Etërit mbi Ungjijtë
← Shën Joan Gojarti

Shën Joan Gojarti

Mateu 25:1-30

Këto shëmbëlltyra i ngjajnë shëmbëlltyrës së mëparshme, asaj të shërbëtorit besnik dhe të atij mosmirënjohësi që hëngri pasurinë e të zotit. Sepse gjithsej janë katër, dhe në mënyra të ndryshme na këshillojnë për të njëjtat gjëra: e kam fjalën për kujdesin në dhënien e lëmoshës dhe për ndihmën ndaj të afërmit me çdo mjet që kemi në dorë, sepse ndryshe s'ka si të shpëtojmë. Por atje Ai flet më përgjithësisht, për çdo ndihmë që duhet t'i jepet të afërmit; kurse te virgjëreshat flet posaçërisht për mëshirën në lëmoshë, madje më me forcë se në shëmbëlltyrën e mëparshme. Sepse atje dënon atë që rreh, që dehet, që shpërdoron e shkapërderdh pasurinë e të zotit; kurse këtu dënon edhe atë që thjesht nuk ndihmon, që nuk e shpenzon bujarisht pasurinë e vet për nevojtarët. Vaj kishin, po jo me bollëk, dhe prandaj edhe ndëshkohen.

Po pse e paraqet këtë shëmbëlltyrë me anë të virgjëreshave, dhe nuk merr thjesht një njeri çfarëdo? Gjëra të mëdha kishte thënë Ai për virgjërinë, kur tha: «Ka eunukë, që e kanë bërë veten eunukë për mbretërinë e qiejve»; dhe: «Kush mund ta pranojë, le ta pranojë». E dinte gjithashtu se shumica e njerëzve do ta çmonin fort. Sepse vërtet vepra është e madhe nga vetë natyra, dhe kjo duket qartë sepse as nën ligjin e vjetër nuk u përmbush prej atyre burrave të lashtë e të shenjtë, as nën të riun nuk u vu nën detyrimin e ligjit. Sepse Ai nuk e urdhëroi, po ua la në dorë dëgjuesve. Prandaj edhe Pavli tha: «Sa për virgjëreshat, nuk kam urdhër nga Zoti». Sikur të thoshte: ‹Ndonëse lëvdoj atë që e arrin, prapëseprapë nuk e detyroj atë që s'do, as nuk e bëj këtë gjë porosi.› Meqë, pra, kjo gjë është edhe e madhe në vetvete, edhe gëzon nder të madh te turma, që të mos ndodhë që dikush, kur ta arrijë, të mendojë sikur i ka arritur të gjitha e të lërë pas dore çka mbetet, Ai e sjell këtë shëmbëlltyrë, të mjaftueshme për t'i bindur se virgjëria, edhe sikur t'i ketë të gjitha të tjerat, po qe se s'ka të mirat që lindin nga lëmosha, hidhet jashtë bashkë me të përdalat, dhe Ai i vë përkrah tyre të pashpirtët e të pamëshirshmit. Dhe kjo me plot të drejtë, sepse njërën e mundi dashuria e kënaqësisë trupore, kurse këto dashuria e parasë. Po dashuria për kënaqësinë trupore dhe ajo për paranë s'janë të barabarta: ajo për kënaqësinë trupore është shumë më e mprehtë e më tirane. Dhe sa më i dobët të jetë kundërshtari, aq më pak falen ata që munden prej tij. Prandaj edhe i quan të marra, sepse, ndonëse hoqën mundin më të madh, i tradhtuan të gjitha nga mungesa e së voglës. Me llambat këtu Ai nënkupton vetë dhuratën e virgjërisë, dëlirësinë e shenjtërisë; kurse me vajin, dashamirësinë, lëmoshën, ndihmën ndaj atyre që janë në nevojë.

«Dhe, ndërsa dhëndri po vonohej, të gjitha dremitën dhe i zuri gjumi.» Ai tregon se koha që do të kalonte nuk do të ishte e shkurtër, duke i larguar nxënësit nga pritja se mbretëria e tij do të dukej menjëherë. Sepse pikërisht këtë shpresonin, prandaj Ai vazhdimisht i mban larg kësaj shprese. Dhe njëkohësisht lë të kuptohet edhe kjo, se vdekja është një gjumë. Sepse fjetën, thotë Ai.

