Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Teofili, peshkopi i Antiokisë.

Libri IV, Kreu XXIV

1. Nga Teofili, të cilin e kemi përmendur si peshkop të kishës së Antiokisë, ruhen tri vepra elementare drejtuar Autolikut, si edhe një shkrim tjetër me titullin «Kundër herezisë së Hermogjenit», ku përdor dëshmi nga «Apokalipsi i Joanit», dhe së fundi disa libra të tjerë kateketikë.12

2. Meqë heretikët, atëherë jo më pak se në kohë të tjera, ishin si egjra që shkatërronin të korrat e pastra të mësimit apostolik, barinjtë e kishave në çdo vend nxituan t'i mbanin ata, si bisha të egra, larg vathës së Krishtit. Këtë e bënin herë me këshilla e nxitje drejtuar vëllezërve, herë duke luftuar më hapur kundër tyre në diskutime gojore e përgënjeshtrime, herë me vepra të shkruara, ku ua ndreqnin mendimet me prova shumë të sakta.

3. Se edhe Teofili, bashkë me të tjerët, luftoi kundër tyre, duket qartë nga një fjalim me vlerë jo të zakonshme që shkroi kundër Markionit. Edhe kjo vepër, bashkë me të tjerat për të cilat folëm, është ruajtur deri në ditët e sotme.

Atë e pasoi si peshkop i kishës së Antiokisë Maksimini, i shtati që nga apostujt.

Shënime

1. Në kreun 20, më lart.

2. Këto vepra kateketike (τινα κατηχητικὰ βιβλία), që ruheshin në kohën e Eusebit, tani kanë humbur. Nuk i përmend asnjë nga Etërit përveç Jeronimit, i cili flet për «alii breves elegantesque tractatus ad ædificationem Ecclesiæ pertinentes» si vepra që ruheshin në kohën e tij. Për natyrën e tyre nuk dimë asgjë më shumë nga sa na thotë me këto fjalë Jeronimi.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it