Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Numri i atyre që luftuan për fenë në Gali në kohën e Verit dhe natyra e ndeshjeve të tyre.

Libri V, Kreu I

1. Vendi ku u përgatit arena për ta ishte Galia, e cila ka si qytete kryesore e më të shquara Lionin dhe Vienën. Nëpër të dyja kalon Rona, që rrjedh e gjerë përmes gjithë asaj krahine.

2. Kishat më të shquara të atij vendi u dërguan kishave të Azisë dhe të Frigjisë një përshkrim për dëshmorët, ku tregojnë në këtë mënyrë ç'u bë ndër to.

Po jap vetë fjalët e tyre.

3. «Shërbëtorët e Krishtit që banojnë në Vienë dhe në Lion të Galisë, vëllezërve anembanë Azisë dhe Frigjisë, që kanë të njëjtin besim dhe të njëjtën shpresë shpengimi: paqe, hir dhe lavdi nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jisu, Zoti ynë.»

4. Pastaj, pasi tregojnë disa gjëra të tjera, e nisin përshkrimin e tyre kështu: «Madhësinë e shtrëngimit në këto anë, tërbimin e paganëve kundër shenjtorëve dhe vuajtjet e dëshmorëve të lumur nuk jemi në gjendje t'i tregojmë me saktësi, dhe as që është e mundur të vihen me shkrim.

5. Sepse kundërshtari u vërsul mbi ne me gjithë fuqinë e tij dhe na dha një parashijim të veprimit të tij të shfrenuar, siç do të jetë kur të vijë në të ardhmen. U përpoq në çdo mënyrë t'i ushtronte e t'i stërviste shërbëtorët e vet kundër shërbëtorëve të Perëndisë: jo vetëm na përjashtoi nga shtëpitë, banjat dhe tregjet, por edhe ndaloi që ndokush prej nesh të dukej në çfarëdo vendi qoftë.

6. Por hiri i Perëndisë e priu luftën kundër tij: i shpëtoi të dobëtit dhe i vuri si shtylla të patundura, të afta të përballonin me durim gjithë zemërimin e të Ligut. Ata hynë në betejë me të dhe duruan çdo lloj turpërimi e lëndimi. Vuajtjet e tyre të mëdha i quajtën të vogla dhe nxituan drejt Krishtit, duke treguar me të vërtetë se ‹vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen›.1

7. Më së pari, duruan me fisnikëri lëndimet që populli ua bëri njërin mbi tjetrin: britma, të rrahura, zvarritje, plaçkitje, goditje me gurë, burgosje, dhe gjithçka që një turmë e tërbuar kënaqet t'ua bëjë armiqve e kundërshtarëve.

8. Pastaj kryemijësi dhe krerët e qytetit i çuan në forum, ku i morën në pyetje përpara gjithë turmës; dhe ata, pasi dhanë rrëfimin, u mbyllën në burg derisa erdhi qeveritari.

9. Kur më pas i nxorën përpara tij dhe ai u soll me ne me mizorinë më të madhe, ndërhyri Veti Epagathi, një nga vëllezërit, njeri plot dashuri për Perëndinë dhe për të afërmin. Jeta e tij ishte aq e përpiktë, saqë, megjithëse i ri, kishte fituar një emër të barabartë me atë të plakut Zaharia: sepse ecte ‹pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit› dhe nuk lodhej në asnjë punë të mirë për të afërmin, i zellshëm për Perëndinë dhe i zjarrtë në shpirt. I tillë siç ishte, nuk e duroi dot gjykimin e paarsyeshëm kundër nesh, por u pezmatua fort dhe kërkoi t'i lejohej të dëshmonte për vëllezërit e tij se ndër ne nuk ka asgjë të pafe a të paperëndishme.2

10. Por ata që ishin rreth gjykatores bërtitën kundër tij, sepse ishte njeri i shquar. Qeveritari nuk pranoi t'ia plotësonte kërkesën e drejtë dhe e pyeti vetëm nëse ishte edhe ai i krishterë. Ai e rrëfeu këtë me zë të lartë dhe u pranua edhe vetë në radhët e dëshmorëve. U quajt Mbrojtësi i të krishterëve, por Mbrojtësin, Shpirtin, e kishte në vetvete më me bollëk se Zaharia. Këtë e tregoi me plotësinë e dashurisë së tij, i gatshëm me gjithë zemër të jepte edhe jetën në mbrojtje të vëllezërve. Sepse ishte dhe është nxënës i vërtetë i Krishtit, nga ata ‹që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon›.3456