«Dhe aty nga mesnata u dëgjua një britmë.» Ose po e vazhdonte shëmbëlltyrën, ose përsëri po tregon se ngjallja do të bëhet natën. Këtë britmë e përmend edhe Pavli, kur thotë: «Me një thirrje, me zërin e kryeengjëllit, me borinë e fundit, do të zbresë nga qielli». Po ç'kuptim kanë boritë, dhe ç'thotë britma? «Dhëndri po vjen». Kur, pra, i ndreqën llambat, të marrat u thonë të mençurave: «Na jepni pak nga vaji juaj». Përsëri i quan të marra, duke treguar se s'ka njeri më të marrë se ata që këtu janë të pasur, e shkojnë atje lakuriq, ku më së shumti kemi nevojë për dashamirësi, ku na duhet shumë vaj. Po jo vetëm nga kjo anë ishin të marra, po edhe sepse shpresuan të merrnin vaj atje, dhe e kërkuan pa kohë; e prapë s'kishte gjë më dashamirëse se ato virgjëresha, që pikërisht për këtë u miratuan. As nuk e kërkojnë të gjithin, sepse thonë: «Na jepni nga vaji juaj»; dhe tregohet ngutja e nevojës së tyre: «sepse llambat po na fiken», thonë. Po edhe kështu s'ia dolën: as dashamirësia e atyre që u lutën, as lehtësia e kërkesës, as nevoja e mungesa e tyre nuk i bënë ta merrnin.

Po ç'mësojmë tani nga kjo? Se atje askush s'mund të na mbrojë, po qe se na tradhtojnë veprat tona; jo se nuk do, po se nuk mundet. Sepse edhe këto virgjëresha strehohen te pamundësia. Këtë e tregoi edhe i lumturi Abraham, kur tha: «Midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe», kaq sa, edhe kur duan, nuk u lejohet ta kalojnë.

«Po shkoni te ata që shesin, dhe blini». E kush janë ata që shesin? Të varfrit. Dhe ku janë këta? Këtu; dhe atëherë duhej t'i kishin kërkuar, jo në atë çast.

2. A e sheh sa fitim i madh na vjen nga të varfrit? Po t'i hiqje ata, do të hiqje shpresën e madhe të shpëtimit tonë. Prandaj këtu duhet ta mbledhim vajin, që të na hyjë në punë atje, kur të na thërrasë koha. Sepse ajo nuk është koha për ta mbledhur, po kjo. Mos i shpenzo, pra, të mirat e tua kot, në luks e në mendjemadhësi. Sepse atje do të kesh nevojë për shumë vaj.

Pasi i dëgjuan këto, ato virgjëresha ikën; po s'nxorën asnjë dobi. Dhe këtë Ai e thotë ose duke e ndjekur shëmbëlltyrën dhe duke e zhvilluar, ose, me anë të këtyre, duke treguar se, edhe po të bëhemi të dhembshur pas ikjes sonë prej kësaj jete, s'do të fitojmë asgjë prej andej për t'i shpëtuar dënimit. Prandaj as gatishmëria e tyre s'u vlejti këtyre virgjëreshave, sepse shkuan te ata që shesin jo këtu, po atje; as pasanikut s'i vlejti, kur u bë aq bujar, sa u shqetësua edhe për të afërmit e vet. Sepse ai që i kalonte pranë atij që dergjej te porta, tani nxiton të shpëtojë nga rreziqet e nga ferri ata që as nuk i pa fare, dhe lutet të dërgohet dikush t'ua thotë këto gjëra. Po prapëseprapë s'nxori dobi prej andej, ashtu si as këto virgjëresha. Sepse, kur ato, pasi dëgjuan këto, ikën, erdhi dhëndri, dhe ato që ishin gati hynë bashkë me të, kurse të tjerat mbetën jashtë. Pas mundimeve të tyre të shumta, pas lodhjeve të panumërta, pas asaj lufte të padurueshme, pas atyre trofeve që kishin ngritur mbi marrëzinë e epshit të natyrës, u tërhoqën të turpëruara, me llambat e fikura, me fytyrat përkulur për tokë. Sepse s'ka gjë më të njollosur se virgjëria pa mëshirë; kaq sa edhe turma e ka zakon t'i quajë të errët të pamëshirshmit. Ku ishte, pra, dobia e virgjërisë, kur nuk e panë dhëndrin? As kur trokitën nuk fituan gjë, po dëgjuan atë fjalë të tmerrshme: «Largohuni, nuk ju njoh». Dhe kur Ai e ka thënë këtë, s'mbetet gjë tjetër veç ferrit dhe atij ndëshkimi të padurueshëm; ose më mirë, kjo fjalë është edhe më e rëndë se vetë ferri. Këtë fjalë ua thotë edhe atyre që punojnë paudhësi.

