Doktrina e Krishtit u përhap shpejt në mbarë botën.
Libri II, Kreu III
1. Kështu, nën ndikimin e fuqisë qiellore dhe me bashkëveprimin hyjnor, doktrina e Shpëtimtarit, si rrezet e diellit, e ndriçoi shpejt mbarë botën. Menjëherë, sipas Shkrimeve Hyjnore, zëri i Ungjillorëve dhe apostujve të frymëzuar doli në mbarë dheun, dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës.1
2. Në çdo qytet e fshat u ngritën shpejt kisha, plot me turma njerëzish, si një lëmë i mbushur plot. Ata që, për shkak të gabimeve që u kishin zbritur nga të parët e tyre, e kishin mendjen të prangosur nga sëmundja e lashtë e bestytnisë idhujtare, u çliruan, si të thuash, nga zotërinj të tmerrshëm dhe gjetën lirim nga robëria më mizore. Këtë e bëri fuqia e Krishtit, që vepronte përmes mësimit dhe veprave të mrekullueshme të nxënësve të tij. Të çliruarit hoqën dorë me neveri nga çdo lloj politeizmi demoniak dhe pohuan se ka vetëm një Perëndi, krijuesin e të gjitha gjërave. Atë e nderuan me ritet e perëndishmërisë së vërtetë, nëpërmjet adhurimit të frymëzuar dhe të arsyeshëm që Shpëtimtari ynë ka mbjellë ndër njerëz.
3. Por, kur hiri hyjnor po derdhej tashmë mbi kombet e tjera, Korneli nga Qesaria e Palestinës, bashkë me gjithë shtëpinë e tij, qe i pari që pranoi besimin në Krishtin, me anë të një zbulese hyjnore dhe me ndërmjetësinë e Pjetrit. Pas tij e pranoi edhe një shumicë grekësh të tjerë në Antioki, të cilëve ua kishin predikuar Ungjillin ata që ishin shpërndarë nga përndjekja për shkak të Stefanit. Kur kisha e Antiokisë po rritej e po shtohej dhe ndodheshin aty shumë profetë nga Jerusalemi, ndër ta Varnava dhe Pavli, e përveç tyre shumë vëllezër të tjerë, aty buroi për herë të parë emri i të krishterëve, si prej një burimi të freskët e jetëdhënës.23
4. Agavi, një nga profetët që ishin me ta, profetizoi për zinë e bukës që do të binte, dhe Pavli e Varnava u dërguan për t'i ndihmuar vëllezërit në nevojat e tyre.4
Shënime
1. Psalmi 19:4.
2. Shih Veprat 10:1 e në vijim.
3. Shih Veprat 11:22 e në vijim.
4. Shih Veprat 11:29, 30.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it