Ligjëratë e kremte për gjendjen e shkëlqyer të punëve.
Libri X, Kreu IV
1. Njëri nga ata me aftësi mesatare, që kishte hartuar një fjalim, doli përpara në prani të shumë barinjve, të tubuar si për një mbledhje kishtare. Ndërsa ata e ndiqnin në qetësi e me rregull, ai iu drejtua me këto fjalë njërit që ishte në gjithçka peshkop fort i shquar dhe i dashur nga Perëndia, dhe me zellin e të cilit ishte ngritur tempulli në Tir, më i shkëlqyeri në Feniki.12
Ligjëratë e kremte për ndërtimin e kishave, drejtuar Pavlinit, peshkopit të Tirit
2. «Miq dhe priftërinj të Perëndisë, ju që keni veshur petkun e shenjtë dhe jeni stolisur me kurorën qiellore të lavdisë, me vajosjen e frymëzuar dhe me veshjen priftërore të Shpirtit të Shenjtë; dhe ti, o krenari e tempullit të ri e të shenjtë të Perëndisë, ti që je pajisur prej tij me urtësinë e pleqërisë e megjithatë shfaq vepra e punë të kushtueshme të një virtyti rinor e në lulëzim, ti që vetë Perëndia, i cili rrok mbarë botën, të ka dhënë nderin e shquar ta ndërtosh e ta përtërish këtë shtëpi tokësore për Krishtin, Fjalën e tij të vetëmlindur e të parëlindur, dhe për nusen e tij të shenjtë e hyjnore;34
3. mund të quheshe një Beseleel i ri, arkitekt i një tabernakulli hyjnor, ose një Solomon, mbret i një Jerusalemi të ri e shumë më të mirë, ose edhe një Zorobabel i ri, që i shtoi tempullit të Perëndisë një lavdi shumë më të madhe se e mëparshmja;5
4. dhe ju gjithashtu, o të mëkuarit e grigjës së shenjtë të Krishtit, banesë e fjalëve të mira, shkollë e urtësisë, auditor i nderuar dhe i perëndishëm i fesë:6
5. Qëmoti na u lejua t'i ngrinim Perëndisë himne e këngë, kur, duke dëgjuar leximin e Shkrimeve Hyjnore, mësonim shenjat e mrekullueshme të Perëndisë dhe të mirat që u janë bërë njerëzve me veprat e mahnitshme të Zotit, dhe mësoheshim të thoshim: ‹O Perëndi! Me veshët tanë kemi dëgjuar, etërit tanë na kanë treguar veprën që bëre në ditët e tyre, në ditët e lashta.›7
6. Por tani krahun e lartë dhe të djathtën qiellore të Perëndisë sonë të gjithëmirë, Mbretit të gjithçkaje, nuk i njohim më vetëm me të dëgjuar a nga fjalët e të tjerëve, por shohim, si të thuash, në vetë veprat dhe me sytë tanë se shpalljet e shkruara qëmoti janë besnike e të vërteta. Prandaj na lejohet të ngremë një himn të dytë fitoreje, të këndojmë me zë të lartë e të themi: ‹Siç dëgjuam, ashtu edhe pamë, në qytetin e Zotit të fuqive, në qytetin e Perëndisë sonë.›89
7. Dhe në cilin qytet, veçse në këtë të sapondërtuar e të ngritur nga Perëndia? Ky është ‹kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës›, dhe për të edhe një thënie tjetër hyjnore shpall kështu: ‹Gjëra të lavdishme janë thënë për ty, o qytet i Perëndisë.› Meqë Perëndia i gjithëmirë na ka mbledhur në të, me hirin e të Vetëmlindurit të tij, secili nga ata që janë thirrur le të këndojë me zë të lartë e të thotë: ‹U gëzova kur më thanë: do të shkojmë në shtëpinë e Zotit›, dhe: ‹O Zot, e desha bukurinë e shtëpisë sate dhe vendin ku banon lavdia jote.›10111213
8. Dhe jo vetëm një nga një, por të gjithë së bashku, me një frymë e me një shpirt, le ta nderojmë e të thërrasim me zë të lartë, duke thënë: ‹I madh është Zoti dhe shumë i lavdërueshëm në qytetin e Perëndisë sonë, në malin e tij të shenjtë.› Sepse ai është vërtet i madh, dhe e madhe është shtëpia e tij, e lartë, e gjerë dhe ‹e hijshme në bukuri më tepër se bijtë e njerëzve›. ‹I madh është Zoti, i vetmi që bën gjëra të mrekullueshme›; ‹i madh është ai që bën gjëra të mëdha e të pahetueshme, të lavdishme e të mahnitshme, që nuk numërohen dot›; i madh është ai ‹që ndërron kohët dhe stinët, që rrëzon dhe vendos mbretër›, ‹që e ngre të varfrin nga toka dhe e lartëson nevojtarin nga plehu›. ‹I rrëzoi princat nga fronet e tyre dhe i lartësoi të përulurit nga toka. Të uriturit i mbushi me të mira dhe krahët e krenarëve i theu.›14151617181920
9. Jo vetëm besimtarëve, por edhe jobesimtarëve ua ka vërtetuar tregimin e ngjarjeve të lashta ai që bën mrekulli, ai që bën gjëra të mëdha, Zotëria i gjithçkaje, Krijuesi i mbarë botës, i tërëfuqishmi, i gjithëmëshirshmi, Perëndia një dhe i vetëm. Atij le t'i këndojmë këngën e re, duke shtuar me mendje: ‹Atij që i vetëm bën mrekulli, sepse mëshira e tij mbetet përjetë›; ‹Atij që goditi mbretër të mëdhenj dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mëshira e tij mbetet përjetë›; ‹Sepse Zoti na kujtoi në përuljen tonë dhe na çliroi nga kundërshtarët tanë.›2122232425
10. Dhe le të mos pushojmë kurrë së thirruri me zë të lartë, me këto fjalë, drejt Atit të gjithësisë. Dhe le ta nderojmë përherë me gojën tonë atë që është shkaku i dytë i të mirave tona, udhëzuesin në njohjen hyjnore, mësuesin e fesë së vërtetë, shkatërruesin e të paperëndishmëve, vrasësin e tiranëve, ndreqësin e jetës, Jisuin, Shpëtimtarin e neve që ishim në dëshpërim.
