Të gjitha letrat

Shën Joan Gojarti

Mateu 19:1

Deri atëherë Jisui e kishte lënë vazhdimisht Judenë për shkak të smirës së atyre njerëzve; tani, që nga kjo kohë, e viziton shpesh, sepse Pësimi ishte afër. Megjithatë, për njëfarë kohe nuk ngjitet në Jerusalem, po shkon «në anët e Judesë».

«Dhe kur erdhi, e ndoqën turma të mëdha, edhe ai i shëroi.»

Sepse ai nuk qëndron gjithnjë vetëm në mësimin me fjalë, as vetëm në kryerjen e mrekullueshme të shenjave, po herë bën njërën, herë tjetrën, duke punuar në mënyra të ndryshme shpëtimin e atyre që rrinin pranë tij dhe e ndiqnin. Kështu, me anë të mrekullive dukej si Mësues i denjë për t'u besuar në atë që thoshte, dhe me anë të mësimit të fjalës së tij shtonte dobinë që vinte nga mrekullitë. E gjithë kjo, që t'i çonte për dore te njohja e Perëndisë.

Por vër re edhe këtë, të lutem: si i kalojnë nxënësit turma të tëra me një fjalë të vetme, pa përmendur me emër secilin nga ata që shërohen. Sepse nuk thanë «filani dhe fisteku», po thjesht «shumë veta», duke na mësuar të mos jemi mburravecë. Krishti, ndërkaq, i shëronte, duke u bërë mirë edhe atyre, edhe me anë të tyre shumë të tjerëve; sepse shërimi i sëmundjes së këtyre njerëzve u bë për të tjerët themel për të njohur Perëndinë.

Por jo kështu ndaj farisenjve; përkundrazi, pikërisht për këtë gjë ata bëhen edhe më të egër dhe vijnë tek ai për ta vënë në provë. Sepse, meqë nuk mund të gjenin faj në veprat që bëheshin, i parashtrojnë pyetje. Kështu, «erdhën tek ai dhe, duke e vënë në provë, i thanë: A i lejohet njeriut ta ndajë gruan e vet për çdo shkak?»

O marrëzi! Ata menduan ta heshtnin me pyetjet e tyre, ndonëse tashmë e kishin parë me prova të sigurta këtë fuqi tek ai. Kur u grindën aq shumë për të shtunën, kur thanë «Blasfemon», kur thanë «Ka djall», kur qortuan nxënësit e tij tek ecnin nëpër arat me grurë, kur u grindën për duart e palara: në çdo rast ai ua qepte gojën dhe ua mbyllte gjuhën e paturpshme, dhe kështu i largonte. Megjithatë, as kështu nuk rrinë larg tij. Sepse e tillë është ligësia, e tillë është smira: e paturpshme dhe e pacipë. Edhe sikur ta heshtësh dhjetë mijë herë, dhjetë mijë herë sulmon prapë.

Por vër re, të lutem, edhe dinakërinë e tyre nga mënyra si e bëjnë pyetjen. Sepse nuk i thanë: «Ti urdhërove të mos ndahet gruaja», ndonëse ai vërtet kishte folur më parë për këtë ligj. Këto fjalë nuk i zunë fare në gojë, po morën shkas nga kjo. Duke menduar ta bënin kurthin më të madh dhe duke dashur ta shtrëngonin të kundërshtonte ligjin, nuk thonë: «Përse e vendose këtë a atë?», po, sikur të mos ishte thënë asgjë, pyesin: «A lejohet?» Prisnin që ai ta kishte harruar se e kishte thënë. Ishin gati, po të thoshte nga njëra anë «Lejohet të ndahet», të nxirrnin kundër tij fjalët e veta dhe të thoshin: «Si e pohove, atëherë, të kundërtën?»; po të thoshte tani përsëri po ato si më parë, të nxirrnin kundër tij fjalët e Moisiut.

Çfarë tha, atëherë? Nuk tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë?», ndonëse më vonë e thotë këtë; po këtu nuk flet kështu. Përse vallë? Që bashkë me fuqinë e tij të tregonte edhe butësinë. Sepse ai as nuk hesht gjithnjë, që të mos pandehin se u mbetën të fshehta, as nuk qorton gjithnjë, që të na mësojë t'i durojmë të gjitha me butësi.

