Mateu 2:4-5
A e sheh se si gjithçka bëhet për t'i nxjerrë fajtorë hebrenjtë? Sa kohë Ai rrinte larg syve të tyre, smira ende nuk i kishte pushtuar, dhe dëshmitë për Të i përmendnin me vërtetësi; por, kur panë lavdinë që buronte nga mrekullitë, i pushtoi një frymë smire, dhe që atëherë e tradhtuan të vërtetën.
Megjithatë, e vërteta u lartësua nga çdo gjë, madje edhe armiqtë e saj ia shtuan fuqinë. Shihni, për shembull, pikërisht në këtë rast, sa të mrekullueshme dhe të papritura janë gjërat që u parapërgatitën në fshehtësi. Sepse si barbarët, ashtu edhe hebrenjtë, në të njëjtën kohë mësojnë diçka më tepër nga njëri-tjetri dhe ia mësojnë njëri-tjetrit. Kështu, hebrenjtë, nga ana e tyre, dëgjuan prej magëve se edhe një yll e kishte shpallur Atë në vendin e persëve; kurse magët, nga ana e vet, u mësuan prej hebrenjve se këtë Njeri, që e shpalli ylli, edhe profetët e kishin bërë të njohur qysh prej kohësh të lashta. Dhe shkaku i kërkimit të tyre u bë për të dyja palët një rast për të parashtruar një mësim më të qartë e më të përsosur; dhe armiqtë e së vërtetës detyrohen, edhe kundër dëshirës së tyre, të lexojnë shkrimet në të mirë të së vërtetës dhe të shpjegojnë profecinë, ndonëse jo të tërën. Sepse, pasi folën për Betlehemin dhe se prej tij do të dalë Ai që do të sundojë Izraelin, nuk vazhdojnë të shtojnë atë që vjen më pas, nga lajkatimi ndaj mbretit. E ç'ishte kjo? Se «daljet e Tij janë që në lashtësi, që në përjetësi».
2. «Po pse», mund të thotë dikush, «në qoftë se do të vinte prej andej, jetoi në Nazaret pas lindjes dhe e errësoi profecinë?» Jo, Ai nuk e errësoi, por përkundrazi e zbuloi edhe më shumë. Sepse e ëma banonte vazhdimisht në një vend, kurse Ai lindi në një tjetër, dhe kjo tregon se u bë me një ikonomi hyjnore.
Dhe pikërisht për këtë, po e shtoj, Ai as nuk u largua prej andej menjëherë pas lindjes, por qëndroi dyzet ditë, duke u dhënë mundësinë atyre që kishin dëshirë të hetonin, që të shqyrtonin çdo gjë me kujdes. Sepse, në të vërtetë, kishte shumë gjëra që mund t'i shtynin drejt një hetimi të tillë, mjaft të kishin qenë të gatshëm t'u vinin veshin. Kështu, kur erdhën magët, gjithë qyteti u trondit, e bashkë me qytetin edhe mbreti; u nxor para profeti dhe u mblodh një gjyq me pushtet të lartë; dhe atje ndodhën edhe shumë gjëra të tjera, të cilat Lluka i tregon me imtësi. Të tilla ishin ato që kanë të bëjnë me Anën, Simeonin, Zakarian, engjëjt dhe barinjtë; të gjitha këto mjaftonin që i kujdesshmi të merrte shenja për të kuptuar se ç'kishte ndodhur. Sepse, në qoftë se magët, që erdhën nga Persia, nuk e kishin të panjohur vendin, aq më tepër ata, banorë të atij vendi, mund t'i mësonin këto gjëra.
Ai, pra, që në fillim e shfaqi veten me shumë mrekulli, por, kur ata nuk deshën të shihnin, u fsheh për njëfarë kohe, që të zbulohej sërish prej një fillimi tjetër, më të lavdishëm. Sepse nuk ishin më magët, as ylli, por Ati nga lart që e shpalli Atë pranë rrjedhave të Jordanit; edhe Fryma po ashtu zbriti mbi Të, duke e drejtuar atë zë drejt kokës së Atij që sapo ishte pagëzuar; dhe Joani, me fjalë krejt të hapur, thërriste kudo në Jude, derisa si vendet e banuara, ashtu edhe shkretëtira, u mbushën me atë mësim; edhe dëshmia e mrekullive, edhe toka, edhe deti, edhe gjithë krijesa, ngritën për Të një zë të qartë. Kurse në kohën e lindjes ndodhën vetëm aq gjëra sa duheshin për të treguar në heshtje Atë që kishte ardhur. Kështu, që hebrenjtë të mos thoshin: «Nuk e dimë kur lindi, as se ku», me providencën e Perëndisë u bënë si të gjitha këto ngjarje ku qenë përfshirë magët, ashtu edhe të tjerat që përmendëm; që të mos kishin asnjë shfajësim përse nuk e hetuan atë që kishte ndodhur.
