të thëna rishtas, duke i sjellë ndër mend ato të profetit, me të cilat ishte ushqyer vazhdimisht. Gruas nuk ia përmendi asnjë nga këto gjëra, sepse ishte një vashë e re dhe e panjohur me këto, kurse burrit, si njeri i drejtë dhe njohës i profetëve, mbi to mbështet arsyetimin. Dhe më parë thotë «Maria, gruaja jote», kurse tani, kur i solli para syve profetin, ia beson emrin e virgjërisë; sepse Josifi nuk do të kishte mbetur kaq i patundur, kur dëgjoi prej tij për një virgjëreshë, po të mos e kishte dëgjuar më parë edhe nga Isaia. Sepse, në të vërtetë, ajo që do të dëgjonte nga profetët nuk ishte gjë e re, por diçka e njohur për të, që prej kohësh ishte lëndë e mendimeve të tij. Për këtë arsye engjëlli, që ta bënte të lehtë për t'u pranuar atë që tha, sjell në mes Isainë. Dhe as këtu nuk ndalet, por e lidh fjalën me Perëndinë. Sepse thënien nuk e quan të Isaisë, por të Perëndisë së të gjitha gjërave. Për këtë arsye nuk tha «që të përmbushej ajo që u tha prej Isaisë», por «ajo që u tha prej Zotit». Sepse goja, vërtet, ishte e Isaisë, por fjala vinte prej së larti.

3. Ç'thotë, pra, kjo fjalë hyjnore? «Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një bir, dhe do ta quajnë Emanuel.»

Si ka mundësi, pra, mund të thotë ndokush, që emri i tij nuk u quajt Emanuel, por Jisu Krisht? Sepse nuk tha «do ta quash ti», por «do ta quajnë», domethënë turma dhe rrjedha e ngjarjeve. Sepse këtu ngjarjen e vë si emër; dhe kjo është gjë e zakonshme në Shkrim, të vihen ngjarjet që ndodhin në vend të emrave.

Prandaj, të thuash se «do ta quajnë» Emanuel, s'do të thotë gjë tjetër veçse do ta shohin Perëndinë mes njerëzve. Sepse Ai, vërtet, ka qenë përherë mes njerëzve, por kurrë kaq haptas.

Por, po të jenë hebrenjtë kokëfortë, do t'i pyesim: kur u quajt fëmija «Nxito te plaçka, shpejto te preja»? Nuk do të dinin ç'të përgjigjeshin. Si ka mundësi, atëherë, që profeti tha «Quaje me emrin Maher-Shalal-Hash-Baz»? Sepse, kur ai lindi, u bë marrja dhe ndarja e plaçkës; prandaj ngjarja që ndodhi në kohën e tij vihet si emri i tij. Edhe qyteti, thuhet, do të quhet «qyteti i drejtësisë, qyteti besnik Sion». E megjithatë, askund nuk gjejmë se qyteti u quajt «drejtësi», por vazhdoi të quhej Jerusalem. Sidoqoftë, meqë kjo ndodhi vërtet, kur qyteti ndryshoi për më mirë, pikërisht prandaj thotë se quhet kështu. Sepse, kur ndodh një ngjarje që e dallon më qartë se emri atë që e sjell ose atë që përfiton prej saj, Shkrimi e quan të vërtetën e ngjarjes si emër të tij.

4. Por, nëse, kur t'u zihet goja mbi këtë pikë, kërkojnë një tjetër, domethënë atë që thuhet për virgjërinë e Marisë, dhe na kundërshtojnë me përkthyes të tjerë, duke thënë se ata nuk përdorën fjalën «virgjëreshë», por «grua e re», së pari do t'u themi këtë: se të Shtatëdhjetët me të drejtë meritojnë besim mbi të gjithë të tjerët. Sepse këta e bënë përkthimin e tyre pas ardhjes së Krishtit, duke mbetur hebrenj, dhe me të drejtë mund të dyshohen se folën më tepër nga armiqësia dhe se i errësuan profecitë me qëllim; kurse të Shtatëdhjetët, meqë iu vunë kësaj pune njëqind vjet a më shumë para ardhjes së Krishtit, s'mund të dyshohen për asgjë të tillë, dhe, për shkak të kohës, të numrit dhe të pajtimit të tyre, do të kishin më shumë të drejtë të besoheshin.

