Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Radha e Ungjijve.

Libri III, Kreu XXIV

1. Këtë pjesë nga Klementi e vura këtu për hir të historisë dhe për të mirën e lexuesve të mi. Tani le të tregojmë shkrimet e pakundërshtuara të këtij apostulli.

2. Në radhë të parë duhet pranuar si i mirëfilltë Ungjilli i tij, që e njohin të gjitha kishat nën qiell. Që me të drejtë të lashtët e kanë vënë në vendin e katërt, pas tre Ungjijve të tjerë, këtë mund ta sqarojmë kështu.

3. Ata burra të mëdhenj dhe vërtet hyjnorë, dua të them apostujt e Krishtit, ishin të pastruar në jetën e tyre dhe të stolisur me çdo virtyt të shpirtit, por të pastërvitur në të folur. Guximin ua jepte vërtet besimi te fuqia hyjnore dhe çudibërëse që u kishte dhuruar Shpëtimtari; megjithatë as nuk dinin, as nuk u përpoqën t'i shpallnin doktrinat e mësuesit të tyre me gjuhë të përpunuar e me art. Përdorën vetëm provën e Shpirtit hyjnor, që vepronte bashkë me ta, dhe fuqinë çudibërëse të Krishtit, që shfaqej nëpërmjet tyre. Kështu e përhapën njohjen e mbretërisë së qiejve në mbarë botën, pa u kujdesur shumë për hartimin e veprave të shkruara.

4. Këtë e bënë sepse në shërbesën e tyre i ndihmonte një më i madh se njeriu. Pavli, për shembull, që ua kalonte të gjithëve në forcën e të shprehurit dhe në pasurinë e mendimit, nuk la me shkrim veçse letra fare të shkurtra, megjithëse kishte për të kumtuar gjëra të mistershme pa numër. Sepse ai kishte arritur deri te pamjet e qiellit të tretë, ishte çuar deri në vetë parajsën e Perëndisë dhe ishte bërë i denjë të dëgjonte atje fjalë të patregueshme.1

5. Edhe ndjekësit e tjerë të Shpëtimtarit tonë, të dymbëdhjetë apostujt, të shtatëdhjetë nxënësit dhe të tjerë të panumërt përveç tyre, nuk ishin të paditur për këto gjëra. Megjithatë, nga të gjithë nxënësit e Zotit, vetëm Mateu dhe Joani na kanë lënë kujtime të shkruara, dhe këta, thotë tradita, u shtynë të shkruanin vetëm ngaqë i shtrëngoi nevoja.

6. Sepse Mateu, i cili në fillim u kishte predikuar hebrenjve, kur po bëhej gati të shkonte te popuj të tjerë, e vuri Ungjillin e tij me shkrim në gjuhën e vet amtare. Kështu, atyre që ishte i detyruar t'i linte, ua plotësoi mungesën e vet.

7. Kur Marku dhe Luka i kishin nxjerrë tashmë Ungjijtë e tyre, thonë se Joani, që gjithë kohën e kishte kaluar duke e shpallur Ungjillin me gojë, më në fund iu vu të shkruante, për arsyen që vijon. Tre Ungjijtë e përmendur kishin rënë në duart e të gjithëve, edhe në të tijat. Thonë se ai i pranoi dhe dëshmoi për vërtetësinë e tyre, por se atyre u mungonte rrëfimi i veprave që Krishti bëri në fillim të shërbesës së tij.2

8. Dhe kjo është me të vërtetë kështu. Sepse është e qartë se tre Ungjillorët shënuan vetëm veprat që Shpëtimtari bëri gjatë një viti pas burgosjes së Joan Pagëzorit, dhe këtë e treguan në fillim të rrëfimit të tyre.