Por vini re edhe përpikërinë e profecisë. Sepse nuk thotë «do të qëndrojë» në Betlehem, por «do të dalë» prej andej. Kështu që edhe kjo qe objekt profecie: thjesht lindja e Tij atje.
Disa prej tyre, megjithatë, të pafytyrë, thonë se këto u thanë për Zorobabelin. Po si mund të kenë të drejtë? Sepse, sigurisht, «daljet e tij» nuk ishin «që në lashtësi, që në përjetësi». Dhe si mund t'i shkojë atij ajo që thuhet në fillim: «Prej teje do të dalë», kur Zorobabeli nuk lindi në Jude, por në Vavilon, prej nga edhe u quajt Zorobabel, sepse atje e kishte prejardhjen? Dhe kushdo që e njeh gjuhën e sirianëve e kupton se ç'them.
Dhe, bashkë me atë që u tha, edhe gjithë koha që ka kaluar që atëherë mjafton për të vërtetuar dëshminë. Sepse ç'thotë ai? «Ti nuk je më i vogli ndër princat e Judës», dhe shton shkakun e epërsisë, duke thënë: «prej teje do të dalë». Por askush tjetër nuk e ka bërë atë vend të shquar a të lavdishëm, veç Tij të vetmit. Për shembull: që prej asaj lindjeje, njerëz vijnë nga skajet e dheut për të parë grazhdin dhe vendin e stallës. Dhe këtë e paratha profeti me zë që në fillim, duke thënë: «Ti nuk je më i vogli ndër princat e Judës», domethënë ndër krerët e fiseve. Me këtë shprehje ai përfshiu edhe Jerusalemin. Por, as edhe kështu, nuk i vunë veshin, ndonëse dobia u kalonte atyre vetë. Madje, pikërisht për këtë, profetët, në fillim, askund nuk flasin aq për madhështinë e Tij, sa për të mirën që u vinte atyre prej Tij. Kështu, kur Virgjëresha po e mbante fëmijën në bark, ai thotë: «Do t'ia vësh emrin Jisu», dhe jep arsyen, duke thënë: «sepse Ai do ta shpëtojë popullin e vet nga mëkatet e tyre». Edhe magët nuk thanë: «Ku është Biri i Perëndisë?», por: «Ai që lindi Mbret i hebrenjve». Dhe këtu përsëri nuk pohohet: «Prej teje do të dalë» Biri i Perëndisë, por: «një Sundimtar, që do të kullotë popullin tim, Izraelin». Sepse në fillim duhej t'u fliste me shumë përulje e përshtatje, që të mos fyheshin, dhe t'u predikonte veçanërisht atë që kishte të bënte me shpëtimin e tyre, që kështu të fitoheshin më lehtë. Sido që të jetë, të gjitha dëshmitë që përmenden të parat, dhe që u takonin pikërisht kohës së lindjes, nuk thonë asgjë të madhe a të lartë për Të, as të tilla si ato pas shfaqjes së mrekullive; sepse këto flasin më qartë për madhështinë e Tij. Për shembull, kur, pas shumë mrekullive, fëmijët i këndonin himne, dëgjo ç'thotë profeti: «Nga goja e foshnjave dhe e fëmijëve në gji Ti përsose lavdërimin». Dhe përsëri: «Do të sodit qiejt, veprat e gishtave të Tu», çka tregon se Ai është Krijuesi i gjithësisë. Edhe dëshmia që u soll pas Ngjitjes shfaq barazinë e Tij me Atin, duke thënë kështu: «Zoti i tha Zotit tim: Rri në të djathtën time». Edhe Isaia thotë: «Ai që ngrihet për të sunduar mbi johebrenjtë, tek Ai do të shpresojnë johebrenjtë».
Po si thotë ai se Betlehemi «nuk është më i vogli ndër princat e Judës»? Sepse jo vetëm në Palestinë, por në gjithë botën, ky fshat u bë i shquar. Ja pse: deri atje ai po u fliste hebrenjve; prandaj edhe shtoi: «Ai do të kullotë popullin tim, Izraelin». E megjithatë Ai e kulloti gjithë botën; por, siç e thashë, ende nuk do t'i fyejë, duke zbuluar atë që ka për të thënë rreth johebrenjve.
