Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Mashtruesi Theuda dhe ndjekësit e tij.

Libri II, Kreu XI

1. Luka, te «Veprat e Apostujve», e paraqet Gamalielin që thotë, në këshillimin që u bë për apostujt, se në kohën për të cilën bëhet fjalë «na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi ... ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë.» Le të shtojmë, pra, rrëfimin e Josif Flavit për këtë njeri. Në veprën që përmendëm pak më lart, ai tregon këto rrethana:12

2. «Kur Fadi ishte prokurator i Judesë, një mashtrues që quhej Theuda e bindi një turmë shumë të madhe të merrte me vete pasuritë dhe ta ndiqte deri te lumi Jordan. Sepse thoshte se ishte profet dhe se lumi do të ndahej me urdhrin e tij dhe do t'u hapte një kalim të lehtë.3

3. Me këto fjalë mashtroi shumë veta. Por Fadi nuk i la ta gëzonin marrëzinë e tyre: dërgoi kundër tyre një çetë kalorësish, të cilët ranë papritur mbi ta, vranë shumë prej tyre dhe zunë shumë të tjerë të gjallë, ndërsa vetë Theudën e zunë rob, i prenë kokën dhe e çuan në Jerusalem.» Përveç kësaj, ai përmend edhe zinë e bukës që ndodhi në mbretërimin e Klaudit, me këto fjalë.

Shënime

1. Veprat 5:36.

2. Josif Flavi, «Lashtësitë e judenjve» XX. 5. 1.

3. Rreth vitit 44 pas Krishtit. Shih më lart, kreu 8.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it