Simeoni, peshkopi i Jerusalemit, vdes si dëshmor.
Libri III, Kreu XXXII
1. Thuhet se pas kohës së Neronit dhe të Domicianit, nën perandorin për kohën e të cilit po shkruajmë tani, në disa qytete u ngrit kundër nesh një përndjekje, si pasojë e një trazire popullore. Kemi mësuar se në këtë përndjekje vdiq si dëshmor Simeoni, i biri i Kleopës, që, siç e kemi treguar, ishte peshkopi i dytë i kishës së Jerusalemit.123
2. Edhe për këtë dëshmon Hegjesipi, fjalët e të cilit i kemi cituar tashmë në vende të ndryshme. Duke folur për disa heretikë, ai shton se në këtë kohë ata e paditën Simeonin. Meqë ishte e qartë se ishte i krishterë, e torturuan në mënyra të ndryshme për shumë ditë; ai e mahniti jashtë mase edhe vetë gjykatësin dhe ata që e shoqëronin, dhe më në fund pësoi një vdekje të ngjashme me atë të Zotit tonë.456
3. Por s'ka gjë më të mirë se ta dëgjojmë vetë historianin, që shkruan kështu: «Disa nga këta heretikë e paditën Simeonin, të birin e Kleopës, se ishte pasardhës i Davidit dhe i krishterë; dhe kështu ai vdiq si dëshmor, në moshën njëqind e njëzet vjeç, kur perandor ishte Trajani dhe qeveritar Atiku.»
4. I njëjti shkrimtar thotë se edhe paditësit e tij, kur kërkoheshin pasardhësit e Davidit, u arrestuan si pjesëtarë të asaj familjeje. Me arsye mund të mendohet se Simeoni ishte një nga ata që e panë dhe e dëgjuan Zotin: për këtë flasin jeta e tij e gjatë dhe Ungjilli, që e përmend Marinë, gruan e Kleopës; e Kleopa, siç u tregua tashmë, ishte i ati i Simeonit.789
5. I njëjti historian thotë se kishte edhe të tjerë, pasardhës të Judës, njërit nga të ashtuquajturit vëllezër të Shpëtimtarit. Pasi dhanë dëshmi para Domicianit për besimin në Krishtin, siç është treguar tashmë, ata jetuan deri në po atë mbretërim.10
6. Ai shkruan kështu: «Erdhën, pra, dhe u vunë në krye të çdo kishe, si dëshmitarë dhe si të afërm të Zotit. Si u vendos paqe e thellë në çdo kishë, mbetën gjallë deri në mbretërimin e perandorit Trajan, dhe derisa Simeonin e përmendur më lart, të birin e Kleopës, ungjit të Zotit, e kallëzuan heretikët, dhe ai vetë u padit po ashtu, për të njëjtën arsye, para qeveritarit Atik. Pasi e torturuan për shumë ditë, u martirizua, dhe të gjithë, madje edhe prokonsulli, u mahnitën që, në moshën njëqind e njëzet vjeç, mundi të duronte kaq shumë. Dhe u dha urdhër të kryqëzohej.»1112
7. Veç këtyre, po ai, kur tregon ngjarjet e asaj periudhe, shkruan se deri në atë kohë Kisha kishte mbetur virgjëreshë e pastër dhe e pacenuar. Sepse, nëse kishte të tillë që përpiqeshin ta prishnin rregullën e shëndoshë të predikimit të shpëtimit, deri atëherë ata rrinin të fshehur në terrin e errësirës.
8. Por kur kori i shenjtë i apostujve e gjeti vdekjen në mënyra të ndryshme dhe kur u shua brezi i atyre që ishin quajtur të denjë ta dëgjonin me veshët e tyre urtësinë e frymëzuar, atëherë zuri fill lidhja e lajthitjes së pafe, si pasojë e marrëzisë së mësuesve heretikë. Meqë asnjë nga apostujt nuk ishte më gjallë, këta u përpoqën që atëherë, me guxim të pacipë, të shpallnin, kundër predikimit të së vërtetës, «diturinë me emër të rremë».13
Shënime
1. Trajani, që mbretëroi nga viti 98 deri në vitin 117 pas Krishtit.
2. Për gjendjen e të krishterëve në kohën e Trajanit, shih kreun pasues.
3. Shih kreun 11.
4. I cituar në Librin II, kreu 23, dhe në Librin III, kreu 20, dhe i përmendur në Librin III, kreu 11. Për jetën dhe shkrimet e tij, shih Librin IV, kreu 8.
5. Në vendin e cituar në Librin IV, kreu 22, §4, Hegjesipi flet për heretikë të ndryshëm, dhe duket sikur vendi i cituar atje i paraprinte drejtpërdrejt këtij të tanishmit në veprën e Hegjesipit.
6. Domethënë me kryqëzim, siç thuhet në §6.
7. Ky është pa dyshim një supozim i arsyeshëm, dhe zgjedhja njëzëri e Simeonit si pasardhës i Jakovit, në një kohë kur duhet të kenë qenë gjallë shumë veta që e kishin parë Zotin, e përforcon këtë përfundim.
8. Maria, gruaja e Kleopës, përmendet te Gjoni 19:25.
9. Shih më lart, kreu 11.
10. Shih më lart, kreu 20.
11. Këtë pjesë të citimit Eusebi e ka dhënë tashmë me fjalët e veta në kreun 20, §8.
12. ἐπὶ τῷ αὐτῷ λόγῳ, domethënë u padit për të njëjtën arsye si nipërit e Judës (të cilët Hegjesipi i kishte përmendur pak më parë), konkretisht sepse i përkiste linjës së Davidit. Shih kreun 20.
13. Për heretikët që përmend Hegjesipi, shih Librin IV, kreu 22.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it