Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Shkrimet e Irineut kundër skizmatikëve në Romë.

Libri V, Kreu XX

1. Irineu shkroi disa letra kundër atyre që në Romë po e trazonin rendin e shëndoshë të Kishës. Njëra iu drejtua Blastit, «Mbi skizmën»; një tjetër Florinit, «Mbi monarkinë, ose Se Perëndia nuk është autori i së keqes». Sepse Florini dukej se e mbronte këtë mendim. Dhe meqë atë po e tërhiqte pas vetes lajthitja e Valentinit, Irineu shkroi veprën e tij «Mbi Ogdoadën», ku tregon se ai vetë i kishte njohur pasardhësit e parë të apostujve.12

2. Në fund të traktatit kemi gjetur një shënim shumë të bukur, të cilin e kemi për detyrë ta fusim në këtë vepër. Ai thotë kështu:

«Të përbetoj ty që do ta kopjosh këtë libër, për Zotin tonë Jisu Krisht dhe për ardhjen e tij të lavdishme, kur të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit: krahasoje atë që do të shkruash dhe ndreqe me kujdes sipas këtij dorëshkrimi; shkruaje edhe këtë përbetim dhe vëre në kopje.»

3. Këto gjëra lexohen me dobi në veprën e tij dhe me dobi i tregojmë edhe ne, që t'i kemi ata burra të lashtë dhe vërtet të shenjtë si shembullin më të mirë të kujdesit të palodhur.

4. Në letrën drejtuar Florinit, për të cilën kemi folur, Irineu e përmend përsëri afërsinë e tij me Polikarpin dhe thotë:3

«Këto mësime, o Florin, për ta thënë butë, nuk janë të një gjykimi të shëndoshë. Këto mësime nuk pajtohen me Kishën dhe i shtyjnë në paperëndishmërinë më të madhe ata që i pranojnë. Këto mësime nuk kanë guxuar kurrë t'i shpallin as heretikët jashtë Kishës. Këto mësime nuk t'i përcollën presbiterët që ishin para nesh dhe që ishin shoqërues të apostujve.

5. Sepse unë, ende djalë, të pashë në Azinë e poshtme me Polikarpin, kur shkëlqeje në oborrin mbretëror dhe përpiqeshe të fitoje miratimin e tij.

6. Ngjarjet e asaj kohe i mbaj mend më qartë se ato të viteve të fundit. Sepse ajo që mësojnë djemtë rritet bashkë me mendjen e tyre dhe bëhet një me të. Kështu, mund ta përshkruaj edhe vetë vendin ku ulej i lumi Polikarp kur fliste, daljet dhe hyrjet e tij, mënyrën e jetesës, pamjen e trupit, fjalimet që i mbante popullit dhe rrëfimet që bënte për shoqërimin e tij me Joanin dhe me të tjerët që e kishin parë Zotin. Dhe Polikarpi, ashtu siç i mbante mend fjalët e tyre dhe ç'kishte dëgjuar prej tyre për Zotin, për mrekullitë dhe për mësimin e tij, i tregonte të gjitha, pasi i kishte marrë nga dëshmitarë që e kishin parë me sy ‹Fjalën e jetës›, në përputhje me Shkrimet.4

7. Këto gjëra, që m'u treguan me mëshirën e Perëndisë, i dëgjova me vëmendje dhe i shënova jo në letër, por në zemrën time. Dhe vazhdimisht, me hirin e Perëndisë, i sjell ndër mend besnikërisht. Mund të dëshmoj përpara Perëndisë se, po të kishte dëgjuar ndonjë gjë të tillë, ai presbiter i lumur dhe apostolik do të kishte lëshuar një britmë, do të kishte zënë veshët dhe, siç e kishte zakon, do të kishte thirrur: O Perëndi i mirë, për ç'kohë më ke ruajtur, që të duroj këto gjëra? Dhe do të kishte ikur nga vendi ku, ulur a në këmbë, kishte dëgjuar fjalë të tilla.

8. Dhe kjo mund të tregohet qartë nga letrat që dërgoi, qoftë kishave fqinje për t'i forcuar, qoftë disa vëllezërve, për t'i këshilluar dhe për t'i nxitur.» Deri këtu Irineu.5

Shënime

1. Për Irineun, shih Librin IV, kreu 21.

2. Fjalë për fjalë: «ku tregon se ai vetë e kishte kapur (κατειληφέναι) trashëgiminë (διαδοχήν) e parë të apostujve». Për të theksuar se mësimi që jepte ishte doktrina e vërtetë, ai vuri në dukje, siç bënte kaq shpesh gjetkë, rrethanën se kishte njohur personalisht nxënës të apostujve.

3. Letra «Mbi monarkinë», e përmendur në fillim të këtij kreu.

4. 1 Gjonit 1:1.

5. Njohim vetëm një letër të Polikarpit, atë drejtuar filipianëve, që ruhet ende. Për jetën dhe letrën e tij, shih Librin IV, kreu 14.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it