11. Sepse vetëm ai, si i vetmi Bir i gjithëmirë i një Ati të gjithëmirë, sipas qëllimit të dashamirësisë së Atit të tij, me vullnetin e vet e ka veshur natyrën e neve që dergjeshim të rrëzuar në prishje. Dhe ashtu si një mjek i shkëlqyer, që për të shpëtuar të sëmurët ua shqyrton vuajtjet, ua prek plagët e ndyra dhe nga mjerimet e tjetrit i korr vetes dhimbje, ashtu edhe ai: ne, që jo vetëm ishim të sëmurë e të munduar nga ulçera të tmerrshme dhe nga plagë tashmë të kalbura, por dergjeshim madje mes të vdekurve, na ka shpëtuar për vete nga vetë nofullat e vdekjes. Sepse askush tjetër nga ata që janë në qiell nuk kishte aq fuqi sa t'i shërbente shpëtimit të kaq shumë njerëzve pa pësuar dëm.
12. Por vetëm ai arriti gjer te prishja jonë e thellë, vetëm ai i mori mbi vete mundimet tona, vetëm ai i vuajti ndëshkimet që u takonin paperëndishmërive tona. Na mëkëmbi ne, që nuk ishim vetëm gjysmë të vdekur, por ndodheshim tashmë në varre e varreza, krejt të ndyrë e të neveritshëm, dhe na shpëton, si qëmoti ashtu edhe tani, me zellin e tij bamirës, përtej çdo pritjeje të kujtdo, madje edhe tonës, dhe na jep me bujari nga të mirat e Atit: ai, dhënësi i jetës dhe i dritës, Mjeku ynë i madh, Mbreti dhe Zoti, Krishti i Perëndisë.
13. Sepse atëherë, kur mbarë gjinia njerëzore dergjej e varrosur në natë të zymtë e në thellësi errësire, nga dredhitë mashtruese të demonëve fajtorë dhe nga fuqia e frymëve perëndiurrejtëse, ai, thjesht me shfaqjen e tij, i zgjidhi një herë e përgjithmonë, me rrezet e dritës së tij, litarët e lidhur fort të paperëndishmërive tona, ashtu siç shkrihet dylli.
14. Por smira e ligë dhe demoni që e do të keqen gati sa nuk plasën nga zemërimi përballë një hiri e një mirësie të tillë, dhe ai i ktheu kundër nesh të gjitha forcat e tij vdekjeprurëse. Në fillim, si një qen i tërbuar që u kërcëllin dhëmbët gurëve që i hedhin dhe tërbimin që ka kundër sulmuesve e derdh mbi sendet e pafrymë që i vërviten, e drejtoi çmendurinë e tij të egër kundër gurëve të shenjtëroreve dhe kundër lëndës së pajetë të shtëpive, dhe i shkretoi kishat, të paktën siç e pandehte ai. Pastaj nxori fishkëllima të tmerrshme e zëra gjarpri, herë me kërcënimet e tiranëve të paperëndishëm, herë me ediktet blasfemuese të sundimtarëve të pashenjtë; veç kësaj, villte vdekje, i molepste me helmet e tij të dëmshme e shpirtvrasëse shpirtrat që kishte zënë, gati sa nuk i vriste me flijimet e tij plot vdekje për idhuj të vdekur, dhe shtynte çdo bishë në trajtë njeriu e çdo lloj të egri të na sulmonte. Atëherë, pra, ‹Engjëlli i Këshillës së madhe›, Prijësi i madh i Perëndisë, pasi ushtarët më të fuqishëm të mbretërisë së tij e kishin treguar mjaftueshëm stërvitjen e tyre me durim e qëndresë në gjithçka, u shfaq papritur sërish dhe i fshiu e i asgjësoi armiqtë dhe kundërshtarët e tij, aq sa dukej se nuk kishin pasur kurrë as emër.26
15. Kurse miqtë dhe të afërmit e vet i ngriti në lavdinë më të lartë, jo vetëm përpara gjithë njerëzve, por edhe përpara fuqive qiellore, diellit, hënës e yjeve, mbarë qiellit e tokës. Kështu tani, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë, sundimtarët më të lartë, të vetëdijshëm për nderin që kanë marrë prej tij, u pështyjnë në fytyrë idhujve të vdekur, i shkelin me këmbë ritet e pashenjtëruara të demonëve, tallen me lajthitjen e lashtë të trashëguar nga etërit e tyre dhe njohin vetëm një Perëndi, mirëbërësin e përbashkët të të gjithëve, edhe të vetë atyre.
16. Dhe e rrëfejnë Krishtin, Birin e Perëndisë, si Mbret të gjithçkaje, dhe e shpallin Shpëtimtar në përmendore: në mes të qytetit që sundon mbi tokën, veprat e tij të drejta dhe fitoret e tij mbi të paperëndishmit i shënojnë pashlyeshëm me shkronja perandorake. Kështu Jisu Krishti, Shpëtimtari ynë, është i vetmi, që nga përjetësia, të cilin edhe më të lartët e tokës e kanë njohur jo si një mbret të zakonshëm mes njerëzve, por si bir të vërtetë të Perëndisë së gjithçkaje, dhe që është adhuruar si Perëndi i vërtetë, e kjo me të drejtë.27
17. Sepse cili mbret, nga sa kanë jetuar ndonjëherë, ka arritur një virtyt të tillë sa t'i mbushë me emrin e vet veshët dhe gjuhët e të gjithë njerëzve mbi tokë? Cili mbret, pasi vuri ligje kaq të perëndishme e të urta, i ka shtrirë nga njëri skaj i tokës në tjetrin, aq sa ato lexohen pa pushim në vesh të të gjithë njerëzve?
18. Kush i ka shfuqizuar zakonet barbare e të egra të kombeve të paqytetëruara me ligjet e tij të buta e fort njeridashëse? Kush, i sulmuar nga të gjithë për shekuj të tërë, ka treguar një virtyt kaq mbinjerëzor sa të lulëzojë përditë dhe të mbetet i ri gjatë gjithë jetës së tij?
19. Kush ka themeluar një komb që qëmoti as që dëgjohej, kurse tani nuk fshihet në ndonjë cep të dheut, por është përhapur kudo nën diell? Kush i ka forcuar ushtarët e vet me armët e perëndishmërisë aq sa shpirtrat e tyre, më të fortë se diamanti, shkëlqejnë ndritshëm në ndeshjet me kundërshtarët?
