Të gjitha letrat

Shën Joan Gojarti

Mateu 2:11-15

Si thotë, pra, Lluka se Ai ishte shtrirë në grazhd? Sepse, në çastin e lindjes, ajo e vuri vërtet atje (sepse, siç ishte e natyrshme, në atë grumbullim të madh njerëzish për regjistrimin, nuk gjetën dot shtëpi; këtë e tregon edhe Lluka, kur thotë «Se nuk kishte vend, e vuri» atje); por më pas e mori dhe e mbajti mbi gjunjë. Sepse, sapo arriti në Betlehem, i dha fund dhembjeve të lindjes, që edhe prej kësaj të mësosh gjithë ikonominë, dhe se këto gjëra nuk u bënë kot a rastësisht, po të gjitha po përmbusheshin sipas njëfarë paranjohjeje hyjnore dhe rendi profetik.

Po ç'ishte ajo që i shtyu të adhuronin? Sepse as Virgjëresha nuk binte në sy, as shtëpia nuk ishte e shquar, as ndonjë gjë tjetër nga ato që panë s'ishte e tillë sa t'i mahniste a t'i tërhiqte. E megjithatë, ata jo vetëm adhurojnë, po edhe «hapin thesaret e tyre» e «kushtojnë dhurata»; dhe dhurata jo si për një njeri, po si për një Perëndi. Sepse temjani dhe mirra ishin simbol i kësaj. Ç'i nxiti, pra? Po ajo që veproi tek ata për t'i nisur nga shtëpia dhe për të bërë një udhë kaq të gjatë; dhe kjo ishte edhe ylli, edhe ndriçimi që Perëndia bëri në mendjen e tyre, duke i udhëhequr pak nga pak drejt një njohjeje më të përsosur. Sepse, po të mos kishte qenë kështu, meqë gjithçka që shihej ishte e zakonshme, ata nuk do të kishin treguar një nder kaq të madh. Prandaj asnjë nga rrethanat e jashtme s'ishte e madhe në atë rast, por ishte një grazhd, një kasolle dhe një nënë në gjendje të varfër: që të vërë para syve të tu, lakuriq e zbuluar, dashurinë e atyre magëve për urtësinë, dhe të të provojë se nuk iu afruan Atij si njeri i thjeshtë, po si Perëndi e Bamirës. Ndaj as nuk u skandalizuan nga asgjë e asaj që panë përjashta, po madje adhuruan dhe sollën dhurata; dhurata jo vetëm të çliruara nga trashësia judaike, meqë nuk flijuan dele e viça, po që i afroheshin edhe vetëkushtimit të Kishës, sepse ishin njohja, bindja dhe dashuria ato që i kushtuan Atij.

«Dhe, të paralajmëruar nga Perëndia në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u nisën për në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.»

Shihni edhe prej kësaj besimin e tyre, si nuk u skandalizuan, po janë të bindur e të matur; as nuk shqetësohen, as nuk arsyetojnë me vete, duke thënë: «E prapëseprapë, në qoftë se ky Fëmijë është i madh dhe ka ndonjë fuqi, ç'nevojë ka për ikje e për një tërheqje të fshehtë? Dhe si bëhet që, kur erdhëm haptas e me guxim, dhe qëndruam përballë një populli kaq të madh e përballë çmendurisë së një mbreti, engjëlli na nxjerr nga qyteti si arratisës e ikanakë?» Por asnjë nga këto gjëra nuk e thanë as nuk e menduan. Sepse kjo i takon besimit mbi të gjitha: të mos kërkojë llogari për atë që urdhërohet, po thjesht t'u bindet urdhërimeve që na jepen.

2. «Dhe, si u nisën ata, ja, një engjëll i shfaqet Josifit në ëndërr e i thotë: ‹Çohu, merr Fëmijën dhe të ëmën e Tij, dhe ik në Egjipt.›»

Ka diçka këtu që vlen të hetohet, si për magët, ashtu edhe për Fëmijën; sepse, edhe pse ata nuk u shqetësuan, po i pranuan të gjitha me besim, vlen ta shqyrtojmë nga ana jonë përse ata dhe Fëmija nuk ruhen duke qëndruar aty, po ata, si të arratisur, shkojnë në Persi, kurse Ai me të ëmën në Egjipt. Po ç'të thuash? A duhej të binte Ai në duart e Herodit, dhe, pasi të kishte rënë, të mos vritej? Jo, atëherë nuk do të mendohej se kishte marrë mish; nuk do të besohej madhështia e ikonomisë.

