Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Dëshmi për Joan Pagëzorin dhe për Krishtin.

Libri I, Kreu XI

1. Jo shumë kohë pas kësaj, Joan Pagëzorit ia preu kokën Herodi më i ri, siç thuhet në Ungjij. Të njëjtën gjë e shënon edhe Josif Flavi, i cili e përmend Herodiadën me emër. Ai thotë se Herodi e mori për grua, ndonëse ajo ishte gruaja e vëllait të tij. Më parë ishte ndarë nga gruaja e ligjshme që kishte, e bija e Aretës, mbretit të Petrës, dhe e kishte ndarë Herodiadën nga burri i saj, ndërsa ky ishte ende gjallë.123

2. Pikërisht për shkak të saj e vrau edhe Joanin dhe hyri në luftë me Aretën, për turpin që i ishte bërë së bijës së këtij. Josif Flavi tregon se në këtë luftë, kur u ndeshën në betejë, e gjithë ushtria e Herodit u shkatërrua dhe se ai e pësoi këtë fatkeqësi për shkak të krimit të tij kundër Joanit.4

3. I njëjti Josif Flavi pohon në këtë rrëfim se Joan Pagëzori ishte njeri tejet i drejtë, dhe kështu pajtohet me ato që janë shkruar për të në Ungjij. Ai shënon gjithashtu se Herodi e humbi mbretërinë për shkak të po asaj Herodiade, se u dëbua në mërgim bashkë me të dhe u dënua të jetonte në Vienë të Galisë.5

4. Këto i tregon në librin e tetëmbëdhjetë të «Lashtësive», ku për Joanin shkruan me këto fjalë: «Disa judenjve u dukej se ushtrinë e Herodit e kishte shkatërruar Perëndia, i cili mori me shumë të drejtë hak për Joanin, që e quanin Pagëzor.

5. Sepse Herodi e vrau atë, një njeri të mirë, që i nxiste judenjtë të vinin e të merrnin pagëzimin si njerëz që ushtronin virtytin dhe drejtësinë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Perëndisë. Sepse pagëzimi do t'i dukej i pëlqyeshëm Atij kur ta përdornin jo për ndjesën e disa mëkateve, por për pastrimin e trupit, meqë shpirti ishte pastruar tashmë me drejtësi.

6. Kur u mblodhën rreth tij edhe të tjerë (sepse u pëlqente shumë t'i dëgjonin fjalët e tij), Herodi pati frikë se ndikimi i tij i madh mund të çonte në ndonjë kryengritje, sepse dukeshin gati të bënin çfarëdo që t'u këshillonte ai. Prandaj e quajti shumë më mirë ta parandalonte duke e vrarë, para se të ndodhte ndonjë gjë e re nën ndikimin e Joanit, sesa të pendohej pasi të kishte ardhur përmbysja dhe kur të gjendej në mes të vështirësive. Për shkak të dyshimit të Herodit, Joani u dërgua i lidhur në kështjellën e Makerës, që u përmend më lart, dhe atje u vra.»6

7. Pasi tregon këto për Joanin, në po atë vepër përmend edhe Shpëtimtarin tonë me këto fjalë: «Dhe në atë kohë jetoi Jisui, një njeri i urtë, në qoftë se vërtet është e udhës ta quajmë njeri. Sepse ishte bërës veprash të mrekullueshme dhe mësues i atyre njerëzve që e pranojnë të vërtetën me gëzim. Dhe tërhoqi pas vetes shumë nga judenjtë, si edhe shumë nga grekët. Ai ishte Krishti.

8. Kur Pilati, me padinë e krerëve tanë, e dënoi me kryq, ata që e kishin dashur që në fillim nuk pushuan ta donin. Sepse ditën e tretë iu shfaq atyre përsëri i gjallë: këto, si edhe gjëra të tjera të mrekullueshme pa numër, i kishin thënë për të profetët hyjnorë. Për më tepër, fisi i të krishterëve, që e mori emrin prej tij, vazhdon të ekzistojë deri më sot.»

9. Meqë një historian, që është vetë një nga hebrenjtë, ka shënuar në veprën e tij këto gjëra për Joan Pagëzorin dhe për Shpëtimtarin tonë, ç'shfajësim mbetet për të mos i nxjerrë njerëz pa pikë turpi ata që kanë sajuar aktet kundër tyre? Por këtu le të mjaftojë kaq.7

Shënime

1. Herod Antipa.

2. Mateu 14:1–12; Marku 6:17 e në vijim.

3. Josif Flavi, «Lashtësitë e judenjve» XVIII. 5. 2.

4. Në këtë gjendje të vështirë Herodi iu drejtua Tiberit, që e kishte për zemër, dhe perandori urdhëroi Vitelin, qeveritarin e Sirisë, të dilte kundër Aretës. Vdekja e Tiberit i ndërpreu operacionet, dhe në kohën e Kaligulës midis Aretës dhe romakëve kishte miqësi.

5. Josif Flavi e tregon dëbimin e Herodit në «Lashtësitë e judenjve» XVIII. 7. 2, por si vend të mërgimit të tij përmend Lionin, jo Vienën. Eusebi e ngatërron këtu fatin e Herodit me atë të Arkelaut, që u dëbua në Vienë (shih më lart, kreu 9).

6. Makera ishte një kështjellë e rëndësishme në lindje të skajit verior të Detit të Vdekur. Ishte po ajo kështjellë ku ishte tërhequr e bija e Aretës, kur Herodi vendosi të martohej me Herodiadën; dhe fjalët «që u përmend më lart» i referohen përmendjes që i bën Josif Flavi, në lidhje me këtë, në paragrafin e mëparshëm.

7. Shih më lart, kreu 9.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it