20. Cili mbret ka kaq shumë fuqi, u prin ushtarëve të vet edhe pas vdekjes, ngre trofe mbi armiqtë e tij dhe e mbush çdo vend, krahinë e qytet, grek e barbar, me banesat e tij mbretërore, domethënë me tempuj hyjnorë bashkë me blatimet e tyre të shenjtëruara? I tillë është ky tempull këtu, me stolitë e tij të mrekullueshme dhe me dhuratat e kushtuara, që edhe vetë janë vërtet kaq të mëdha e madhështore, të denja për habi e admirim, dhe shenja të qarta të sundimit të Shpëtimtarit tonë. Sepse edhe tani ‹ai foli dhe u bënë; ai urdhëroi dhe u krijuan.› Sepse çfarë kishte që t'i kundërvihej shenjës së kokës së Mbretit dhe Qeverisësit të gjithçkaje, vetë Fjalës së Perëndisë?28
21. Do të duhej një fjalim i posaçëm për t'i shqyrtuar e shpjeguar me saktësi të gjitha këto, si edhe për të përshkruar sa të madh e çmon zellin e punëtorëve ai që lavdërohet si hyjnor. Ai e vështron tempullin e gjallë që përbëjmë ne të gjithë dhe e shqyrton shtëpinë e ngritur me gurë të gjallë e të lëvizshëm, shtëpi të ndërtuar mirë e sigurt mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, ku guri kryesor i qoshes është vetë Jisu Krishti. Atë e hodhën poshtë jo vetëm ndërtuesit e asaj ndërtese të lashtë që nuk qëndron më, por edhe ndërtuesit e asaj godine që përbëhet nga shumica e njerëzve dhe ende qëndron, arkitektë të këqij veprash të këqija. Por Ati e ka miratuar edhe atëherë, edhe tani, dhe e ka bërë krye të qoshes të kësaj kishës sonë të përbashkët.29
22. Kush, duke e parë, do të guxonte ta shpallte këtë tempull të gjallë të Perëndisë së gjallë, të formuar prej nesh vetë: këtë shenjtërore, them, më të madhen dhe vërtet hyjnore, faltoret më të brendshme të së cilës janë të padukshme për turmën dhe janë vërtet të shenjta dhe shenjtërore e shenjtëroreve? Kush është në gjendje qoftë edhe të shohë brenda rrethojës së shenjtë, përveç Kryepriftit të madh të gjithçkaje, të vetmit që i lejohet të hetojë misteret e çdo shpirti të arsyeshëm?
23. Por ndoshta i është dhënë edhe një tjetri, një të vetmi, të jetë i dyti pas tij në të njëjtën vepër, domethënë komandantit të kësaj ushtrie, të cilin vetë Kryeprifti i parë dhe i madh e ka nderuar me vendin e dytë në këtë shenjtërore. Ai është bariu i grigjës suaj hyjnore, që e ka marrë popullin tuaj me shortin dhe gjykimin e Atit, sikur ai ta kishte caktuar atë shërbëtor dhe interpretues të vetin: një Aaron ose një Melkisedek i ri, që është bërë i ngjashëm me Birin e Perëndisë dhe që mbetet e ruhet vazhdimisht prej tij, sipas lutjeve të përbashkëta të të gjithë juve.
24. Vetëm atij, pra, le t'i jepet, në mos në vendin e parë, të paktën në të dytin pas Kryepriftit të parë e më të madh, të vëzhgojë e të mbikëqyrë gjendjen më të brendshme të shpirtrave tuaj: atij që me përvojë e me kohë të gjatë e ka provuar me saktësi secilin, që me zellin dhe kujdesin e tij ju ka rregulluar të gjithë në sjellje e në doktrinë të perëndishme, dhe që është më i zoti se kushdo tjetër të japë, për ato që ai vetë i ka kryer me ndihmën hyjnore, një përshkrim që u përgjigjet vetë punëve.
25. Për Kryepriftin tonë të parë dhe të madh thuhet: ‹Ç'të shohë Atin të bëjë, këto i bën po ashtu edhe Biri.› Kështu edhe ky, duke ngritur vështrimin drejt tij si drejt mësuesit të parë, me sytë e pastër të mendjes, ato që e sheh të bëjë i përdor si arketipe dhe nxjerr shëmbëlltyrat e tyre, të bëra, aq sa është e mundur, në të njëjtën ngjashmëri. Nuk mbetet aspak pas atij Beseleeli, që vetë Perëndia ‹e mbushi me shpirtin e urtësisë dhe të mençurisë› dhe me dituri të tjera të mjeshtërisë e të shkencës, dhe e thirri të bëhej mjeshtri i tempullit të ngritur sipas figurave qiellore të dhëna në simbole.303132
26. Kështu edhe ky, duke mbajtur në shpirtin e vet shëmbëlltyrën e Krishtit të tërë, të Fjalës, të Urtësisë, të Dritës, e ka formuar këtë tempull madhështor të Perëndisë Shumë të Lartë, që i përgjigjet modelit të atij më të madhit, si i dukshmi të padukshmit. Është e pamundur të thuhet me ç'madhështi shpirti, me ç'pasuri e bujari mendjeje e bëri, dhe me ç'garë nga ana e të gjithë juve, të dëshmuar nga shpirtmadhësia e dhuruesve, që u përpoqën me sedër të mos mbeteshin aspak pas tij në kryerjen e të njëjtit qëllim. Dhe këtë vend (sepse kjo meriton të përmendet para së gjithash), që dredhitë e armiqve tanë e kishin mbuluar me gjithfarë plehrash, ai nuk e shpërfilli dhe as iu dorëzua ligësisë së atyre që e kishin sjellë në atë gjendje, ndonëse mund të kishte zgjedhur një vend tjetër, sepse në qytet kishte shumë troje të tjera, ku do të kishte pasur më pak mund dhe do të kishte shpëtuar nga shqetësimet.
27. Por, pasi së pari e nxiti veten për punë dhe pastaj e forcoi me zell mbarë popullin e i bëri të gjithë një trup të madh, luftoi në ndeshjen e parë. Sepse mendonte se kjo kishë, që veçanërisht e kishte rrethuar armiku, që e para kishte vuajtur dhe kishte duruar të njëjtat përndjekje me ne dhe për ne, si një nënë e mbetur pa fëmijët e saj, duhej të gëzohej bashkë me ne për hirin e shquar të Perëndisë së gjithëmëshirshëm.
28. Sepse, pasi Bariu i Madh i dëboi kafshët e egra, ujqërit dhe çdo bishë mizore e të egër dhe, siç thonë thëniet hyjnore, ‹ua theu nofullat luanëve›, e pa të udhës t'i mblidhte sërish fëmijët e saj në të njëjtin vend, dhe me plot të drejtë ngriti vathën e grigjës së saj, ‹për ta turpëruar armikun dhe hakmarrësin› dhe për të përgënjeshtruar guximin e paperëndishëm të armiqve të Perëndisë.