Por, edhe sikur të sjellin dëshminë e atyre të tjerëve, prapëseprapë shenjat e fitores do të ishin me ne. Sepse Shkrimi e ka zakon të vërë fjalën «rini» në vend të «virgjërisë»; dhe kjo jo vetëm për gratë, por edhe për burrat. Sepse thuhet: «djem të rinj e vasha, pleq bashkë me të rinj». Dhe përsëri, duke folur për vashën që sulmohet, thotë: «po të bërtasë vasha e re», duke nënkuptuar virgjëreshën.

Edhe ajo që i prin e forcon këtë kuptim. Sepse ai nuk thotë thjesht «Ja, Virgjëresha do të mbetet me barrë», por, si tha më parë «Ja, vetë Zoti do t'ju japë një shenjë», atëherë shton: «Ja, Virgjëresha do të mbetet me barrë». Kurse, po të mos ishte virgjëreshë ajo që do të lindte, por kjo të ndodhte me anë të martesës, ç'lloj shenje do të ishte ngjarja? Sepse ajo që është shenjë duhet, sigurisht, të jetë përtej rrjedhës së ngjarjeve të zakonshme, duhet të jetë e habitshme dhe e jashtëzakonshme; përndryshe, si mund të ishte shenjë?

5. «Atëherë Josifi, si u ngrit nga gjumi, bëri ashtu si e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit.» A e sheh bindjen dhe mendjen e përulur? A e sheh një shpirt vërtet të zgjuar dhe të pandotur në çdo gjë? Sepse, as kur dyshoi për diçka të dhimbshme a të keqe, s'e duroi ta mbante Virgjëreshën pranë vetes; as, pasi u çlirua nga ky dyshim, s'mundi ta dëbonte, por përkundrazi e mban pranë vetes dhe i shërben gjithë ikonomisë hyjnore.

«Dhe e mori pranë vetes Marinë, gruan e tij.» A e sheh se sa vazhdimisht e përdor Ungjillori këtë fjalë, pa dashur që ai mister të zbulohet ende, dhe duke zhbërë atë dyshim të keq?

Dhe, si e mori, «nuk e njohu, derisa ajo lindi birin e saj të parëlindur». Këtu e ka përdorur fjalën «derisa», jo që ti të dyshosh se më pas e njohu, por që të të bëjë të ditur se para lindjes Virgjëresha ishte krejtësisht e paprekur nga burrë. Po pse, atëherë, mund të thuhet, e përdori fjalën «derisa»? Sepse në Shkrim është gjë e zakonshme ta bësh shpesh këtë dhe ta përdorësh këtë shprehje pa iu referuar kohëve të caktuara. Kështu edhe për arkën thuhet: «Korbi nuk u kthye, derisa u tha toka». E megjithatë, ai nuk u kthye as pas asaj kohe. Dhe, kur flet edhe për Perëndinë, Shkrimi thotë: «Nga shekulli deri në shekull Ti je», jo se cakton kufij në këtë rast. Dhe përsëri, kur e shpall Ungjillin që më parë, duke thënë: «Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia dhe do të ketë paqe me bollëk, derisa të hiqet hëna», nuk i vë kufi kësaj pjese të bukur të krijimit. Kështu, pra, edhe këtu e përdor fjalën «derisa», për të bërë të sigurt atë që ishte para lindjes, kurse për atë që vjen pas, të lë ty ta nxjerrësh vetë përfundimin. Kështu, atë që ishte e nevojshme të mësoje për Të, këtë e tha Ai vetë: se Virgjëresha mbeti e paprekur nga burrë deri në lindje; kurse atë që dukej si rrjedhojë e thënies së parë dhe që pranohej, këtë nga ana e vet ta lë ty ta kuptosh; domethënë, se as pas kësaj, kur ajo u bë nënë në atë mënyrë dhe u çmua e denjë për një dhembje lindjeje të re e për një lindje kaq të çuditshme, nuk do të kishte duruar kurrë ai njeri i drejtë ta njihte. Sepse, po ta kishte njohur dhe po ta kishte mbajtur në vend gruaje, si ka mundësi që Zoti ynë ia beson atë, si të pambrojtur e pa njeri, nxënësit të Tij, dhe e urdhëron ta marrë në shtëpinë e vet?

