Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Shkrimet që përmend ai.

Libri VI, Kreu XIV

1. Me pak fjalë, te «Hipotipozat» ai ka dhënë shpjegime të përmbledhura për gjithë Shkrimin kanonik, pa lënë jashtë as librat e kundërshtuar: e kam fjalën për letrën e Judës dhe për letrat e tjera katholike, për atë të Varnavës dhe për të ashtuquajturin «Apokalips të Pjetrit».123

2. Thotë se «Letra drejtuar Hebrenjve» është vepër e Pavlit dhe se u shkrua për hebrenjtë në gjuhën hebraike, por se Luka e përktheu me kujdes dhe e botoi për grekët. Prandaj, sipas tij, në këtë letër dhe te «Veprat e Apostujve» gjendet e njëjta mënyrë të shprehuri.4

3. Por thotë se fjalët «Pavli, apostull» me gjasë nuk u vunë në krye, sepse, kur ua dërgonte hebrenjve, që kishin paragjykime kundër tij dhe e shihnin me dyshim, ai me urtësi nuk deshi t'i largonte që në fillim duke vënë emrin e vet.

4. Më tej thotë: «Por tani, siç thoshte presbiteri i lumur, meqë Zoti, duke qenë apostull i të Tërëfuqishmit, u dërgua te hebrenjtë, Pavli, si i dërguar te johebrenjtë, nga modestia nuk u nënshkrua si apostull i hebrenjve. Këtë e bëri nga nderimi për Zotin, dhe sepse, duke qenë kasnec dhe apostull i johebrenjve, u shkroi hebrenjve nga bollëku i vet.»

5. Sërish, në të njëjtët libra, Klementi e jep kështu traditën e presbiterëve më të hershëm për radhën e Ungjijve:

6. Ungjijtë që përmbajnë gjenealogjitë, thotë ai, u shkruan të parët. «Ungjilli sipas Markut» pati këtë shkas. Pasi Pjetri e kishte predikuar Fjalën botërisht në Romë dhe e kishte shpallur Ungjillin me anë të Shpirtit, shumë nga të pranishmit i kërkuan Markut, që e kishte ndjekur për një kohë të gjatë dhe i mbante mend thëniet e tij, t'i hidhte ato në shkrim. Ai e hartoi Ungjillin dhe ua dha atyre që ia kishin kërkuar.5

7. Kur Pjetri e mori vesh këtë, as nuk e ndaloi shprehimisht, as nuk e nxiti. Por i fundit nga të gjithë, Joani, kur pa se gjërat e jashtme ishin bërë të qarta në Ungjill, i nxitur nga miqtë dhe i frymëzuar nga Shpirti, hartoi një Ungjill shpirtëror. Ky është rrëfimi i Klementit.

8. Po ashtu, Aleksandri i përmendur më lart, në një letër drejtuar Origjenit, flet për Klementin, dhe njëkohësisht për Pantenin, si për njerëz që i kishte njohur nga afër. Ai shkruan kështu:6

«Sepse ky, siç e di, ishte vullneti i Perëndisë: që miqësia jonë, e trashëguar nga të parët, të mbetej e patundur, madje të bëhej edhe më e ngrohtë e më e fortë.

9. Sepse i njohim mirë ata etër të lumur që e kanë përshkuar udhën para nesh dhe me të cilët do të jemi së shpejti: Pantenin, atë njeri e zotëri vërtet të lumur, dhe Klementin e shenjtë, zotërinë dhe mirëbërësin tim, e ndonjë tjetër që mund të jetë si ata. Nëpërmjet tyre të njoha ty, më të mirin në gjithçka, zotërinë dhe vëllanë tim.»7

10. Kaq për këto. Kurse Adamanti (sepse Origjeni kishte edhe këtë emër), kur Zefirini ishte peshkop i Romës, shkoi në Romë, «nga dëshira», siç thotë ai vetë diku, «për të parë kishën shumë të lashtë të Romës».

11. Pasi qëndroi atje pak kohë, u kthye në Aleksandri, ku i kryente me zell të madh detyrat e mësimit kateketik, ndërsa Dhimitri, që në atë kohë ishte peshkop i atij qyteti, e nxiste, madje i lutej, të punonte me ngulm për të mirën e vëllezërve.8

Shënime

1. Për librat e kundërshtuar (Antilegomena) te Eusebi dhe për kanonin e Dhiatës së Re në përgjithësi, shih Librin III, kreu 25.

2. Për letrën e Varnavës, shih Librin III, kreu 25.

3. Për «Apokalipsin e Pjetrit», shih Librin III, kreu 3.

4. Për «Letrën drejtuar Hebrenjve», shih më lart, Librin III, kreu 3.

5. Për hartimin e Ungjillit të Markut, shih Librin II, kreu 15; me këtë pohim të Klementit për qëndrimin e Pjetrit ndaj hartimit të tij, krahaso fjalët e Eusebit në §2 të atij kreu.

6. Është përmendur tashmë në krerët 8 dhe 11.

7. Nga ky vend nxjerrim se Aleksandri ishte nxënës i Klementit dhe bashkënxënës i Origjenit (shih kreun 8 dhe kreun 2). Letra nuk e thotë këtë drejtpërdrejt, por përfundimi duket mjaft i qartë.

8. Për marrëdhëniet e Dhimitrit me Origjenin, shih kreun 8.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it