11. Atëherë të tjerët u ndanë: dëshmorët e parë u panë qartë se ishin të përgatitur dhe e çuan deri në fund rrëfimin e tyre me gjithë gatishmëri. Por disa u dukën të papërgatitur e të pastërvitur, ende të dobët dhe të paaftë për të përballuar një ndeshje kaq të madhe. Rreth dhjetë prej këtyre dolën dështakë. Ata na shkaktuan hidhërim të madh e pikëllim pa masë dhe ua ligështuan zellin të tjerëve, që ende nuk ishin kapur, por që, megjithëse vuanin çdo lloj mundimi, rrinin vazhdimisht pranë dëshmorëve dhe nuk i braktisnin.78

12. Atëherë të gjithë u frikësuam shumë, ngaqë nuk ishim të sigurt për rrëfimin e tyre: jo se u trembeshim vuajtjeve që duheshin duruar, por sepse shikonim nga fundi dhe kishim frikë se mos ndonjë prej tyre binte.

13. Por ata që ishin të denjë kapeshin ditë për ditë dhe e plotësonin numrin e tyre, kështu që nga të dyja kishat u mblodhën bashkë të gjithë të zellshmit dhe ata falë të cilëve ishin ngritur më së shumti punët tona.

14. U kapën edhe disa shërbëtorë tanë paganë, sepse qeveritari kishte urdhëruar që të gjithë ne të merreshim në pyetje botërisht. Këta ranë në kurthin e Satanait: nga frika se mos pësonin edhe vetë torturat që shihnin se i duronin shenjtorët, dhe të shtyrë edhe nga ushtarët, na akuzuan me gënjeshtër për gosti tiestiane dhe marrëdhënie edipiane, si edhe për vepra që neve jo vetëm nuk na lejohet t'i zëmë në gojë a t'i mendojmë, por as nuk besojmë dot se janë bërë ndonjëherë nga njerëz.9

15. Kur u përhapën këto akuza, të gjithë njerëzit u tërbuan si bisha kundër nesh, aq sa, edhe nëse disa kishin qenë më parë të përmbajtur për shkak të miqësisë, tani u egërsuan pa masë dhe kërcëllinin dhëmbët kundër nesh. Kështu u përmbush ajo që tha Zoti ynë: ‹Po vjen ora kur kushdo që do t'ju vrasë do të mendojë se i shërben Perëndisë.›10

16. Atëherë, më në fund, dëshmorët e shenjtë duruan vuajtje që nuk përshkruhen dot, sepse Satanai përpiqej me të gjitha forcat që ndonjë nga ato shpifje të dilte edhe nga goja e tyre.

17. Por gjithë zemërimi i popullit, i qeveritarit dhe i ushtarëve u ndez pa masë kundër Sanktit, dhjakonit nga Viena, kundër Maturit, që ishte kthyer në besim së voni, e megjithatë ishte luftëtar fisnik, kundër Atalit, të lindur në Pergam, ku kishte qenë gjithmonë shtyllë dhe themel, dhe kundër Blandinës. Me anë të saj Krishti tregoi se ato që njerëzve u duken të pavlera, të panjohura e të përbuzshme, te Perëndia kanë lavdi të madhe, për shkak të dashurisë ndaj tij, e cila shfaqet në fuqi dhe nuk mburret me dukjen.1112

18. Sepse ne të gjithë dridheshim, dhe zonja e saj tokësore, që ishte edhe vetë një nga dëshmorët, kishte frikë se Blandina, për shkak të dobësisë së trupit, nuk do të mundte ta jepte rrëfimin me guxim. Por ajo u mbush me një fuqi të tillë, saqë u çlirua dhe u ngrit mbi ata që e torturonin me radhë, në çdo mënyrë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, aq sa ata pohuan se ishin mundur dhe se nuk kishin më ç't'i bënin. U habitën me qëndresën e saj, sepse e kishte gjithë trupin të copëtuar e të dërrmuar, dhe dëshmuan se edhe një e vetme nga këto lloje torturash mjaftonte për t'ia marrë jetën, e jo më kaq shumë vuajtje e kaq të mëdha.

