Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Letra e Klementit dhe shkrimet që i vishen pa të drejtë.

Libri III, Kreu XXXVIII

1. Kështu ka bërë Ignati në letrat që përmendëm, dhe Klementi në letrën e tij që e pranojnë të gjithë, të cilën ia shkroi kishës së Korintit në emër të kishës së Romës. Në këtë letër ai jep shumë mendime të marra nga «Letra drejtuar Hebrenjve» dhe citon fjalë për fjalë edhe disa shprehje të saj. Kështu tregon fare qartë se ajo nuk është një vepër e kohëve të fundit.12

2. Prandaj është dukur e arsyeshme që ajo të numërohet bashkë me shkrimet e tjera të apostullit. Meqë Pavli u kishte shkruar hebrenjve në gjuhën e tij amtare, disa thonë se letrën e përktheu Ungjillori Luka, të tjerë se e përktheu vetë ky Klement.

3. Kjo e dyta duket më e gjasshme, sepse letra e Klementit dhe ajo drejtuar hebrenjve kanë karakter të ngjashëm për sa i përket stilit, dhe, veç kësaj, sepse mendimet që përmbajnë të dyja veprat nuk ndryshojnë shumë.3

4. Por duhet vënë re edhe se thuhet që ekziston një letër e dytë e Klementit. Mirëpo nuk dimë që kjo të pranohet si e para, sepse nuk gjejmë që të lashtët ta kenë përdorur ndonjëherë.

5. Kohët e fundit disa kanë nxjerrë nën emrin e tij edhe shkrime të tjera, fjalëshumë e të gjata, që përmbajnë dialogë të Pjetrit dhe të Apionit. Por të lashtët nuk i kanë përmendur fare, sepse ato nuk e ruajnë as vulën e pastër të orthodhoksisë apostolike. Shkrimi i pranuar i Klementit është i mirënjohur. Folëm edhe për veprat e Ignatit dhe të Polikarpit.4

Shënime

1. Në kreun 36, më lart.

2. Shih më lart, kreu 16.

3. Për «Letrën drejtuar Hebrenjve» dhe traditat e ndryshme rreth autorësisë së saj, shih më lart, kreu 3.

4. Në kreun 36, më lart.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it