Nikolla dhe sekti që mori emrin prej tij.
Libri III, Kreu XXIX
1. Në këtë kohë u shfaq i ashtuquajturi sekt i nikolaitëve, që zgjati fare pak. Ai përmendet në «Apokalipsin e Joanit». Ata mburreshin se nismëtari i sektit të tyre ishte Nikolla, një nga dhjakonët që apostujt i caktuan, bashkë me Stefanin, për t'u shërbyer të varfërve. Klementi i Aleksandrisë, në librin e tretë të «Stromateve» të tij, tregon për të këto gjëra.12
2. «Thonë se ai kishte një grua të bukur dhe se, pas ngjitjes së Shpëtimtarit, kur apostujt e akuzuan për xhelozi, e solli atë në mes të tyre dhe i dha leje kujtdo që donte të martohej me të. Sepse thonë se kjo përputhej me atë thënie të tijën, se mishi duhet keqtrajtuar. Dhe ata që kanë ndjekur herezinë e tij, duke imituar verbërisht dhe marrëzisht atë që u bë dhe u tha, kurvërojnë pa turp.
3. Por unë kam marrë vesh se Nikolla nuk pati të bënte me asnjë grua tjetër përveç asaj me të cilën ishte martuar dhe se, sa për fëmijët e tij, bijat mbetën virgjëresha deri në pleqëri, kurse i biri mbeti i dëlirë. Po të jetë kështu, kur e solli në mes të apostujve gruan e tij, që e donte me xhelozi, është e qartë se po hiqte dorë nga pasioni i vet; dhe kur përdori shprehjen ‹të keqtrajtosh mishin›, po jepte mësimin e vetëpërmbajtjes përballë atyre kënaqësive që ndiqen me zell. Sepse mendoj se, në përputhje me urdhërimin e Shpëtimtarit, ai nuk donte t'u shërbente dy zotërinjve: kënaqësisë dhe Zotit.3
4. Por thonë se edhe Matia mësonte në të njëjtën mënyrë: se mishin duhet ta luftojmë dhe ta keqtrajtojmë dhe të mos i lëshojmë pe për hir të kënaqësisë, kurse shpirtin ta forcojmë me besim dhe njohje.» Kaq për ata që atëherë u përpoqën ta shtrembëronin të vërtetën, por që u shuan krejt në më pak kohë se ç'u desh për ta treguar.
Shënime
1. Shih Veprat 6.
2. «Stromatet» III. 4.
3. Krahaso Mateu 6:24.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it