9. Sepse Mateu, pas agjërimit dyzetditor dhe tundimit që erdhi pas tij, e tregon kronologjinë e veprës së vet kur thotë: «Kur ... dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile.»3

10. Po ashtu Marku thotë: «Pasi e kapën Gjonin, Jezui shkoi në Galile.» Edhe Luka, para se të fillojë rrëfimin e veprave të Jisuit, e shënon kohën në të njëjtën mënyrë, kur thotë se Herodi «bëri edhe këtë të keqe: e futi Gjonin në burg.»45

11. Thonë, pra, se apostulli Joan, meqë për këtë arsye iu kërkua ta bënte, rrëfeu në Ungjillin e tij për kohën që Ungjillorët e mëparshëm e kishin lënë jashtë dhe për veprat që Shpëtimtari bëri gjatë asaj kohe, domethënë për ato që u bënë para burgosjes së Pagëzorit. Thonë se këtë e tregon ai vetë me këto fjalë: «Kjo qe shenja e parë që bëri Jezui»; dhe përsëri kur, në mes të veprave të Jisuit, e përmend Pagëzorin, që ende pagëzonte në Enon, afër Salimit. Atje e thotë qartë me fjalët: «Në atë kohë Gjoni nuk ishte burgosur ende.»678

12. Kështu, pra, Joani në Ungjillin e tij shënon veprat që Krishti bëri para se Pagëzori të hidhej në burg, kurse tre Ungjillorët e tjerë përmendin ngjarjet që ndodhën pas asaj kohe.

13. Kush e kupton këtë, nuk mund të mendojë më se Ungjijtë nuk pajtohen me njëri-tjetrin, meqë «Ungjilli sipas Joanit» përmban veprat e para të Krishtit, kurse të tjerët rrëfejnë pjesën e mëvonshme të jetës së tij. Joani, krejt natyrshëm, e la jashtë gjenealogjinë e Shpëtimtarit tonë sipas mishit, sepse e kishin dhënë tashmë Mateu dhe Luka, dhe nisi me doktrinën e hyjnisë së tij, të cilën Shpirti hyjnor, si të thuash, ia kishte ruajtur atij, si dikujt më të lartë se ata.9

14. Le të mjaftojnë këto që thamë për Ungjillin e Joanit. Shkakun që çoi në hartimin e Ungjillit të Markut e kemi treguar tashmë.10

15. Sa për Lukën, në fillim të Ungjillit të tij ai vetë i tregon arsyet që e shtynë ta shkruante. Thotë se shumë të tjerë kishin marrë përsipër, disi me nxitim, të hartonin një rrëfim për ngjarjet që ai vetë i njihte në mënyrë të përsosur. Prandaj, thotë ai, duke e ndier të nevojshme të na çlironte nga mendimet e tyre të pasigurta, dha në Ungjillin e vet një rrëfim të saktë të atyre ngjarjeve për të cilat kishte mësuar gjithë të vërtetën, i ndihmuar nga afërsia dhe qëndrimi i tij me Pavlin, si edhe nga njohja me apostujt e tjerë.

16. Kaq nga ana jonë për këto gjëra. Por në një vend më të përshtatshëm do të përpiqemi të tregojmë, me citime nga të lashtët, se çfarë kanë thënë të tjerët për to.

17. Sa për shkrimet e Joanit, jo vetëm Ungjilli i tij, por edhe e para e letrave të tij është pranuar pa kundërshtim, si tani, ashtu edhe në kohët e lashta. Kurse dy të tjerat janë të kundërshtuara.

18. Sa për Apokalipsin, mendimet e shumicës janë ende të ndara. Por në kohën e duhur edhe kjo çështje do të zgjidhet nga dëshmia e të lashtëve.

Shënime

1. Shih 2 Korintasve 12:2–4.

2. Për datën dhe autorësinë e Ungjillit të Lukës, shih më lart, kreu 4. Për Markun, shih Librin II, kreu 15.

3. Mateu 4:12.

4. Marku 1:14.

5. Luka 3:20.

6. Gjoni 2:11. Argumentet e Eusebit, qofshin origjinale, qofshin të huazuara nga paraardhësit e tij, janë pa dyshim shumë të mprehta, dhe ai, në dukje, e mbështet mjaft fort mendimin e vet; por një harmonizim i kujdesshëm i katër Ungjijve tregon se ky mendim nuk qëndron.

7. Gjoni 3:23.

8. Po aty, vargu 24.

9. Eusebi i afrohet këtu mendimit të Klementit të Aleksandrisë, i cili e shihte Ungjillin e Joanit si një plotësim shpirtëror të Ungjijve të tjerë, rol që ky Ungjill, pa dyshim, e përmbush në mënyrë të admirueshme.

10. Shih Librin II, kreu 15.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it