19. Por e lumja, si një atlet fisnik, e përtërinte fuqinë në rrëfimin e saj. Ngushëllimin, prehjen dhe lehtësimin nga dhimbja e vuajtjeve i gjente kur thërriste: ‹Jam e krishterë, dhe ndër ne nuk bëhet asgjë e ulët.›

20. Edhe Sankti i duroi në mënyrë të mrekullueshme e mbinjerëzore të gjitha mizoritë që pësoi. Njerëzit e ligj shpresonin se, me tortura të gjata e të rënda, do t'i nxirrnin nga goja diçka që nuk duhej ta thoshte; por ai u armatos kundër tyre me aq vendosmëri, saqë nuk tregoi as emrin e vet, as kombin a qytetin nga ishte, as nëse ishte skllav apo i lirë, por të gjitha pyetjeve u përgjigjej në gjuhën romake: ‹Jam i krishterë.› Këtë e rrëfente në vend të emrit, të qytetit, të fisit dhe të çdo gjëje tjetër, dhe populli nuk dëgjoi prej tij asnjë fjalë tjetër.

21. Prandaj qeveritarin dhe torturuesit e tij i pushtoi një dëshirë e madhe për ta mundur. Por, meqë nuk kishin më ç't'i bënin, më në fund i ngjitën pllaka bronzi të skuqura në zjarr te pjesët më të njoma të trupit.

22. Këto u dogjën vërtet, por ai mbeti i papërkulur e i paepur, i patundur në rrëfimin e tij, i freskuar dhe i forcuar nga burimi qiellor i ujit të jetës, që rrjedh nga barku i Krishtit.

23. Trupi i tij ishte dëshmitar i vuajtjeve të tij: ishte i tëri një plagë e një mavijosje, i shformuar dhe pa asnjë ngjashmëri me trajtën njerëzore. Krishti, që vuante në të, e shfaqi lavdinë e vet: e çliroi nga kundërshtari i tij dhe e bëri shembull për të tjerët, duke treguar se asgjë nuk është e frikshme atje ku është dashuria e Atit, dhe asgjë e dhimbshme atje ku është lavdia e Krishtit.

24. Sepse pas disa ditësh njerëzit e ligj e torturuan për së dyti. Trupin e kishte aq të ënjtur e të përflakur, saqë nuk duronte dot as prekjen e dorës, dhe ata kujtonin se, po t'i përdornin sërish të njëjtat vegla torture, do ta mundnin, ose të paktën se vdekja e tij mes vuajtjeve do t'i frikësonte të tjerët. Mirëpo jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por, përkundër çdo pritjeje njerëzore, trupi i tij u ngrit dhe u drejtua në mes të mundimeve që pasuan, e mori përsëri pamjen e mëparshme dhe përdorimin e gjymtyrëve. Kështu, me hirin e Krishtit, këto vuajtje të dyta nuk u bënë për të torturë, por shërim.

25. Kurse djalli, që kujtonte se e kishte përpirë tashmë Biblidën, një nga ata që e kishin mohuar Krishtin, deshi t'ia shtonte dënimin edhe me fjalë blasfemie. Prandaj e çoi përsëri në torturë, për ta detyruar, tashmë të këputur e të dobët siç ishte, të thoshte gjëra të paperëndishme për ne.13

26. Por ajo erdhi në vete mes vuajtjes, sikur të zgjohej nga një gjumë i thellë. Mundimi i çastit i kujtoi ndëshkimin e përjetshëm në ferr, dhe ajo i kundërshtoi blasfemuesit. ‹Si mund të hanë fëmijë›, tha, ‹ata që nuk e quajnë të lejuar të shijojnë as gjakun e kafshëve pa arsye?› Që atëherë pohoi se ishte e krishterë dhe iu dha vend në radhët e dëshmorëve.

27. Meqë torturat tiranike i bëri të kota Krishti me anë të durimit të të lumëve, djalli shpiku mjete të tjera: mbylljen në pjesët e errëta e më të ndyra të burgut, tendosjen e këmbëve deri te vrima e pestë e kllapës së drunjtë, dhe mizoritë e tjera që shërbëtorët e tij e kanë zakon t'ua bëjnë të burgosurve kur janë të tërbuar e plot me djallin. Shumë veta u mbytën në burg: i zgjodhi Zoti për këtë lloj vdekjeje, që të shfaqte në ta lavdinë e vet.

