Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Predikimi i apostullit Pjetër në Romë.

Libri II, Kreu XIV

1. Fuqia e ligë, që urren çdo të mirë dhe i thur kurthe shpëtimit të njerëzve, e bëri atëherë Simonin atin dhe nismëtarin e një ligësie të tillë, sikur donte ta ngrinte si kundërshtar të fuqishëm të apostujve të mëdhenj e të frymëzuar të Shpëtimtarit tonë.

2. Sepse ai hir hyjnor e qiellor, që bashkëvepron me shërbëtorët e vet, me shfaqjen dhe praninë e tyre e shoi shpejt flakën e ndezur të së keqes dhe nëpërmjet tyre përuli e rrëzoi «çdo lartësi që ngrihej kundër njohjes së Perëndisë.»1

3. Prandaj, në ato kohë apostolike, as komploti i Simonit, as ai i ndonjë tjetri prej atyre që u ngritën në atë periudhë nuk mundën të arrinin asgjë. Sepse të gjitha i mposhtën dhe i nënshtruan shkëlqimet e së vërtetës dhe vetë fjala hyjnore, e cila sapo kishte nisur të ndriçonte nga qielli mbi njerëzit, lulëzonte atëherë mbi tokë dhe banonte në vetë apostujt.

4. Menjëherë mashtruesin që përmendëm e goditi në sytë e mendjes një shkreptimë hyjnore e mrekullueshme. Dhe pasi apostulli Pjetër ia zbuloi fillimisht në Jude veprat e liga, Simoni iku dhe bëri një udhëtim të gjatë përtej detit, nga Lindja në Perëndim, duke menduar se vetëm kështu mund të jetonte si t'i donte mendja.

5. Kur arriti në qytetin e Romës, me bashkëveprimin e fortë të asaj fuqie që rrinte në pritë atje, në pak kohë ia doli aq mbarë në sipërmarrjen e tij, saqë ata që banonin aty e nderuan si perëndi duke i ngritur një statujë.2

6. Por kjo nuk zgjati shumë. Sepse menjëherë, gjatë mbretërimit të Klaudit, Providenca e gjithëmirë dhe dashamirëse, që kujdeset për të gjitha, e çoi në Romë, kundër këtij prishësi të madh të jetës, Pjetrin, më të fortin dhe më të madhin e apostujve, atë që për shkak të virtytit të tij fliste në emër të të gjithë të tjerëve. Ai, si një prijës fisnik i Perëndisë, i veshur me armatim hyjnor, ua çoi nga Lindja banorëve të Perëndimit mallin e çmuar të dritës së mendjes: shpalli vetë dritën dhe fjalën që u sjell shpëtim shpirtrave dhe predikoi mbretërinë e qiejve.3

Shënime

1. 2 Korintasve 10:5. «Së bashku» ka: «çdo arsyetim e çdo pengesë që ngrihen kundër njohjes së Perëndisë».

2. Roma ishte një vend i madh grumbullimi për heretikët dhe skizmatikët. Të gjithë tërhiqeshin atje nga mundësitë për propagandë që ofronte qyteti, prandaj Eusebi, me konceptimin e tij transcendental të herezisë, natyrisht e bën atë selinë e veçantë të djallit.

3. Një përzierje tejet e habitshme metaforash. Kjo fjali është një shembull i shkëlqyer i stilit retorik të Eusebit.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it