«Rrini zgjuar, pra, sepse s'e dini as ditën, as orën». A e sheh sa vazhdimisht e shton këtë, duke treguar sa e frikshme është padija jonë për ikjen prej kësaj jete? Ku janë tani ata që gjithë jetën e tyre janë përtacë, po, kur i qortojmë, thonë: ‹Në çastin e vdekjes sime do t'u lë para të varfërve›? Le t'i dëgjojnë këto fjalë dhe le të ndreqen. Sepse vërtet, në atë çast shumë prej tyre s'ia dolën ta bënin këtë, sepse u rrëmbyen befas dhe s'iu lejua as t'u linin porosi të afërmve për atë që dëshironin të bëhej.

Kjo shëmbëlltyrë u tha për mëshirën në lëmoshë; kurse ajo që vjen pas saj, u drejtohet atyre që as me para, as me fjalë, as me mbrojtje, as me asgjë tjetër fare, nuk duan t'i ndihmojnë të afërmit, po i mbajnë të gjitha për vete.

E pse vallë kjo shëmbëlltyrë sjell një mbret, kurse ajo një dhëndër? Që të mësosh sa ngushtë është lidhur Krishti me virgjëreshat që zhvishen nga zotërimet e tyre; sepse pikërisht kjo është virgjëria. Prandaj edhe Pavli e merr këtë si përkufizim të saj. «Gruaja e pamartuar kujdeset për punët e Zotit», thotë ai; dhe: «për atë që është e hijshme, dhe që t'i kushtoheni Zotit pa u shpërqendruar. Këto po ju këshillojmë», thotë.

Dhe po qe se te Luka shëmbëlltyra e talenteve jepet ndryshe, duhet thënë kjo: se njëra është vërtet e ndryshme nga tjetra. Sepse atje, nga i njëjti kapital u bënë shtesa në shkallë të ndryshme, sepse nga një minë njëri nxori pesë, tjetri dhjetë; prandaj as nuk morën të njëjtin shpërblim. Kurse këtu ndodh e kundërta, dhe prandaj edhe kurora është e barabartë. Sepse ai që mori dy dha dy, dhe ai që kishte marrë pesë po ashtu; kurse atje, meqë nga i njëjti fillim njëri bëri shtesë më të madhe e tjetri më të vogël, siç pritej, edhe në shpërblime nuk gëzojnë të njëjtën gjë.

Po vëre Atë kudo, se s'e kërkon menjëherë atë që i takon. Sepse në rastin e vreshtit, ua dha me qira bujqve dhe iku në një vend të largët; edhe këtu ua besoi talentet dhe u nis në udhëtim, që të mësosh durimin e tij të gjatë. Dhe mua më duket sikur i thotë këto për të lënë të kuptohet ngjallja. Po këtu s'ka më vresht dhe bujq, po të gjithë janë shërbëtorë. Sepse jo vetëm të parëve, as vetëm hebrenjve, po të gjithëve ua drejton fjalimin. Dhe ata që i sjellin fitim rrëfejnë hapur si atë që është e tyre, ashtu edhe atë që është e të Zotit. Njëri thotë: «Zot, ti më dhe pesë talente»; dhe tjetri thotë: «dy», duke treguar se prej tij morën burimin e fitimit të vet, dhe janë shumë mirënjohës, dhe ia njohin të gjitha Atij.

Po ç'thotë i Zoti? «Të lumtë, shërbëtor i mirë» (sepse kjo është mirësia: të kesh sytë te i afërmi) «dhe besnik; ishe besnik në pak gjëra, do të të vë përmbi shumë gjëra: hyr në gëzimin e Zotit tënd», duke nënkuptuar me këto fjalë gjithë lumturinë.

Po jo kështu ai tjetri, por si? «E dija se je njeri i ashpër, korr atje ku s'ke mbjellë, dhe mbledh atje ku s'ke shpërndarë; dhe pata frikë, dhe e fsheha talentin tënd: ja, ke atë që është jotja». Po ç'thotë i Zoti? «Duhej t'ua kishe dhënë paratë e mia këmbyesve», domethënë: «duhej të kishe folur, të kishe këshilluar, të kishe qortuar». Po ata janë të pabindur? Kjo s'ka lidhje me ty.