28. Sepse disa ishin torturuar aq mizorisht, saqë dukej e pamundur të jetonin, edhe sikur të kishin përkujdesjen më të madhe. E megjithatë, pa asnjë kujdes njerëzor, qëndruan në burg, sepse i forconte Zoti dhe u jepte fuqi në trup e në shpirt; ata i këshillonin dhe u jepnin zemër të tjerëve. Kurse të rinjtë, që ishin arrestuar së fundi dhe ende nuk e kishin trupin të mësuar me torturën, nuk e përballuan dot ashpërsinë e mbylljes dhe vdiqën në burg.

29. Të lumin Pothin, të cilit i ishte besuar peshkopata e Lionit, e tërhoqën zvarrë te gjykatorja. Ishte mbi nëntëdhjetë vjeç dhe shumë i pafuqishëm, aq sa mezi merrte frymë nga dobësia e trupit; por e forconte zelli shpirtëror, sepse dëshironte me zjarr martirizimin. Megjithëse trupin ia kishin rrënuar pleqëria dhe sëmundja, jeta iu ruajt, që Krishti të triumfonte në të.

30. Kur ushtarët e çuan te gjykatorja, i shoqëruar nga magjistratët e qytetit dhe nga një turmë që bërtiste kundër tij në çdo mënyrë, sikur të ishte vetë Krishti, ai dha një dëshmi fisnike.

31. Kur qeveritari e pyeti kush ishte Perëndia i të krishterëve, u përgjigj: ‹Nëse je i denjë, do ta njohësh.› Atëherë e tërhoqën zvarrë me ashpërsi dhe pësoi goditje të çdo lloji. Ata që ishin afër e qëllonin me duar e me këmbë, pa ia përfillur moshën; ata që ishin larg i hidhnin çfarë u zinte dora. Të gjithë mendonin se do të bëheshin fajtorë për ligësi të madhe e paperëndishmëri po t'i kursenin qoftë edhe një të keqe nga ato që mund t'i bënin. Sepse kujtonin se kështu ua merrnin hakun perëndive të veta. Mezi merrte frymë kur e hodhën në burg, dhe pas dy ditësh vdiq.

32. Atëherë u krye një ekonomi e madhe e Perëndisë, dhe dhembshuria e Jisuit u shfaq pa masë, në një mënyrë që rrallë shihet në vëllazëri, por që nuk është përtej fuqisë së Krishtit.14

33. Sepse ata që kishin mohuar në arrestimin e parë u burgosën bashkë me të tjerët dhe hoqën vuajtje të tmerrshme, kështu që mohimi nuk u solli asnjë dobi as për çastin. Ata që pohuan atë që ishin u burgosën si të krishterë, pa iu ngarkuar asnjë akuzë tjetër; kurse të parët u trajtuan më pas si vrasës e si të ndyrë dhe u ndëshkuan dy herë më rëndë se të tjerët.

34. Sepse këta të fundit i mbanin gëzimi i martirizimit, shpresa e premtimeve, dashuria për Krishtin dhe Shpirti i Atit; kurse të parët i mundonte aq shumë ndërgjegjja, saqë, kur i nxirrnin jashtë, dalloheshin lehtë mes gjithë të tjerëve vetëm nga fytyra.

35. Sepse njëra palë dilte e gëzuar, me lavdi e hir të përzier në fytyrë, aq sa edhe prangat e tyre dukeshin si stoli të bukura, si ato të një nuseje të stolisur me thekë të artë e larushë; ata kundërmonin erën e mirë të Krishtit, aq sa disa kujtuan se ishin lyer me miro tokësore. Kurse pala tjetër ishte kokëulur, e përunjur, e ligështuar dhe e mbuluar me çdo lloj turpi. Paganët i qortonin si të pafisëm e të dobët; mbi ta rëndonte akuza si vrasës, dhe e kishin humbur Emrin e vetëm të nderuar, të lavdishëm e jetëdhënës. Të tjerët, kur e shihnin këtë, forcoheshin, dhe kur i kapnin, e rrëfenin besimin pa ngurrim, pa ua vënë veshin joshjeve të djallit.»15

36. Pas disa fjalëve të tjera, vazhdojnë:

«Pas këtyre, më në fund, martirizimet e tyre u ndanë në çdo lloj trajte. Sepse thurën një kurorë me ngjyra të ndryshme e me lule të çdo lloji dhe ia paraqitën Atit. Prandaj ishte me vend që atletët fisnikë, pasi përballuan një luftë të shumëllojshme dhe fituan me madhështi, të merrnin kurorën e madhe e të paprishshme.