Po si ka mundësi, mund të thotë dikush, që Ai nuk e kulloti popullin hebre? Përgjigjem, së pari: edhe kjo u përmbush; sepse me fjalën «Izrael» këtu ai kuptonte, në mënyrë të figurshme, ata që besuan tek Ai prej hebrenjve. Dhe Pavli, duke e shpjeguar këtë, thotë: «Sepse nuk janë të gjithë Izrael ata që rrjedhin prej Izraelit», por vetëm sa kanë lindur me anë të besimit dhe të premtimit. Dhe, në qoftë se nuk i kulloti të gjithë, faji dhe përgjegjësia janë të vetat. Sepse, kur duhej të adhuronin bashkë me magët dhe të lavdëronin Perëndinë që erdhi një kohë e tillë, e cila fshinte të gjitha mëkatet e tyre (sepse asnjë fjalë nuk u tha atyre për gjyqe të caktuara, as për llogari që do të jepnin, por për një Bari të butë e zemërbutë), ata, nga ana e tyre, bëjnë pikërisht të kundërtën: shqetësohen, ngrenë trazira dhe vazhdojnë pareshtur të kurdisin komplote pa fund.
3. «Atëherë Herodi, pasi i thirri fshehurazi magët, i pyeti me kujdes se në ç'kohë ishte shfaqur ylli:»
Ai u përpoq të vriste Atë që sapo kishte lindur, një vepër jo vetëm çmendurie, por marrëzie të skajshme; sepse ato që ishin thënë e bërë mjaftonin për ta ndaluar nga çdo përpjekje e tillë. Sepse ato ngjarje nuk ishin sipas mënyrës njerëzore. Një yll, dua të them, që i thërriste magët nga lart; barbarë që bënin një shtegtim kaq të gjatë, për të adhuruar Atë që dergjej në pelena e në grazhd; edhe profetë të lashtë, që e paralajmëronin qysh moti gjithë këtë: këto e gjithë të tjerat ishin ngjarje mbi njerëzoret; e megjithatë asnjëra prej tyre nuk e frenoi. Sepse e tillë është ligësia: përplaset me vetveten dhe përherë përpiqet për gjëra të pamundura. Dhe vini re marrëzinë e tij të plotë. Nëse, nga njëra anë, e besonte profecinë dhe e mbante për të pandryshueshme, ishte fare e qartë se po përpiqej për të pamundurën; nëse, përsëri, nuk e besonte dhe nuk priste që ato fjalë të plotësoheshin, nuk kishte pse të trembej e të shqetësohej, as të kurdiste ndonjë komplot për këtë punë. Kështu që, sido të ndodhte, dinakëria e tij ishte e tepërt.
Edhe kjo erdhi nga marrëzia më e madhe: të mendonte se magët do ta çmonin atë më shumë se Fëmijën që kishte lindur, për të cilin kishin bërë një udhëtim kaq të gjatë. Sepse, në qoftë se, para se ta shihnin, ishin ndezur aq fort nga malli për Të, pasi e panë me sytë e tyre dhe u përforcuan nga profecia, si shpresonte t'i bindte t'ia tradhtonin Fëmijën e vogël?
Megjithatë, sado të shumta qenë arsyet për ta ndaluar, ai e bëri përpjekjen; dhe, pasi «i thirri fshehurazi magët, i pyeti». Sepse mendonte se hebrenjtë do të shqetësoheshin në të mirë të Fëmijës, dhe kurrë s'mund ta priste se ata do të binin në një çmenduri të tillë, sa të pranonin t'ua dorëzonin armiqve Mbrojtësin e Shpëtimtarin e tyre, Atë që kishte ardhur për çlirimin e kombit të tyre. Për këtë arsye ai edhe i thërret fshehurazi, edhe kërkon kohën jo të Fëmijës, por të yllit: duke e shënjuar kështu prenë e tij, ashtu që të përfshinte shumë më tepër se ç'duhej. Sepse ylli, mendoj, duhet të ishte shfaqur shumë kohë më parë. Ishte një kohë e gjatë ajo që magëve u duhej të kalonin në udhëtim. Prandaj, që të paraqiteshin pikërisht pas lindjes së Tij (sepse i takonte të adhurohej që në pelenat e Tij, që të dukej natyra e mrekullueshme dhe e çuditshme e ngjarjes), ylli u bë i dukshëm shumë kohë përpara. Kurse, po ta kishin parë në lindje pikërisht në çastin kur Ai lindi në Palestinë, e jo më parë, ata, duke harxhuar një kohë të gjatë në udhëtim, nuk do ta kishin gjetur në pelena kur të mbërrinin. Sa për vrasjen e fëmijëve «nga dy vjeç e poshtë», le të mos çuditemi; sepse zemërimi dhe frika e tij, për një siguri më të plotë, ia shtuan mjaft kohës, që të mos shpëtonte asnjë.