29. Dhe tani nuk janë, urrejtësit e Perëndisë, sepse nuk qenë kurrë. Pasi trazuan e u trazuan për pak kohë, morën ndëshkimin që u takonte dhe e çuan veten, miqtë dhe të afërmit e tyre në shkatërrim të plotë, kështu që shpalljet e gdhendura qëmoti në shënimet e shenjta u vërtetuan me vepra. Në këto shpallje fjala hyjnore, ndër të tjera, thotë me të vërtetë këto për ta:
30. ‹Mëkatarët nxorën shpatën, e tendosën harkun e tyre për të rrëzuar të varfrin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që janë të drejtë në zemër; shpata e tyre hyftë në zemrën e tyre vetë dhe harqet e tyre u thyefshin.› Dhe përsëri: ‹Kujtimi i tyre u zhduk me zhurmë›, dhe: ‹emrin e tyre e fshive përjetë, në jetë të jetëve›; sepse, kur edhe ata ishin në shtrëngim, ‹thirrën, dhe nuk kishte kush t'i shpëtonte: drejt Zotit, dhe ai nuk i dëgjoi›. Por ‹këmbët e tyre u lidhën bashkë dhe ata ranë, kurse ne u ngritëm dhe qëndrojmë drejt›. Dhe ajo që u lajmërua më parë me këto fjalë: ‹O Zot, në qytetin tënd do ta bësh asgjë shëmbëlltyrën e tyre›, u tregua e vërtetë para syve të të gjithëve.333435363738
31. Por ata, pasi luftuan si gjigantët kundër Perëndisë, vdiqën në këtë mënyrë. Kurse ajo që ishte e shkretë dhe e hedhur poshtë nga njerëzit mori, falë durimit të saj ndaj Perëndisë, përfundimin që po shohim, kështu që profecia e Isaisë u tha për të:39
32. ‹Gëzohu, o shkretëtirë e etur; le të gëzohet shkretëtira dhe le të lulëzojë si zambaku, dhe vendet e shkreta do të lulëzojnë e do të ngazëllojnë.› ‹Forcohuni, o duar të dobëta dhe gjunjë të këputur. Merrni zemër, ju zemërdobët, në mendjet tuaja; jini të fortë, mos kini frikë. Ja, Perëndia ynë shpaguan me gjykim dhe do të shpaguajë; ai do të vijë e do të na shpëtojë.› ‹Sepse›, thotë, ‹në shkretinë ka shpërthyer ujë, dhe një përrua në tokë të etur; toka e thatë do të bëhet livadhe të ujitura, dhe në tokën e etur do të ketë një burim uji.›404142
33. Këto gjëra, të profetizuara qëmoti, janë shkruar në libra të shenjtë; por tani nuk na përcillen më vetëm me të dëgjuar, por me vepra. Kjo shkretëtirë, kjo tokë e thatë, kjo e ve dhe e braktisur, ‹portat e së cilës i prenë me sëpata si dru në pyll, që e thyen njëherësh me sqepar e me daltë›, librat e së cilës gjithashtu i shkatërruan, kur ‹dogjën me zjarr shenjtëroren e Perëndisë dhe e përdhosën deri përdhe banesën e emrit të tij›, ‹që e vilnin të gjithë sa kalonin udhës dhe gardhet e së cilës i rrëzuan, që e rrënoi derri i pyllit dhe ku kulloti bisha e egër›, ajo tani, me fuqinë e mrekullueshme të Krishtit, kur ai dëshiron, është bërë si zambak. Sepse edhe atëherë ajo u edukua me një shenjë të kokës së tij, si nga një atë i kujdesshëm; ‹se Zoti e qorton atë që e do dhe fshikullon atë që pranon si bir.›4344454647
34. Pastaj, pasi u edukua me masë, aq sa e kërkonte nevoja, urdhërohet të gëzohet sërish; dhe lulëzon si zambak e përhap aromën e saj hyjnore mes të gjithë njerëzve. ‹Sepse›, thuhet, ‹në shkretinë ka shpërthyer ujë›, burimi i larjes shpëtimtare të rilindjes hyjnore. Dhe tani ajo, që pak më parë ishte shkretëtirë, ‹është bërë livadhe të ujitura, dhe në tokën e etur ka gufuar një burim uji të gjallë›. Duart që më parë ishin ‹të dobëta› janë bërë ‹vërtet të forta›; dhe këto vepra janë prova të mëdha e bindëse të duarve të forta. Edhe gjunjët, që më parë ishin ‹të këputur e të pafuqishëm›, pasi e morën sërish fuqinë e tyre të zakonshme, ecin drejt përpara në udhën e njohjes hyjnore dhe nxitojnë drejt grigjës së vet, grigjës së Bariut të gjithëmirë.484950
35. Dhe në qoftë se ka disa që u janë mpirë shpirtrat nga kërcënimet e tiranëve, as ata Fjala shpëtimtare nuk i lë mënjanë si të pashërueshëm; por i shëron edhe ata dhe i nxit të marrin ngushëllimin hyjnor, duke thënë: ‹Ngushëllohuni, ju zemërligështuar; forcohuni, mos kini frikë.›51
36. Ky Zorobabeli ynë i ri dhe i shkëlqyer e dëgjoi fjalën që paralajmëronte se ajo që ishte bërë shkretëtirë për shkak të Perëndisë do t'i gëzonte këto gjëra; dhe, pas robërisë së hidhur dhe neverisë së shkretimit, nuk e shpërfilli trupin e vdekur. Përkundrazi, para së gjithash e bëri Atin të mëshirshëm me lutje e përgjërime, me pëlqimin e përbashkët të të gjithë juve, dhe, duke thirrur si aleat e bashkëpunëtor të vetmin që u jep jetë të vdekurve, e ngriti atë që kishte rënë, pasi e pastroi dhe e çliroi nga të këqijat e saj. Dhe nuk e veshi me petkun e lashtë, por me një të tillë siç e kishte mësuar sërish nga thëniet e shenjta, që thonë qartë: ‹Dhe lavdia e fundit e kësaj shtëpie do të jetë më e madhe se e para.›52
37. Kështu, duke përfshirë një hapësirë shumë më të madhe, oborrin e jashtëm e fortifikoi me një mur që e rrethonte të tërën dhe që do t'i shërbente mbarë ndërtesës si mburojë fort e sigurt.
38. Drejt rrezeve të diellit që lind ngriti e shtriu një parahyrje të madhe e të lartë, dhe u dha atyre që rrinin larg, jashtë rrethojës së shenjtë, një pamje të plotë të atyre që ishin brenda. Kështu atyre që ishin të huaj për besimin thuajse ua kthente sytë drejt hyrjeve, aq sa askush nuk mund të kalonte pranë pa u prekur nga kujtimi i shkretimit të mëparshëm dhe i shndërrimit të sotëm, të pabesueshëm. Shpresonte se kush prekej nga kjo mbase do të tërhiqej dhe vetë pamja do ta shtynte të hynte.
