Filozofi Panten.
Libri V, Kreu X
1. Rreth asaj kohe shkollën e besimtarëve në Aleksandri e drejtonte Panteni, një burrë shumë i shquar për diturinë e tij. Atje ishte ngritur që në kohë të lashta një shkollë e dijes së shenjtë, që vazhdon deri në ditët tona dhe që, siç kemi mësuar, e drejtonin burra me aftësi të mëdha dhe me zell për gjërat hyjnore. Thuhet se ndër ta në atë kohë shquhej veçanërisht Panteni, sepse ishte formuar në sistemin filozofik të atyre që quhen stoikë.
2. Thonë se tregoi një zell kaq të madh për Fjalën hyjnore, saqë u caktua kasnec i Ungjillit të Krishtit për kombet e Lindjes dhe u dërgua deri në Indi. Sepse, në të vërtetë, kishte ende shumë ungjillëzues të Fjalës, që përpiqeshin me ngulm ta përdornin zellin e tyre të frymëzuar, sipas shembullit të apostujve, për rritjen dhe ndërtimin e Fjalës hyjnore.
3. Një prej tyre ishte Panteni, dhe thuhet se shkoi në Indi. Tregohet se atje, te disa njerëz që dinin për Krishtin, gjeti «Ungjillin sipas Mateut», që kishte mbërritur atje para ardhjes së tij. Sepse atyre u kishte predikuar Vartholomeu, një nga apostujt, dhe u kishte lënë shkrimin e Mateut në hebraisht, të cilin e kishin ruajtur deri në atë kohë.
4. Pas shumë veprash të mira, Panteni më në fund u vu në krye të shkollës në Aleksandri dhe i shtjelloi thesaret e doktrinës hyjnore si me gojë, ashtu edhe me shkrim.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it