Koha e shfaqjes së tij ndër njerëz.
Libri I, Kreu V
1. Dhe tani, pas kësaj hyrjeje të nevojshme në historinë e Kishës që kemi marrë përsipër, mund ta nisim, si të thuash, udhëtimin tonë, duke filluar nga shfaqja e Shpëtimtarit tonë në mish. Dhe i thërrasim Perëndinë, Atin e Fjalës, dhe atë për të cilin kemi folur, vetë Jisu Krishtin, Shpëtimtarin dhe Zotin tonë, Fjalën qiellore të Perëndisë, si ndihmësin dhe bashkëpunëtorin tonë në rrëfimin e së vërtetës.
2. Shpëtimtari dhe Zoti ynë Jisu Krisht lindi në Betlehem të Judesë, sipas profecive që ishin thënë për të, në vitin e dyzetedytë të mbretërimit të Augustit. Ky ishte viti i njëzetetetë pas nënshtrimit të Egjiptit dhe vdekjes së Antonit e të Kleopatrës, me të cilët mori fund dinastia e Ptolemenjve në Egjipt. Lindja e tij ndodhi gjatë regjistrimit të parë, kur Kirini ishte qeveritar i Sirisë.12
3. Edhe Josif Flavi, më i shquari ndër historianët hebrenj, e përmend këtë regjistrim, që u bë gjatë qeverisjes së Kirinit. Po aty ai tregon edhe për kryengritjen e galileasve, që ndodhi në atë kohë dhe që e ka përmendur edhe Luka, një nga shkrimtarët tanë, në «Veprat e Apostujve», me këto fjalë: «Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë.»3
4. Autori që përmendëm, në librin e tetëmbëdhjetë të «Lashtësive» të tij, në pajtim me këto fjalë, shton edhe sa vijon, që po e sjellim saktësisht: «Kirini, anëtar i senatit, që kishte mbajtur edhe detyra të tjera dhe, duke kaluar nëpër të gjitha, kishte arritur deri te detyra e konsullit, njeri me dinjitet të madh edhe në gjëra të tjera, erdhi në Siri me një shpurë të vogël. Atë e kishte dërguar Cezari që të ishte gjykatës i kombit dhe të bënte vlerësimin e pasurisë së tyre.»4
5. Dhe pak më poshtë thotë: «Por Juda, një gaulonitas nga një qytet që quhej Gamala, mori me vete Sadukun, një farise, dhe e nxiti popullin të ngrihej në kryengritje. Që të dy thoshin se tatimi nuk ishte gjë tjetër veçse skllavëri e mirëfilltë dhe i bënin thirrje kombit të mbronte lirinë e vet.»56
6. Dhe në librin e dytë të historisë së tij «Lufta e judenjve», për të njëjtin njeri shkruan kështu: «Në këtë kohë njëfarë galileasi, që quhej Juda, i bindi bashkatdhetarët e vet të ngriheshin në kryengritje, duke thënë se ishin frikacakë nëse pranonin t'u paguanin haraç romakëve dhe nëse duronin, përveç Perëndisë, zotër të vdekshëm.» Këto i shënon Josif Flavi.7
Shënime
1. Mikea 5:2.
2. Krahaso Luka 2:2.
3. Veprat 5:37.
4. Josif Flavi, «Lashtësitë e judenjve» XVIII. 1. 1. Për Josif Flavin dhe veprat e tij shih më poshtë, Librin III, kreu 9.
5. Po aty.
6. Greqisht: Σάδδοχον; te Rufini: Sadduchum. Edhe ai duhet të ketë qenë njeri me ndikim dhe me pozitë. Më poshtë në të njëjtin paragraf Josif Flavi e bën, bashkë me Judën, themelues të «filozofisë së katërt», por në §6 të të njëjtit krye, ku flitet për nismëtarin e saj, përmendet vetëm Juda.
7. Josif Flavi, «Lufta e judenjve» II. 8. 1.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it