Pas vdekjes së Tiberit, Gai e emëroi Agripën mbret të judenjve, pasi e ndëshkoi Herodin me mërgim të përjetshëm.
Libri II, Kreu IV
1. Tiberi vdiq pasi kishte mbretëruar rreth njëzet e dy vjet, dhe në perandori e pasoi Gai. Ky ia dha menjëherë Agripës qeverisjen e judenjve, duke e bërë mbret mbi tetrarkitë e Filipit dhe të Lisanisë. Përveç këtyre, jo shumë kohë më pas, ia dha edhe tetrarkinë e Herodit, pasi i ndëshkoi me mërgim të përjetshëm Herodin (atë nën të cilin vuajti Shpëtimtari) dhe gruan e tij, Herodiadën, për krime të shumta. Për këto dëshmon Josif Flavi.123456
2. Nën këtë perandor u bë i njohur Filoni, një njeri tejet i shquar jo vetëm ndër shumë prej tanëve, por edhe ndër shumë dijetarë jashtë Kishës. Ishte hebre nga lindja, por nuk ishte më poshtë se asnjë nga ata që mbanin dinjitete të larta në Aleksandri. Sa shumë u mundua me Shkrimet dhe me dijet e kombit të tij, kushdo e sheh qartë nga puna që ka bërë. Sa mirë i njihte filozofinë dhe artet e lira të kombeve të huaja, nuk ka nevojë ta themi, meqë thuhet se i tejkaloi të gjithë bashkëkohësit e tij në studimin e filozofisë platonike dhe pitagorike, së cilës i kushtonte vëmendje të veçantë.
Shënime
1. Nga 29 gushti i vitit 14 pas Krishtit deri më 16 mars të vitit 37 pas Krishtit.
2. Gai sundoi nga vdekja e Tiberit deri më 24 janar të vitit 41 pas Krishtit.
3. Herod Antipa.
4. U mërgua në vitin 39 pas Krishtit në Lugdunum të Galisë (sipas Josif Flavit, «Lashtësitë e judenjve» XVIII. 7. 2; ose në Spanjë, sipas veprës së tij «Lufta e judenjve» II. 9. 6) dhe vdiq në Spanjë (sipas «Luftës së judenjve» II. 9. 6).
5. Shih Luka 23:7–11.
6. Shih «Lashtësitë e judenjve» XVIII. 6 dhe 7, dhe «Luftën e judenjve» II. 9.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it