39. Por atë që hyn brenda portave nuk e lë të shkelë menjëherë në shenjtërore me këmbë të papastra e të palara. Midis tempullit dhe hyrjes së jashtme ka lënë një hapësirë sa më të madhe, të cilën e ka rrethuar dhe e ka zbukuruar me katër portikë të tërthortë; kështu ka bërë një hapësirë katërkëndëshe, me shtylla që ngrihen nga çdo anë. Shtyllat i ka lidhur me kangjella druri, që ngrihen deri në lartësinë e duhur, dhe në mes ka lënë një vend të hapur, që të shihet qielli dhe ajri i lirë, që ndrit në rrezet e diellit.
40. Këtu ka vendosur simbole të pastrimeve të shenjta: përballë tempullit ka ngritur shatërvanë që japin ujë me bollëk, për t'u pastruar me të ata që hyjnë brenda shenjtërores. Kjo është ndalesa e parë e atyre që hyjnë; në të njëjtën kohë, ajo i jep kujtdo një pamje të bukur e të shkëlqyer, dhe atyre që kanë ende nevojë për mësimin fillestar u jep një vendqëndrim të përshtatshëm.
41. Por, duke e kaluar këtë pamje, ka bërë hyrje të hapura për në tempull, me shumë parahyrje të tjera më brenda, dhe në njërën anë ka vënë tri dyer, edhe këto të kthyera nga rrezet e diellit. Atë të mesit, të stolisur me pllaka bronzi, të lidhur me hekur e të punuar bukur në reliev, e ka bërë shumë më të lartë e më të gjerë se të tjerat, sikur këto t'ia vinte roje, siç i vihen një mbretëreshe.
42. Në të njëjtën mënyrë, pasi ka caktuar numrin e parahyrjeve për portikët në secilën anë të gjithë tempullit, ka bërë mbi ta hapje të ndryshme drejt ndërtesës, që të hyjë më shumë dritë, dhe i ka zbukuruar me gdhendje shumë të holla në dru. Kurse shtëpinë mbretërore e ka pajisur me lëndë më të bukura e më të shkëlqyera, duke shpenzuar me bujari të pakursyer.
43. Më duket e tepërt të përshkruaj këtu me hollësi gjatësinë dhe gjerësinë e ndërtesës, shkëlqimin dhe madhështinë e saj të papërshkrueshme, pamjen e ndritshme të veprës, majat e saj të larta që arrijnë deri në qiej dhe, mbi to, kedrat e kushtueshëm të Libanit, që thënia hyjnore nuk ka lënë pa i përmendur, kur thotë: ‹Do të gëzohen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë.›53
44. E ç'nevojë kam të përshkruaj tani rregullimin mjeshtëror arkitektonik dhe bukurinë e pashoqe të secilës pjesë, kur dëshmia e syrit e bën të tepërt mësimin përmes veshit? Sepse, pasi e përfundoi kështu tempullin, e pajisi me frone të larta, për nder të atyre që kryesojnë, dhe veç tyre me ndenjëse të vendosura në rregullin e duhur në mbarë ndërtesën. Së fundi, në mes vuri shenjtëroren e shenjtëroreve, altarin, dhe, që të ishte i paarritshëm për turmën, e rrethoi me kangjella druri, të punuara me saktësi e me gdhendje artistike, që u japin një pamje të mrekullueshme atyre që i shohin.54
45. As dyshemenë nuk e la pas dore: edhe atë e zbukuroi me mermer të bukur të çdo lloji. Më në fund kaloi te pjesët jashtë tempullit dhe ngriti në secilën anë eksedra të gjera dhe ndërtesa, që ishin të bashkuara me bazilikën dhe lidheshin me hyrjet për në brendësi të ndërtesës. Këto i ngriti Solomoni ynë fort paqësor, ndërtuesi i tempullit të Perëndisë, për ata që kishin ende nevojë për pastrim e spërkatje me ujë dhe me Shpirtin e Shenjtë. Kështu profecia e cituar më lart nuk është më vetëm fjalë, por vepër; sepse tani ka ndodhur edhe kjo, që vërtet ‹lavdia e fundit e kësaj shtëpie është më e madhe se e para.›555657
46. Sepse, ashtu si bariu dhe Zoti i saj kishte shijuar dikur vdekjen për të dhe, pas mundimit të tij, atë trup të përunjur që mori për hir të saj e kishte shndërruar në një trup të shkëlqyer e të lavdishëm, duke e çuar në paprishshmëri vetë mishin që ishte çliruar nga prishja, po ashtu ishte e nevojshme dhe e udhës që edhe ajo t'i gëzonte ekonomitë e Shpëtimtarit. Sepse, pasi ka marrë prej tij premtimin e gjërave shumë më të mëdha se këto, ajo dëshiron të ketë pjesë pa ndërprerje, gjatë gjithë përjetësisë, bashkë me korin e engjëjve të dritës, në lavdinë shumë më të madhe të rilindjes, në ngjalljen e një trupi të paprishshëm, në pallatin e Perëndisë përtej qiejve, bashkë me vetë Krishtin Jisu, Mirëbërësin dhe Shpëtimtarin e të gjithëve.58
47. Por tani për tani, ajo që më parë ishte e ve dhe e shkretë është veshur, me hirin e Perëndisë, me këto lule dhe është bërë vërtet si zambak, siç thotë profecia. Ajo ka marrë petkun e nusërisë dhe kurorën e bukurisë, dhe Isaia e mëson të vallëzojë e t'i paraqesë Perëndisë Mbret flijimet e saj të falënderimit me fjalë plot nderim.59
48. Le ta dëgjojmë tek thotë: ‹Le të ngazëllojë shpirti im në Zotin; sepse më veshi me petk shpëtimi dhe me rrobë gëzimi; më stolisi me kurorë si dhëndër dhe më zbukuroi me stoli si nuse; dhe si toka që i rrit lulet e saj, e si kopshti që bën të mbijë çka është mbjellë në të, kështu Zoti Zot bëri të mbijnë drejtësia dhe ngazëllimi përpara të gjitha kombeve.›60
49. Me këto fjalë ngazëllohet ajo. Dhe me fjalë të ngjashme i përgjigjet Dhëndri qiellor, vetë Fjala Jisu Krisht. Dëgjoni Zotin tek thotë: ‹Mos ki frikë ngaqë u turpërove, as mos ki turp ngaqë u qortove; sepse turpin e mëparshëm do ta harrosh dhe çnderimin e vejërisë sate nuk do ta kujtosh më.› ‹Zoti nuk të thirri si grua të braktisur e zemërlëshuar, as si grua të urryer që në rini, thotë Perëndia yt. Për një çast të shkurtër të lashë, por me mëshirë të madhe do të të mëshiroj; në një zemërim të vogël e largova fytyrën time prej teje, por me mëshirë të përjetshme do të të mëshiroj, thotë Zoti që të çliroi.›616263