37. Kështu, pra, Maturin, Sanktin, Blandinën dhe Atalin i çuan në amfiteatër, për t'ua hedhur bishave dhe për t'i dhënë publikut pagan një spektakël mizorie; për shkak të njerëzve tanë u caktua enkas një ditë luftimesh me bisha.

38. Maturi dhe Sankti kaluan përsëri nëpër çdo mundim në amfiteatër, sikur të mos kishin vuajtur asgjë më parë, ose më mirë, sikur ta kishin mundur tashmë kundërshtarin në shumë gara dhe tani të luftonin për vetë kurorën. Duruan sërish kalimin e zakonshëm mes kamxhikëve, egërsinë e bishave dhe gjithçka që kërkonte a dëshironte populli i tërbuar, e më në fund karrigen e hekurt, mbi të cilën trupat e tyre, tek piqeshin, i mundonin me tymin.

39. Por përndjekësit nuk u ndalën as me kaq; u tërbuan edhe më shumë kundër tyre, të vendosur t'ua mundnin durimin. E megjithatë as kështu nuk dëgjuan nga Sankti asnjë fjalë tjetër veç rrëfimit që kishte thënë që në fillim.

40. Këtyre, pra, jeta u zgjati shumë nëpër ndeshjen e madhe, dhe më në fund u flijuan, pasi gjithë atë ditë ishin bërë spektakël për botën, në vend të larmisë së zakonshme të dyluftimeve.

41. Kurse Blandinën e varën në një shtyllë dhe e lanë aty që ta përlanin bishat që do t'i vërsuleshin. Ngaqë dukej si e varur në kryq, dhe për shkak të lutjeve të saj të zjarrta, ajo u ndezi luftëtarëve një zell të madh. Sepse, teksa e vështronin në ndeshjen e saj, shihnin me sytë e jashtëm, në trajtën e motrës së tyre, të kryqëzuarin për ta, që t'i bindte ata që besojnë në të se kushdo që vuan për lavdinë e Krishtit ka përherë bashkësi me Perëndinë e gjallë.16

42. Meqë atëherë asnjë nga bishat nuk e preku, e zbritën nga shtylla dhe e hodhën përsëri në burg. Kështu u ruajt për një garë tjetër: që, duke dalë fitimtare në ndeshje më të shumta, ta bënte të pakthyeshëm dënimin e gjarprit të shtrembër; dhe që ajo, e vogël, e dobët dhe e përbuzur, por e veshur me Krishtin, Atletin e fuqishëm e fitimtar, t'u ndizte zellin vëllezërve dhe, pasi ta kishte mundur kundërshtarin shumë herë, të merrte me anë të ndeshjes së saj kurorën e paprishshme.17

43. Atalin e kërkoi populli me britma të mëdha, sepse ishte njeri i shquar. Ai hyri në garë me gatishmëri, ngaqë kishte ndërgjegje të mirë, ishte ushtruar me të vërtetë në stërvitjen e krishterë dhe kishte qenë gjithmonë ndër ne dëshmitar i së vërtetës.

44. E sollën rrotull amfiteatrit, ndërsa përpara tij mbanin një dërrasë ku ishte shkruar në gjuhën romake: ‹Ky është Atali, i krishteri›, dhe populli u pezmatua fort kundër tij. Por kur qeveritari mori vesh se ishte romak, urdhëroi ta kthenin bashkë me të tjerët që ishin në burg. Për ta i kishte shkruar Cezarit dhe po priste përgjigjen e tij.

45. Por koha e ndërmjetme nuk u shkoi kot as pa fryt: me anë të durimit të tyre u shfaq dhembshuria e pamasë e Krishtit. Sepse, falë jetës së tyre që vazhdonte, të vdekurit merrnin jetë, dhe dëshmorët u dhanë hir atyre që nuk kishin arritur të dëshmonin. Nëna virgjëreshë pati gëzim të madh, sepse i mori të gjallë ata që i kishte lindur si të vdekur.