Pasi, pra, i thirri, u thotë: «Shkoni e kërkoni me kujdes Fëmijën e vogël; dhe, kur ta gjeni, ma sillni fjalë përsëri, që të vij edhe unë ta adhuroj».
A e sheh marrëzinë e tij të skajshme? Sepse, po të flisje me çiltërsi, përse pyet fshehurazi? Por, po të kishe ndër mend të kurdisje kundër Tij, si nuk e kupton se, pikërisht ngaqë pyeten fshehtas, magët do të mund ta vënë re dredhinë tënde? Por, siç e thashë, një shpirt i zënë rob nga ndonjë ligësi bëhet më i pamend se çdo gjë tjetër.
Dhe nuk tha: «shkoni e mësoni për Mbretin», por «për Fëmijën e vogël»; sepse nuk duronte as ta thërriste me emrin e pushtetit të Tij.
4. Por magët nuk vënë re asgjë nga kjo, për shkak të nderimit të tyre tepër të madh (sepse kurrë s'mund ta prisnin se ai mund të shkonte deri në një ligësi kaq të madhe, e të përpiqej të kurdiste komplote kundër një ikonomie kaq të mrekullueshme): dhe nisen pa dyshuar asgjë nga këto, por, duke gjykuar nga ç'kishin në veten e tyre, parashikonin të njëjtën gjë edhe te pjesa tjetër e njerëzimit.
«Dhe, ja, ylli, që e kishin parë në lindje, shkonte para tyre».
Sepse vetëm për këtë qe fshehur: që, pasi humbën udhërrëfyesin, të detyroheshin të pyesnin hebrenjtë, dhe kështu çështja t'u bëhej e qartë të gjithëve. Sepse, pasi bënë pyetjet dhe patën si lajmëtarë armiqtë e Tij, ylli u shfaqet përsëri. Dhe vini re sa i mrekullueshëm ishte rendi: si, në radhë të parë, pas yllit, i pret populli i hebrenjve dhe mbreti, të cilët sjellin profecinë për të shpjeguar atë që qe shfaqur; e pastaj, pas profetit, sërish një engjëll i merr përsipër dhe ua mëson të gjitha; por për njëfarë kohe ata udhëtojnë nga Jerusalemi në Betlehem nën udhëheqjen e yllit, që sërish udhëton bashkë me ta edhe prej atij vendi; që edhe prej kësaj ti të mësoje se ky nuk ishte një prej yjeve të zakonshëm, sepse s'ka asnjë yll të vetëm që ta ketë këtë natyrë. Dhe jo thjesht lëvizte, por «shkonte para tyre», duke i tërhequr e udhëhequr në mes të ditës.
«Po ç'nevojë për këtë yll më tej», mund të pyesë dikush, «kur vendi ishte i ditur?» Që të shihej edhe Fëmija. Sepse nuk kishte asgjë që ta bënte të dukshëm, ngaqë shtëpia nuk binte në sy, as e ëma nuk ishte e lavdishme a e shquar. Duhej, pra, ylli, që t'i vinte pranë vendit. Prandaj shfaqet përsëri kur ata dalin nga Jerusalemi, dhe nuk ndalet, para se të arrijë te grazhdi.
Dhe mrekullia lidhej me mrekullinë; sepse të dyja ishin gjëra të çuditshme: si adhurimi i magëve, ashtu edhe ylli që shkonte para tyre; gjëra të mjaftueshme për të tërhequr edhe ata që qenë bërë krejt prej guri. Sepse, po të kishin thënë magët se i kishin dëgjuar profetët të thoshin këto, ose se engjëj kishin folur me ta fshehtas, mund të mos u kishin besuar; por tani, kur pamja e yllit u shfaq lart, edhe atyre që qenë tejet të pafytyrë u zuri goja.
Për më tepër, ylli, kur qëndroi mbi Fëmijën e vogël, e ndaloi sërish rrjedhën e vet: gjë që, edhe kjo në vetvete, ishte e një fuqie më të madhe se ç'i takon një ylli, të fshihej herë, të shfaqej herë, dhe, pasi u shfaq, të rrinte pa lëvizur. Prej kësaj edhe atyre iu shtua besimi. Për këtë arsye edhe u gëzuan, se gjetën atë që kërkonin, se dolën lajmëtarë të së vërtetës, se jo më kot kishin bërë një udhëtim kaq të gjatë; aq i madh, si të thuash, ishte malli i tyre për Krishtin. Sepse së pari ylli erdhi e qëndroi pikërisht mbi kokën e Tij, duke treguar se ai që lindi është hyjnor; pastaj, tek rrinte aty, i shpie ta adhurojnë, ata që nuk ishin thjesht barbarë, por më të mençurit ndër ta.
