Shkrimet e dëshmorit Filea, që përshkruajnë ndodhitë në Aleksandri.
Libri VIII, Kreu X
1. Meqë e përmendëm Filean si njeri me emër të madh për diturinë e kësaj bote, le të jetë ai vetë dëshmitar i vetes në pjesën që vijon, ku na tregon se kush ishte dhe njëkohësisht i përshkruan, më saktë se ç'mund ta bënim ne, martirizimet që ndodhën në kohën e tij në Aleksandri:1
2. «Duke i pasur para sysh të gjithë këta shembuj, modele e shenja fisnike që na jepen në Shkrimet Hyjnore dhe të Shenjta, dëshmorët e lumur që ishin me ne nuk ngurruan, por e drejtuan me çiltërsi syrin e shpirtit te Perëndia që është mbi të gjitha dhe, me mendjen të ngulur te vdekja për fenë, iu përmbajtën fort thirrjes së tyre. Sepse e kuptuan se Zoti ynë Jisu Krisht ishte bërë njeri për hirin tonë, që ta shkulte çdo mëkat dhe të na jepte mjetet për të hyrë në jetën e përjetshme. Sepse ‹të qenit i barabartë me Perëndinë nuk e pa si diçka pas së cilës të mbahej fort, por e zbrazi veten duke marrë natyrë shërbëtori ... Kur u shfaq si njeri, ai e përuli veten ... deri në vdekje, madje me vdekje në kryq.›2
3. Prandaj edhe dëshmorët krishtmbajtës, të zellshëm për dhuntitë më të mëdha, duruan çdo sprovë dhe gjithfarë sajimesh për torturë, jo vetëm një herë, por disa edhe për të dytën herë. Dhe ndonëse rojet garonin me njëri-tjetrin duke i kërcënuar në gjithfarë mënyrash, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, ata nuk hoqën dorë nga vendimi i tyre; sepse ‹dashuria e përsosur e dëbon frikën.›3
4. Ç'fjalë do të mund t'i përshkruanin trimërinë dhe burrërinë e tyre nën çdo torturë? Sepse kujtdo që donte iu dha liria t'i keqtrajtonte: disa i rrihnin me çomange, të tjerë me thupra, të tjerë me fshikuj, të tjerë akoma me rripa, e të tjerë me litarë.
5. Pamja e mizorive ishte e larmishme dhe shfaqte keqdashje të madhe: disa, me duar të lidhura prapa, vareshin në kllapë, dhe çdo gjymtyrë u tendosej me disa mekanizma. Pastaj torturuesit, siç ishin urdhëruar, ua çirrnin me vegla gjithë trupin: jo vetëm brinjët, si u bëhet vrasësve, por edhe barkun, gjunjët e faqet. Të tjerë ngriheshin lart, të varur nga portiku për njërën dorë, dhe duronin vuajtjen më të tmerrshme nga të gjitha, për shkak të tendosjes së nyjave e të gjymtyrëve. Të tjerë lidheshin pas shtyllave ballë për ballë, pa u mbështetur në këmbë, por me peshën e trupit që rëndonte mbi lidhjet dhe i shtrëngonte fort.
6. Dhe këtë e duronin jo vetëm sa kohë që qeveritari fliste me ta ose kishte nge, por pothuajse gjithë ditën. Sepse, kur kalonte te të tjerët, linte zyrtarë që i kishte nën pushtet, për t'i ruajtur të parët dhe për të vëzhguar nëse ndonjëri prej tyre, i mundur nga torturat, dukej se po epej. Dhe urdhëronte t'i hidhnin në zinxhirë pa mëshirë dhe pastaj, kur të ishin në frymën e fundit, t'i flaknin përdhe e t'i tërhiqnin zvarrë që andej.
7. Sepse thoshte se ata nuk duhej të kujdeseshin aspak për ne, por të mendonin e të vepronin sikur ne të mos ekzistonim më. Përveç goditjeve, armiqtë tanë kishin shpikur edhe këtë mënyrë të dytë torture.
8. Disa, gjithashtu, pas këtyre mizorive, viheshin në kllapë dhe të dyja këmbët u tendoseshin mbi të katër vrimat, kështu që detyroheshin të rrinin shtrirë në shpinë mbi kllapë, sepse nuk mund të mbaheshin drejt nga plagët e freskëta me të cilat fshikullimi ua kishte mbuluar gjithë trupin. Të tjerë flakeshin përdhe dhe dergjeshin aty nën torturat e grumbulluara mbi ta, duke u dhënë shikuesve një shfaqje edhe më të tmerrshme të ashpërsisë, sepse mbanin në trup shenjat e ndëshkimeve të ndryshme e të larmishme që ishin shpikur.
9. Ndërsa kjo vazhdonte, disa vdiqën nën tortura dhe e turpëruan kundërshtarin me qëndrueshmërinë e tyre. Të tjerë, gjysmë të vdekur, u mbyllën në burg dhe, të munduar nga dhimbjet, vdiqën pas pak ditësh; kurse pjesa tjetër, që e mori veten nga kujdesi që iu bë, mori zemër me kohën dhe me qëndrimin e gjatë në burg.
10. I urdhëruan, pra, të zgjidhnin: ose ta preknin flijimin e ndotur, e kështu të çliroheshin nga shqetësimet dhe të merrnin prej tyre lirinë e mallkuar, ose të mos pranonin të flijonin dhe të dënoheshin me vdekje. Ata nuk ngurruan, por shkuan drejt vdekjes me hare. Sepse e dinin atë që Shkrimet e Shenjta e kishin shpallur më parë. Thuhet, në të vërtetë: ‹Kush u flijon perëndive të tjera do të shfaroset krejt›, dhe: ‹Nuk do të kesh perëndi të tjera përveç meje.›»45
11. Të tilla janë fjalët e dëshmorit vërtet filozof e perëndidashës, të cilat ai ua drejtoi vëllezërve të enorisë së tij para dënimit përfundimtar, kur ishte ende në burg. Me to u tregonte gjendjen e vet dhe njëkohësisht i nxiste t'i përmbaheshin fort fesë së Krishtit, edhe pas vdekjes së tij që po afrohej.
12. Po ç'nevojë kemi të zgjatemi në këto gjëra dhe të vazhdojmë të shtojmë shembuj të rinj të ndeshjeve të dëshmorëve hyjnorë në mbarë botën, sidomos kur me ta nuk veprohej më sipas ligjit të zakonshëm, por sulmoheshin si armiq lufte?
Shënime
1. Për këtë letër, shih kreun e mëparshëm.
2. Filipianëve 2:6–8.
3. 1 Gjonit 4:18.
4. Eksodi 22:20.
5. Eksodi 20:3.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it