50. ‹Zgjohu, zgjohu, ti që pive nga dora e Zotit kupën e tërbimit të tij; sepse e pive kupën e rrënimit, enën e zemërimit tim, dhe e zbraze deri në fund. Dhe nga të gjithë bijtë e tu që linde nuk pati asnjë që të të ngushëllonte, dhe nuk pati asnjë që të të merrte për dore.› ‹Ja, e mora nga dora jote kupën e rrënimit, enën e tërbimit tim, dhe nuk do ta pish më. Dhe do ta vë në duart e atyre që të bënë padrejtësi dhe të përulën.›6465
51. ‹Zgjohu, zgjohu, vishe fuqinë tënde, vishe lavdinë tënde. Shkunde pluhurin dhe ngrihu. Ulu, zgjidhi lidhjet e qafës sate.› ‹Ngriji sytë përqark dhe shih fëmijët e tu të mbledhur; ja, u mblodhën dhe erdhën te ti. Rroj unë, thotë Zoti: me të gjithë ata do të vishesh si me një stoli dhe do të ngjishesh me ta si me stolitë e një nuseje. Sepse vendet e tua të shkreta, të prishura e të rrënuara tani do të jenë tepër të ngushta për shkak të atyre që banojnë në ty, dhe ata që të përpijnë do të jenë larg teje.66
52. Sepse bijtë e tu që i ke humbur do të thonë në veshët e tu: Vendi është tepër i ngushtë për mua, më bëj vend që të banoj. Atëherë do të thuash në zemrën tënde: Kush m'i lindi këta? Unë jam pa fëmijë dhe e ve, e këta kush m'i rriti? Unë mbeta vetëm, e këta ku më ishin?›67
53. Këto janë ato që paratha Isaia dhe që qëmoti u shënuan për ne në libra të shenjtë; dhe duhej që një ditë ta mësonim vërtetësinë e tyre nga përmbushja e tyre.
54. Sepse, kur Dhëndri, Fjala, i foli me fjalë të tilla nuses së vet, Kishës së shenjtëruar e të shenjtë, ndërsa ajo ishte e shkretë dhe dergjej si kufomë, pa asnjë shpresë në sytë e njerëzve, ky shoqërues i nuses shtriu duart tuaja, sipas lutjeve të përbashkëta të të gjithë juve, siç ishte me vend, e zgjoi dhe e çoi në këmbë, me urdhrin e Perëndisë, Mbretit të gjithçkaje, dhe me shfaqjen e fuqisë së Jisu Krishtit. Dhe, pasi e çoi në këmbë, e ngrehu të tillë siç e kishte mësuar nga përshkrimi që japin thëniet e shenjta.
55. Kjo është vërtet një mrekulli shumë e madhe, që e kapërcen çdo admirim, sidomos për ata që vështrojnë vetëm pamjen e jashtme. Por më të mrekullueshme se mrekullitë janë arketipet, prototipet e tyre mendore dhe modelet hyjnore: e kam fjalën për riprodhimet e ndërtesës së frymëzuar e të arsyeshme në shpirtrat tanë.
56. Këtë e krijoi vetë Biri hyjnor sipas shëmbëlltyrës së vet, duke i dhënë kudo e në gjithçka ngjashmërinë e Perëndisë, një natyrë të paprishshme, të patrupshme, të arsyeshme, të lirë nga çdo lëndë tokësore, një qenie me mendje të vetën. Dhe, pasi e thirri një herë nga mosqenia në qenie, e bëri nuse të shenjtë, tempull të tërëshenjtë për veten dhe për Atin. Edhe këtë e shpall qartë dhe e pohon me këto fjalë: ‹Do të banoj mes tyre e do të jetoj me ta. Unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im.› I tillë është shpirti i përsosur e i pastruar, i bërë qysh në fillim ashtu që të mbajë shëmbëlltyrën e Fjalës qiellore.68
57. Por kur, nga smira dhe zelli i demonit të lig, shpirti u bë, me zgjedhjen e vet të vullnetshme, mishor dhe i dhënë pas së keqes, Hyjnia e la. Atëherë, si i mbetur pa mbrojtës, u bë pre e lehtë dhe i arritshëm pa mundim për ata që prej kohësh e kishin smirë. I sulmuar me mjetet e rrethimit dhe me makinat e luftës të armiqve të tij të padukshëm e të kundërshtarëve shpirtërorë, pësoi një rënie të tmerrshme, aq sa nuk mbeti në të gur virtyti mbi gur, por dergjej krejt i vdekur përdhe, i zhveshur tërësisht nga idetë e tij të natyrshme për Perëndinë.
58. Por ndërsa shpirti, i bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dergjej kështu përmbys, nuk e plaçkiti ai derri i egër i pyllit që e shohim, por njëfarë demoni shkatërrimtar dhe bisha shpirtërore. Ata e mashtruan me pasionet e tyre, si me shigjetat e zjarrta të ligësisë së tyre, e dogjën me zjarr shenjtëroren vërtet hyjnore të Perëndisë dhe e përdhosën deri përdhe tendën e emrit të tij. Pastaj e varrosën të mjerin nën pirgje dheu dhe ia shuan çdo shpresë shpëtimi.
59. Por ajo Fjalë e ndritur hyjnisht dhe shpëtimtare, mbrojtësi i shpirtit, pasi ky e vuajti ndëshkimin e merituar për mëkatet e veta, e mëkëmbi sërish, duke siguruar dashamirësinë e Atit të gjithëmëshirshëm.
60. Së pari i bëri për vete shpirtrat e sundimtarëve më të lartë, dhe nëpërmjet atyre princave shumë të dashur nga Perëndia e pastroi mbarë tokën nga të gjithë shkatërruesit e paperëndishëm dhe nga vetë tiranët e tmerrshëm e perëndiurrejtës. Pastaj nxori në dritë miqtë e tij: ata i ishin shenjtëruar prej kohësh për gjithë jetën, por, si të thuash, në mes të një stuhie të këqijash, kishin qenë të fshehur nën strehën e tij. Këta i nderoi denjësisht me dhuntitë e mëdha të Shpirtit. Dhe sërish, nëpërmjet tyre, me lopata e kazma (fjalët qortuese të mësimit) i zbrazi dhe i pastroi shpirtrat që pak më parë ishin mbuluar me ndyrësi dhe ishin rënduar nga çdo lloj lënde e mbeturinash të urdhëresave të paperëndishme.