Sepse, në qoftë se, ndërsa ndodhin këto gjëra dhe shumë rrethana rregullohen në mënyrë të mistershme, si te njerëzit, disa guxuan të thonë se marrja e mishit tonë prej Tij është përrallë, në ç'thellësi paperëndishmërie nuk do të ishin fundosur, po ta kishte bërë Ai gjithçka në një mënyrë të denjë për hyjninë e Tij dhe sipas fuqisë së vet?

Sa për magët, Ai i nis shpejt, duke i ngarkuar njëkohësisht si mësues për vendin e persëve, dhe duke ia prerë njëherësh çmendurinë mbretit, që ky të mësonte se po përpiqej për gjëra të pamundura, të shuante zemërimin e vet dhe të hiqte dorë nga ky mundim i tij i kotë. Sepse jo vetëm t'i nënshtrojë haptas armiqtë, po edhe t'i mashtrojë me lehtësi, i ka hije fuqisë së Tij. Kështu, për shembull, Ai i mashtroi edhe egjiptianët në rastin e hebrenjve, dhe, ndonëse kishte fuqi ta kalonte pasurinë e tyre haptas në duart e hebrenjve, i urdhëron ata ta bëjnë këtë fshehtas e me dredhi; dhe kjo, sigurisht jo më pak se mrekullitë e tjera, ua kalli tmerrin armiqve të Tij. Të paktën, ata të Ashkelonit dhe gjithë të tjerët, kur kishin marrë arkën dhe u goditën, i këshilluan pastaj bashkatdhetarët e tyre të mos luftonin, as të mos i dilnin kundër Atij, dhe, bashkë me mrekullitë e tjera, sollën edhe këtë, duke thënë: «Përse i ngurtësoni zemrat tuaja, siç i ngurtësuan Egjipti dhe Faraoni? Kur Ai i talli, a nuk e nxori pastaj popullin e Tij, dhe ata ikën?» E këtë e thanë, duke e çmuar këtë të renë jo më të vogël se ato shenja të tjera që ishin bërë haptas, për të treguar fuqinë dhe madhështinë e Tij. Diçka e ngjashme ndodhi edhe në këtë rast, një gjë e mjaftueshme për të mahnitur tiranin. Sepse mendoni ç'ishte e natyrshme të ndiente Herodi, dhe si do t'i merrej fryma, i mashtruar siç ishte nga magët dhe kështu i vënë në lojë. Sepse ç'të thuash, në qoftë se ai nuk u bë më i mirë? Nuk është faji i Atij që i rregulloi mrekullisht të gjitha këto, po është tepria e çmendurisë së Herodit, i cili nuk iu dorëzua as atyre gjërave që kishin fuqi ta bindnin dhe ta largonin nga ligësia e tij, po shkoi edhe më tej, për të marrë një ndëshkim edhe më të rëndë për një marrëzi kaq të madhe.

3. Po përse, mund të thuhet, dërgohet Fëmija në Egjipt? Së pari, vetë Ungjillori e ka përmendur shkakun, kur thotë: «Që të përmbushej: ‹Nga Egjipti e thirra Birin tim.›» Dhe njëkohësisht, që atëherë, i shpalleshin që më parë botës fillimet e shpresave të bukura. Domethënë, meqë Vaviloni dhe Egjipti, më shumë se gjithë bota, ishin përvëluar nga flaka e paperëndishmërisë, Ai e tregoi që në fillim se do t'i ndreqte e t'i përmirësonte të dyja, e kështu i shtyu njerëzit të prisnin mirësitë e Tij edhe për gjithë botën njësoj; njërit i dërgoi magët, kurse tjetrin e vizitoi Ai vetë bashkë me të ëmën.

