Si u martirizua Apoloni në Romë.
Libri V, Kreu XXI
1. Rreth së njëjtës kohë, në mbretërimin e Komodit, gjendja jonë mori për mirë: me hirin e Perëndisë kishat në mbarë botën gëzonin paqe, dhe fjala e shpëtimit po e çonte çdo shpirt, nga çdo fis njerëzor, drejt adhurimit të devotshëm të Perëndisë së gjithësisë. Kështu, tashmë në Romë shumë njerëz fort të shquar për pasuri e për familje u kthyen drejt shpëtimit të tyre bashkë me gjithë shtëpinë dhe të afërmit.1
2. Por demoni që urren të mirën, i lig siç është nga natyra, nuk e duroi dot këtë. U bë gati përsëri për luftë dhe kurdisi shumë dredhi kundër nesh. E nxori para gjykatores Apolonin nga qyteti i Romës, burrë të dëgjuar ndër besimtarët për dituri dhe filozofi, pasi shtyu një nga shërbëtorët e tij, që ishte i përshtatshëm për një punë të tillë, ta padiste.
3. Por ky i mjerë e bëri padinë në kohë të papërshtatshme, sepse një dekret mbretëror e ndalonte që kallëzuesit e gjërave të tilla të mbeteshin gjallë. Menjëherë ia thyen këmbët, pasi gjykatësi Peren dha këtë vendim kundër tij.
4. Kurse dëshmori, shumë i dashur për Perëndinë, kur gjykatësi iu lut me ngulm dhe i kërkoi të jepte llogari për veten para senatit, e mbrojti me gojëtari, në prani të të gjithëve, besimin për të cilin po dëshmonte. Dhe, si me dekret të senatit, e vranë duke i prerë kokën, sepse një ligj i lashtë kërkonte të mos liroheshin ata që nxirreshin para gjykatores dhe nuk pranonin të mohonin. Kush dëshiron t'i njohë argumentet e tij para gjykatësit, përgjigjet që u dha pyetjeve të Perenit dhe gjithë mbrojtjen e tij para senatit, do t'i gjejë në shënimet e martirizimeve të lashta që kemi mbledhur.23
Shënime
1. Marcia, konkubina e Komodit, që kishte ndikim të madh mbi të, i përkrahte të krishterët (sipas Dion Kasit, LXXII. 4), prandaj ata gëzuan një paqe relative gjatë mbretërimit të tij.
2. Valesius mendon se këtu bëhet fjalë për reskriptin e Trajanit drejtuar Plinit (shih më lart Librin III, kreu 33). Kjo është e mundur, ndonëse gjuha e Eusebit duket se nënkupton një referim më të përgjithshëm, për çdo lloj çështjeje, jo vetëm për çështjet e të krishterëve.
3. «Përmbledhja e martirizimeve», vepra e madhe e Eusebit, që tani ka humbur.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it