A e sheh me sa përshtatje u shfaq ylli? Sepse, edhe pas profecisë, edhe pas shpjegimit të kryepriftërinjve dhe të skribëve, ata e kishin mendjen ende të kthyer nga ai.
5. Turp për Markionin, turp për Pavlin e Samosatës, që nuk pranojnë të shohin atë që panë ata magë, paraardhësit e Kishës; sepse nuk kam turp t'i quaj kështu. Le të turpërohet Markioni, kur sheh Perëndinë të adhuruar në mish. Le të turpërohet Pavli, kur e sheh të adhuruar si të mos ishte thjesht njeri. Se Ai ishte në mish, këtë e tregojnë së pari pelenat dhe grazhdi; e se nuk e adhuruan si njeri të thjeshtë, këtë e shpallin duke i dhuruar, në atë moshë të njomë, dhurata të tilla, siç i ka hije t'i kushtohen Perëndisë. Dhe bashkë me ta le të turpërohen edhe hebrenjtë, kur e shohin veten të parakaluar nga barbarë e magë, ndërsa vetë nuk denjojnë as të vijnë pas tyre. Sepse, në të vërtetë, ajo që ndodhi atëherë ishte një parafigurë e gjërave që do të vinin, dhe që në fillim u tregua se johebrenjtë do t'ia kalonin kombit të tyre.
«Po si ka mundësi», mund të pyesë dikush, «që jo në fillim, por më pas, Ai tha: ‹Shkoni e bëni nxënës të gjitha kombet›?» Sepse ngjarja ishte, siç thashë, një parafigurë e së ardhmes, e njëfarë shpalljeje e saj që më parë. Sepse rendi i natyrshëm ishte që hebrenjtë të vinin të parët tek Ai; por, meqë ata, me zgjedhjen e vet, hoqën dorë nga e mira që u takonte, rendi i gjërave u përmbys. Sepse as në këtë rast nuk duhej që magët të vinin para hebrenjve, as njerëz nga një largësi kaq e madhe nuk duhej t'u dilnin përpara atyre që rrinin pikërisht rreth qytetit, as ata që nuk kishin dëgjuar asgjë nuk duhej t'u prinin atyre që ishin ushqyer me kaq shumë profeci. Por, ngaqë ishin tepër të paditur për bekimet e veta, ata nga Persia u dalin përpara atyre në Jerusalem. Dhe pikërisht këtë thotë edhe Pavli: «Ishte e nevojshme që fjala e Zotit t'ju thuhej së pari juve, por, meqë e gjykuat veten të padenjë, ja, po u kthehemi johebrenjve». Sepse, ndonëse më parë nuk u bindën, të paktën kur e dëgjuan prej magëve, duhej të nxitonin sa të mundnin; por nuk deshën. Prandaj, ndërsa ata dremitin, këta rendin përpara.
6. Le t'i ndjekim, pra, edhe ne magët, le të ndahemi nga zakonet tona barbare, dhe le ta bëjmë të madhe largësinë prej tyre, që të shohim Krishtin, sepse edhe ata, po të mos ishin larguar nga vendi i vet, nuk do ta kishin parë Atë. Le të largohemi nga gjërat e dheut. Sepse kështu magët, sa qenë në Persi, panë vetëm yllin, por, pasi u nisën nga Persia, soditën Diellin e Drejtësisë. Ose, më mirë, nuk do ta kishin parë as edhe yllin, po të mos ishin ngritur menjëherë prej andej. Le të ngrihemi, pra, edhe ne; edhe sikur të trazohen të gjithë njerëzit, le të rendim drejt shtëpisë së Fëmijës së vogël; edhe sikur mbretër, edhe kombe, edhe tiranë të na e presin këtë udhë, malli ynë le të mos venitet. Sepse vetëm kështu do t'i sprapsim krejtësisht të gjitha rreziqet që na rrethojnë. Meqë edhe këta, po të mos e kishin parë Fëmijën e vogël, nuk do t'i kishin shpëtuar rrezikut prej mbretit. Para se ta shihnin Fëmijën e vogël, frikëra e rreziqe e telashe i shtrëngonin nga çdo anë; por, pas adhurimit, vjen qetësia dhe siguria; dhe nuk i pret më një yll, por një engjëll, tashmë që u bënë priftërinj nga vetë akti i adhurimit; sepse shohim se dhanë edhe dhurata.