Dhe, veç asaj që thashë, ka edhe një mësim tjetër, që na jepet me këtë e na çon jo pak drejt vetëpërmbajtjes së vërtetë. Ç'lloji është, pra? Të presësh që në fillim tundime e kurthe. Shih, për shembull, si ndodhi kjo qysh në pelenat e Tij. Kështu e sheh që në lindjen e Tij: së pari një tiran që tërbohet, pastaj ikja që pason, dhe largimi përtej kufirit; dhe, pa asnjë faj, e ëma e Tij mërgohet në vendin e barbarëve. E gjithë kjo, që ti, kur i dëgjon këto gjëra (po të të quajnë të denjë t'i shërbesh ndonjë çështjeje shpirtërore, dhe pastaj ta shohësh veten duke pësuar të këqija të pashërueshme e duke duruar rreziqe të panumërta), të mos shqetësohesh fort, as të mos thuash: «Ç'është kjo punë? E prapëseprapë, unë duhej të kurorëzohesha e të kremtohesha, të isha i lavdishëm e i shquar që përmbusha urdhërimin e Zotit», po që, duke pasur këtë shembull, t'i durosh me fisnikëri të gjitha, duke e ditur se pikërisht ky është rendi i të gjitha gjërave shpirtërore: që tundimet t'i shoqërojnë kudo. Shih të paktën si ndodh kjo jo vetëm me nënën e Fëmijës, po edhe me ata barbarë; sepse ata, nga ana e tyre, tërhiqen fshehtas si të arratisur; kurse ajo, që kurrë s'e kishte kaluar pragun e shtëpisë së saj, urdhërohet të ndërmarrë një udhë kaq të gjatë vuajtjeje, për shkak të kësaj lindjeje të mrekullueshme dhe të mundimit të saj shpirtëror.

Dhe ja, përsëri një çudi. Palestina kurdis kurthe, kurse Egjipti e pret dhe e ruan Atë që u bë shënjestër e kurtheve. Sepse, siç duket, jo vetëm te ngjarja e bijve të patriarkut u shfaqën parafigura, po edhe te vetë rasti i Zotit tonë. Në shumë raste, jemi të sigurt, veprimet e Tij atëherë ishin shpallje profetike të asaj që do të ndodhte më vonë; si, për shembull, te ngjarja e gomarit dhe e kërriçit.

4. Tani engjëlli, si u shfaq kështu, nuk i flet Marisë, po Josifit; dhe ç'thotë? «Çohu, merr Fëmijën dhe të ëmën e Tij.» Këtu nuk thotë më «gruan tënde», po «nënën e Tij». Sepse, pasi lindja kishte ndodhur, dyshimi ishte hequr dhe burri ishte qetësuar, që atëherë engjëlli flet haptas, duke mos e quajtur të tijin as fëmijën, as gruan, po thotë: «Merr Fëmijën dhe të ëmën e Tij, dhe ik në Egjipt»; dhe përmend shkakun e ikjes: «Sepse Herodi», thotë, «do të kërkojë jetën e Fëmijës.»

Josifi, kur i dëgjoi këto gjëra, nuk u skandalizua, as nuk tha: «Kjo punë është e vështirë për t'u kuptuar: A nuk the pak më parë se Ai do të shpëtojë popullin e Tij? E tani nuk shpëton as veten; po ne duhet të ikim, të shkojmë larg shtëpisë e të rrimë gjatë larg saj: gjërat bien ndesh me premtimin.» Jo, asnjë nga këto gjëra nuk i thotë (sepse njeriu ishte besnik); as nuk shfaq kureshtje për kohën e kthimit të tij, ndonëse engjëlli e kishte thënë pa afat kështu: «Rri atje derisa të të them.» Por, megjithatë, as për këtë nuk u drodh, po nënshtrohet e bindet, duke i duruar të gjitha sprovat me gëzim.

