Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Rrëfim për princin e edesianëve.

Libri I, Kreu XIII

1. Meqë ndër të gjithë njerëzit flitej për hyjninë e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, për shkak të fuqisë së tij çudibërëse, ai tërhoqi nga vende të huaja, larg Judesë, njerëz të panumërt që shpresonin të shëroheshin nga sëmundjet dhe nga çdo lloj vuajtjeje.

2. Për shembull, mbreti Abgar, që sundonte me lavdi të madhe popujt përtej Eufratit, vuante nga një sëmundje e tmerrshme, që asnjë mjeshtëri njerëzore nuk mund ta shëronte. Kur dëgjoi për emrin e Jisuit dhe për mrekullitë e tij, që të gjithë i dëshmonin njëzëri, i çoi fjalë me anë të një korrieri dhe iu lut t'ia shëronte sëmundjen.

3. Por atëherë ai nuk ia plotësoi kërkesën; megjithatë e quajti të denjë për një letër personale, ku i thoshte se do t'i dërgonte një nga nxënësit e vet që t'ia shëronte sëmundjen, dhe njëkohësisht i premtonte shpëtim atij vetë dhe gjithë shtëpisë së tij.

4. Jo shumë kohë më pas, premtimi i tij u përmbush. Sepse pas ngjalljes së tij prej së vdekurish dhe ngjitjes së tij në qiell, Thomai, një nga të dymbëdhjetë apostujt, me një shtysë hyjnore dërgoi në Edesë Tadeun, që numërohej edhe ai ndër të shtatëdhjetë nxënësit e Krishtit, si predikues dhe ungjillëzues të mësimit të Krishtit.1

5. Dhe nëpërmjet tij u përmbush gjithçka që kishte premtuar Shpëtimtari ynë. Për këto ke dëshmi të shkruar, të marrë nga arkivat e Edesës, që në atë kohë ishte qytet mbretëror. Sepse në regjistrat publikë të atjeshëm, ku janë shënuar ngjarjet e kohëve të lashta dhe veprat e Abgarit, këto janë gjetur të ruajtura deri më sot. Por nuk ka mënyrë më të mirë sesa të dëgjojmë vetë letrat, të cilat i kemi marrë nga arkivat dhe i kemi përkthyer fjalë për fjalë nga siriakishtja, si më poshtë.

Kopje e një letre që sundimtari Abgar i shkroi Jisuit dhe ia dërgoi në Jerusalem me korrierin e shpejtë Anania

6. «Abgari, sundimtar i Edesës, Jisuit, Shpëtimtarit të shkëlqyer që është shfaqur në vendin e Jerusalemit: përshëndetje. Kam dëgjuar lajmet për ty dhe për shërimet që i bën pa ilaçe dhe pa barëra. Sepse thuhet se ti i bën të verbrit të shohin dhe të çalët të ecin, se i pastron lebrozët dhe dëbon frymët e ndyra e demonët, se shëron ata që vuajnë nga sëmundje të zgjatura dhe ngjall të vdekurit.

7. Dhe, pasi kam dëgjuar të gjitha këto për ty, kam nxjerrë përfundimin se njëra nga dy gjërat duhet të jetë e vërtetë: ose ti je Perëndia dhe, pasi ke zbritur nga qielli, i bën këto, ose ti, që i bën këto, je Biri i Perëndisë.2

8. Prandaj po të shkruaj e të lutem të marrësh mundimin të vish tek unë e të ma shërosh sëmundjen që kam. Sepse kam dëgjuar se judenjtë murmurisin kundër teje dhe kurdisin si të të bëjnë keq. Kurse unë kam një qytet shumë të vogël, por fisnik, që na mjafton të dyve.»