Si ka mundësi, atëherë, mund të thotë ndokush, që Jakovi dhe të tjerët quhen vëllezër të Tij? Në po atë mënyrë siç edhe vetë Josifi pandehej burri i Marisë. Sepse shumë ishin perdet e vëna, që lindja, e tillë siç ishte, të mbetej për një kohë e mbuluar. Prandaj edhe Joani i quajti kështu, duke thënë: «Sepse as vëllezërit e Tij nuk besonin në Të.»

6. Megjithatë, ata që në fillim nuk besuan, u bënë më pas të admirueshëm dhe të shquar. Së paku, kur Pavli dhe shokët e tij u ngjitën në Jerusalem për vendimet, shkuan menjëherë te Jakovi. Sepse ai ishte aq i çmuar, sa qe i pari që iu besua detyra e peshkopit. Dhe thonë se ai iu dha një jete kaq të ashpër, saqë edhe gjymtyrët e tij u bënë të gjitha si të vdekura, dhe se, nga lutja e tij e pandërprerë dhe nga prekja e vazhdueshme me dhe, balli iu ashpërsua aq shumë, sa nuk ishte në gjendje më të mirë se gjunjët e një deveje, thjesht ngaqë e rrihte kaq shumë pas tokës. Ky njeri i jep udhëzime vetë Pavlit, kur ky u ngjit sërish në Jerusalem, duke i thënë: «E sheh, o vëlla, sa mijëra janë ata që janë mbledhur.» Kaq e madhe ishte mençuria dhe zelli i tij, ose më mirë, kaq e madhe ishte fuqia e Krishtit. Sepse ata që e përqeshin kur ishte gjallë, pas vdekjes së Tij mbushen me aq nderim të shenjtë, sa vdesin për Të me gatishmëri të jashtëzakonshme. Gjëra të tilla, më shumë se çdo tjetër, tregojnë fuqinë e Ngjalljes së Tij. Sepse kjo, e shihni, ishte arsyeja pse gjërat më të lavdishme u ruajtën për më vonë: që kjo provë të bëhej e pakundërshtueshme. Sepse, po të shohim se edhe ata që i admirojmë ndër ne sa janë gjallë, kur ikin, priremi t'i harrojmë, si ka mundësi që ata, të cilët nuk e përfillën këtë Njeri kur ishte gjallë, më pas e menduan Perëndi, po të ishte Ai vetëm një nga shumë njerëz? Si ka mundësi që pranuan madje të vriteshin për hir të Tij, po të mos e kishin marrë Ngjalljen e Tij me provë të qartë?

