Serapioni për herezinë e frigasve.
Libri V, Kreu XIX
1. Serapioni, i cili, siç thuhet, e pasoi në atë kohë Maksiminin si peshkop i kishës së Antiokisë, i përmend veprat e Apolinarit kundër herezisë së përmendur më sipër. Apolinarin e zë në gojë në një letër private drejtuar Karikut dhe Poncit, në të cilën edhe ai vetë e nxjerr në shesh të njëjtën herezi, dhe shton këto fjalë:1
2. «Që ta shihni se veprimet e kësaj bande gënjeshtare të profecisë së re, siç e quajnë, janë të neveritshme për gjithë vëllazërinë në mbarë botën, ju kam dërguar shkrime të Klaud Apolinarit, peshkopit shumë të lumur të Hierapolit në Azi.»
3. Në të njëjtën letër të Serapionit gjenden nënshkrimet e disa peshkopëve; njëri prej tyre nënshkruan kështu:
«Unë, Aurel Kirini, dëshmitar, lutem për shëndetin tuaj.»2
Dhe një tjetër në këtë mënyrë:
«Eli Publ Juli, peshkop i Debeltit, koloni e Trakisë. Ashtu siç rron Perëndia në qiej, i lumi Sota në Ankial deshi ta dëbonte demonin nga Priskila, por hipokritët nuk e lanë.»34
4. Në të njëjtën letër gjenden edhe nënshkrimet e shumë peshkopëve të tjerë që pajtoheshin me ta, të vëna me dorën e tyre.
Kaq për këta njerëz.
Shënime
1. Për Maksiminin, shih Librin IV, kreu 24.
2. Për këtë Aurel Kirin nuk dimë asgjë. Është e mundur që ai ta quajë veten thjesht dëshmitar (μαρτύς) të fakteve që shënon Serapioni në letrën e tij, por ka më shumë të ngjarë që ta përdorë këtë fjalë për të treguar se ka «dëshmuar për Krishtin» gjatë përndjekjes.
3. Edhe Eli Publ Juli është një person i panjohur nga burime të tjera. Debelti dhe Ankiali ishin qytete të Trakisë, në bregun perëndimor të Detit të Zi.
4. Lightfoot sugjeron se ky Sota (Σωτᾶς) mund të jetë i njëjti me Zotikun (Ζωτικός) që përmendet në kreun e mëparshëm, meqë këmbimi i nistoreve Σ dhe Ζ është shumë i zakonshëm. Por nga kreu 16 mësojmë se Zotiku ishte peshkop i Komanës, kështu që vështirë se mund të njëjtësohet me Sotën, peshkopin e Ankialit.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it