Përgjigjja e Jisuit drejtuar sundimtarit Abgar, me anë të korrierit Anania

9. «Lum ti që ke besuar tek unë pa më parë. Sepse për mua është shkruar se ata që më kanë parë nuk do të besojnë tek unë dhe se ata që nuk më kanë parë do të besojnë e do të shpëtohen. Kurse sa për atë që më ke shkruar, që të vij tek ti, më duhet të përmbush këtu të gjitha ato për të cilat jam dërguar dhe, pasi t'i kem përmbushur kështu, të ngrihem përsëri lart tek ai që më dërgoi. Por pasi të jem ngritur lart, do të të dërgoj një nga nxënësit e mi, që të ta shërojë sëmundjen dhe të të japë jetë ty dhe të tutë.»34

10. Këtyre letrave u ishte shtuar edhe rrëfimi i mëposhtëm, në siriakisht: «Pas ngjitjes së Jisuit në qiell, Juda, që quhej edhe Thoma, i dërgoi atij Tadeun, apostull, një nga të Shtatëdhjetët. Kur arriti, qëndroi mik te Tobia, i biri i Tobisë. Kur u përhap fjala për të, Abgarit i thanë se kishte ardhur një apostull i Jisuit, ashtu siç i kishte shkruar ai.56

11. Atëherë Tadeu nisi të shëronte me fuqinë e Perëndisë çdo sëmundje dhe çdo lëngatë, aq sa të gjithë çuditeshin. Kur Abgari dëgjoi për gjërat e mëdha e të mrekullueshme që bënte ai dhe për shërimet që kryente, nisi të dyshonte se mos ishte ai për të cilin i kishte shkruar Jisui, duke i thënë: ‹Pasi të jem ngritur lart, do të të dërgoj një nga nxënësit e mi, që do të të shërojë.›

12. Prandaj thirri Tobinë, te i cili qëndronte mik Tadeu, dhe i tha: Kam dëgjuar se ka ardhur një njeri me fuqi dhe po qëndron mik në shtëpinë tënde. Ma sill. Tobia erdhi te Tadeu dhe i tha: Sundimtari Abgar më thirri dhe më tha të të çoja tek ai, që ta shëroje. Tadeu tha: Do të shkoj, sepse jam dërguar tek ai me fuqi.

13. Të nesërmen, pra, Tobia u ngrit herët, mori Tadeun dhe erdhi te Abgari. Kur arriti, ishin të pranishëm fisnikët, që rrinin në këmbë rreth Abgarit. Dhe sapo hyri ai, Abgarit iu shfaq një vegim i madh në fytyrën e apostullit Tadeu. Kur e pa, Abgari ra përmbys para Tadeut, ndërsa të gjithë ata që rrinin përreth u habitën, sepse nuk e panë vegimin, që iu shfaq vetëm Abgarit.

14. Pastaj e pyeti Tadeun nëse ishte vërtet nxënës i Jisuit, Birit të Perëndisë, i cili i kishte thënë: ‹Do të të dërgoj një nga nxënësit e mi, që do të të shërojë dhe do të të japë jetë.› Tadeu tha: Ngaqë ke besuar fort tek ai që më dërgoi, për këtë jam dërguar tek ti. Dhe për më tepër, nëse beson tek ai, lutjet e zemrës sate do të të plotësohen ashtu siç beson.

15. Abgari i tha: Kaq shumë kam besuar tek ai, sa desha të merrja një ushtri dhe t'i shkatërroja ata judenj që e kryqëzuan, sikur sundimi i romakëve të mos më kishte penguar ta bëja. Tadeu tha: Zoti ynë e ka përmbushur vullnetin e Atit të tij dhe, pasi e përmbushi, është ngritur lart tek Ati i tij. Abgari i tha: Edhe unë kam besuar tek ai dhe tek Ati i tij.

16. Tadeu i tha: Prandaj po vë dorën mbi ty në emrin e tij. Dhe, si e bëri këtë, Abgari u shërua menjëherë nga sëmundja dhe nga vuajtja që kishte.

