Apostulli Joan dhe Apokalipsi.
Libri III, Kreu XVIII
1. Thuhet se në këtë përndjekje apostulli dhe Ungjillori Joan, që ishte ende gjallë, u dënua të banonte në ishullin Patmos, për shkak të dëshmisë së tij për fjalën hyjnore.
2. Irineu, në librin e pestë të veprës së tij «Kundër herezive», aty ku shqyrton numrin e emrit të Antikrishtit, që jepet në të ashtuquajturin «Apokalips të Joanit», thotë për të kështu:12
3. «Po të ishte e nevojshme që emri i tij të shpallej haptas në kohën e tashme, do ta kishte thënë ai që pa zbulesën. Sepse ajo nuk u pa shumë kohë më parë, por pothuajse në brezin tonë, në fund të mbretërimit të Domicianit.»
4. Në të vërtetë, mësimi i besimit tonë lulëzoi në atë kohë aq shumë, saqë edhe ata shkrimtarë që ishin larg fesë sonë nuk ngurruan të përmendnin në historitë e tyre përndjekjen dhe martirizimet që ndodhën gjatë saj.
5. Ata, madje, e treguan me saktësi kohën. Sepse shënuan se në vitin e pesëmbëdhjetë të Domicianit, Flavia Domitila, e bija e një motre të Flav Klementit, i cili në atë kohë ishte një nga konsujt e Romës, u dëbua në mërgim bashkë me shumë të tjerë në ishullin Pontia, për shkak të dëshmisë që dha për Krishtin.3
Shënime
1. Zbulesa 13:18. Vihet re se këtu Eusebi ka kujdes të mos mbajë qëndrim për çështjen e autorësisë së Apokalipsit. Shih më poshtë, kreu 24.
2. Irineu, «Kundër herezive» V. 30. 3; citohet edhe më poshtë, në Librin V, kreu 8.
3. Nga Suetoni («Domiciani», kreu 15) mësojmë se ngjarjet që përmend Eusebi në vijim ndodhën në fund fare të mbretërimit të Domicianit, domethënë në vitin 96 pas Krishtit, vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, siç thotë Eusebi. Edhe Dion Kasi (LXVII. 14) i vendos këto ngjarje në të njëjtin vit.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it