Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Nxënësit e Shpëtimtarit tonë.

Libri I, Kreu XII

1. Emrat e apostujve të Shpëtimtarit tonë i di gjithkush nga Ungjijtë. Por nuk ekziston asnjë listë e të shtatëdhjetë nxënësve. Në të vërtetë, për Varnavën thuhet se ishte një prej tyre; atë e përmendin në vende të ndryshme «Veprat e Apostujve», dhe sidomos Pavli në «Letrën drejtuar Galatasve».123

2. Thonë se një prej tyre ishte edhe Sostheni, që u shkroi korinthianëve bashkë me Pavlin. Kështu tregon Klementi në librin e pestë të «Hipotipozave» të tij, ku thotë gjithashtu se një nga të shtatëdhjetë nxënësit ishte Kefa, një njeri që mbante të njëjtin emër me apostullin Pjetër, dhe se ishte ai për të cilin Pavli thotë: «Kur Kefa erdhi në Antioki, e kundërshtova ballë për ballë.»45

3. Edhe për Matinë, që u numërua me apostujt në vend të Judës, dhe për atë që u nderua duke u bërë kandidat bashkë me të, thuhet gjithashtu se u quajtën të denjë për të njëjtën thirrje me të Shtatëdhjetët. Thonë se një prej tyre ishte edhe Tadeu, për të cilin do të tregoj së shpejti një rrëfim që ka arritur deri tek ne. Po ta shqyrtosh, do të gjesh se Shpëtimtari ynë kishte më shumë se shtatëdhjetë nxënës. Këtë e dëshmon Pavli, i cili thotë se Shpëtimtari, pasi u ngjall prej së vdekurish, iu shfaq së pari Kefës, pastaj të Dymbëdhjetëve dhe pas tyre mbi pesëqind vëllezërve njëherësh; disa prej tyre kishin fjetur, por shumica ishin ende gjallë në kohën kur shkruante ai.678

4. Pastaj thotë se iu shfaq Jakovit, që ishte një nga të ashtuquajturit vëllezër të Shpëtimtarit. Por, meqë përveç këtyre kishte shumë të tjerë që quheshin apostuj, sipas shembullit të të Dymbëdhjetëve, siç ishte vetë Pavli, ai shton: «Më pas iu shfaq ... të gjithë apostujve.» Kaq për këta njerëz. Kurse rrëfimi për Tadeun është si vijon.910

Shënime

1. Shih Mateu 10:2–4; Luka 6:13–16; Marku 3:14–19.

2. Shih Luka 10:1–20.

3. Galatasve 2:1, 9 dhe 13.

4. Për Klementin dhe veprat e tij shih Librin V, kreu 11, dhe Librin VI, kreu 13.

5. Galatasve 2:11. Arsyetimi mbështetet këtu në fjalët e tekstit grek. «Së bashku» ka: «kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy».

6. Josif Varsava, i mbiquajtur Just. Edhe ai kishte qenë me Krishtin që nga fillimi, prandaj mund të ketë qenë fare mirë një nga të Shtatëdhjetët, siç tregon Eusebi. Papia (të cilin Eusebi e citon më poshtë, në Librin III, kreu 39) e quan Just Varsava dhe tregon se piu një helm vdekjeprurës pa pësuar asnjë dëm.

7. Shih kreun pasues.

8. Shih 1 Korintasve 15:5–7.

9. Lidhja farefisnore e Jakovit me Jisuin ka qenë gjithmonë çështje e diskutueshme. Janë parashtruar tri teori, dhe të trija kanë shumë përkrahës.

10. 1 Korintasve 15:7.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it