Mizoria e Herodit ndaj foshnjave dhe mënyra e vdekjes së tij.
Libri I, Kreu VIII
1. Kur Krishti lindi në Betlehem të Judesë, sipas profecive, në kohën e treguar, magët që erdhën nga lindja kërkonin të dinin ku ndodhej ai që kishte lindur mbret i judenjve (sepse kishin parë yllin e tij dhe për këtë kishin bërë një udhëtim kaq të gjatë: dëshironin me gjithë zemër ta adhuronin foshnjën si Perëndi). Herodi u trazua jo pak nga kjo pyetje, sepse kujtonte se mbretëria e tij mund të rrezikohej; prandaj i pyeti mësuesit e ligjit, të cilët ishin prej kombit të judenjve, ku prisnin të lindte Krishti. Kur mësoi se profecia e Mikeas shpallte se vendlindja e tij do të ishte Betlehemi, urdhëroi me një edikt të vetëm që të vriteshin të gjitha foshnjat meshkuj në Betlehem dhe në gjithë rrethinat e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që e kishte mësuar me saktësi nga magët. Mendonte se Jisui, siç kishte vërtet gjasa, do ta pësonte të njëjtin fat me bashkëmoshatarët e tij.1
2. Por fëmija i doli përpara kurthit, sepse prindërit e tij e çuan në Egjipt, pasi një engjëll që iu shfaq atyre u kishte treguar se ç'do të ndodhte. Këto i shënojnë Shkrimet e Shenjta në Ungjill.2
3. Ia vlen, përveç kësaj, të vëmë re shpërblimin që mori Herodi për krimin që guxoi të kryente kundër Krishtit dhe kundër bashkëmoshatarëve të tij. Sepse hakmarrja hyjnore e zuri menjëherë, pa vonesën më të vogël, kur ishte ende gjallë, dhe i dha të shijonte që më parë atë që do të merrte pas vdekjes.
4. Nuk është e mundur të tregojmë këtu si e njolloi lumturinë e pandehur të mbretërimit të tij me fatkeqësi të njëpasnjëshme në familjen e vet, me vrasjen e gruas dhe të fëmijëve, si dhe të të afërmve të tjerë më të ngushtë e të miqve më të dashur. Ky rrëfim, që i lë në hije të gjitha dramat e tjera tragjike, shtjellohet gjerësisht në historitë e Josif Flavit.3
5. Menjëherë pas krimit të tij kundër Shpëtimtarit tonë dhe kundër foshnjave të tjera, ndëshkimi që i dërgoi Perëndia e shtyu drejt vdekjes. Si ndodhi kjo, mund ta mësojmë më së miri nga fjalët e atij historiani. Në librin e shtatëmbëdhjetë të veprës së tij «Lashtësitë e judenjve», ai shkruan për fundin e tij si vijon:4
6. «Por sëmundja e Herodit u rëndua edhe më shumë, ngaqë Perëndia po e ndëshkonte për krimet e tij. Sepse brenda tij digjej një zjarr i ngadaltë, që nuk u dukej aq atyre që e preknin, por ia shtonte vuajtjen e brendshme: kishte një dëshirë të tmerrshme për ushqim, që nuk i bëhej dot ballë. Vuante gjithashtu nga plagë në zorrë dhe nga dhimbje veçanërisht të forta në zorrën e trashë, ndërsa rreth këmbëve i mblidhej një lëng i ujshëm dhe i tejdukshëm.
7. Vuante edhe nga një shqetësim i ngjashëm në bark. Madje, pjesa e tij e fshehtë ishte kalbur dhe nxirrte krimba. E kishte gjithashtu tepër të vështirë të merrte frymë, dhe kjo ishte veçanërisht e pakëndshme për shkak të erës së rëndë dhe të shpejtësisë së frymëmarrjes.
8. Kishte edhe spazma në çdo gjymtyrë, që i jepnin një forcë të papërmbajtshme. Në të vërtetë, ata që kishin fuqinë e parashikimit dhe urtësinë për t'i shpjeguar ngjarje të tilla thoshin se Perëndia e kishte goditur mbretin me këtë ndëshkim për shkak të paperëndishmërisë së tij të madhe.»
9. Këto i rrëfen shkrimtari që përmendëm më lart, në veprën për të cilën folëm. Dhe në librin e dytë të historisë së tij jep për po atë Herod një rrëfim të ngjashëm, që thotë kështu: «Atëherë sëmundja ia pushtoi gjithë trupin dhe e shqyente me mundime të ndryshme. Sepse kishte një ethe të ngadaltë dhe kruajtja e lëkurës në gjithë trupin ishte e padurueshme. Vuante gjithashtu nga dhimbje të pandërprera në zorrën e trashë, në këmbë kishte ënjtje si ato të një njeriu që vuan nga hidropizia, ndërsa barku i ishte përflakur dhe pjesa e fshehtë i ishte kalbur aq sa nxirrte krimba. Përveç kësaj, mund të merrte frymë vetëm kur rrinte drejt, edhe atëherë vetëm me vështirësi, dhe kishte spazma në të gjitha gjymtyrët, saqë shortarët thoshin se sëmundjet e tij ishin një ndëshkim.5
10. Por ai, ndonëse luftonte me vuajtje të tilla, prapëseprapë mbahej pas jetës, shpresonte të shpëtonte dhe shpikte mënyra shërimi. Për shembull, pasi kaloi Jordanin, përdori banjat e ngrohta në Kaliroe, ujërat e të cilave derdhen në liqenin Asfaltitis, por vetë janë aq të ëmbla sa mund të pihen.67
11. Mjekët e tij menduan se aty mund t'ia ngrohnin përsëri gjithë trupin me vaj të nxehtë. Por kur e zbritën në një govatë plot me vaj, sytë iu dobësuan dhe iu kthyen përpjetë si sytë e një të vdekuri. Mirëpo, kur shërbëtorët e tij lëshuan britma, ai erdhi në vete nga zhurma; por më në fund, pasi humbi shpresën se do të shërohej, urdhëroi që t'u ndaheshin ushtarëve rreth pesëdhjetë dhrahmi dhe që gjeneralëve e miqve të tij t'u jepeshin shuma të mëdha.