7. Dhe këto gjëra jua themi, që jo vetëm t'i dëgjoni, por edhe të merrni shembull nga ashpërsia e tij burrërore, nga çiltërsia e fjalës së tij, nga drejtësia e tij në çdo gjë; që askush të mos e humbë shpresën për veten, edhe sikur deri tani të ketë qenë i shkujdesur, e që të mos i mbështetë shpresat në asgjë tjetër, pas mëshirës së Perëndisë, veçse në virtytin e vet. Sepse, në qoftë se këta nuk patën asnjë dobi nga një farefisni e tillë, ndonëse ishin nga e njëjta shtëpi dhe fis me Krishtin, derisa dëshmuan virtyt, ç'favor mund të marrim ne, kur mbrohemi me farefis e vëllezër të drejtë, po të mos jemi tejet të përkushtuar dhe të kemi jetuar në virtyt? Siç tha edhe profeti, duke lënë të kuptohej po e njëjta gjë: «Vëllai nuk shpengon; a do të shpengojë njeriu?» Jo, edhe sikur të ishte Moisiu, Samueli a Jeremia. Dëgjo, për shembull, çfarë i thotë Perëndia këtij të fundit: «Mos u lut ti për këtë popull, sepse nuk do të të dëgjoj.» Dhe pse çuditesh që s'të dëgjoj? «Edhe sikur vetë Moisiu dhe Samueli të rrinin para meje», nuk do ta pranoja lutjen e tyre për këta njerëz. Po, në qoftë Ezekieli ai që lutet, do t'i thuhet: «Edhe sikur të dilnin përpara Noeu, Jobi dhe Danieli, ata s'do të shpëtonin as bij, as bija.» Edhe sikur patriarku Abraham të lutej për ata që janë sëmurë pashërueshëm dhe nuk ndryshojnë, Perëndia do ta linte e do të shkonte në udhën e Vet, që të mos e dëgjonte thirrjen e tij për ta. Edhe sikur përsëri Samueli ta bënte këtë, Ai i thotë: «Mos vajto ti për Saulin.» Edhe sikur dikush të lutet për motrën e vet, kur nuk është e udhës, do të marrë prapë të njëjtën përgjigje si Moisiu: «Po të kishte pështyrë i ati vetëm në fytyrën e saj...»

Le të mos rrimë, pra, gojëhapur drejt të tjerëve. Sepse është e vërtetë se lutjet e shenjtorëve kanë fuqinë më të madhe, por me kusht që ne të pendohemi e të përmirësohemi. Sepse edhe Moisiu, i cili e kishte shpëtuar vëllanë e vet dhe gjashtëqind mijë burra nga zemërimi që po u vinte atëherë prej Perëndisë, s'pati fuqi ta shpëtonte motrën e vet; e megjithatë mëkati s'ishte i njëjtë, sepse ajo i kishte bërë të keqen vetëm Moisiut, kurse në rastin tjetër ishte paperëndishmëri e hapur ajo që guxuan të bënin. Por këtë vështirësi po jua lë juve; ndërsa atë që është edhe më e vështirë, do të përpiqem ta shpjegoj.

Po pse të flasim për motrën e tij? Sepse ai që u ngrit si mbrojtësi i një populli kaq të madh nuk pati fuqi të fitonte për veten, por, pas mundimeve e vuajtjeve të tij të panumërta dhe pas këmbënguljes dyzetvjeçare, u ndalua të shkelte në atë tokë, për të cilën ishin dhënë kaq shumë shpallje e premtime. Cila ishte, pra, arsyeja? T'ia jepte këtë të mirë s'do të ishte me dobi, por, përkundrazi, do të sillte shumë dëm dhe pa dyshim do të bëhej gur pengese për shumë prej hebrenjve. Sepse, në qoftë se, kur sapo u çliruan nga Egjipti, e braktisën Perëndinë e kërkuan Moisiun dhe ia veshën gjithçka atij, po ta kishin parë atë t'i çonte edhe në tokën e premtimit, në ç'humnerë paperëndishmërie s'do të ishin zhytur? Dhe pikërisht për këtë arsye, po e shtoj, nuk u bë e ditur as varri i tij.

Dhe Samueli, përsëri, nuk mundi ta shpëtonte Saulin nga zemërimi prej së larti, e megjithatë shpesh i ruajti izraelitët. Dhe Jeremia nuk fitoi për hebrenjtë, por ndoshta mbrojti dikë tjetër nga e keqja me anë të profecisë së tij. Dhe Danieli i shpëtoi barbarët nga masakra, por nuk i çliroi hebrenjtë nga robëria e tyre.