Si u përgjigjet, pra? «A nuk keni lexuar se Ai që i bëri që në fillim, i bëri mashkull dhe femër, dhe tha: Prandaj njeriu do të lërë të atin dhe të ëmën, dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish? Kështu që nuk janë më dy, po një mish. Atë, pra, që Perëndia e bashkoi, njeriu të mos e ndajë.»

Shih urtësinë e një mësuesi. Domethënë: kur e pyetën «A lejohet?», nuk tha menjëherë «Nuk lejohet», që të mos shqetësoheshin e të mos hutoheshin, po, para se të jepte vendimin, e bëri të qartë këtë me arsyetimin e tij, duke treguar se edhe kjo është urdhërim i Atit të tij, dhe se nuk i urdhëroi këto gjëra kundër Moisiut, po në pajtim të plotë me të.

Por vër re si arsyeton fuqishëm jo vetëm nga krijimi, po edhe nga urdhërimi i Perëndisë. Sepse nuk tha vetëm se bëri një burrë dhe një grua, po se dha edhe këtë urdhër: që një burrë të bashkohet me një grua. Po të kishte dashur që burri ta ndante këtë dhe të sillte një tjetër, kur bëri një burrë të vetëm, do të kishte formuar shumë gra.

Por tani, si me mënyrën e krijimit, ashtu edhe me mënyrën e dhënies së ligjit, ai tregoi se një burrë duhet të rrojë vazhdimisht me një grua dhe të mos shkëputet kurrë prej saj.

Dhe shih si thotë: «Ai që i bëri që në fillim, i bëri mashkull dhe femër», domethënë, nga një rrënjë e vetme dolën dhe në një trup të vetëm u bashkuan, «sepse të dy do të jenë një mish».

Pastaj, që ta bënte të frikshme t'i gjeje faj kësaj ligjvënieje dhe që ta forconte ligjin, nuk tha: «Mos i ndani, pra, as mos i shkëputni», po: «Atë që Perëndia e bashkoi, njeriu të mos e ndajë».

Po ta nxjerrësh përpara Moisiun, unë të flas për Zotin e Moisiut; dhe bashkë me këtë, mbështetem edhe te koha. Sepse Perëndia që në fillim i bëri mashkull dhe femër; dhe ky ligj është më i vjetër (ndonëse duket sikur po e sjell unë tani), dhe u vendos me shumë kujdes. Sepse jo vetëm ia solli gruan burrit, po urdhëroi edhe të lërë atin dhe nënën. As nuk e bëri ligj thjesht që burri të vinte te gruaja, po edhe «të bashkohej fort me të», duke lënë të kuptohej nga vetë mënyra e të folurit se ata nuk duhen ndarë. Dhe as me kaq nuk u mjaftua, po kërkoi edhe një bashkim tjetër më të madh: «sepse të dy», thotë, «do të jenë një mish».

Pastaj, pasi kishte parashtruar ligjin e lashtë, që u soll si me vepra, ashtu edhe me fjalë, dhe pasi e kishte treguar të denjë për nderim për shkak të atij që e dha, ai vetë tani, me pushtet, e shpjegon dhe e jep ligjin, duke thënë: «Kështu që nuk janë më dy, po një mish». Ashtu si është gjë e tmerrshme të ndash një mish, po ashtu është e paligjshme të ndash gruan. Dhe nuk u ndal me kaq, po përmendi edhe Perëndinë, duke thënë: «Atë, pra, që Perëndia e bashkoi, njeriu të mos e ndajë», duke treguar se ky veprim ishte edhe kundër natyrës, edhe kundër ligjit: kundër natyrës, sepse copëtohet një mish i vetëm; kundër ligjit, sepse, kur Perëndia e ka bashkuar dhe ka urdhëruar të mos ndahet, ju kurdisni ta bëni këtë.

