Egjiptiani, që përmendet edhe në Veprat e Apostujve.
Libri II, Kreu XXI
1. Pas disa gjërave të tjera, vazhdon kështu: «Por profeti i rremë egjiptian u solli judenjve një plagë edhe më të madhe se këto. Sepse në vend u shfaq një mashtrues që fitoi besimin e njerëzve si profet. Ai mblodhi rreth tridhjetë mijë veta nga ata që kishte mashtruar dhe i çoi nga shkretëtira në malin që quhet Mali i Ullinjve. Prej andej ishte gati të hynte me forcë në Jerusalem, të mposhtte garnizonin romak dhe të shtinte në dorë sundimin mbi popullin, duke i përdorur si truprojë ata që sulmonin bashkë me të.1
2. Por Feliksi i doli përpara sulmit të tij dhe u nis kundër tij me legjionarët romakë, ndërsa gjithë populli u bashkua në mbrojtje. Kështu, kur u zhvillua beteja, egjiptiani iku me pak ndjekës, kurse shumica e tyre u vranë ose u zunë robër.»
3. Këto ngjarje Josif Flavi i tregon në librin e dytë të historisë së tij. Ia vlen, megjithatë, të krahasohet rrëfimi që jepet këtu për egjiptianin me atë që gjendet te «Veprat e Apostujve». Në kohën e Feliksit, kur turma e judenjve u ngrit kundër apostullit, centurioni në Jerusalem i tha Pavlit: «Atëherë nuk qenke ti ai ... që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?» Këto janë ngjarjet që ndodhën në kohën e Feliksit.2
Shënime
1. Josif Flavi, «Lufta e judenjve» II. 13. 5.
2. Veprat 21:38.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it