Edhe në Ungjijtë do t'i shohim të dyja këto raste të ndodhin, jo te njerëz të ndryshëm, por te i njëjti njeri: po ai njeri një herë fiton për veten e një herë tjetër braktiset. Sepse ai që i detyrohej dhjetë mijë talenta, ndonëse e kishte shpëtuar veten nga rreziku me anë të lutjes, prapë s'fitoi; kurse një tjetër, përkundrazi, që më parë e kishte hedhur veten tej, më pas pati fuqi ta ndihmonte veten në shkallën më të lartë. Po kush është ky? Ai që përpiu pasurinë e të atit.

Kështu, nga njëra anë, po të jemi të shkujdesur, s'do të mund ta arrijmë shpëtimin, madje as me ndihmën e të tjerëve; nga ana tjetër, po të jemi të kujdesshëm, do të mund ta bëjmë këtë vetë, madje më shumë vetë sesa me anë të të tjerëve. Po, sepse Perëndia është më i gatshëm të na japë hirin e Tij neve, sesa t'ua japë të tjerëve për ne; që ne, duke u përpjekur vetë të largojmë zemërimin e Tij, të kemi njëkohësisht guxim para Tij dhe të bëhemi njerëz më të mirë. Kështu e mëshiroi gruan kananease, kështu shpëtoi laviren, kështu kusarin, kur s'kishte njeri që të bëhej ndërmjetës a mbrojtës.

8. Dhe këtë e them jo që të mos u lutemi shenjtorëve, por që të mos jemi të shkujdesur e t'ua besojmë punët tona vetëm të tjerëve, kurse vetë rrimë pas dore e dremitim. Sepse, kur Ai tha «bëni miq për veten tuaj», nuk u ndal vetëm këtu, por shtoi «me mamonin e padrejtësisë», që përsëri vepra e mirë të jetë e jotja; sepse këtu s'ka nënkuptuar gjë tjetër veç lëmoshës. Dhe, çka është për t'u çuditur, as nuk na kërkon llogari të rreptë, po të tërhiqemi nga padrejtësia. Sepse ajo që thotë Ai është si kjo: «Fitove keq? Shpenzo mirë. Mblodhe me padrejtësi? Shpërnda me drejtësi.» E megjithatë, ç'lloj virtyti është ky, të japësh nga fitime të tilla? Por Perëndia, plot dashuri për njeriun, ulet edhe deri këtu, dhe, po të veprojmë kështu, na premton shumë të mira. Por ne jemi bërë aq të pandjeshëm, sa nuk japim as edhe nga fitimi ynë i padrejtë, por, ndërsa plaçkitim pa fund, po të japim pjesën më të vogël, mendojmë se i kemi kryer të gjitha. A nuk e ke dëgjuar Pavlin që thotë: «Ai që mbjell me kursim, me kursim edhe do të korrë»? Përse, pra, kursen? Vallë, a është kjo harxhim? A është shpenzim? Jo, është fitim dhe tregti e mbarë. Aty ku ka tregti, ka edhe shtim; aty ku ka të mbjellë, ka edhe të korrë. Por ti, po të kishe për të punuar një tokë të pasur e të thellë, të zonja të priste shumë farë, do të shpenzoje edhe atë që ke, do të merrje edhe hua nga të tjerët, duke e quajtur koprracinë në raste të tilla humbje; por, kur është Qielli ai që do të lëvrosh, i cili nuk njeh asnjë ndryshim moti dhe pa dyshim do të ta shpërblejë harxhimin me shtim të bollshëm, ti je i ngadaltë e i prapambetur, dhe nuk mendon se, duke kursyer, mund të humbësh, kurse, duke mos kursyer, mund të fitosh.