2. Çfarë duhej të bënin, pra, pas kësaj? A nuk duhej të heshtnin dhe të lëvdonin fjalën e tij? A nuk duhej të mahniteshin nga urtësia e tij? A nuk duhej të mbeteshin të habitur nga pajtimi i tij me Atin? Por asgjë nga këto nuk bëjnë; përkundrazi, sikur të luftonin për ligjin, thonë: «Si urdhëroi atëherë Moisiu të jepet letër ndarjeje dhe ajo të ndahet?» E megjithatë, nuk duhej ta nxirrnin tani ata këtë, po më tepër ai atyre; por ai prapëseprapë nuk përfiton prej tyre, as nuk u thotë: «Tani unë nuk jam i lidhur me këtë», po e zgjidh edhe këtë.

Dhe vërtet, po të kishte qenë i huaj për besëlidhjen e vjetër, nuk do të kishte luftuar për Moisiun, as nuk do të kishte arsyetuar me bindje nga ato që u bënë njëherë e përgjithmonë që në fillim; nuk do të ishte përpjekur të tregonte se porositë e tij pajtoheshin me ato të lashtat.

Dhe vërtet, Moisiu kishte dhënë edhe shumë urdhërime të tjera, si ato për ushqimet, si ato për të shtunën; përse, atëherë, nuk e nxjerrin përpara askund tjetër, si këtu? Nga dëshira për të ngritur kundër tij turmën e burrave. Sepse kjo mbahej si gjë e parëndësishme te hebrenjtë, dhe këtë e bënin të gjithë. Prandaj, pikërisht për këtë arsye, ndonëse ishin thënë kaq shumë gjëra në mal, ata e kujtuan vetëm tani këtë urdhërim.

Megjithatë, urtësia e patregueshme bën mbrojtje edhe për këto gjëra dhe thotë se «Moisiu, për ngurtësinë e zemrës suaj», e bëri kështu ligjin. Dhe as atë nuk e lë të mbetet nën akuzë, meqë vetë ia kishte dhënë ligjin, po e shpëton nga faji dhe e kthen krejt punën mbi kokën e tyre, siç bën kudo.

Sepse edhe kur qortonin nxënësit e tij se këputnin kallinj gruri, ai tregon se fajtorë ishin vetë ata; dhe kur u vinin një shkelje si faj për moslarjen e duarve, ai tregon se shkelës ishin vetë ata; po ashtu edhe për të shtunën. Kudo, pra, edhe këtu njësoj.

Pastaj, meqë kjo fjalë ishte e rëndë për t'u duruar dhe u sillte shumë qortim, ai e kthen shpejt fjalën e tij te ligji i lashtë, duke thënë, ashtu si kishte thënë edhe më parë: «Por në fillim nuk ishte kështu», domethënë, Perëndia me veprat e tij që në fillim urdhëroi të kundërtën. Sepse, që të mos thoshin ata: «Nga se duket se Moisiu e tha këtë për ngurtësinë tonë?», ai përsëri ua qep gojën me këtë. Sepse, po të ishte ky ligji i parë dhe për të mirën tonë, ai tjetri nuk do të ishte dhënë që në fillim; Perëndia, kur krijoi, nuk do të kishte krijuar kështu, nuk do të kishte thënë gjëra të tilla.

«Por unë po ju them: Kushdo që ta ndajë gruan e vet, veç për shkak kurvërie, dhe të martohet me një tjetër, shkel kurorën.» Sepse, pasi ua kishte qepur gojën, atëherë e jep ligjin me pushtetin e vet, ashtu si për ushqimet, ashtu si për të shtunën.

Sepse edhe për ushqimet, po ashtu, kur i kishte mundur, atëherë, dhe jo më parë, i shpalli turmës se «Nuk është ajo që hyn ajo që e ndot njeriun»; edhe për të shtunën, kur ua kishte qepur gojën, thotë: «Prandaj është e lejueshme të bësh mirë ditën e së shtunës»; dhe këtu po e njëjta gjë.