61. Dhe kur e bëri të pastër e të lirë truallin e mendjeve të të gjithë juve, ia besoi më në fund këtij Drejtuesi krejt të urtë e të dashur nga Perëndia. Ky është i pajisur me gjykim e me maturi, si edhe me dhunti të tjera, dhe i aftë t'i shqyrtojë e t'i dallojë me saktësi mendjet e atyre që i janë besuar; dhe që nga dita e parë, si të thuash, e deri më sot, ai nuk ka pushuar së ndërtuari.
62. Në ju të gjithë ka vënë herë arin e shndritshëm, herë argjendin e kulluar e të papërzier, herë gurët e çmuar e të kushtueshëm, kështu që për ju përmbushet sërish me vepra një profeci e shenjtë dhe mistike, që thotë: ‹Ja, unë po ta bëj gurin tënd rubin, themelet e tua prej safiri, bedenat e tu prej jaspi, portat e tua prej kristalesh dhe murin tënd prej gurësh të zgjedhur; të gjithë bijtë e tu do të jenë të mësuar prej Perëndisë dhe fëmijët e tu do të gëzojnë paqe të plotë; dhe në drejtësi do të ndërtohesh.›69
63. Duke ndërtuar, pra, në drejtësi, e ndau gjithë popullin sipas fuqisë së secilit. Me disa fortifikoi vetëm rrethojën e jashtme, duke e murosur me besim të pashtirur; e tillë ishte shumica e madhe e popullit, që nuk ishte në gjendje të mbante një ndërtim më të madh. Të tjerëve u lejoi të hynin në ndërtesë dhe i urdhëroi të rrinin te dera e t'u prinin atyre që do të hynin; këta mund të krahasohen, jo pa vend, me parahyrjet e tempullit. Të tjerë i mbështeti me shtyllat e para, që janë vendosur jashtë, rreth hapësirës katërkëndëshe, duke i futur në elementet e para të shkronjës së katër Ungjijve. Të tjerë akoma i bashkoi rreth bazilikës, në të dy anët; këta janë katekumenët, që ende rriten e përparojnë dhe nuk janë shumë larg nga soditja më e brendshme e gjërave hyjnore që u jepet besimtarëve.
64. Prej këtyre merr shpirtrat e pastër, që janë pastruar si ari me larjen hyjnore, pastaj i mbështet me shtylla shumë më të mira se ato të jashtmet, të bëra nga mësimet e brendshme e mistike të Shkrimit, dhe i ndriçon me dritare.
65. Gjithë tempullin e stolis me një parahyrje të madhe, atë të lavdisë së Mbretit të vetëm të gjithçkaje dhe Perëndisë së vetëm, dhe në të dy anët e pushtetit të Atit vë Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë si drita të dyta. Kështu shfaq me bollëk e me lavdi, në mbarë ndërtesën, qartësinë dhe shkëlqimin e së vërtetës së gjërave të tjera, në të gjitha hollësitë e saj. Dhe, pasi ka zgjedhur nga çdo anë gurët e shpirtrave, të gjallë, të lëvizshëm e të përgatitur mirë, ndërton prej të gjithë atyre shtëpinë e madhe e mbretërore, të shkëlqyer e plot dritë brenda dhe jashtë; sepse jo vetëm shpirti dhe mendja, por edhe trupi i tyre merr lavdi nga stolia e lulëzuar e dëlirësisë dhe e përkorjes.
66. Në këtë tempull ka edhe frone, si dhe një numër të madh ndenjësesh e stolash, në të gjithë ata shpirtra në të cilët janë ulur dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë, si ato që dikur i panë apostujt e shenjtë dhe ata që ishin me ta, kur ‹iu shfaqën gjuhë që ndaheshin, si prej zjarri, dhe u ulën mbi secilin prej tyre.›70
67. Kurse te prijësi i të gjithëve është e arsyeshme të mendohet se banon vetë Krishti në plotësinë e tij, dhe tek ata që mbajnë shkallën e dytë pas tij, për aq sa secili është në gjendje ta nxërë fuqinë e Krishtit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Dhe shpirtrat e disave, domethënë të atyre që i janë besuar secilit prej tyre për mësim e përkujdesje, mund të jenë ndenjëse për engjëj.71
68. Po altari i madh, i madhërishëm dhe i vetëm, çfarë tjetër mund të jetë veçse shenjtërorja e shenjtëroreve, e pastër, e shpirtit të priftit të përbashkët të të gjithëve? Në të djathtë të altarit qëndron vetë Jisui, Kryeprifti i madh i gjithësisë, i Vetëmlinduri i Perëndisë, dhe me sy të ndritshëm e me dorë të shtrirë i pranon nga të gjithë temjanin erëmirë dhe flijimet pa gjak e pa lëndë që blatohen në lutjet e tyre, dhe ia çon Atit qiellor dhe Perëndisë së gjithësisë. Ai vetë e adhuron i pari dhe vetëm ai i jep Atit nderimin që i takon, duke iu lutur edhe që të mbetet përherë dashamirës e i mëshirshëm ndaj nesh të gjithëve.
69. I tillë është tempulli i madh që Krijuesi i madh i gjithësisë, Fjala, e ka ndërtuar në mbarë botën, duke e bërë mbi tokë një shëmbëlltyrë mendore të atyre gjërave që janë përmbi kupën e qiellit, me qëllim që Ati i tij të nderohet e të adhurohet në mbarë krijimin, përfshirë edhe qeniet e arsyeshme mbi tokë.