9. Shpërnda, pra, që të mos humbësh; mos mbaj, që të mbash; harxho, që të kursesh; shpenzo, që të fitosh. Në qofshin thesaret e tua për t'u grumbulluar, mos i grumbullo ti, sepse pa dyshim do t'i humbësh; por ia beso Perëndisë, sepse prej andej askush s'i plaçkit. Mos bëj tregti ti, sepse s'di aspak të fitosh; por jepi hua Atij që jep një kamatë më të madhe se vetë shuma. Jep hua atje ku s'ka zili, s'ka padi, as qëllim të keq, as frikë. Jepi hua Atij që s'ka nevojë për asgjë, e megjithatë ka nevojë për hir tënd; që ushqen të gjithë njerëzit, e megjithatë vetë ka uri, që ti të mos vuash nga uria; që është i varfër, që ti të bëhesh i pasur. Jep hua atje ku ajo që merr s'mund të jetë vdekje, por jetë në vend të vdekjes. Sepse kjo kamatë është pararendëse e një mbretërie, ajo tjetra e ferrit; njëra vjen nga lakmia, tjetra nga vetëmohimi; njëra nga mizoria, tjetra nga njerëzia. Ç'shfajësim do të kemi, pra, kur, ndonëse kemi fuqinë të marrim më shumë, edhe me siguri, edhe në kohën e duhur, edhe me liri të plotë, pa qortime, pa frikë e pa rreziqe, i lëmë të shkojnë këto fitime dhe ndjekim atë llojin tjetër, sa të ulët e të pavlerë, aq të pasigurt e të prishshëm, që na e ndez edhe më tepër furrën e zjarrit? Sepse asgjë, asgjë s'është më e ulët se kamata e kësaj bote, asgjë s'është më mizore. Sepse fatkeqësitë e të tjerëve janë tregtia e një njeriu të tillë; ai bën fitim nga mjerimi i tjetrit dhe kërkon pagë për mirësinë, sikur të kishte frikë se mos duket i mëshirshëm; dhe, nën petkun e mirësisë, e hap gropën edhe më thellë, duke ia rënduar varfërinë njeriut pikërisht me anë të ndihmës, duke e shtyrë poshtë pikërisht kur i zgjat dorën, dhe, kur e pret sikur në liman, e mbyt në det si mbi shkëmb, cektinë a shkëmb nënujor.

«Po ç'kërkon ti?» thotë ndokush. «Që t'ia jap një tjetri për ta përdorur atë para që kam mbledhur e që më vlen, dhe të mos kërkoj asnjë shpërblim?» Aspak, s'e them këtë. Përkundrazi, dëshiroj me gjithë zemër që ti të kesh shpërblim, jo një të vogël a të mjerë, por shumë më të madh; sepse, në vend të arit, do të doja që ti të merrje Qiellin si kamatë. Përse, pra, ta mbyllësh veten në varfëri, duke u zvarritur nëpër tokë e duke kërkuar pak në vend të së madhes? Jo, kjo është punë e atij që s'di të jetë i pasur. Sepse, kur Perëndia, në këmbim të pak parave, të premton të mirat që janë në Qiell, e ti thua «Mos ma jep Qiellin, por, në vend të Qiellit, arin që prishet», kjo është punë e atij që do të mbetet në varfëri. Ashtu si ai që dëshiron pasuri e bollëk, me siguri do të zgjedhë gjërat që qëndrojnë e jo ato që prishen, ato që s'shterojnë e jo ato që treten, të shumtën e jo të paktën, të paprishshmen e jo të prishshmen. Sepse kështu do të vijë pas edhe lloji tjetër. Sepse, ashtu si ai që kërkon tokën para Qiellit do të humbë me siguri edhe tokën, po ashtu ai që e parapëlqen Qiellin ndaj tokës do të gëzojë të dyja me shkëlqim të madh. Dhe, që kjo të ndodhë me ne, le t'i përçmojmë të gjitha gjërat e kësaj bote e të zgjedhim të mirat që do të vijnë. Sepse kështu do t'i marrim edhe njërën edhe tjetrën, me anë të hirit dhe të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it