Por ajo që ndodhi atje, kjo ndodhi edhe këtu. Sepse, ashtu si atje, kur hebrenjtë ishin heshtur, nxënësit u shqetësuan dhe erdhën tek ai me Pjetrin e thanë: «Shpjegona këtë shëmbëlltyrë», po ashtu edhe tani u shqetësuan dhe thanë: «Në qoftë se çështja e burrit me gruan është kështu, është mirë të mos martohesh».

Sepse tani e kuptonin fjalën më mirë se më parë. Ndaj atëherë vërtet heshtën, po tani, pasi pati kundërshtim, përgjigje, pyetje dhe mësim me anë të përgjigjes, dhe pasi ligji u duk më i qartë, ata e pyesin. Të kundërshtojnë haptas nuk guxojnë, po nxjerrin përpara atë që dukej pasojë e rëndë dhe e mundimshme e tij, duke thënë: «Në qoftë se çështja e burrit me gruan është kështu, nuk është mirë të martohesh». Sepse vërtet dukej gjë shumë e vështirë të kishe një grua plot me çdo cilësi të keqe dhe të duroje një bishë të egër të mbyllur përgjithnjë me ty në shtëpi. Dhe që të mësosh se kjo i shqetësoi shumë, Marku, për ta treguar, tha se ata i folën atij veçmas.

3. Po ç'do të thotë «Në qoftë se e tillë është çështja e burrit me gruan»? Domethënë: në qoftë se ai bashkohet me të për këtë qëllim, që të jenë një, ose, nga ana tjetër, në qoftë se burri do të ngarkojë veten me faj për këto gjëra dhe do të shkelë përherë duke e ndarë, atëherë do të ishte më lehtë të luftoje kundër dëshirës së natyrës dhe kundër vetvetes, sesa kundër një gruaje të keqe.

Çfarë thotë, pra, Krishti? Nuk tha: «Po, është më lehtë, ndaj bëni kështu», që të mos pandehnin se kjo është ligj, po shtoi: «Jo të gjithë e pranojnë këtë, por ata të cilëve u është dhënë», duke e ngritur lart gjënë dhe duke treguar se është e madhe, e kështu i tërhoqi e i nxiti.

Por vër re këtu një kundërshti. Sepse ai thotë se kjo është gjë e madhe, kurse ata, se është më lehtë. Sepse duhej të bëheshin të dyja: edhe ai ta pranonte menjëherë si gjë të madhe, që t'i bënte më të gatshëm, edhe nga fjalët e thëna prej vetë atyre të tregohej se është më lehtë, që edhe për këtë arsye të zgjidhnin më parë virgjërinë dhe përkoren. Sepse, meqë të flisje për virgjërinë dukej gjë e rëndë, me shtrëngimin e këtij ligji ai i shtyu drejt kësaj dëshire. Pastaj, për të treguar se është e mundur, thotë: «Ka eunukë që kanë lindur kështu nga barku i së ëmës, ka eunukë që u bënë eunukë prej njerëzve, dhe ka eunukë që e bënë veten eunukë për mbretërinë e qiejve». Me këto fjalë i çon fshehtas ta zgjedhin këtë, dhe vërteton se ky virtyt është i mundur, sa gati thotë: Mendo, po të ishe i tillë nga natyra, ose po ta kishe pësuar këtë vetë gjë nga duart e atyre që shkaktojnë dëmtime kaq të pahijshme, ç'do të kishe bërë, kur do të ishe privuar nga kënaqësia, e prapëseprapë pa pasur asnjë shpërblim? Falëndero Perëndinë, pra, tani, sepse ti e kalon këtë me shpërblime dhe me kurora, ndërsa ata njerëz e durojnë pa kurora; madje as kaq, po diçka shumë më të lehtë, i mbështetur si nga shpresa, ashtu edhe nga ndërgjegjja e veprës së mirë, dhe pa e pasur dëshirën që të tërbohet si valë brenda teje.

Sepse prerja e një gjymtyre nuk mund t'i qetësojë valë të tilla dhe të bëjë bunacë, ashtu si e bën freri i arsyes; ose më mirë, vetëm arsyeja mund ta bëjë këtë.

