Martirizimi i Jakovit, apostullit.
Libri II, Kreu IX
1. «Në atë kohë» (është e qartë se e ka fjalën për kohën e Klaudit) «mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë.»12
2. Për këtë Jakov, Klementi, në librin e shtatë të «Hipotipozave» të tij, tregon një histori që vlen të përmendet, duke e rrëfyer ashtu siç e kishte marrë nga ata që kishin jetuar para tij. Thotë se ai që e çoi Jakovin në gjyq, kur e pa që po dëshmonte, u prek dhe pohoi se ishte edhe vetë i krishterë.
3. Të dy, pra, thotë ai, i çuan bashkë. Rrugës njeriu iu lut Jakovit ta falte. Jakovi, pasi u mendua pak, i tha: «Paqja qoftë me ty», dhe e puthi. Kështu të dyve ua prenë kokën në të njëjtën kohë.
4. Pastaj, siç thotë Shkrimi Hyjnor, Herodi, pas vdekjes së Jakovit, kur pa se kjo vepër u pëlqeu judenjve, u sul edhe kundër Pjetrit dhe e futi në burg. Do ta kishte vrarë, po të mos ishte çliruar për mrekulli nga prangat me anë të shfaqjes hyjnore të një engjëlli që i erdhi natën. Kështu mbeti i lirë për shërbimin e Ungjillit. E tillë ishte providenca e Perëndisë për Pjetrin.3
Shënime
1. Herod Agripa I; shih më lart, kreu 4.
2. Veprat 12:1, 2.
3. Veprat 12:3 e në vijim.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it