Ata që vdiqën si dëshmorë në këtë kohë.
Libri IX, Kreu VI
1. Megjithatë, jo shumë kohë më pas, ky komandant ushtarak u bë vrasës i vetvetes dhe mori ndëshkimin për ligësinë e tij. Kurse ne u detyruam të duronim sërish mërgim dhe përndjekje të rënda, dhe qeveritarët në çdo provincë u ndezën edhe një herë tmerrësisht kundër nesh; kështu që edhe disa nga të shquarit në Fjalën hyjnore u kapën dhe u dënuan me vdekje pa mëshirë. Tre prej tyre, në qytetin e Emesës në Feniki, pasi pohuan se ishin të krishterë, u hodhën si ushqim për bishat. Ndër ta ishte një peshkop, Silvani, burrë shumë i moshuar, që e kishte mbajtur detyrën e tij plot dyzet vjet.12
2. Pak a shumë në të njëjtën kohë edhe Pjetri, që i kryesonte me shumë shkëlqim enoritë në Aleksandri, shembull hyjnor peshkopi për shkak të virtytit të jetës së tij dhe të studimit të Shkrimeve të Shenjta, u kap pa asnjë shkak e krejt papritur dhe, si me urdhër të Maksiminit, iu pre koka menjëherë e pa asnjë shpjegim. Bashkë me të patën të njëjtin fat edhe shumë peshkopë të tjerë të Egjiptit.3
3. Edhe Lukiani, presbiter i enorisë së Antiokisë, burrë fort i shkëlqyer në çdo pikëpamje, i përmbajtur në jetë dhe i dëgjuar për diturinë e tij në gjërat e shenjta, u soll në qytetin e Nikomedisë, ku në atë kohë qëlloi të ndodhej perandori. Atje, pasi mbajti përpara sundimtarit një apologji për doktrinën që pohonte, u hodh në burg dhe u vra.
4. Të tilla sprova solli mbi ne, brenda një kohe të shkurtër, Maksimini, armiku i virtytit, aq sa kjo përndjekje që u ngrit kundër nesh dukej shumë më mizore se e mëparshmja.
Shënime
1. Emesa ishte një qytet i rëndësishëm në Fenikinë Veriore, vendlindja e perandorit Elagabal, dhe e famshme kryesisht për tempullin e saj të madh të Diellit.
2. Për Silvanin, peshkopin e Emesës, shih më lart, Librin VIII, kreu 13.
3. Për Pjetrin, peshkopin e Aleksandrisë, shih më lart, Librin VII, kreu 32. Sipas atij kreu, ai u martirizua në vitin e nëntë të përndjekjes, domethënë jo më vonë se në prill të vitit 312.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it