Fatkeqësitë e judenjve gjatë mbretërimit të Trajanit.
Libri IV, Kreu II
1. Mësimi dhe Kisha e Shpëtimtarit tonë lulëzonin shumë dhe përparonin dita-ditës, kurse fatkeqësitë e judenjve shtoheshin, dhe ata pësonin një të keqe pas tjetrës, pa pushim. Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Trajanit shpërtheu një trazirë tjetër e judenjve, dhe në të humbi jetën një mori e madhe prej tyre.1
2. Sepse në Aleksandri dhe në pjesën tjetër të Egjiptit, si edhe në Kirenë, ata, si të nxitur nga ndonjë frymë e tmerrshme dhe përçarëse, u hodhën në kryengritje kundër bashkëbanorëve të tyre, grekëve. Kryengritja u rrit shumë dhe, vitin tjetër, kur qeveritar i mbarë Egjiptit ishte Lupi, u kthye në një luftë jo të vogël.23
3. Në sulmin e parë ndodhi që ata dolën fitimtarë mbi grekët. Këta ikën në Aleksandri, ku i burgosën dhe i vranë judenjtë që gjendeshin në qytet. Por judenjtë e Kirenës, ndonëse mbetën pa ndihmën e tyre, vazhduan ta plaçkitnin tokën e Egjiptit dhe t'ia shkretonin krahinat, nën udhëheqjen e Lukuas. Kundër tyre perandori dërgoi Marc Turbonin me forca këmbësorie e detare, si edhe me forca kalorësie.45
4. Ai luftoi kundër tyre për një kohë të gjatë, zhvilloi shumë beteja dhe vrau shumë mijëra judenj, jo vetëm nga ata të Kirenës, por edhe nga ata që banonin në Egjipt dhe që i kishin ardhur në ndihmë mbretit të tyre, Lukuas.
5. Por perandori, nga frika se mos edhe judenjtë e Mesopotamisë sulmonin banorët e atij vendi, e urdhëroi Luc Kuintin ta pastronte provincën prej tyre. Ky marshoi kundër tyre dhe vrau një mori të madhe nga ata që banonin atje. Për shkak të këtij suksesi, perandori e bëri qeveritar të Judesë. Këto ngjarje i kanë shënuar, me po këto fjalë, edhe historianët grekë që kanë shkruar për ato kohë.
Shënime
1. Viti 115 pas Krishtit.
2. Judenjtë ishin fort të shumtë si në Egjipt, ashtu edhe në Kirenë, që shtrihej menjëherë në perëndim të Egjiptit. Judenjtë e Kirenës kishin një sinagogë në Jerusalem, siç thuhet te Veprat 6:9.
3. Lupi është, të paktën për mua, një figurë e panjohur nga burime të tjera.
4. Dion Kasi (LXVIII. 32) e quan Lukuan Andrea. Münter sugjeron se ai mund të ketë mbajtur dy emra, një judaik dhe një romak, siç bënin shumë nga judenjtë e asaj kohe.
5. Marc Turboni ishte një nga gjeneralët romakë më të shquar në kohën e Trajanit dhe të Hadrianit, dhe më në fund u bë prefekt i pretorit në kohën e Hadrianit. Shih Dion Kasi, LXIX. 18, dhe Sparciani, «Jeta e Hadrianit» 4–9, 15.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it