Për këtë qëllim, pra, i solli ata të tjerët, që t'u jepte zemër këtyre; sepse, po të mos ishte kjo ajo që ai po vërtetonte, ç'kuptim ka fjala e tij për eunukët e tjerë? Po kur thotë se ata e bënë veten eunukë, nuk nënkupton prerjen e gjymtyrëve, aspak, po heqjen tej të mendimeve të liga. Sepse ai që gjymton veten, në të vërtetë, i nënshtrohet madje edhe një mallkimi, siç thotë Pavli: «Ah, sikur të priteshin krejt ata që ju turbullojnë!» Dhe me shumë arsye. Sepse një i tillë guxon të kryejë veprat e vrasësve, u jep shkas atyre që shpifin kundër krijesës së Perëndisë, ua hap gojën manikeasve, dhe është fajtor për të njëjtat vepra të paligjshme si ata që gjymtojnë veten ndër grekët. Sepse të presësh gjymtyrët tona ka qenë që në fillim vepër e veprimtarisë demonike dhe shpikje satanike, që të nxjerrin një emër të keq për veprën e Perëndisë, që ta shëmtojnë këtë krijesë të gjallë, që, duke ia veshur gjithçka jo zgjedhjes, po natyrës së gjymtyrëve tona, pjesa më e madhe e tyre të mëkatojnë të sigurt, sikur të mos kishin përgjegjësi; dhe kështu ta dëmtojnë dyfish këtë krijesë të gjallë, si duke i gjymtuar gjymtyrët, ashtu edhe duke penguar gatishmërinë e vullnetit të lirë për vepra të mira.

Këto janë urdhërimet e djallit, që sjellin, përveç gjërave që përmendëm, edhe një mësim tjetër të lig, dhe që i hapin rrugë që më parë arsyetimeve për fatin dhe domosdoshmërinë, e kudo shëmtojnë lirinë që na dha Perëndia, dhe na bindin se veprat e liga janë prej natyrës, e prej andej mbjellin fshehtas shumë mësime të tjera të liga, ndonëse jo haptas. Sepse të tilla janë helmet e djallit.

Prandaj ju lutem të ikni nga një paligjshmëri e tillë. Sepse, bashkë me gjërat që përmenda, as forca e epshit nuk zbutet kështu, po bëhet edhe më e egër. Sepse nga një tjetër burim e ka fillesën fara që është në ne, dhe nga një tjetër shkak i fryhen valët. Disa thonë se kjo shtytje e dhunshme lind nga truri, disa nga ijët; po unë do të thosha se nga asgjë tjetër veç nga një vullnet i pafre dhe një mendje e lënë pas dore. Po të jetë kjo e përkorë, nuk del asnjë e keqe nga lëvizjet e natyrës.

Pasi foli, pra, për eunukët që janë eunukë më kot dhe pa fryt, po qe se edhe ata nuk ushtrojnë përkoren me mendjen, dhe për ata që janë të virgjër për hir të qiellit, ai vazhdon përsëri e thotë: «Ai që mund ta pranojë, le ta pranojë», duke i bërë menjëherë më të zellshëm, ndërsa tregon se vepra e mirë është tejet e madhe, dhe pa e lënë gjënë të mbyllet në shtrëngimin e një ligji, për shkak të butësisë së tij të patregueshme. Dhe këtë e tha kur e tregoi si gjë krejt të mundshme, që gara e vullnetit të lirë të ishte më e madhe.

Dhe po të jetë prej vullnetit të lirë, mund të thotë dikush, si thotë ai në fillim: «Jo të gjithë e pranojnë, por ata të cilëve u është dhënë»? Që të mësosh se lufta është e madhe, jo që të dyshosh për ndonjë caktim me detyrim. Sepse u jepet atyre, madje atyre që duan.

Por foli kështu për të treguar se atij që hyn në këtë garë i duhet shumë ndihmë nga lart, të cilën ai që do, patjetër do ta marrë. Sepse është zakon i tij ta përdorë këtë mënyrë të foluri kur vepra e mirë e bërë është e madhe, si kur thotë: «Juve ju është dhënë të njihni misteret».