Dhe kjo, sepse Perëndia, që është plot dashuri për njeriun, me këto vështirësi përzien edhe gjëra të këndshme; kjo është, në të vërtetë, mënyra e Tij me të gjithë shenjtorët: nuk i bën të pareshtura as rreziqet e tyre, as prehjen, po e end jetën e të gjithë të drejtëve nga të dyja bashkë. Pikërisht këtë bëri edhe këtu: sepse mendoni, Josifi e pa Virgjëreshën shtatzënë; kjo e hodhi në trazirë e në shqetësimin më të madh, sepse dyshonte se vajza kishte shkelur kurorën. Po menjëherë engjëlli ishte pranë për t'ia hequr dyshimin dhe për t'ia larguar frikën; dhe, kur pa Fëmijën e lindur, korri gëzimin më të madh. Përsëri, këtë gëzim e pason një rrezik jo i vogël: qyteti trazohet dhe mbreti, në çmendurinë e vet, kërkon Atë që kishte lindur. Po këtë shqetësim e pasoi sërish një gëzim tjetër: ylli dhe adhurimi i magëve. Përsëri, pas kësaj kënaqësie, frikë e rrezik: «Sepse Herodi», thotë, «po kërkon jetën e Fëmijës»; dhe Ai duhet patjetër të ikë e të tërhiqet si çdo njeri i vdekshëm, sepse koha e mrekullive ende nuk kishte ardhur. Sepse, po të kishte treguar mrekulli që në foshnjërinë e Tij më të hershme, nuk do të quhej njeri.

Për këtë arsye, po e shtoj, as tempulli nuk ndërtohet menjëherë; po ndodh një zënie e rregullt, një kohë prej nëntë muajsh, dhembjet, lindja, të ushqyerit me gji, heshtja për një kohë kaq të gjatë, dhe Ai pret moshën që i përket burrërisë; që me çdo mënyrë të fitohej pranimi për misterin e ikonomisë së Tij.

«Po përse atëherë», mund të thotë dikush, «u bënë këto shenja që në fillim?» Për hir të nënës së Tij; për hir të Josifit dhe të Simeonit, që së shpejti do të ndahej nga jeta; për hir të barinjve dhe të magëve; për hir të hebrenjve. Sepse ata, po të kishin dashur t'i vinin veshin me kujdes asaj që po ndodhte, do të kishin korrur edhe nga kjo ngjarje jo pak dobi për sa i përket asaj që do të vinte.

Po nëse profetët nuk përmendin ato që lidhen me magët, mos u shqetësoni; sepse ata as nuk i parathanë të gjitha, as nuk heshtën për të gjitha. Sepse, ashtu siç do të shkaktonte natyrshëm shumë habi e shqetësim t'i shihje ato gjëra të ndodhnin pa asnjë lajmërim paraprak, po ashtu, të ishe njoftuar për të gjitha, do ta përgjumte dëgjuesin dhe s'do t'u kishte lënë gjë Ungjillorëve për të shtuar.

5. Dhe, po të ngrinin hebrenjtë një çështje rreth profecisë dhe të thoshin se fjalët «Nga Egjipti e thirra Birin tim» u thanë për vetë ata, do t'u thoshim: Ky është një ligj i profecisë, se në shumë raste, ajo që thuhet për një grup njerëzish përmbushet te një tjetër; i tillë është edhe ai që thuhet për Simeonin dhe Levin: «Do t'i ndaj», thotë, «në Jakob, dhe do t'i shpërndaj në Izrael.» E megjithatë, kjo nuk u vërtetua te vetë ata, po te pasardhësit e tyre; edhe fjala e Noes për Kanaanin doli e vërtetë te gibeonasit, pasardhësit e Kanaanit. Edhe atë për Jakobin mund ta shohësh se kështu ndodhi; sepse ato bekime që thonë «Bëhu zot mbi vëllanë tënd, dhe bijtë e atit tënd le të të falen» nuk patën përmbushje te vetë ai (si mund të kishin, kur ai ishte në frikë e në drithërimë, dhe i përulej vëllait të tij herë pas here?), po e patën te pasardhësit e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në këtë rast. Sepse cili mund të quhet biri më i vërtetë i Perëndisë: ai që i falet një viçi, që bashkohet me Baal-Peorin dhe u flijon bijtë e vet demonëve, apo Ai që është Bir për nga natyra dhe nderon Atë që e lindi? Kështu që, po të mos kishte ardhur ky, profecia nuk do të kishte marrë përmbushjen e vet të merituar. Vlen të vërehet gjithashtu se Ungjillori e lë të kuptohet po këtë me shprehjen «që të përmbushej», duke nënkuptuar se nuk do të përmbushej, po të mos kishte ardhur Ai.