Prandaj edhe ti lër, po ashtu, popullin hebre, qytetin e trazuar, tiranin gjakatar, shkëlqimin e botës, dhe nxito drejt Betlehemit, ku ndodhet shtëpia e Bukës shpirtërore. Sepse, edhe në qofsh bari e të vish këtu, do ta shohësh Fëmijën e vogël në një bujtinë; edhe në qofsh mbret e të mos afrohesh këtu, manteli yt i purpurt s'do të të hyjë në punë; edhe në qofsh një prej magëve, kjo nuk do të të pengojë; mjaft që ardhja jote të jetë për ta nderuar e adhuruar, jo për ta përbuzur Birin e Perëndisë; vetëm bëje këtë me drithërimë e me gëzim: sepse është e mundur që të dyja këto të bashkohen në një.
Por ki kujdes të mos jesh si Herodi, të thuash: «që të vij edhe unë ta adhuroj», e, kur të kesh ardhur, të kesh ndër mend ta vrasësh. Sepse atij i ngjajnë ata që i marrin misteret pa qenë të denjë; sepse është thënë se një i tillë «do të jetë fajtor për Trupin dhe Gjakun e Zotit». Po; sepse ata mbajnë brenda vetes tiranin që hidhërohet për mbretërinë e Krishtit, atë që është më i lig se Herodi i lashtë, domethënë Mamonën. Sepse ai do të donte të kishte sundimin, dhe dërgon të vetët të adhurojnë sa për sy e faqe, por që vrasin ndërsa adhurojnë. Le të kemi frikë, pra, se mos ndonjëherë, ndërsa kemi pamjen e lutësve dhe të adhuruesve, në vepër tregojmë të kundërtën.
Dhe, kur të adhurojmë, le të flakim çdo gjë nga duart tona; edhe në paçim ar, le t'ia dhurojmë Atij dhe të mos e groposim. Sepse, në qoftë se ata barbarë e dhuruan atëherë për nder, ç'do të bëhet me ty, që nuk i jep as Atij që ka nevojë? Në qoftë se ata njerëz udhëtuan kaq larg për të parë Atë të porsalindur, çfarë shfajësimi do të kesh ti, që nuk del nga rruga jote as sa gjatësia e një rrugice, për ta vizituar të sëmurë a në pranga? E megjithatë, kur janë të sëmurë a në pranga, edhe armiqtë tanë i mëshirojmë; kurse Atij, Bamirësit dhe Zotit tënd, ia mohon mëshirën. Ata dhuruan ar, kurse ti mezi jep bukë. Ata panë yllin dhe u gëzuan; kurse ti, tek e sheh vetë Krishtin të huaj e lakuriq, nuk mallëngjehesh.
Sepse cili prej jush, për hir të Krishtit, ka bërë një shtegtim kaq të gjatë, ju që keni marrë të mira të panumërta, sa këta barbarë, ose, më mirë, këta më të mençur se filozofët më të mençur? Po pse them: një udhëtim kaq të gjatë? Jo, shumë prej grave tona janë kaq të llastuara, sa nuk kalojnë as edhe një kryqëzim të vetëm rrugësh për të parë Atë në grazhdin shpirtëror, veç në paçin mushka që t'i tërheqin. Kurse të tjerë, ndonëse mund të ecin, në vend që të vijnë këtu, parapëlqejnë disa lëmshin e punëve të kësaj bote, disa teatrot. Ndërkohë barbarët bënë një udhëtim kaq të madh për hir të Tij, para se ta shihnin; kurse ti, as pasi e ke parë, nuk përpiqesh t'u ngjash atyre, por e braktis pasi e sheh, dhe rend të shohësh aktorin e skenës. (Sepse po e prek sërish të njëjtën temë, siç bëra edhe së fundmi.) Dhe, tek e sheh Krishtin që rri shtrirë në grazhd, e lë Atë, që të shohësh gra në skenë.
7. Ç'rrufe nuk i meritojnë këto gjëra? Sepse, thuamë, po të të fuste dikush në një pallat dhe të të tregonte mbretin në fronin e tij, a do të zgjidhje vërtet të shihje teatrin në vend të atyre gjërave? E megjithatë, edhe në pallat s'ka asgjë për të fituar; kurse këtu një burim shpirtëror zjarri gufon nga kjo tryezë. Dhe ti e lë këtë, e zbret me vrap në teatër, për të parë gra që notojnë dhe natyrën të çnderuar haptas, tek e braktis Krishtin që rri ulur pranë pusit? Po; sepse tani, si dikur, Ai rri ulur pranë pusit, duke folur jo me një grua samaritane, por me një qytet të tërë. Ose, ndoshta, edhe tani vetëm me një grua samaritane. Sepse as tani nuk është ndokush me Të; disa janë vetëm me trupat e tyre, e disa as me këta. E megjithatë, Ai nuk tërhiqet, por qëndron, dhe na kërkon të pimë jo ujë, por shenjtëri, sepse «gjërat e Tij të shenjta ua jep të shenjtëve». Sepse nuk është ujë ai që na jep prej këtij burimi, por gjak i gjallë; dhe është vërtet një shenjë vdekjeje, por është bërë shkak jete.