Dhe se kjo është e vërtetë, duket edhe nga vetë ky rast. Sepse, po të ishte vetëm prej dhuratës nga lart, dhe ata që rrojnë si të virgjër të mos jepnin asgjë nga vetja, më kot do t'u kishte premtuar mbretërinë e qiejve dhe do t'i kishte dalluar nga eunukët e tjerë.

Por vër re, të lutem, si nga veprat e liga të disa njerëzve përfitojnë njerëz të tjerë. Dua të them se hebrenjtë ikën pa mësuar asgjë, sepse as nuk pyetën me qëllim që të mësonin; po nxënësit përfituan edhe prej kësaj.

4. «Atëherë i prunë fëmijë të vegjël, që të vinte duart mbi ta dhe të lutej; po nxënësit i qortuan. Por ai u tha: Lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Dhe vuri duart mbi ta, edhe iku prej andej.»

Dhe përse i mënjanuan nxënësit fëmijët e vegjël? Për hir të dinjitetit. Çfarë bën, atëherë, ai? Duke i mësuar të jenë të përulur dhe të shkelin nën këmbë kryelartësinë e kësaj bote, ai i pranon, i merr në krahë dhe atyre që janë të tillë u premton mbretërinë; të njëjtën gjë e kishte thënë edhe më parë.

Le të fitojmë, pra, edhe ne këtë virtyt me shumë kujdes, po të duam të jemi trashëgimtarë të Qiejve. Sepse ky është kufiri i urtësisë së vërtetë: të jesh i thjeshtë, po me mend. Kjo është jetë engjëllore; po, sepse shpirti i një fëmije të vogël është i pastër nga çdo pasion. Ndaj atyre që e kanë mërzitur nuk mban mëri, po shkon tek ata si te miqtë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë; dhe sado që ta rrahë e ëma, prapë atë kërkon, dhe atë e do më shumë se të gjithë. Edhe po t'i tregosh mbretëreshën me kurorë, nuk e vë atë përpara nënës së vet të veshur me lecka, po do të zgjidhte më mirë ta shihte këtë me lecka, sesa mbretëreshën në shkëlqim. Sepse ai e dallon çfarë i takon dhe çfarë i është e huaj jo nga varfëria a pasuria, po nga miqësia. Dhe nuk kërkon asgjë më tepër se gjërat e nevojshme, po vetëm të ngopet nga gjiri, e pastaj e lë të pirit. Fëmija i vogël nuk hidhërohet për ato që hidhërohemi ne, si për humbjen e parave dhe gjëra të tilla, as nuk gëzohet për ato që gëzohemi ne, domethënë për këto gjëra të përkohshme; nuk lakmon bukurinë e njerëzve.

Prandaj tha: «E tyre është mbretëria e qiejve», që me zgjedhje t'i ushtrojmë ato gjëra që fëmijët e vegjël i kanë nga natyra. Sepse farisenjtë nuk e bënin atë që bënin për asgjë tjetër aq sa për dinakërinë dhe kryelartësinë, ndaj kudo i porosit nxënësit të jenë të thjeshtë në zemër, duke lënë të kuptohet fshehtas për ata njerëz dhe duke mësuar këta. Sepse asgjë nuk e ngre njeriun në mendjemadhësi aq sa pushteti dhe përparësia. Meqë, pra, nxënësit do të gëzonin nderime të mëdha nëpër gjithë botën, ai ua zë që më parë mendjen, duke mos i lënë të ndiejnë asgjë sipas mënyrës së njerëzve, as të kërkojnë nderime nga turma, as t'ua hapin njerëzit udhën përpara.

Sepse, ndonëse këto duken gjëra të vogla, prapë janë shkak i të këqijave të mëdha. Farisenjtë, të paktën, të stërvitur kështu, u çuan gjer në majën e së keqes, duke kërkuar përshëndetjet, vendet e para, vendet e mesit; sepse prej këtyre u hodhën në cektinën e lakmisë së çmendur për lavdi, e pastaj prej andej në pabesi. Kështu, pra, ata njerëz ikën duke tërhequr mbi vete një mallkim me vënien e tyre në provë, kurse fëmijët e vegjël një bekim, si të çliruar nga të gjitha këto.