Ç'mund të ishte më i butë se ky? Sepse njerëzit vërtet s'veprojnë kështu, po atë që i ka dhënë paratë me kamatë, edhe atë e bëjnë përgjegjës që t'i kërkojë prapë. Po Ai jo kështu; por, thotë, ‹duhej t'i kishe dhënë, dhe të ma kishe lënë mua kërkimin e tyre prapë. Dhe unë do t'i kisha kërkuar me shtesë›, dhe me këtë shtesë, që vjen nga dëgjimi, nënkupton shfaqjen e veprave. ‹Duhej të bëje atë që është më e lehtë, dhe të më lije mua atë që është më e vështirë.› Meqë, pra, ai nuk e bëri këtë, «Merrjani, thotë, talentin, dhe jepjani atij që ka dhjetë talente. Sepse kujtdo që ka do t'i jepet, dhe do të ketë me tepri; kurse atij që s'ka do t'i merret edhe ajo që ka». Po ç'do të thotë kjo? Ai që ka dhuratën e fjalës e të mësimit, që të nxjerrë dobi prej saj, dhe nuk e përdor, do ta humbasë edhe dhuratën; kurse ai që përpiqet, do ta shtojë dhuratën edhe më me bollëk, ashtu si tjetri humbet atë që kishte marrë. Po ndëshkimi për të përtuarin nuk kufizohet me kaq, po është edhe i padurueshëm, dhe bashkë me ndëshkimin vjen edhe vendimi, që është plot me një akuzë të rëndë. Sepse «flakeni, thotë, shërbëtorin e padobishëm në errësirën e jashtme: atje do të jetë të qarët dhe kërcëllima e dhëmbëve». A e sheh se jo vetëm plaçkitësi dhe lakmitari, as vetëm ai që bën të këqija, po edhe ai që nuk bën të mira, ndëshkohet me ndëshkimin më të rëndë?

Le t'u vëmë veshin, pra, këtyre fjalëve. Sa kemi rast, le ta ndihmojmë shpëtimin tonë, le të gjejmë vaj për llambat tona, le të mundohemi ta shtojmë talentin tonë. Sepse, po të jemi të plogët e ta kalojmë kohën këtu në përtaci, askush s'do të na mëshirojë më atje, edhe sikur të vajtojmë dhjetë mijë herë. Edhe ai që kishte veshur rrobat e ndyra e dënoi veten dhe s'nxori asnjë dobi. Edhe ai që kishte marrë një talent e ktheu atë që i qe besuar, e prapë u dënua. Virgjëreshat përsëri u lutën, dhe erdhën tek Ai e trokitën, e të gjitha më kot, pa asnjë dobi.

Duke i ditur, pra, këto, le të japim njësoj pasuri, e zell, e mbrojtje, e gjithçka për të mirën e të afërmit. Sepse talentet këtu janë zotësia e secilit, qoftë në mbrojtje, qoftë në para, qoftë në mësim, qoftë në çfarëdo gjëje të tillë. Askush le të mos thotë: ‹Kam vetëm një talent, dhe s'mund të bëj asgjë›; sepse edhe me një të vetëm mund ta tregosh veten të denjë. Sepse s'je më i varfër se ajo e veja; s'je më i pamësuar se Pjetri dhe Joani, që të dy ishin «njerëz të pashkolluar e të thjeshtë»; e prapëseprapë, meqë treguan zell dhe bënë gjithçka për të mirën e përbashkët, arritën në Qiell. Sepse asgjë s'i pëlqen Perëndisë aq sa të jetosh për të mirën e përbashkët.

Për këtë qëllim Perëndia na dha fjalën, duart, këmbët, fuqinë e trupit, mendjen dhe mendimin: që t'i përdorim të gjitha këto, edhe për shpëtimin tonë, edhe për të mirën e të afërmit. Sepse fjala na vlen jo vetëm për himne e falënderime, po është e dobishme edhe për mësim e këshillë. Dhe po ta përdornim vërtet për këtë qëllim, do të ngjanim me Zotin tonë; por po ta përdornim për qëllimet e kundërta, me djallin. Sepse edhe Pjetri, kur rrëfeu Krishtin, u lumturua, sepse foli fjalët e Atit; po kur e hodhi poshtë kryqin dhe u përpoq ta shmangte, u qortua rëndë, sepse mendonte gjërat e djallit. Po nëse, atje ku fjala u tha nga padija, faji është kaq i rëndë, kur ne bëjmë me dashje shumë mëkate, ç'falje do të kemi?

