Vdekja e Joanit dhe e Filipit.
Libri III, Kreu XXXI
1. Kohën dhe mënyrën e vdekjes së Pavlit dhe të Pjetrit, si edhe vendet ku janë varrosur, i kemi treguar tashmë.1
2. Edhe koha e vdekjes së Joanit është dhënë në vija të përgjithshme, kurse vendin ku është varrosur e tregon një letër e Polikratit (që ishte peshkop i enorisë së Efesit), drejtuar Viktorit, peshkopit të Romës. Në këtë letër ai e përmend Joanin bashkë me apostullin Filip dhe me bijat e tij, me këto fjalë:234
3. «Sepse edhe në Azi kanë fjetur ndriçues të mëdhenj, që do të ngjallen ditën e fundit, në ardhjen e Zotit, kur ai do të vijë me lavdi nga qielli dhe do t'i kërkojë të gjithë shenjtorët. Ndër ta janë Filipi, një nga dymbëdhjetë apostujt, që fle në Hierapol, dy bijat e tij të moshuara, virgjëresha, dhe një bijë tjetër e tij, që jetoi në Shpirtin e Shenjtë dhe tani prehet në Efes; dhe, veç tyre, Joani, që ishte edhe dëshmitar, edhe mësues, që u mbështet në kraharorin e Zotit dhe që, duke qenë prift, mbajti pllakën priftërore. Edhe ai fle në Efes.»56
4. Kaq për vdekjen e tyre. Edhe te «Dialogu» i Gait, që e përmendëm pak më lart, Prokli, kundër të cilit Gai e zhvilloi debatin e vet, flet në përputhje me sa u citua. Për vdekjen e Filipit dhe të bijave të tij ai thotë kështu: «Pas tij, në Hierapol të Azisë ishin katër profetesha, bijat e Filipit. Atje është varri i tyre dhe varri i atit të tyre.» Kështu thotë ai.78
5. Kurse Luka, te «Veprat e Apostujve», i përmend bijat e Filipit, që në atë kohë ndodheshin në Qesari të Judesë bashkë me të atin dhe ishin nderuar me dhuntinë e profecisë. Fjalët e tij janë këto: «Shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.»9
6. Kështu parashtruam në këto faqe sa kemi arritur të dimë për vetë apostujt dhe për kohën apostolike, për shkrimet e shenjta që na kanë lënë ata, për shkrimet që janë të kundërshtuara, por që megjithatë shumë veta i kanë përdorur publikisht në një numër të madh kishash, si edhe për ato që janë hedhur poshtë krejtësisht dhe nuk përputhen me orthodhoksinë apostolike. Pasi e bëmë këtë, le të vazhdojmë tani me historinë tonë.
Shënime
1. Shih Librin II, kreu 25, §§5 e në vijim.
2. Shih kreun 23, §§3, 4.
3. Për Polikratin, shih Librin V, kreu 22.
4. Për Viktorin, shih Librin V, kreu 22.
5. Hierapoli ishte një qytet i shquar në Azinë Prokonsullore, rreth pesë milje në veri të Laodikesë, bashkë me të cilën përmendet te Kolosianëve 4:13. Rrënojat e këtij qyteti shtrihen në një hapësirë mjaft të madhe, dhe vendin e tij e zë një fshat i quajtur Pambouk Kelessi.
6. Për veprimtarinë e Joanit në Efes dhe për vdekjen e tij atje, shih Librin III, kreu 1.
7. Libri II, kreu 25, §6, dhe Libri III, kreu 28, §1. Për Gain dhe dialogun e tij me Proklin, shih vendin e parë.
8. Për Proklin, një udhëheqës montanist, shih Librin II, kreu 25.
9. Veprat 21:8, 9. Është mjaft e qartë se Eusebi i mban apostullin Filip dhe ungjillëzuesin Filip për një dhe të njëjtin njeri.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it