Le të bëhemi, pra, edhe ne si fëmijët e vegjël, dhe «në ligësi le të jemi foshnja». Sepse s'mund të bëhet, s'mund të bëhet që dikush ta shohë ndryshe Qiellin; përkundrazi, dinakët dhe të ligët duhet patjetër të hidhen në ferr.

5. Dhe qysh para ferrit, do të vuajmë këtu të këqijat më të mëdha. «Sepse, po qe se je i lig», thuhet, «ti vetëm do ta durosh ligësinë; po qe se je i mirë, do të jetë për ty dhe për të afërmin tënd». Vër re, sido që të jetë, si ndodhi kjo edhe në rastet e mëparshme. Sepse asgjë nuk ishte më e ligë se Sauli, as më e thjeshtë e më zemërpastër se Davidi. Cili, pra, doli më i forti? A nuk e pati Davidi dy herë në dorë, dhe, ndonëse mund ta vriste, u përmbajt? A nuk e kishte të mbyllur si në rrjetë e në burg, dhe e kurseu? Dhe këtë, ndonëse të tjerët e nxitnin, dhe ndonëse ai vetë mund ta akuzonte për faje të panumërta; megjithatë e la të ikte shëndoshë e mirë. E prapëseprapë, tjetri e ndiqte me gjithë ushtrinë e tij, kurse ai bridhte me pak arratisës të dëshpëruar, duke ndërruar vend më vend; megjithatë, arratisari ia doli më mirë se mbreti, sepse njëri erdhi në përleshje me thjeshtësi, tjetri me ligësi.

Sepse ç'mund të kishte më të lig se ai njeri? Ndërsa Davidi u printe ushtrive të tij, i çonte të gjitha luftërat drejt fitores, hiqte mundin e fitores dhe të trofeve dhe ia sillte atij kurorat, ai u përpoq ta vriste.

6. E tillë është natyra e smirës: përherë kurdis kundër vetë nderimeve të veta, e bren atë që e ka dhe e rrethon me fatkeqësi të panumërta. Kështu, ai njeri i mjerë, deri sa iku Davidi, nuk shpërtheu në atë klithmë të përvajshme, duke vajtuar veten e duke thënë: «Jam në ankth të madh, edhe filistinët po luftojnë kundër meje, edhe Zoti u largua prej meje». Deri sa u nda nga Davidi, nuk ra në luftë, po ishte edhe në siguri, edhe në lavdi; sepse te mbreti kalonte lavdia e komandantit. Sepse ai njeri as nuk lakmonte fronin, as nuk u përpoq ta rrëzonte tjetrin nga froni, po për të i kryente të gjitha dhe i ishte lidhur me zell; dhe kjo duket edhe nga ajo që ndodhi më pas. Sepse, kur ai ishte nën urdhrat e tij, ndokush prej atyre që nuk hetojnë me kujdes, ndoshta do të pandehte se këto gjëra bëheshin sipas zakonit të njohur të një vartësi; po pasi u tërhoq jashtë mbretërisë së Saulit, ç'kishte atëherë që ta pengonte, madje ta shtynte ta vriste? A nuk kishte qenë tjetri i lig ndaj tij një herë, dy herë, e shpesh? A nuk ishte kjo pasi kishte marrë të mira prej tij? A nuk ishte kur s'kishte asgjë për ta akuzuar? A nuk ishin mbretëria dhe siguria e Saulit rrezik e pasiguri për të? A nuk duhej të bridhte e të ishte arratisar, e të dridhej nga frika e të këqijave më të mëdha, ndërsa tjetri ishte gjallë e mbretëronte? Megjithatë, asnjë nga këto gjëra nuk e detyroi ta njomte shpatën me gjak; përkundrazi, kur e pa të fjetur, të lidhur, vetëm, në mes të njerëzve të vet, dhe kur i preku kokën, dhe kur shumë veta e nxitnin e i thoshnin se rasti kaq i volitshëm ishte një gjykim i Perëndisë, ai menjëherë qortoi ata që e shtynin, u përmbajt nga vrasja dhe e la të ikte shëndoshë e mirë; dhe sikur të kishte qenë më tepër roje e tij dhe mbajtës i mburojës, jo armik, kështu e qortoi ushtrinë për tradhtinë e tyre ndaj mbretit.