46. Sepse, nën ndikimin e tyre, shumë nga ata që kishin mohuar u rimëkëmbën, u ngjizën sërish, u rindezën me jetë dhe mësuan ta rrëfenin besimin. Të gjallë tashmë dhe të forcuar, shkuan te gjykatorja për t'u marrë sërish në pyetje nga qeveritari, ndërsa Perëndia, që nuk e do vdekjen e mëkatarit, por me mëshirë e fton në pendim, u tregua i mirë me ta.18

47. Sepse Cezari urdhëroi që ata të vriteshin, por ata që do të mohonin të liheshin të lirë. Prandaj, në fillim të festës publike që bëhej atje, dhe ku mblidheshin turma njerëzish nga të gjitha kombet, qeveritari i solli të lumët te gjykatorja, për t'i bërë shfaqje e spektakël para turmës. Për këtë arsye i mori edhe një herë në pyetje; atyre që doli se kishin qytetarinë romake ua preu kokën, kurse të tjerët i dërgoi te bishat.1920

48. Krishti u lavdërua shumë në ata që më parë e kishin mohuar, sepse, kundër pritjes së paganëve, e rrëfyen. Se ata u morën në pyetje veçmas, si njerëz që do të liheshin të lirë; por, meqë e rrëfyen, iu shtuan radhëve të dëshmorëve. Disa, megjithatë, mbetën jashtë: ata që nuk kishin pasur kurrë as gjurmë besimi, as ndonjë njohje të rrobës së dasmës, as kuptim të frikës së Perëndisë, por, si bij të humbjes, e blasfemuan Udhën me braktisjen e tyre.21

49. Por gjithë të tjerët iu shtuan Kishës. Ndërsa këta merreshin në pyetje, përpara gjykatores qëndronte njëfarë Aleksandri, frigas nga lindja dhe mjek nga zanati. Kishte jetuar shumë vjet në Gali dhe e njihnin të gjithë për dashurinë e tij ndaj Perëndisë dhe për guximin në të folur (sepse nuk ishte pa pjesë në hirin apostolik). Ai u jepte zemër me shenja që ta rrëfenin besimin, dhe atyre që rrinin përreth u dukej sikur të ishte në dhimbje lindjeje.

50. Por populli, i tërbuar ngaqë ata që më parë kishin mohuar tani e rrëfenin besimin, bërtiti kundër Aleksandrit, sikur ai të ishte shkaktari i kësaj. Atëherë qeveritari e thirri dhe e pyeti kush ishte. Kur ai u përgjigj se ishte i krishterë, qeveritari u zemërua shumë dhe e dënoi t'u hidhej bishave. Të nesërmen Aleksandri hyri bashkë me Atalin. Sepse qeveritari, për të kënaqur popullin, e kishte dërguar sërish Atalin te bishat.

51. Në amfiteatër i torturuan me të gjitha veglat e shpikura për këtë qëllim; dhe ata, pasi përballuan një ndeshje shumë të madhe, më në fund u flijuan. Aleksandri as rënkoi, as nxori ndonjë zë, por bisedonte në zemër me Perëndinë.

52. Kurse Atali, kur e vunë në karrigen e hekurt dhe nga trupi që i digjej u ngrit tymi, i tha popullit në gjuhën romake: ‹Ja! Kjo që bëni ju është të hash njerëz; kurse ne as njerëz nuk hamë, as ndonjë gjë tjetër të ligë nuk bëjmë.› Kur e pyetën çfarë emri ka Perëndia, u përgjigj: ‹Perëndia nuk ka emër si njeriu.›

53. Pas gjithë këtyre, ditën e fundit të garave, e sollën sërish Blandinën, bashkë me Pontikun, një djalosh rreth pesëmbëdhjetë vjeç. I kishin sjellë përditë që të shihnin vuajtjet e të tjerëve dhe i kishin shtrënguar të betoheshin për idhujt. Por, meqë ata qëndruan të patundur dhe i përbuzën, turma u tërbua, aq sa nuk pati as dhembshuri për moshën e djalit, as nderim për gjininë e gruas.

54. Prandaj i hodhën në të gjitha vuajtjet e tmerrshme dhe i kaluan nëpër gjithë rrethin e torturave, duke i shtrënguar vazhdimisht të betoheshin, por pa ia dalë dot. Sepse Pontiku, të cilit i jepte zemër motra e tij, aq sa edhe paganët e shihnin se ishte ajo që e mbante dhe e forconte, i duroi me fisnikëri të gjitha torturat dhe dha shpirt.