Të tilla gjëra, pra, le të themi, që të duken qartë prej vetes fjalët e Krishtit. Sepse jo vetëm po të them «Ngrihu dhe ec», as vetëm po të them «Tabitha, ngrihu», flas fjalët e Krishtit, po shumë më tepër, kur, i sharë, bekoj, kur, i keqtrajtuar, lutem për atë që më keqtrajton. Së fundmi vërtet thashë se gjuha jonë është një dorë që kap këmbët e Perëndisë; po tani them shumë më tepër, se gjuha jonë është një gjuhë që ngjan me gjuhën e Krishtit, po qe se tregon rreptësinë që na ka hije, po qe se themi ato gjëra që do Ai. Po cilat janë gjërat që Ai do t'i themi? Fjalë plot butësi e përulësi, ashtu si i thoshte edhe Ai vetë atyre që e fyenin: «Unë s'kam demon»; dhe përsëri: «Në kam folur keq, dëshmo për të keqen». Në folsh edhe ti kështu, në folsh për ndreqjen e të afërmit, do të fitosh një gjuhë si ajo gjuhë. Dhe këto i thotë vetë Perëndia: «Ai që nxjerr të çmuarën nga e pavlera, do të jetë si goja ime»; të tilla janë fjalët e tij.

Kur, pra, gjuha jote është si gjuha e Krishtit, dhe goja jote është bërë goja e Atit, dhe ti je një tempull i Shpirtit të Shenjtë, atëherë ç'nder mund të barazohet me këtë? Sepse edhe sikur goja jote të ishte prej ari, madje edhe prej gurësh të çmuar, s'do të shkëlqente si tani, kur ndriçohet me stolinë e butësisë. Sepse ç'ka më të hijshme se një gojë që s'di të fyejë, po e ka zakon të bekojë e të japë fjalë të mira? Po nëse s'e duron dot ta bekosh atë që të mallkon, hesht, dhe kryeje të paktën këtë tani për tani; dhe, duke ecur me radhë e duke u përpjekur ashtu si të takon, do ta arrish edhe atë pikën tjetër, dhe do të fitosh një gojë të tillë siç e thamë.

4. Dhe mos e quaj të pamatur këtë fjalë. Sepse Zoti është dashamirës me njeriun, dhe dhurata vjen nga mirësia e tij. E pamatur është të kesh një gojë si të djallit, të kesh një gjuhë që i ngjan gjuhës së një demoni të lig, sidomos për atë që merr pjesë në mistere të tilla dhe kungohet me vetë mishin e Zotit. Duke menduar, pra, për këto gjëra, bëhu si Ai, sa të mundësh. Atëherë djalli s'do të jetë më i zoti as të të shohë në fytyrë, kur të jesh bërë i tillë. Sepse ai e njeh shëmbëllimin e Mbretit, i njeh armët e Krishtit, me të cilat u mund. E cilat janë këto? Butësia dhe përulësia. Sepse, kur në mal Krishti e përmbysi dhe e rrëzoi djallin që po e sulmonte, s'e bëri duke shpallur se ishte Krishti, po e zuri në kurth me këto fjalë, e mundi me butësi, e vuri në arrati me përulësi. Edhe ti duhet ta bësh këtë; po të shohësh një njeri që bëhet djall dhe të vjen kundër, ngadhënje edhe ti po kështu. Krishti të dha edhe ty pushtet të bëhesh si Ai, sa të lërë forca jote. Mos ki frikë kur e dëgjon këtë. Frika është të mos jesh si Ai. Fol, pra, si Ai, dhe në këtë pikë je bërë i tillë siç është Ai, sa është e mundur për një njeri të bëhet.

Prandaj më i madh është ai që flet kështu, se ai që profetizon. Sepse kjo është krejt dhuratë, kurse te tjetra është edhe mundi e lodhja jote. Mësoje shpirtin tënd të të bëjë një gojë si goja e Krishtit. Sepse ai mund të krijojë të tilla gjëra, po të dojë; e njeh mjeshtërinë, po të mos jetë përtac. Po si bëhet një gojë e tillë? mund të pyesë dikush. Me ç'ngjyra? me ç'lëndë? Jo me ngjyra, vërtet, as me lëndë; po vetëm me virtyt, e butësi, e përulësi.