Dhe kjo e bën Virgjëreshën jashtëzakonisht të lavdishme e të shquar; sepse pikërisht atë që ishte lavdia e veçantë e tërë popullit, tani e ka edhe ajo si të sajën. Dua të them: ndërsa ata krenoheshin që kishin dalë nga Egjipti dhe mburreshin me këtë (gjë të cilën e linte të kuptohej edhe profeti, kur thoshte «A nuk i solla të huajt nga Kapadokia, dhe asirianët nga gropa?»), Ai ia jep këtë epërsi edhe Virgjëreshës.

Më saktë, megjithatë, si populli, ashtu edhe patriarku, duke zbritur atje e duke u ngjitur andej, plotësonin bashkë figurën e këtij kthimi të Tij. Kështu, ashtu si zbritën ata për t'i shpëtuar vdekjes nga uria, po ashtu Ai për t'i shpëtuar vdekjes nga komploti. Po, ndërsa ata, kur mbërritën, u çliruan për një kohë nga uria, ky, kur zbriti, shenjtëroi gjithë vendin, duke vënë këmbën mbi të.

Të paktën vihet re si, mes përuljeve të Tij, zbulohen shenjat e hyjnisë së Tij. Kështu, para së gjithash, engjëlli, kur thotë «Ik në Egjipt», nuk premtoi të udhëtonte bashkë me ta, as në zbritje, as në kthim; duke lënë të kuptohet se ata kanë një bashkudhëtar të madh, Fëmijën që kishte lindur, të tillë që ndryshoi vërtet gjithçka menjëherë sapo u shfaq, dhe bëri që armiqtë e Tij t'i shërbenin në shumë mënyra kësaj ikonomie. Kështu, magët dhe barbarët, duke lënë besëtytninë e etërve të tyre, vijnë e adhurojnë; kështu Augusti i shërben lindjes në Betlehem me dekretin për regjistrimin; Egjipti e pret dhe e ruan Atë, të dëbuar nga shtëpia e Tij dhe kundër të cilit kurdiseshin kurthe, dhe fiton njëfarë shtytjeje të parë drejt bashkimit të vet me Të; kështu që, kur më vonë të dëgjonte Atë të predikuar nga apostujt, të kishte të paktën këtë për t'u krenuar, që e priti e para. E megjithatë, ky privilegj i takonte vetëm Palestinës; por e dyta doli më e zjarrtë se e para.

6. Dhe tani, po të vije në shkretëtirën e Egjiptit, do ta shohësh këtë shkretëtirë të bërë më të mirë se çdo parajsë, dhjetë mijë kore engjëjsh në trajta njerëzore, kombe dëshmorësh, çeta virgjëreshash, dhe gjithë tiraninë e djallit të rrëzuar, ndërsa mbretëria e Krishtit ndrit në gjithë shkëlqimin e vet. Dhe nëna e poetëve, e të diturve dhe e magjistarëve nuk ishte veçse trillim plakash të marra; kurse urtësia e vërtetë dhe e denjë për qiellin është kjo, që ua shpallën peshkatarët. Dhe pikërisht për këtë arsye, bashkë me përpikërinë e tyre kaq të madhe në mësim, ata tregojnë edhe me jetën e vet atë seriozitet të skajshëm. Sepse, kur janë zhveshur nga gjithçka kanë dhe janë kryqëzuar për gjithë botën, e shtyjnë udhën e tyre edhe më tej, duke përdorur mundin e trupit të vet për ushqimin e nevojtarëve. Sepse, edhe pse agjërojnë dhe rrinë zgjuar, nuk e quajnë të udhës të rrinë kot gjatë ditës; po netët i kalojnë në himne të shenjta e në vigjilje, ditët në lutje dhe njëkohësisht duke punuar me duart e veta, duke imituar zellin e apostullit. Sepse, po të mbante ai një punishte e të ushtronte një zanat, ndonëse gjithë bota e kishte sytë nga ai, që të ushqente nevojtarët, dhe, i zënë kështu, s'flinte as natën, sa më tepër, thonë, na ka hije neve, që kemi vendosur banimin në shkretëtirë e s'kemi të bëjmë me trazirat e qyteteve, ta përdorim prehjen e qetësisë sonë për punë shpirtërore!