Ç'mund të barazohej me këtë shpirt? Ç'mund të barazohej me atë butësi? Këtë mund ta shohësh edhe nga gjërat që u përmendën, po shumë më tepër nga ato që bëhen sot. Sepse, kur të kemi vënë re poshtërsinë tonë, atëherë do ta njohim më plotësisht virtytin e atyre shenjtorëve. Prandaj ju lutem të nxitoni drejt garimit me ta.

Sepse, në të vërtetë, po ta duash lavdinë dhe për këtë arsye po kurdise kundër të afërmit tënd, atëherë do ta gëzosh atë më bollshëm kur, pasi ta kesh përbuzur, të heqësh dorë nga kurdisja. Sepse, ashtu si të bëhesh i pasur është e kundërt me lakminë, po ashtu është dashuria për lavdinë me fitimin e lavdisë. Dhe, po të doni, le ta shqyrtojmë secilën. Sepse, meqë nuk kemi frikë nga ferri, as ndonjë përfillje të madhe për mbretërinë, ejani t'ju udhëheqim qoftë edhe nga gjërat e tanishme.

Sepse cilët janë ata që janë për të qeshur? Më thoni. A nuk janë ata që bëjnë çdo gjë për hir të lavdisë nga turma? Dhe cilët janë ata që lëvdohen? A nuk janë ata që e përbuzin lavdërimin e turmës? Prandaj, po qe se dashuria për lavdinë e kotë është gjë e qortueshme, dhe nuk mund të fshihet se mendjemadhi e do atë, ai me siguri do të jetë objekt qortimi, dhe dashuria për lavdinë i është bërë atij shkak çnderimi. Dhe jo vetëm në këtë pikë e turpëron veten, po edhe në atë që detyrohet të bëjë shumë gjëra të turpshme, plot me çnderimin më të madh. Dhe, ashtu si për fitimet e tyre njerëzit zakonisht pësojnë dëm më shumë se nga çdo gjë tjetër prej sëmundjes së lakmisë (ata të paktën bëhen pre e shumë dredhive, dhe nga fitime të vogla bëjnë humbje të mëdha, prandaj kjo thënie është përhapur sa është bërë fjalë e urtë), po ashtu edhe njeriu epsharak: pasioni i tij i bëhet pengesë për të shijuar kënaqësinë e vet. Ata të paktën që i janë dhënë tepër kësaj dhe janë skllevër të grave, pikërisht këta, mbi të gjithë, gratë i sjellin andej-këtej si shërbëtorë; dhe kurrë nuk denjojnë t'i trajtojnë si burra, po i godasin e i përbuzin, i heqin e i çojnë kudo, fryhen nga vetja dhe në çdo gjë vetëm u japin urdhra.

Po ashtu, asgjë nuk është më e ulët dhe më e çnderuar se ai që është mendjemadh e i çmendur pas lavdisë dhe e quan veten të lartë. Sepse fisi i njeriut e do grindjen, dhe kundër asgjëje tjetër nuk ngrihet aq shumë sa kundër një mburraveci, një njeriu përçmues dhe një skllavi të lavdisë.

Dhe ai vetë, gjithashtu, për të ruajtur pamjen e kryelartësisë së tij, shfaq ndaj njerëzve të thjeshtë sjelljen e një skllavi: i lajkaton, u shkon pas tekave, duke i shërbyer një skllavërie më të rëndë se ajo e dikujt të blerë me para.

Duke i ditur, pra, të gjitha këto, le t'i heqim tej këto pasione, që të mos paguajmë dënim edhe këtu, edhe atje të ndëshkohemi pafund. Le të bëhemi dashamirës të virtytit. Sepse kështu, edhe para se të arrijmë në mbretëri, do të korrim këtu dobitë më të mëdha, edhe kur të shkojmë atje, do të marrim pjesë në bekimet e përjetshme; të cilat Perëndia na dhëntë t'i arrijmë të gjithë, me anë të hirit dhe të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe pushteti, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it