70. Por vendin përmbi qiejt, me modelet e gjërave tokësore që janë atje, Jerusalemin e epërm, siç quhet, malin qiellor të Sionit dhe qytetin që është mbi botën, qytetin e Perëndisë së gjallë, ku kore të panumërta engjëjsh dhe Kisha e të parëlindurve, emrat e të cilëve janë shkruar në qiell, e lavdërojnë Bërësin e tyre dhe Sundimtarin më të lartë të gjithësisë me himne lavdërimi të pashprehshme e të pakuptueshme për ne: cili i vdekshëm është në gjendje t'i kremtojë këto denjësisht? Sepse ‹ato gjëra që syri nuk i pa e veshi nuk i dëgjoi dhe që nuk hynë në zemrën e njeriut, Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan.›727374
71. Meqë ne, burra, fëmijë e gra, të vegjël e të mëdhenj, jemi tashmë deri diku pjesëtarë të këtyre gjërave, le të mos pushojmë, të gjithë së bashku, me një frymë e me një shpirt, së rrëfyeri e së lavdëruari autorin e mirëbërjeve kaq të mëdha ndaj nesh, ‹që i fal të gjitha paudhësitë tona, që i shëron të gjitha sëmundjet tona, që e shpengon jetën tonë nga prishja, që na kurorëzon me mëshirë e dhembshuri, që i ngop dëshirat tona me të mira.› ‹Sepse nuk u soll me ne sipas mëkateve tona, as na shpërbleu sipas paudhësive tona›; ‹sepse sa larg është lindja nga perëndimi, aq larg i ka hequr prej nesh paudhësitë tona. Siç i dhimbsen një ati fëmijët e vet, ashtu i dhimbsen Zotit ata që e kanë frikë.›757677
72. Le t'i ndezim sërish këto mendime në kujtesën tonë, tani dhe në gjithë kohën që do të vijë; dhe, natë e ditë, në çdo orë dhe, si të thuash, me çdo frymëmarrje, duke soditur me mendje Autorin dhe Drejtuesin e festës së sotme dhe të kësaj dite të ndritur e fort të shkëlqyer, le ta duam e ta adhurojmë me çdo fuqi të shpirtit. Dhe tani le të ngrihemi e t'i lutemi me zë të lartë që të na strehojë e të na ruajë deri në fund në vathën e tij, duke na dhënë paqen e tij të pathyer e të patundur përgjithmonë, në Krishtin Jisu, Shpëtimtarin tonë; nëpërmjet të cilit i qoftë lavdia atij në jetë të jetëve. Amin.»
Shënime
1. Ky njeri ishte qartazi vetë Eusebi, i cili në këtë shërbesë përurimi mbajti fjalimin që jepet i plotë në këtë krye.
2. Pavlini, peshkopi i Tirit. Shih më lart, kreu 1.
3. D.m.th. Pavlini.
4. Krahaso Zbulesa 21:2.
5. Shih Hagai 2:9.
6. Eusebi u drejtohet së pari klerikëve të mbledhur në përgjithësi, pastaj Pavlinit në veçanti dhe më në fund popullit, të cilin e quan «të mëkuarit», «banesë», «shkollë», «auditor». Kuptimi i fjalëve, ashtu siç i përdor ai, është mjaft i qartë, por vënia e tyre krah për krah është disi e pazakontë.
7. Psalmi 44:1.
8. Krahaso Eksodi 6:6 e gjetkë.
9. Psalmi 48:8.
10. 1 Timoteut 3:15.
11. Psalmi 87:3.
12. Psalmi 122:1.
13. Psalmi 26:8.
14. Psalmi 48:1.
15. Psalmi 45:2.
16. Psalmi 136:4.
17. Jobi 9:10.
18. Danieli 2:21.
19. 1 Samuelit 2:8 (Psalmi 113:7).
20. Luka 1:52, 53.
21. Krahaso Psalmi 96:1.
22. προσυπακούοντες. Eusebi duket se e përdor këtë shprehje mjaft të veçantë sepse fjalët e këngës që ai sugjeron nuk janë fjalët e «këngës së re» që jep Psalmisti, por janë marrë nga pjesë të tjera të librit.
23. Psalmi 136:4.
24. Po aty 17.
25. Po aty 23, 24.
26. Krahaso Isaia 9:6.
27. Kjo duket se është thjesht një shprehje retorike e asaj që tregohet në Librin IX, kreu 9, për statujën e madhe të Konstandinit me një kryq në dorë, që u ngrit në Romë pas fitores së tij mbi Maksencin. Ka mundësi që në të njëjtën kohë të jenë ngritur edhe përmendore të tjera më të vogla të të njëjtit lloj.
28. Psalmi 33:9.
29. θεολογουμένῳ. Përdorimi i fjalës θεολογέω në kuptimin «flas për dikë ose e lavdëroj si hyjnor», ose «i atribuoj dikujt hyjni», ishte shumë i zakonshëm tek Etërit, sidomos në lidhje me Krishtin. Shih më lart, Librin V, kreu 28, §4.
30. Gjoni 5:19.
31. D.m.th. Pavlini.
32. Eksodi 35:31.
33. Psalmi 37:14, 15.
34. Psalmi 9:6.
35. Psalmi 9:5.
36. Psalmi 18:41.
37. Po aty 20:8.
38. Po aty 73:20.
39. Krahaso më lart, Librin I, kreu 2, §19.
40. Isaia 35:1.
41. Po aty 3, 4.
42. Po aty 6, 7.
43. Psalmi 74:5, 6.
44. Edikti i parë i Dioklecianit përfshinte shkatërrimin e librave të shenjtë të të krishterëve, si edhe të kishave të tyre. Shih më lart, Librin VIII, kreu 2.
45. Psalmi 74:7.
46. Po aty 80:12, 13.
47. Hebrenjve 12:6.
48. Isaia 35:6.
49. Isaia 35:7.
50. Po aty 3.
51. Isaia 35:4.
52. Hagai 2:9.
53. Psalmi 104:16.
54. D.m.th. në absidë, ose në pjesën e altarit, jo në mes të navatës, ose të trupit të kishës.
55. ἐξέδρας καὶ οἴκους. Bazilikat e mëdha kishin gjithmonë dhoma shtesë dhe ndërtesa ngjitur me to, si pagëzimore, diaconica, secretaria etj., që përdoreshin për qëllime të ndryshme kishtare dhe shpesh ishin mjaft të mëdha, aq sa sinode të rëndësishme mblidheshin jo rrallë në njërën a në tjetrën prej tyre.
56. Emri Solomon (hebraisht שְׁלֹמֹה) do të thotë «paqësor».
57. Hagai 2:9.
58. Krahaso Mateu 19:28.
59. Shih Isaia 35:1.
60. Isaia 61:10, 11.
61. Po aty 54:4.
62. Fjala «nuk» mungon në tekstin hebraik (dhe për rrjedhojë në përkthimet tona anglisht), por gjendet te Septuaginta.
63. Isaia 54:6–8.
64. Po aty 51:17, 18.
65. Po aty 51:22, 23.
66. Po aty 52:1, 2.
67. Po aty 49:18–21.
68. 2 Korintasve 6:16.
69. Isaia 54:11–14.
70. Veprat 2:3. Arsyetimi mbështetet këtu në fjalët e tekstit grek. «Së bashku» ka: «ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri».
71. Valesius vëren: «Sic Hieronymus seu quis alius de ordinibus ecclesiæ: in illis esse partes et membra virtutem, in episcopo plenitudinem divinitatis habitare.» Nuk e di nga cili burim vjen ky citim.
72. Krahaso Galatasve 4:26.
73. Krahaso Hebrenjve 12:22, 23.
74. 1 Korintasve 2:9.
75. Psalmi 103:3–5.
76. Po aty 10.
77. Po aty 12, 13.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it