Pjesët e botës ku apostujt predikuan Krishtin.
Libri III, Kreu I
1. Kjo ishte gjendja e judenjve. Ndërkohë apostujt e shenjtë dhe nxënësit e Shpëtimtarit tonë ishin shpërndarë nëpër mbarë botën. Sipas traditës, Thomait i ra në pjesë Parthia si fushë pune, Andreas Skitia dhe Joanit Azia; ky, pasi jetoi atje për njëfarë kohe, vdiq në Efes.12
2. Pjetri duket se u predikoi judenjve të shpërndarjes në Pont, Galati, Bitini, Kapadoki dhe Azi. Më në fund erdhi në Romë dhe u kryqëzua me kokë poshtë, sepse kishte kërkuar të vuante në këtë mënyrë. Ç'nevojë ka të flasim për Pavlin, që e predikoi Ungjillin e Krishtit nga Jerusalemi deri në Ilirik dhe më pas vdiq si dëshmor në Romë, në kohën e Neronit? Këto i tregon Origjeni në vëllimin e tretë të veprës së tij «Komente mbi Zanafillën».3456
Shënime
1. Azia Prokonsullore përfshinte vetëm një rrip të ngushtë të Azisë së Vogël, që shtrihej në bregun e Mesdheut dhe përmblidhte Misinë, Lidinë dhe Karinë.
2. Në këtë fragment Origjeni duket i pasigurt se sa kohë qëndroi Joani në Efes dhe kur vdiq.
3. Pesë provinca të Azisë së Vogël, që përmenden te 1 Pjetrit 1:1.
4. Origjeni është i pari që shënon se Pjetri u kryqëzua me kokë poshtë, por më pas kjo traditë u bë mjaft e përhapur. Sigurisht, nuk është e pamundur, por heshtja e Etërve më të hershëm për të (madje edhe e Tertulianit, që e përmend kryqëzimin) dhe karakteri i saj dukshëm legjendar e bëjnë tejet të dyshimtë.
5. Krahaso Romakëve 15:19. Iliriku ishte një provincë romake që shtrihej përgjatë bregut lindor të Adriatikut.
6. Këtë fragment të Origjenit nuk e ka ruajtur askush tjetër. Është e pamundur të thuhet se ku fillon citimi: me fjalët «Sipas traditës, Thomait i ra në pjesë Parthia», siç e kam dhënë unë, apo me fjalët «Pjetri duket se u predikoi» e kështu me radhë, siç e jep Bright.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it