Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Pasardhësit e parë të apostujve.

Libri III, Kreu IV

1. Pavli u predikoi johebrenjve dhe hodhi themelet e kishave «nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri»: kjo duket qartë si nga fjalët e tij, ashtu edhe nga rrëfimi i Lukës te «Veprat e Apostujve».12

2. Edhe në sa provinca e predikoi Pjetri Krishtin dhe u mësoi atyre të rrethprerjes doktrinën e besëlidhjes së re, del qartë nga vetë fjalët e tij në letrën që e përmendëm tashmë si të pakundërshtuar, ku u shkruan hebrenjve të shpërndarjes në Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini.34

3. Por sa ishin dhe si quheshin ata ndër ta që u bënë ndjekës të vërtetë e të zellshëm të apostujve dhe u gjykuan të denjë të kullotnin kishat e themeluara prej tyre, nuk është e lehtë të thuhet, përveç atyre që përmenden në shkrimet e Pavlit.

4. Sepse ai pati bashkëpunëtorë të panumërt, ose «bashkëluftëtarë», siç i quante vetë, dhe shumicën prej tyre i nderoi me një kujtim të pavdekshëm: në letrat e veta la për ta një dëshmi të qëndrueshme.5

5. Edhe Luka, te «Veprat e Apostujve», flet për miqtë e tij dhe i përmend me emër.

6. Timoteu, siç shënohet, ishte i pari që mori peshkopatën e enorisë së Efesit, kurse Titi atë të kishave të Kretës.

7. Kurse Luka, antiokian nga prejardhja dhe mjek me profesion, që ishte veçanërisht i afërt me Pavlin dhe i njihte mirë edhe apostujt e tjerë, na ka lënë, në dy libra të frymëzuar, dëshmi të atij arti shpirtëror të shërimit që e mësoi prej tyre. Njëri nga këta libra është Ungjilli. Për këtë libër ai dëshmon se e shkroi ashtu siç ia përcollën ata që kishin qenë që në fillim dëshmitarë me sy dhe shërbëtorë të fjalës; të gjithë këta, siç thotë, i ndoqi me përpikëri që nga fillimi. Libri tjetër është «Veprat e Apostujve», që e hartoi jo nga rrëfimet e të tjerëve, por nga ato që kishte parë vetë.67

8. Thonë se Pavli e kishte fjalën për Ungjillin e Lukës sa herë që, sikur të fliste për ndonjë ungjill të vetin, përdorte fjalët «sipas ungjillit tim».8

9. Sa për ndjekësit e tjerë të tij, Pavli dëshmon se Kreskenti u dërgua në Gali. Kurse Lini, të cilin e përmend në «Letrën e dytë drejtuar Timoteut» si shokun e tij në Romë, ishte pasardhësi i Pjetrit në peshkopatën e kishës së atjeshme, siç u tregua tashmë.910

10. Edhe Klementi, që u caktua peshkop i tretë i kishës së Romës, ishte, siç dëshmon Pavli, bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar i tij.

11. Përveç këtyre është edhe ai areopagit, me emrin Dionis, që besoi i pari pas fjalës që Pavli u mbajti athinasve në Areopag (siç e tregon Luka te «Veprat e Apostujve»): një Dionis tjetër, shkrimtar i lashtë dhe bari i enorisë së Korintit, e përmend si peshkopin e parë të kishës së Athinës.11

12. Por ngjarjet që lidhen me trashëgiminë apostolike do t'i tregojmë në kohën e duhur. Ndërkohë le ta vazhdojmë rrjedhën e historisë sonë.

Shënime

1. Romakëve 15:19.

2. Nga Veprat 9 e në vijim.

3. Te kreu 3, §1.

4. 1 Pjetrit 1:1.

5. Filipianëve 2:25; Filemonit 2.

6. Shih Kolosianëve 4:14.

7. Luka 1:2, 3.

8. Romakëve 2:16; 16:25; 2 Timoteut 2:8.

9. 2 Timoteut 4:21.

10. Shih më lart, kreu 2.

11. Për Dionisin e Korintit, shih më poshtë, Librin IV, kreu 23.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it