12. Pastaj u kthye dhe erdhi në Jeriko, ku, i pushtuar nga melankolia, kurdisi të kryente një vepër të paperëndishme, sikur t'i dilte përballë vetë vdekjes. Sepse mblodhi nga çdo qytet njerëzit më të shquar të gjithë Judesë dhe urdhëroi që t'i mbyllnin në të ashtuquajturin hipodrom.
13. Dhe, pasi thirri të motrën, Salomenë, dhe burrin e saj, Aleksandrin, u tha: ‹E di se judenjtë do të gëzohen për vdekjen time. Por mund të më vajtojnë të tjerët dhe të kem një varrim madhështor, në qoftë se jeni të gatshëm t'i zbatoni urdhrat e mi. Sapo të jap shpirt, rrethojini sa më shpejt me ushtarë këta njerëz që janë tani nën roje dhe vritini, që e gjithë Judeja dhe çdo shtëpi të qajnë për mua edhe kundër dëshirës së tyre.›»8910
14. Pak më poshtë Josif Flavi thotë: «Dhe përsëri e mundonin aq shumë uria dhe një kollë me spazma, saqë, i mposhtur nga dhimbjet, mendoi t'i paraprinte fatit të vet. Mori një mollë dhe kërkoi edhe një thikë, sepse e kishte zakon t'i priste mollët dhe t'i hante. Pastaj vështroi rreth e qark për të parë se nuk kishte njeri që ta pengonte dhe ngriti dorën e djathtë si për t'i ngulur vetes thikën.»11
15. Përveç këtyre, i njëjti shkrimtar shënon se para vdekjes vrau edhe një tjetër nga bijtë e vet, të tretin që vritej me urdhrin e tij, dhe se menjëherë pas kësaj dha shpirt, jo pa dhimbje të skajshme.12
16. Ky ishte fundi i Herodit, i cili pësoi një ndëshkim të drejtë për kërdinë që bëri mbi fëmijët e Betlehemit, kërdi që ishte rrjedhim i komploteve të tij kundër Shpëtimtarit tonë.13
17. Pas kësaj, Josifit në Egjipt iu shfaq në ëndërr një engjëll dhe e urdhëroi të shkonte në Jude me fëmijën dhe me nënën e tij, duke i zbuluar se kishin vdekur ata që kërkonin jetën e fëmijës. Kësaj i shton Ungjillori: «Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se ... sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë.»1415
Shënime
1. Mikea 5:2.
2. Mateu 2.
3. Në librat e mëvonshëm të «Lashtësive të judenjve» dhe në librin e parë të «Luftës së judenjve».
4. Josif Flavi, «Lashtësitë e judenjve» XVII. 6. 5.
5. «Lufta e judenjve» I. 33. 5 dhe 6.
6. Kaliroe ishte një qytezë pak në lindje të Detit të Vdekur.
7. τὴν ᾽Ασφαλτῖτιν λίμνην. Me këtë emër Josif Flavi e quan zakonisht Detin e Vdekur. I njëjti emër gjendet edhe te Diodor Sikuli (II. 48, XIX. 98).
8. Salomeja ishte motër e Herodit të Madh nga i njëjti atë dhe e njëjta nënë, dhe grua, me radhë, e Josifit, e Kostabarit dhe e Aleksës. Kishte gjithë mizorinë e vetë Herodit dhe, me xhelozinë e smirën e saj, u bë shkak për shumicën e tragjedive të tmerrshme në familjen e tij.
9. Aleksandrin, burrin e tretë të Salomesë, Josif Flavi e quan gjithmonë Aleksa.
10. «Lufta e judenjve» I. 33. 6 (krahaso «Lashtësitë e judenjve» XVII. 6. 5). Kjo histori e tmerrshme mbështetet vetëm në autoritetin e Josif Flavit, por i përshtatet aq shumë karakterit të Herodit, saqë nuk kemi arsye të dyshojmë për vërtetësinë e saj. Megjithatë, urdhrat e Herodit nuk u zbatuan: të dënuarit i liroi Salomeja pas vdekjes së tij (shih po aty, §8).
11. «Lufta e judenjve» I. 33. 7 (krahaso «Lashtësitë e judenjve» XVII. 7). Vetëvrasjen e Herodit e pengoi kushëriri i tij Akiabi, siç na njofton Josif Flavi po aty.
12. «Lufta e judenjve» I. 33. 7 dhe 8 (krahaso «Lashtësitë e judenjve» XVII. 7). Antipatrin, birin e Herodit dhe të gruas së tij të parë, Doridës, i ati e kishte menduar për pasardhës të vetin në mbretëri. Atij ia prenë kokën pesë ditë para vdekjes së Herodit, sepse kishte komplotuar kundër të atit. E kishte merituar plotësisht fatin e vet.
13. Eusebi jep këtu interpretimin tradicional të krishterë për shkakun e vuajtjeve të Herodit. Josif Flavi nuk e përmend askund vrasjen e foshnjave të pafajshme; nuk e dimë nëse nga padija, apo sepse kjo tragjedi ishte e parëndësishme në krahasim me veprat e tjera të përgjakshme të mbretërimit të Herodit.
14. Shih Mateu 2:19, 20.
15. Mateu 2:22.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it