Le të turpërohemi, pra, të gjithë, si të pasurit, ashtu edhe të varfrit, kur ata që s'kanë fare gjë, veç një trupi e dy duarve, çajnë përpara e përpiqen me zell të gjejnë prej andej mbështetje për të varfrit; kurse ne, që kemi thesare të pashtershme brenda, nuk i prekim as tepricat tona për këto qëllime. Ç'shfajësim do të kemi atëherë, të lutem? Dhe ç'lloj justifikimi?

Mendoni edhe më tej si këta egjiptianë dikur ishin edhe koprracë, edhe grykës, bashkë me veset e tjera. Sepse aty ishin ato tenxheret me mish që hebrenjtë i kujtojnë; aty ishte tirania e madhe e barkut. E megjithatë, me vullnet të gatshëm, ata ndryshuan: dhe, si morën zjarr nga Krishti, u nisën menjëherë në udhëtimin drejt qiellit; dhe, ndonëse më të zjarrtë se pjesa tjetër e njerëzimit e më kokëfortë, si në zemërim, ashtu edhe në kënaqësitë trupore, imitojnë fuqitë e patrupta në butësi dhe në atë liri tjetër nga pasionet që i përket vetëmohimit.

7. Tani, po të ketë qenë ndonjë në atë vend, e di ç'them. Po nëse s'ka hyrë kurrë në ato banesa, le ta sjellë ndër mend atë që edhe sot e kësaj dite është në gojën e të gjithëve, atë që, pas apostujve, e nxori Egjipti, të bekuarin e të madhin Andon; dhe le t'i thotë vetes: «Edhe ky njeri lindi në të njëjtin vend me Faraonin; e megjithatë kjo s'e dëmtoi, po iu dha një vegim hyjnor dhe tregoi një jetë siç e kërkojnë ligjet e Krishtit.» Dhe këtë do ta dijë kushdo në përsosuri, kur të ketë lexuar librin që përmban historinë e jetës së atij njeriu; ku do të vërejë edhe shumë profeci. E kam fjalën për parashikimin e tij rreth atyre që u prekën nga gabimet e Ariut, dhe për fjalën e tij mbi të keqen që do të vinte prej tyre; sepse Perëndia, që atëherë, ia kishte treguar ata dhe ia kishte vizatuar para syve gjithçka që do të vinte. Një gjë që, mbi të gjitha, shërben për të treguar të vërtetën: se askush nga ata që u përkasin herezive të jashtme s'ka një njeri të tillë për të përmendur. Po, që të mos mbështeteni te ne për këtë, shikoni me vëmendje çfarë është shkruar në atë libër, dhe do t'i mësoni të gjitha me përpikëri, e prej andej do të merrni mësim për shumë vetëmohim.

Dhe këtë këshillë jap: jo thjesht të lexojmë ç'është shkruar aty, po edhe ta ndjekim me zell, dhe të mos bëjmë justifikim as vendin, as edukimin, as ligësinë e etërve tanë. Sepse, po t'i kushtojmë kujdes vetes, asnjëra prej këtyre s'do të jetë pengesë për ne, sepse edhe Abrahami pati një atë të paperëndishëm, por nuk e trashëgoi ligësinë e tij; edhe Ezekia pati për atë Ahazin, e megjithatë u bë i dashur për Perëndinë. Edhe Josifi, kur ndodhej në mes të Egjiptit, e stolisi veten me kurorat e vetëpërmbajtjes; edhe tre djemtë po ashtu, në mes të Vavilonit e të pallatit, kur para tyre u shtrua një tryezë si ato të Sibarisit, treguan vetëmohimin më të lartë; edhe Moisiu në Egjipt, edhe Pavli në gjithë botën; po asgjë s'ishte pengesë për asnjërin prej tyre në garën e virtytit.

Pra, duke i pasur ndër mend të gjitha këto, le t'i lëmë mënjanë shfajësimet e justifikimet tona të tepërta, dhe t'u përvishemi atyre mundimeve që kërkon çështja e virtytit. Sepse kështu do të tërheqim mbi vete më shumë hir nga Perëndia, do ta bindim të na ndihmojë në betejat tona, dhe do të fitojmë bekimet e përjetshme; të cilave dhëntë Perëndia t'i arrijmë të gjithë, me hirin dhe dashurinë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit i qoftë lavdia dhe fitorja në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it