Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Çështja që u rrah atëherë për Pashkën.

Libri V, Kreu XXIII

1. Në atë kohë u ngrit një çështje jo pak e rëndësishme. Sepse enoritë e mbarë Azisë, si prej një tradite më të lashtë, mendonin se dita e katërmbëdhjetë e hënës, ditë kur judenjtë ishin urdhëruar të flijonin qengjin, duhej mbajtur si festa e Pashkës së Shpëtimtarit. Prandaj agjërimin duhej ta mbyllnin atë ditë, cilado ditë e javës që të ishte. Por kishat në pjesën tjetër të botës nuk e kishin zakon ta mbyllnin në këtë kohë: ato ndiqnin mënyrën që, nga tradita apostolike, ka mbizotëruar deri më sot, domethënë ta përfundonin agjërimin vetëm ditën e ngjalljes së Shpëtimtarit tonë dhe në asnjë ditë tjetër.

2. Për këtë u mbajtën sinode dhe mbledhje peshkopësh, dhe të gjithë, me një mendje, me letra që ia dërguan njëri-tjetrit, hartuan një dekret kishtar: që misteri i ngjalljes së Zotit të mos kremtohej në asnjë ditë tjetër përveç ditës së Zotit, dhe që agjërimin e Pashkës ta mbyllnim vetëm në këtë ditë. Ruhet ende një shkrim i atyre që u mblodhën atëherë në Palestinë, të cilët i kryesonin Teofili, peshkopi i Qesarisë, dhe Narkisi, peshkopi i Jerusalemit. Ruhet edhe një shkrim tjetër, i atyre që u mblodhën në Romë për të shqyrtuar të njëjtën çështje, që mban emrin e peshkopit Viktor; po ashtu ai i peshkopëve në Pont, të cilët i kryesonte Palma, si më i moshuari; ai i enorive të Galisë, që kishin peshkop Irineun; ai i atyre të Osroenës dhe të qyteteve të atjeshme; si edhe një letër personale e Bakilit, peshkopit të kishës në Korint, dhe ato të shumë e shumë të tjerëve, që shprehën të njëjtin mendim e gjykim dhe dhanë të njëjtën votë.1234

3. Dhe vendimi i tyre i njëzëshëm ishte ai që u dha më sipër.5

Shënime

1. Për Teofilin dhe Narkisin, shih kreun e mëparshëm.

2. Palma, peshkop i Amastrit në Pont, të cilin e përmend Dionisi më lart, në Librin IV, kreu 23.

3. Osroena ishte një krahinë në Mesopotaminë veriperëndimore.

4. Kjo letër e Bakilit dallohet nga të mëparshmet, sepse nuk është letër sinodike ose kolektive, por vepër e pavarur e një njeriu të vetëm, nëse njoftimi i Eusebit është i saktë (shih kreun e mëparshëm). Letrat «të shumë e shumë të tjerëve», që përmenden në fjalinë pasuese, mund të kenë qenë të të njëjtit lloj.

5. Domethënë, kundër mbajtjes së ditës së katërmbëdhjetë.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it