Katekizmi, Katekeza IV: Mbi dhjetë pikat e mësimit
Sepse disa kanë guxuar, pa frikë Perëndie, ta ndajnë në mësimin e tyre Perëndinë e vetëm, dhe disa kanë thënë se një është Krijuesi e Zoti i shpirtit dhe një tjetër i trupit, një mësim njëherësh i pakuptimtë dhe i paperëndishëm. Sepse si mund të bëhet njeriu shërbëtor i vetëm i dy zotërinjve, kur Zoti ynë thotë në Ungjijtë: «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve»? Ka pra vetëm një Perëndi, Bërësin e shpirtrave e të trupave; një Krijues të qiellit e të dheut, Bërësin e engjëjve e të kryeengjëjve; Krijues të shumëkujt, por Atë vetëm të Njërit para gjithë shekujve, të një të vetmi, Birit të tij të Vetëmlindur, Zotit tonë Jisu Krisht, përmes të cilit bëri gjithçka, të dukshme e të padukshme.