Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Ungjillëzuesit që shquheshin ende në atë kohë.

Libri III, Kreu XXXVII

1. Ndër ata që kishin nam në atë kohë ishte Kuadrati, që, siç thuhet, shquhej bashkë me bijat e Filipit për dhuntitë e profecisë. Veç tyre kishte edhe shumë të tjerë, të njohur në ato ditë, që zinin vendin e parë ndër pasardhësit e apostujve. Edhe këta, si nxënës të shkëlqyer të burrave kaq të mëdhenj, ndërtuan mbi themelet e kishave që apostujt i kishin hedhur në çdo vend, e predikuan Ungjillin gjithnjë e më gjerësisht dhe i hodhën farat shpëtimtare të mbretërisë së qiejve larg e afër, në mbarë botën.

2. Sepse shumica e nxënësve të asaj kohe, të përflakur nga fjala hyjnore me një dashuri më të zjarrtë për filozofinë, e kishin përmbushur tashmë urdhërimin e Shpëtimtarit dhe ua kishin ndarë pasurinë e tyre nevojtarëve. Pastaj u nisën për udhëtime të gjata dhe kryen detyrën e ungjillëzuesve, plot dëshirë për t'ua predikuar Krishtin atyre që nuk e kishin dëgjuar ende fjalën e besimit dhe për t'ua përcjellë Ungjijtë hyjnorë.12

3. Pasi hodhën vetëm themelet e besimit në vende të huaja, caktuan të tjerë si barinj dhe u besuan rritjen e atyre që sapo ishin sjellë në besim, kurse vetë u nisën sërish drejt vendeve dhe kombeve të tjera, me hirin dhe me bashkëveprimin e Perëndisë. Sepse përmes tyre, me fuqinë e Shpirtit hyjnor, u bënë shumë e shumë vepra të mrekullueshme, kështu që turma të tëra njerëzish, që në dëgjimin e parë, e përqafuan me zell fenë e Krijuesit të gjithësisë.

4. Por meqë e kemi të pamundur t'i numërojmë me emër të gjithë ata që u bënë barinj ose ungjillëzues në kishat e mbarë botës, në kohën që erdhi menjëherë pas apostujve, kemi shënuar, siç ishte me vend, vetëm emrat e atyre që na e kanë përcjellë mësimin apostolik në shkrime që ruhen edhe sot.

Shënime

1. Domethënë një mënyrë jetese asketike. Shih Librin VI, kreu 3.

2. Shih Mateu 19:21.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it