55. Kurse e lumja Blandinë u kishte dhënë zemër fëmijëve të saj, si një nënë fisnike, dhe i kishte nisur fitimtarë përpara vetes te Mbreti. Pastaj, e fundit nga të gjithë, i përballoi edhe vetë të gjitha ndeshjet e tyre dhe nxitoi pas tyre, e gëzuar dhe e ngazëlluar për largimin e saj, sikur të ishte e ftuar në darkë dasme e jo e hedhur te bishat.

56. Pas fshikullimit, pas bishave, pas karriges së pjekjes, më në fund e mbyllën në një rrjetë dhe e hodhën përpara një demi. Kafsha e flaku sa andej-këtej, por ajo nuk ndiente asgjë nga ato që po i ndodhnin, falë shpresës së saj, falë asaj që i ishte besuar e që ajo e mbante fort, dhe falë bashkësisë së saj me Krishtin. Kështu u flijua edhe ajo. Vetë paganët pohuan se kurrë ndër ta një grua nuk kishte duruar tortura kaq të shumta e kaq të tmerrshme.22

57. Por as kështu nuk u ngop çmenduria dhe mizoria e tyre ndaj shenjtorëve. Sepse fise të egra e barbare, të ndërsyera nga Bisha e Egër, nuk qetësoheshin lehtë, dhe dhuna e tyre gjeti një rast tjetër, të veçantë, te trupat e të vdekurve.23

58. Sepse atyre u mungonte arsyeja prej njeriu, ndaj nuk u erdhi turp që ishin mundur. Përkundrazi, kjo ua ndezi edhe më shumë zemërimin, si atë të një bishe, dhe ngjalli njësoj urrejtjen e qeveritarit dhe të popullit, që të silleshin padrejtësisht me ne. Kjo u bë që të përmbushej Shkrimi: ‹I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë ... I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë.›24

59. Sepse ua hodhën qenve ata që kishin vdekur në burg ngaqë u ishte zënë fryma, dhe i ruanin me kujdes natë e ditë, që ne të mos varrosnim asnjë prej tyre. Nxorën në shesh edhe mbetjet që kishin lënë bishat dhe zjarri, të shqyera e të shkrumbuara, vunë kokat e të tjerëve pranë trupave të tyre, dhe po ashtu, me roje ushtarësh, nuk i lanë të varroseshin për shumë ditë.

60. Disa tërboheshin dhe kërcëllinin dhëmbët kundër tyre, sepse donin të hakmerreshin edhe më rëndë ndaj tyre; të tjerë qeshnin e talleshin me ta, i madhëronin idhujt e vet dhe këtyre ua mvishnin ndëshkimin e të krishterëve. Edhe më të arsyeshmit, dhe ata që më parë dukej se ndienin njëfarë dhembshurie, i qortonin shpesh, duke thënë: ‹Ku është Perëndia i tyre, dhe ç'dobi u solli feja e tyre, të cilën e zgjodhën në vend të jetës?›

61. Kaq e ndryshme ishte sjellja e tyre ndaj nesh; kurse ne ishim në pikëllim të thellë, ngaqë nuk mund t'i varrosnim trupat. Sepse as nata nuk na erdhi në ndihmë për këtë, as paratë nuk i bindën, as lutjet nuk i sollën në dhembshuri; përkundrazi, ruanin në çdo mënyrë, sikur të kishin ndonjë fitim të madh po ta pengonin varrimin.»

Përveç kësaj, pas gjërash të tjera, thonë:

62. «Trupat e dëshmorëve, pasi u nxorën kështu në shesh dhe u lanë përjashta në çdo mënyrë për gjashtë ditë, më pas njerëzit e ligj i dogjën, i bënë hi dhe i fshinë në Ronë, që të mos dukej më asnjë gjurmë e tyre mbi tokë.

63. Këtë e bënë sikur të ishin në gjendje ta mundnin Perëndinë dhe t'ua pengonin rilindjen, ‹që të mos kenë›, siç thoshin, ‹asnjë shpresë ngjalljeje, se me besimin tek ajo na sjellin këtë fe të huaj e të re, i përbuzin gjërat e tmerrshme dhe janë gati të shkojnë edhe në vdekje me gëzim. Tani le të shohim nëse do të ngjallen dhe nëse Perëndia i tyre mund t'i ndihmojë e t'i shpëtojë nga duart tona.›»

Shënime

1. Romakëve 8:18.

2. Luka 1:6.

3. κλῆρον, e përdorur në kuptimin «radhë», «klasë», «kategori».

