Peshkopët që ishin të njohur në atë kohë.
Libri VI, Kreu XXI
1. Pasi Antonini kishte mbretëruar shtatë vjet e gjashtë muaj, e pasoi Makrini. Ky e mbajti pushtetin vetëm një vit, dhe atë e pasoi një Antonin tjetër. Në vitin e parë të këtij vdiq peshkopi i Romës, Zefirini, pasi e kishte mbajtur detyrën tetëmbëdhjetë vjet, dhe peshkopatën e mori Kalisti.1
2. Ky qëndroi pesë vjet, dhe atë e pasoi Urbani. Pas kësaj, perandor romak u bë Aleksandri, pasi Antonini kishte mbretëruar vetëm katër vjet. Në këtë kohë edhe Fileti e pasoi Asklepiadin në kishën e Antiokisë.23
3. E ëma e perandorit, që quhej Mame, ishte një grua tejet e perëndishme, nëse ka pasur ndonjëherë një të tillë, dhe bënte jetë të devotshme. Kur fama e Origjenit ishte përhapur kudo dhe kishte arritur edhe në veshët e saj, ajo deshi fort ta shihte këtë njeri dhe, mbi të gjitha, ta vinte në provë njohjen e tij të gjërave hyjnore, për të cilën ishte i dëgjuar.
4. Kur po qëndronte për një kohë në Antioki, dërgoi ta merrnin me një përcjellje ushtarake. Ai ndenji njëfarë kohe pranë saj dhe i tregoi shumë gjëra që ishin për lavdi të Zotit dhe të epërsisë së mësimit hyjnor; pastaj nxitoi të kthehej në punën e tij të zakonshme.
Shënime
1. Për Zefirinin, shih Librin V, kreu 28.
2. Elagabali u vra në mars të vitit 222, pas një mbretërimi prej tre vjetësh e nëntë muajsh, dhe e pasoi kushëriri i tij, Aleksian Basiani, i cili mori emrat Mark Aurel Aleksandër Severi; me dy të fundit njihet zakonisht.
3. Për Asklepiadin, shih kreun 11.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it