Por ti, tek lë burimin e gjakut, kupën e tmerrshme, shkon drejt burimit të djallit, për të parë një lavire që noton, dhe për të pësuar mbytjen e shpirtit. Sepse ai ujë është një det shthurjeje, që nuk i mbyt trupat, por u shkakton mbytje shpirtrave. Dhe, ndërsa ajo noton me trup lakuriq, ti, tek e sheh, fundosesh në thellësinë e shthurjes. Sepse i tillë është rrjeti i djallit: nuk i fundos ata që zbresin në vetë ujin, por ata që rrinë sipër, më shumë se ata që zhyten aty; dhe i mbyt më rëndë se Faraoni, që dikur u fundos në det me kuajt dhe qerret e tij. Dhe, sikur të mund të shiheshin shpirtrat, do t'ju tregoja shumë sosh që pluskojnë mbi këto ujëra, si trupat e egjiptianëve atëherë. Por ajo që është edhe më e rëndë është kjo: se ata madje e quajnë kënaqësi një shkatërrim kaq të plotë, dhe detin e humbjes e emërtojnë kanal për një lundrim argëtues. E megjithatë, me siguri, dikush do ta kalonte më lehtë e më i sigurt Detin Egje a Detin Tirren, sesa këtë shfaqje. Sepse, së pari, gjatë një nate të tërë djalli ua zë mendjen me pritjen e saj; pastaj, pasi u tregon atë që prisnin, i lidh menjëherë dhe i bën robër. Sepse mos mendo se, meqë nuk je bashkuar me laviren, je i pastër nga mëkati; sepse, në qëllimin e zemrës sate, e ke bërë të tërën. Sepse, po të të pushtojë epshi, e ke ndezur flakën edhe më lart; e, po të mos ndiesh asgjë nga ç'sheh, meriton një faj më të rëndë, sepse u bëhesh skandal të tjerëve, duke i nxitur në këto shfaqje, dhe sepse ndot vetë shikimin tënd, e bashkë me shikimin, edhe shpirtin tënd.
Megjithatë, jo vetëm për të qortuar, ejani të gjejmë edhe një mënyrë ndreqjeje. Cila do të jetë, pra, kjo mënyrë? Do t'ju lija në dorë të grave tuaja, që ato t'ju mësojnë. Është e vërtetë, sipas ligjit të Pavlit, ju duhet të ishit mësuesit. Por, meqë ai rend u përmbys nga mëkati, dhe trupi erdhi e u ngjit lart, kurse koka mbeti poshtë, le ta marrim edhe këtë udhë.
Por, në qofsh i turpëruar të kesh një grua për mësuese, ik nga mëkati, dhe shpejt do të mund të ngjitesh në fronin që të ka dhënë Perëndia. Sepse, sa kohë të mëkatosh, Shkrimi nuk të dërgon vetëm te një grua, por edhe te gjërat pa arsye, e madje te më të ultat prej tyre; po, nuk ka turp të të dërgojë ty, që je nderuar me arsye, si nxënës te milingona. Kjo, sigurisht, nuk është qortim kundër Shkrimit, por kundër atyre që tradhtojnë kështu fisnikërinë e vet. Këtë, pra, do ta bëjmë po ashtu; dhe tani për tani do të të lëmë në dorë të gruas sate; por, po ta përbuzësh atë, do të të dërgojmë në shkollën e vetë kafshëve, dhe do të të tregojmë sa zogj, peshq, kafshë katërkëmbëshe e zvarranikë gjenden më të nderuar e më të dëlirë se ti.
Në qofsh tani i turpëruar dhe skuqesh nga krahasimi, ngjitu drejt fisnikërisë sate, dhe ik nga deti i ferrit e nga vërshimi i zjarrit, dua të them nga pellgu i teatrit. Sepse ky pellg të shpie në atë det, dhe ndez atë humnerë flake. Sepse, në qoftë se «kush shikon një grua për ta dëshiruar, e ka shkelur kurorën tashmë», ai që detyrohet madje ta shohë lakuriq, si të mos bëhet rob dhjetë mijë herë më tepër? Vërshimi në ditët e Noeut nuk e shkatërroi aq krejtësisht racën e njerëzve, sa këto gra që notojnë mbytin, me turp të madh, gjithë ata që janë atje. Sepse, sa për atë shi, ndonëse solli vërtet një vdekje të trupit, prapëseprapë e shtypi ligësinë e shpirtit; kurse ky vepron ndryshe: ndërsa trupat mbeten, shkatërron shpirtin. Dhe ju, kur bëhet fjalë për përparësi, pretendoni të zini vendin e parë në gjithë botën, ngaqë qyteti ynë i pari u kurorëzua me emrin e krishterë; por, në garën e dëlirësisë, nuk keni turp të mbeteni pas qyteteve më të egra.
