Peshkopët e Romës dhe të Aleksandrisë gjatë mbretërimit të Antoninit.
Libri IV, Kreu X
Hadriani vdiq pasi mbretëroi njëzet e një vjet, dhe në qeverisjen e romakëve e pasoi Antonini, i quajtur i Perëndishmi. Në vitin e parë të mbretërimit të tij vdiq Telesfori, në vitin e njëmbëdhjetë të peshkopatës së vet, dhe peshkop i Romës u bë Higini. Irineu shënon se vdekjen e Telesforit e bëri të lavdishme martirizimi. Po aty ai thotë se në kohën e peshkopit romak Higin, që përmendëm më lart, ishin të njohur në Romë që të dy: Valentini, themeluesi i një sekte të vet, dhe Kerdoni, nismëtari i lajthitjes së Markionit. Ai shkruan kështu:12345
Shënime
1. Hadriani mbretëroi nga 8 gushti i vitit 117 deri më 10 korrik të vitit 138 pas Krishtit.
2. Për Telesforin, shih më lart, kreu 5. Data që jep këtu Eusebi (vitet 138–139 pas Krishtit) ka të ngjarë të jetë të paktën një vit më e vonë nga ç'duhet.
3. Në veprën e tij «Kundër herezive» III. 3. 3. Në këtë pikë dëshmia e Irineut mbështetet te tradita romake dhe është pa dyshim e besueshme. Telesfori është peshkopi i parë i Romës për të cilin dimë se vdiq si dëshmor, megjithëse Kisha Katolike Romake i kremton si dëshmorë të gjithë të ashtuquajturit papë deri në shekullin e katërt.
4. Për Valentinin, Kerdonin dhe Markionin, shih kreun pasues.
5. Irineu, «Kundër herezive» III. 4. 3.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it