4. Shih Luka 1:67.

5. Krahaso Gjoni 15:13.

6. Zbulesa 14:4.

7. διεκρίνοντο. Valesius sheh në këtë fjalë një figurë të marrë nga ndeshjet atletike: para se të fillonin garat, garuesit shqyrtoheshin, dhe ata që dilnin të përshtatshëm pranoheshin (εἰσκρίνεσθαι), kurse të tjerët hidheshin poshtë (ἐκκρίνεσθαι).

8. ἐξέτρωσαν, ashtu si Stroth, Zimmermann, Schwegler, Burton dhe Heinichen. ἐξέπεσον ka ndoshta mbështetje pak më të fortë në dorëshkrime dhe është leximi i Rufinit; por fjala e parë, siç vëren Valesius, meqë është më e pazakontë se e dyta, mund të ndryshohej nga një kopjues shumë më lehtë në të dytën sesa e dyta në të parën.

9. D.m.th. për kanibalizëm dhe incest: sipas legjendës klasike, Tiesti kishte ngrënë pa e ditur bijtë e vet, që një armik ia kishte shtruar në një gosti, kurse Edipi ishte martuar pa e ditur me të ëmën. Për akuzat e tmerrshme që u ngritën kundër të krishterëve nga armiqtë e tyre paganë, shih më lart, Librin IV, kreu 7.

10. Gjoni 16:2.

11. Këtu, me sa duket, është fjala për Pergamin në Azinë e Vogël (i përmendur tek Zbulesa 2:12 dhe seli e një kishe të krishterë për disa shekuj). Lidhja mes banorëve të Galisë dhe atyre të Azisë së Vogël ishte shumë e ngushtë.

12. Krahaso 1 Korintasve 1:27, 28.

13. Blasfemi kundër krishterimit, jo kundër Perëndisë a Krishtit; domethënë shpifje kundër të krishterëve (krahaso §14, më lart), siç e tregojnë fjalët që vijojnë (kështu edhe Valesius).

14. Dhembshuria e Jisuit u shfaq jo në faktin se mohuesit pësuan ndëshkime kaq të tmerrshme, por në faktin se dallimi mes mjerimit të tyre në vuajtje dhe gëzimit të besnikëve në vuajtjet e veta u bë mjet force dhe inkurajimi për të krishterët e tjerë.

15. Krahaso 2 Korintasve 2:15. Krahaso edhe Librin IV, kreu 15, §37, më lart.

16. Ndër romakë kryqëzimi ishte ndëshkimi që u jepej zakonisht skllevërve dhe keqbërësve më të mëdhenj. Qytetarët romakë ishin të përjashtuar nga ky poshtërim.

17. Krahaso Isaia 27:1, që ndoshta nënkuptohet këtu.

18. Ezekieli 33:11.

19. ἀποτυμπανισθῆναι. Fjalë për fjalë do të thotë «të rrihen deri në vdekje», por është e qartë se këtu përdoret në kuptim të përgjithshëm, sepse, siç na thuhet menjëherë më poshtë, disave iu pre koka dhe disa u dërguan te bishat.

20. Renan e identifikon këtë me mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të kombeve galike, që mbahej çdo vit në muajin gusht për kremtimin e kultit të Augustit dhe shoqërohej me ceremoni madhështore, lojëra, gara etj. Ky identifikim nuk është aspak i pagjasë.

21. Krahaso Mateu 22:11.

22. τήγανον: fjalë për fjalë «tigan», me të cilin, megjithatë, nënkuptohet qartë vegla e torturës për të cilën në këtë kre është folur tashmë më shumë se një herë si për një karrige të hekurt.

23. Të krishterët kujdeseshin shumë për trupat e dëshmorëve: donin sidomos t'u bënin një varrim të denjë dhe ta ruanin kujtimin e varreve të tyre si vende me rëndësi fetare e shenjtëri të veçantë. Ndonjëherë arrinin deri aty sa t'u jepnin ryshfet zyrtarëve që t'ua dorëzonin trupat e të vdekurve (krahaso §61, më poshtë).

24. Zbulesa 22:11.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it