8. «Mirë», thotë dikush, «e ç'kërkon prej nesh të bëjmë? Të ngjitemi nëpër male e të bëhemi murgj?» Ja, pikërisht kjo më bën të psherëtij: që ju mendoni se vetëm ata kanë të bëjnë si duhet me ndershmërinë e dëlirësinë; e megjithatë Krishti, sigurisht, i bëri ligjet e Tij të përbashkëta për të gjithë. Kështu, kur thotë: «kush shikon një grua për ta dëshiruar», nuk i flet vetëm vetmitarit, por edhe atij që ka grua; sepse, në të vërtetë, ai mal ishte atëherë plot me njerëz të çdo lloji të asaj natyre. Formo, pra, në mendjen tënde një pamje të atij amfiteatri, dhe urreje këtë tjetrin, që është i djallit. As mos e dëno ashpërsinë e fjalës sime. Sepse unë as «nuk ndaloj martesën», as nuk të pengoj të kënaqesh; por dua që kjo të bëhet me dëlirësi, jo me turp, me qortim e me akuza pa fund. Nuk e bëj ligj që ju të ngjiteni nëpër male e nëpër shkretëtira, por të jeni të mirë, të matur e të dëlirë, tek banoni në mes të qytetit. Sepse, në fakt, të gjitha ligjet tona janë të përbashkëta edhe për murgjit, veç martesës; madje, edhe përsa i përket kësaj, Pavli na urdhëron të vihemi krejtësisht në një nivel me ta, duke thënë: «Sepse forma e kësaj bote po shkon», që «ata që kanë gra të jenë sikur të mos kishin».
«Prandaj» (kështu flet ai) «nuk ju them të zaptoni majat e maleve; është e vërtetë, do të doja, ngaqë qytetet imitojnë ato që u bënë në Sodomë; megjithatë, nuk e detyroj këtë. Rri, me shtëpi e me fëmijë e me grua; vetëm mos e fyej gruan tënde, as mos i turpëro fëmijët e tu, as mos e fut në shtëpinë tënde ndotjen e teatrit.» A nuk e dëgjon Pavlin që thotë: «Burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja», dhe që vë ligje të përbashkëta për të dyja palët? Por ti, në qoftë se gruaja jote fut vazhdimisht veten në një tubim publik, je i rreptë duke e fajësuar; kurse veten tënde, që shpenzon ditë të tëra në shfaqjet publike, nuk e quan të denjë për qortim. Po, përsa i përket ndershmërisë së gruas sate, je aq i rreptë, sa kalon madje përtej nevojës a masës, dhe nuk i lejon as edhe largimet e domosdoshme; kurse për veten tënde çdo gjë e mban të lejueshme. E megjithatë Pavli nuk të lejon, ai që i jep edhe gruas po atë pushtet, sepse kështu flet: «Burri le t'i japë gruas nderimin që i takon». Ç'lloj nderimi është, pra, ky, kur ti e fyen atë në gjërat më kryesore, dhe ia jep trupin e saj lavireve (sepse trupi yt është i saji); kur sjell trazira e luftëra në shtëpinë tënde, kur bën në treg gjëra të tilla, që, po t'ia tregoje vetë gruas sate në shtëpi, do ta mbulonin me turp, dhe do të turpëronin edhe vajzën tënde, po të ishte e pranishme, e, më shumë se ata, sigurisht, veten tënde? Sepse ti detyrimisht ose duhet të heshtësh, ose të sillesh aq pahijshëm, sa do të ishte e drejtë që të fshikulloheshin për këtë vetë shërbëtorët e tu. Çfarë shfajësimi do të kesh, pra, të lutem, ti që sheh, me kaq shumë etje, gjëra që edhe t'i emërtosh është e pahijshme; ti që u jep përparësi mbi çdo pamje pikërisht atyre që edhe t'i rrëfesh është e padurueshme?
Tani, pra, për njëfarë kohe, që të mos jem tepër i rëndë, po e mbyll këtu fjalimin tim. Por, në qoftë se vazhdoni në të njëjtat udhë, do ta bëj thikën më të mprehtë dhe prerjen më të thellë; dhe nuk do të pushoj, derisa ta shpërndaj teatrin e djallit, dhe kështu ta pastroj kuvendin e Kishës. Sepse në këtë mënyrë do të çlirohemi si nga turpi i tanishëm, ashtu edhe do të korrim frytin e jetës që vjen, me anë të hirit dhe të njeridashjes së Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it