17. Abgari u mrekullua që ato që kishte dëgjuar për Jisuin, i kishte marrë me të vërtetë nëpërmjet nxënësit të tij, Tadeut, i cili e shëroi pa ilaçe dhe pa barëra; dhe jo vetëm atë, por edhe Abdin, birin e Abdit, që vuante nga përdhesi. Sepse edhe ky erdhi tek ai, i ra në këmbë dhe, pasi mori bekim me vënien e duarve të tij, u shërua. I njëjti Tadeu shëroi edhe shumë banorë të tjerë të qytetit, bëri çudira e vepra të mrekullueshme dhe predikoi fjalën e Perëndisë.

18. Pastaj Abgari tha: Ti, o Tade, i bën këto me fuqinë e Perëndisë dhe ne mrekullohemi. Por, përveç këtyre, të lutem të më tregosh për ardhjen e Jisuit, si lindi; dhe për fuqinë e tij, me ç'fuqi i bëri ato vepra për të cilat kam dëgjuar.

19. Tadeu tha: Tani vërtet do të hesht, sepse jam dërguar ta shpall fjalën botërisht. Por nesër mblidhi për mua të gjithë qytetarët e tu, e unë do të predikoj para tyre dhe do të mbjell midis tyre fjalën e Perëndisë: për ardhjen e Jisuit, si lindi; për misionin e tij, për ç'qëllim e dërgoi Ati; për fuqinë e veprave të tij dhe për misteret që shpalli në botë, dhe me ç'fuqi i bëri këto; për predikimin e tij të ri, për poshtërimin dhe përuljen e tij, si e përuli veten, vdiq, e poshtëroi hyjninë e tij, u kryqëzua, zbriti në Had, theu shulet që nuk ishin thyer që nga përjetësia dhe ngjalli të vdekurit; sepse zbriti vetëm, por u ngjall me shumë veta, dhe kështu u ngjit tek Ati i tij.7

20. Abgari urdhëroi, pra, që qytetarët të mblidheshin herët në mëngjes për të dëgjuar predikimin e Tadeut, dhe pastaj urdhëroi t'i jepnin ar dhe argjend. Por ai nuk pranoi ta merrte dhe tha: Në qoftë se ne kemi lënë atë që ishte e jona, si do të marrim atë që është e tjetrit? Këto u bënë në vitin treqind e dyzet.»

Këto i kam vënë këtu, në vendin që u takon, të përkthyera fjalë për fjalë nga siriakishtja, dhe, siç shpresoj, me dobi.

Shënime

1. Për traditat rreth Thomait shih Librin III, kreu 1.

2. Shprehjen «Biri i Perëndisë» një princ pagan nuk mund ta përdorte ashtu siç përdoret këtu.

3. Krahaso Gjoni 20:29.

4. γέγραπται, ashtu siç e përdornin Krishti dhe nxënësit e tij, i referohej gjithmonë Dhiatës së Vjetër. Vendi që citohet këtu nuk gjendet në Dhiatën e Vjetër; por krahaso Isaia 6:9, Jeremia 5:21 dhe Ezekieli 12:2; si edhe Mateu 13:14, Marku 4:12 dhe sidomos Veprat 28:26–28 dhe Romakëve 11:7 e në vijim.

5. Thomai nuk njihet zakonisht me emrin Juda, dhe ka mundësi që Eusebi, ose përkthyesi i dokumentit, të ketë gabuar e t'i ketë vënë Thomait një emër që në origjinal i jepej Tadeut. Por Thomai quhet Juda Thoma në «Veprat e Thomait» apokrife dhe në «Mësimet e Apostujve» në siriakisht, të botuara nga Cureton.

6. Tobia ishte, me shumë gjasë, jude ose me prejardhje judaike, meqë ky emër ishte i zakonshëm ndër hebrenjtë. Kjo mund të ketë qenë arsyeja që Tadeu (nëse shkoi vërtet në Edesë) u vendos tek ai.

7. Krahaso «Ungjilli i Nikodemit» II. 5.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it