Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Letrat e apostujve.

Libri III, Kreu III

1. Një letër e Pjetrit, ajo që quhet e para, pranohet si e mirëfilltë. Pleqtë e lashtë e përdorën lirisht në shkrimet e tyre si vepër të pakundërshtuar. Kurse për letrën e tij të dytë, që ka arritur deri te ne, kemi mësuar se nuk i përket kanonit; megjithatë, meqë shumëkujt i është dukur e dobishme, është përdorur bashkë me Shkrimet e tjera.

2. Ndërsa për të ashtuquajturat «Vepra të Pjetrit», për Ungjillin që mban emrin e tij dhe për «Predikimin» e «Apokalipsin», siç quhen, dimë se nuk janë pranuar nga të gjithë, sepse asnjë shkrimtar kishtar, as i lashtë, as i kohës sonë, nuk ka përdorur dëshmi të nxjerra prej tyre.1

3. Por gjatë historisë sime do të kujdesem të tregoj, përveç trashëgimisë në detyrë, cilët shkrimtarë kishtarë kanë përdorur herë pas here ndonjë nga veprat e kundërshtuara dhe çfarë kanë thënë për shkrimet kanonike e të pranuara, si edhe për ato që nuk janë të këtij lloji.

4. Këto janë shkrimet që mbajnë emrin e Pjetrit. Prej tyre di vetëm një që është i mirëfilltë dhe që e kanë pranuar pleqtë e lashtë.

5. Katërmbëdhjetë letrat e Pavlit janë të mirënjohura dhe të pakundërshtuara. Megjithatë nuk është e drejtë të lihet pa përmendur se disa e kanë hedhur poshtë «Letrën drejtuar Hebrenjve», duke thënë se kisha e Romës e kundërshton, me arsyetimin se nuk e ka shkruar Pavli. Por atë që kanë thënë për këtë letër ata që jetuan para kohës sonë do ta citoj në vendin e duhur. Sa për të ashtuquajturat «Vepra të Pavlit», nuk i kam gjetur ndër shkrimet e pakundërshtuara.2

6. Por meqë i njëjti apostull, te përshëndetjet në fund të «Letrës drejtuar Romakëve», ka përmendur ndër të tjerë edhe Hermën, të cilit i vishet libri i quajtur «Bariu», duhet vënë re se edhe këtë libër disa e kanë kundërshtuar, dhe për shkak të tyre nuk mund të radhitet ndër librat e pranuar. Të tjerë, përkundrazi, e quajnë krejt të domosdoshëm, sidomos për ata që kanë nevojë të mësojnë elementet e besimit. Prandaj, siç e dimë, është lexuar publikisht nëpër kisha, dhe kam gjetur se e kanë përdorur disa nga shkrimtarët më të lashtë.

7. Kaq mjafton për të treguar cilat shkrime hyjnore janë të pakundërshtuara dhe cilat nuk pranohen nga të gjithë.

Shënime

1. Eusebi e tepron në këtë pohim. «Apokalipsi i Pjetrit» përdorej mjaft gjerësisht në shekullin e dytë, siç mësojmë nga Fragmenti i Muratorit; dhe Klementi (siç thotë vetë Eusebi te VI. 14) shkroi një koment mbi të, bashkë me shkrimet e tjera të kundërshtuara.

2. Shih Librin VI, krerët 14, 20, 25.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it