Le të shohim edhe si bëhet një gojë djalli, që të mos e bëjmë kurrë atë. E si bëhet, pra? Me mallkime, me fyerje, me smirë, me betim të rremë. Sepse, kur dikush flet fjalët e tij, i merr gjuhën. Ç'shfajësim do të kemi, pra, ose më mirë, ç'lloj ndëshkimi s'do të pësojmë, kur këtë gjuhën tonë, me të cilën na lejohet të shijojmë mishin e Zotit, kur këtë, po them, e lëmë pas dore, duke folur fjalët e djallit?

Le të mos e lëmë pas dore, po le të vëmë gjithë zellin, që ta stërvitim të imitojë Zotin e vet. Sepse, po ta stërvitim për këtë, do të na vendosë me shumë guxim përpara fronit të gjyqit të Krishtit. Po qe se dikush s'di të flasë kështu, gjykatësi as që do ta dëgjojë. Sepse, ashtu si, kur gjykatësi qëllon të jetë romak, s'do ta dëgjojë mbrojtjen e atij që s'di të flasë ashtu, po ashtu edhe Krishti, po qe se nuk flet si Ai, s'do të dëgjojë, as s'do të të vërë veshin.

Le të mësojmë, pra, të flasim ashtu si e ka zakon të dëgjojë Gjykatësi ynë; le të përpiqemi ta imitojmë atë gjuhë. Dhe po të biesh në pikëllim, ruaju se mos tirania e ligështisë ta shtrembëron gjuhën, po fol si Krishti. Sepse edhe Ai vajtoi për Llazarin dhe për Judën. Po të biesh në frikë, kërko përsëri të flasësh ashtu si Ai. Sepse edhe Ai vetë ra në frikë për hir tënd, për sa i përket natyrës së tij njerëzore. Thuaj edhe ti: «Megjithatë, jo si dua unë, po si do ti».

Dhe po të vajtosh, derdh lot me qetësi, si Ai. Po të biesh në kurthe e në trishtime, përballoji edhe këto si Krishti. Sepse edhe Atij i ngritën kurthe, edhe u trishtua, e thotë: «Shpirti im është tepër i trishtuar, deri në vdekje». Dhe të gjithë këta shembuj t'i vuri përpara, që të mbash gjithnjë po ato masa dhe të mos i prishësh rregullat që të janë dhënë. Kështu do të mundesh të kesh një gojë si goja e tij; kështu, ndonëse shkel mbi dhe, do të tregosh një gjuhë si gjuha e Atij që rri në lartësi. Do t'i ruash kufijtë që i ruajti Ai në ligështi, në zemërim, në vuajtje, në ankth.

Sa veta prej jush duan ta shohin pamjen e tij? Ja, është e mundur jo vetëm ta shohim, po edhe të bëhemi si Ai, në qoftë se kemi zell.

Le të mos vonojmë, pra. Ai nuk i pranon me aq ëndje buzët e profetëve, sa buzët e njerëzve të butë e durimtarë. «Sepse shumë veta», thotë, «do të më thonë: ‹A nuk profetizuam në emrin tënd?› Dhe unë do t'u them: ‹Nuk ju njoh›».

Po Moisiu ishte fort zemërbutë e i butë; «sepse Moisiu», thuhet, «ishte njeri më i butë se gjithë njerëzit që ishin mbi faqen e dheut». Prandaj buzët e tij Ai i pranoi e i deshi aq shumë, saqë thotë: «Ballë për ballë, gojë më gojë i fliste, ashtu si i flet njeriu mikut të vet».

Tani nuk do t'u urdhërosh demonëve, po atëherë do t'i urdhërosh zjarrit të ferrit, në qoftë se e mban gojën tënde si goja e Krishtit. Do t'i urdhërosh humnerës së zjarrit e do t'i thuash: «Hesht, qetësohu». Dhe me shumë guxim do të vësh këmbë në Qiej e do të gëzosh mbretërinë; të cilën Perëndia dhëntë ta arrijmë të gjithë, me anë të hirit dhe të dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krisht, bashkë me të cilin i qoftë Atit, tok me Shpirtin e Shenjtë, lavdia, pushteti dhe nderi, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it